Ertila Koka projektet e fundit dhe dashuria në distancë

1067
Përveç muzikës kam pasione te tjera 
E them me bindje se është një nga zërat më të veçantë në muzikën shqiptare dhe, jo vetëm kaq, është një ndër këngëtaret më të bukura , më seksi dhe më e dashur. E kam fjalën për këngëtaren e mirënjohur, Ertila Koka. Ajo është nga ato këngëtare që di të gjejë mënyrën dhe momentin e duhur për të ardhur me diçka të re pranë publikut, ku spikat me risi të suksesshme gjithmonë në zgjedhjet e saj. Falë talentit dhe zërit të saj Ertila ka dhe disa tipare dalluese. Ajo është gjithmonë e qeshur e dashur dhe shumë e sinqertë me njerëzit që e rrethojnë. Ajo ka ndërmend të realizojë bashkëpunime edhe me artistë të huaj, si një urë për të hyrë në tregun muzikor ndërkombëtar. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” Ertila flet për projekte që e presin, angazhimet që ka gjatë sezonit veror, si dhe për marrëdhënien me të fejuarin . 

Përshëndetje Ertila si do të donit ta nisnim këtë intervistë ? 
Përshëndetje këtë intervistë do të doja ta nisja me një falënderim për ju dhe lexuesit tuaj kudo që ndodhen. 

Si është kjo periudhë për ju? 
Kjo periudhë për mua ka qenë shumë e bukur, e mbushur plot me angazhime dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Pushimet për mua vijnë gjithmonë më vonë, pasi jam e detyruar të jem në punë. 

Cila është kënga juaj e fundit? 
Kënga ime e fundit mbetet ‘You Only’, pasi për këngën e re jam akoma duke punuar. 

Si ndjeheni kur dëgjoni një këngë tuajën në një kasetofon makine ndërsa ju jeni duke kaluar? 
Gjithmonë gëzohem dhe ndjehem e vlerësuar. Pasi për këtë punojmë ne artistët. Për dashurinë dhe vlerësimin e publikut. 

Si i ke marrëdhëniet me kolegët a ke miq ose mikesha ndër to? 
Marrëdhëniet i kam shumë të mira. Kam shumë kolegë që i kam shumë për zemër dhe që i vlerësoj shumë dhe anasjelltas. 

A ka rivale Ertila Koka? 
Çdo profesion ka rivalitet dhe arti besoj ka akoma më shumë. 

A është xheloz i fejuari, si është një marrëdhënie në distancë, pasi ai jeton në Ital,i mesa di unë? 
Është shumë i mirëkuptueshëm dhe aspak xheloz. Më ka mbështetur shumë që në ditën e parë që jemi njohur dhe vazhdon ta bëjë akoma. Lidhja në distancë është e vështirë, por gjithmonë e bukur dhe me shumë mall. 

Nëse s’do të ishit këngëtare çfarë do të kishit zgjedhur të bëheshit në jetë? 
Përveç muzikës kam pasion dizajnin dhe aktrimin. Më pëlqen t’i stiloj veshjet e mia në klipet apo eventet që kam dhe besoj se do e kisha bërë shumë mirë edhe si profesion. Aktrimi më ka pëlqyer gjithmonë po ashtu dhe baleti. Por dashuria ime më e madhe dhe që s’i mendoj dot ditët e mia pa të, është muzika. 

Kënaqësia më e madhe që kini përjetuar kohët e fundit?
Kënaqësia me e madhe për mua këtë kohë kanë qenë përqafimet pafund të fanseve të mija nëpër koncertet që kam pasur së fundmi nëpër qytetet e Shqipërisë. Është ndjesi shuuumë e bukur kur të përqafojnë fëmijët duke lotuar dhe të adhurojnë. Nuk ka ndjesi më të bukur për një artist.

Fjala e urtë që do ju personalizonte më saktë, cila është? 
Qengji i urtë pi dy nëna. 

Çfarë e bën të lumtur Ertilën? 
Ertilën e bën të lumtur dashuria e familjes që e rrethon gjithmonë, e motrave që janë të pandashme me të. Mundohem gjithmonë t’i bëj të lumtur njerëzit që kam afër. Për momentin dashuria ime e madhe është mbesa ime e vogël, Hevën. Që më lumturon çdo ditë me bukurinë dhe buzëqeshjen e saj. 

Çfarë ju mundon më shumë?
Shpesh më mundon hipokrizia e njerëzve dhe atë vërtet që s’e përtyp dot.

Çfarë urreni te një njeri? 
E urrej ligësinë tek njerëzit në përgjithësi, por edhe në veçanti tek një person cilido qoftë ai. 

Intervistoi: Era Çela
Sigal