Është përcjellë për në banesën e fundit gazetari veteran, Timoleo Mërtiri

87
Është përcjellë për në banesën e fundit gazetari veteran, Timoleo Mërtiri. Gazetari Timo Mërtiri ka qenë mik i gazetës “Telegraf” ku ka botuar intervistat e tij dhe kujtimet nga jeta partizane e mediatike, episode nga koha e socializmit. Kolegët e Sarandës e kanë përcjellë me respekt dhe kanë mbajtur edhe një fjalë në nderim të tij, nëpërmjet kreut të unionit të gazetarëve të Sarandës, z.Thoma Nika.
Homazh për Timoelo Mërtirin
Ikja e Timoleo Mërtirit nga kjo jetë, është një lajm i rëndë për familjen, për dy djemtë dhe dy vajzat, që janë në një kuptim, vazhdim i karakterit dhe i temperamentit të Timos. Ju drejtojmë atyre ngushëllimet më të sinqerta. Është i natyrshëm dhe i dallueshëm hidhërimi që ka shkaktuar ndarja e Timoleos nga jeta, nga familjarët, nga të afërmit e familjes Mërtiri dhe nga miqtë e shumtë të vetë Timos. Kjo duket edhe në nderimin e veçantë që po i bëhet me këtë përcjellje mortore. Përtej anës familjare, fisnore e miqësore, do të doja të thosha se ky është më shumë se një lajm i keq dhe kjo është një ditë e rëndë, edhe për komunitetin e gazetarëve shqiptarë, në Sarandë e kudo që gjenden. Unioni i Gazetarëve dhe Shoqata e gazetarëve “Jonianë” të Sarandës, më ngarkuan mua për të thënë këto fjalë nderuese, në këtë përcjellje të dhimbshme. Njëherësh, përcjell mesazhe ngushëllimi dhe konsideratën e lartë të Kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqip-tarë, Aleksandër Çipa, i cili shprehet se e ka njohur personalisht Timoleo Mërtirin dhe se çmon kontributet e veçanta që ka depozituar në fondin e gazetarisë shqiptare.
Një kurorë më vete në këtë përcjellje, mban emrin e Kryebashkiakut Stefan Çipa, në vijim të atij nderimi që ai i ka bërë figurës së Timoleo Mërtirit qysh në gjallje, dy vite më parë, kur e renditi në vlerat që janë “Mirënjohja e Qytetit”. Po kështu, kolegët e Timos: Afërdita Selimaj, Dhimitër Shtëmbari e Foto Lesko, njerëzit më të afërt me të cilët ka ndarë vitet e punës në gazetën e Lushnjës, nuk janë vetë këtu. Por nuk mungon kurora me emrat e tyre në këtë përcjellje për kolegun e viteve të vështira dhe të gëzimeve të përbashkëta në rritjen si gazetarë. Një telefonatë lutëse mora sot nga Komiteti i Veteranëve të Luftës nga qyteti ynë. Shqetësimi dhe kërkesa e tyre ishte që në këtë fjalë-homazh të përmendet dekorata që ai mori në vitin e 70-vjetorit të Çlirimit, si kontribuues drejtpërdrejt në LANÇ dhe që të mos harrohet të vihen në dukje meritat e Timoleo Mërtirit, si luftëtar i vijës së parë në rreshtat partizane.
Me dallimin se, bashkë me fishekët, në çantën partizane të Timos, përziheshin shënimet në bllokun e gazetarit të betejave, shënime dhe kronika që do të bëheshin fillesat e gazetarit të guximshëm e antikonformist, të dekadave me radhë në gazetën “Bashkimi”, në Gazetën “Shkëndija” të Lushnjës e “Fitorja” të Sarandës. 
Sot është ndarë nga ne të gjithë një nga emblemat e gazetarisë shqiptare, Timoleo Mërtiri. Sot ne të gjithë jemi në ditën e parë pa Timon, por jemi e do të jemi bashkudhëtarë me gazetarinë e tij, që mbetet një vlerë referimi dhe një manual-guidë profesionale për brezat e gazetarëve që janë e që do të vijnë. Mesazhe ngushëlluese e njëherësh vlerësuese, janë shkruar e publikuar sot në rrjete sociale, poshtë fotografisë së Timos, rrethuar me kordelen e zezë. Bashkë me ndjesinë e humbjes dhe ndjenjën e dhimbjes, shprehen vlerësime nga të gjithë ata që çmojnë gazetarinë dhe gazetarin e disa dekadave me radhë.
Kolegë tanët, që nuk e patën të mundur të ishin në krahun tonë në këto çaste: nga Gjirokastra, nga Tirana, nga Greqia, Italia e Kanadaja, kanë përcjellë dhimbje dhe mesazhe, që çmojnë vlerën me emrin Timoleo Mërtiri, gazetarin e lindur e që nuk ka vdekje. Njerëz të ndryshëm, të njohur e të panjohur për ne, nga të gjithë cepat e globit, çmojnë tek Timua gazetarin kurajoz, njeriun që mbeti në çdo kohë po ai, i mirë, i devotshëm dhe plot dinjitet! Me ikjen nga ne sot, Timoleua Mërtiri, për herë të parë nuk mbajti fjalën para ne, kolegëve të tij, sidomos para grupit që ka në proces dokumentarin kushtuar gazetarisë së tij. Ashtu si vetë ai, edhe ne besonim shumë tek vitaliteti i Timos dhe pritshmëritë ishin që mosha e tij të bëhej 3-shifrore. Kjo na bënte të shtynim me ditë e me vite një intervistë të plotë për atë që gjithë jetën e ka të mbushur me intervista, reportazhe, portrete e vëzhgime për të tjerët.
Lamtumirë, i nderuar Timo! Dheu të qoftë i lehtë.
Mirënjohje për gjithë trashëgiminë që u le gazetarëve në breza.
Lamtumirë!
Shoqata e gazetarëve dhe Unioni i gazetarëve të Sarandës