Estonia hap në Luksemburg një ambasadë… elektronike!

607
I konsideruar si vendi që përdor më shumë internetin në botë, Estonia ka bërë një tjetër hap në këtë drejtim, duke vendosur që të hapë në vitin 2018 në Luksemburg ambasadën e parë elektronike për të ruajtur bankat e saj të të dhënave.
Salla e severave, me masa të sigurisë së lartë, do të mbajë informacione të rëndësishme elektronike të qeverisë estoneze, që do të jetë e mundur të aksesohen edhe nëse sistemi në territorin kombëtar të jetë jashtë përdorimi.
“Siguria e të dhënave dhe siguria kibernetike janë të një rëndësie thelbësore nga kënd vështrimi i besimit tek njerëzit dhe të funksionimit të shërbimeve”, tha kryeministri estonez, Juri Ratas muajin e kaluar.
“Kjo bën pjesë në atë që ne e quajmë higjena elektronike e përditshme në shoqërinë tonë gjithnjë e më të informatizuar”, shtoi ai, në një deklaratë të publikuar pasi nënshkroi me homologun e tij luksemburgas, Xavier Bettel marrëveshjen për grumbullimin e të dhënave estoneze.
“Kjo është ambasada e parë elektronike në botë”, tha Ratas, vendi i të cilit, me 1,3 milionë banorë, quhet ndryshe edhe E-stonia për shkakt të tërheqjes së lartë që ka nga teknologjitë e reja.
Pas përfundimit të pesë dekadave të pushtimit sovjetik në vitin 1991, Estonia u përqëndrua në zhvillimin e teknologjive të larta dhe është në krye të vendeve të BE-së, të cilës iu bashkua në vitin 2004.
Shumica e shërbimeve publike janë të aksesueshme nëpërmjet internetit, nëdrsa votimi me internet hyri në fuqi në vitin 2005.
Në Talin ndodhet gjithashtu një prej qendrave të mbrojtjes kibernetike të NATO-s, ku ekspertë të Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore përpiqen të garantojnë sigurinë e 29 vendeve të aleancës.
Sigal