Ermira Babamusta, merr çmimin Inaugural për vitin 2017

913
Sigal

Bisedë me intelektualen e njohur dhe e vlerësuar
lart, në diasporën shqiptare

 

Prof. Murat Gecaj

       
publicist
e studiues            

 

 

Ermira Babamusta ka fituar Çmimin Inaugural për
vitin 2017. Në qershor 2017, Ermira Babamusta u nderua nga bordi amerikan i
LIU, si ndër 10 personat më të suksesshëm të Nju Jorkut, për arritje të
jashtëzakonshme. Ajo është shpallur “Gruaja e Vitit”, “Gruaja Ndërkombëtare e
Kurajos”, nga Instituti i Paqes Kessel dhe “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”,
nga Kryetari i Mazhorancës së Senatit Amerikan, Harry Reid, Kongresi Amerikan.
Ka punuar drejtoreshë për fushatën presidenciale të Presidentit Obama, në
zgjedhjet e viteve 2008 e 2012; në Departamentin e Paqes të OKB-së, në Nju Jork
dhe në Kongresin Amerikan, në Washington DC. Ermira Babamusta është shqiptarja
e parë, që u nderua nga Presidenti Obama, për punën e saj të çmuar humanitare.
Më 2014, ajo shërbeu në programin e Shërbimit Kombëtar, të Zyrës së Presidentit
të SHBA. Shtëpia e Bardhë e nderoi Ermira Babamustën me vlerësimin më të lartë,
me Medalje Ari dhe Çmimin, “President’s Volunteer Service Award”.

 

1. Përshëndetje,
mike Ermira dhe është kënaqësi, që e zhvillojmë bashkë këtë Bisedë…Me këtë
rast, sjell në kujtesë një takim shumë të bukur e mbresëlënës, pak vite më
parë, në Tiranë, me prindërit tu të dashur e miqtë tanë të nderuar, Neki e
Suzana Babamusta. Aty, unë isha bashkë me kolegët e mi, arsimtarë, publicistë e
shkrimtarë: Viron Kona, me origjinë nga Vlora dhe Ibrahim Hajdarmataj, nga
fshati i bukur Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë)…Nuk dua që t’i shkruaj
këtu mbresat e atij takimi të paharruar, por gjej rastin që t’i falënderoj
për mikpritjen bujare dhe t’i përshëndes përzemërsisht, prindërit tu aq të
mirë dhe t’u urojmë nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi, gëzime e lumturi,
bashkë me ty!

 

Tani, a mund të na tregosh diçka për prejardhjen,
për traditat atdhetare të familjes suaj?

 

Ermira
Babamusta:
Familja ime janë me
origjinë nga Shqipëria dhe Kosova. Si familje, kemi ruajtur lidhje diplomatike
100-vjeçare, ndërmjet Shqipëri-Amerikë-Angli, me një politike proamerikane dhe
proangleze, për të siguruar e njohur pavarësinë e Kosovës, për demokratizimin e
Shqipërisë dhe për ta çuar sa më përpara, historinë dhe kulturën shqiptare.
Bashkëpunimi i familjes Babamusta, me Amerikën, fillon në 1920, me hapjen e
shkollës së parë amerikane, në Golem-Kavajë. Kjo lidhje vazhdoi me pritjen
madhështore, më 15 mars 1992, që familja Babamusta i bëri të dërguarit të parë
të SHBA, ambasadorit amerikan William Ryerson, me të shoqen e tij. Familja
Babamusta i dhuroi ambasadorit Ryerson historikun e shkollës amerikane.


dhomat e miqve të dy fiseve, Babamusta dhe Cani, kanë pritur me bujari dhe
krenari patriotët e Kombit Shqiptar: Ismail Qemali, Bajram Curri, Avdi Bej
Toptani, Aqif Pasha Elbasani, vëllezërit Myslim dhe Shqyqyri Peza, vëllezërit
Biçaku, Avni Rustemi, Mustafa Gjinishi, Dr. Must Cara, Hamdi Frashëri, vëllezërit
Bajram e Qamil Xhani. Veprimtaria e familjes Babamusta vazhdoi me krijimin e
shoqatës Patriotike Kombëtare “Bajram Xhani” (1992-2004), për të forcuar
miqësinë shqiptare, me SHBA e Perëndimin, për të mbrojtur vlerat demokratike
dhe të persekutuarve. Gjatë Luftës Çlirimtare, në shtator 1943, prindërit e
Neki Babamustës (Beqiri dhe Rabihane Babamusta) shpëtuan nga gestapo hitleriane
6 ushtarë dezertorë italianë dhe një familje rrobaqepësish izraelite, prej 4
vetësh. Në Kavajë, ish-sekretari i gjyqit, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit),
në bashkëpunim me përmbaruesin, mësuesin patriot Mihal Lekatari (tani “Mësues i
merituar”), arritën të pajisin me pasaporta shqiptare, në fazën e parë 178
hebrenj.

Babai
im, Neki Babamusta, “Mësues i merituar”, ka zhvilluar lëvizjen arsimore në
Shqipërinë e Mesme dhe Kosovë. Ai u emërua “Mbrojtës Ndërkombëtar i
Demokracisë”, nga Kongresi Amerikan, për forcimin e lidhjeve
shqiptaro-amerikane. Ndërsa gjyshi i mamit, Kastriot Cani- “Hero i Popullit”, u
nderua nga Kongresi Amerikan, për bashkëpunimin me Amerikën, për vendosjen e
Demokracisë, nëpërmjet ‘Frontit të Rezistencës”. Në kujtim të tij, senatorët e
Kongresit Amerikan mbajtën një minutë heshtje, më 2 gusht 2004, në Senatin
Amerikan, në Washington DC.

2. Si u përshtate me
jetën në Amerikë? Çfarë i nevojitet njeriut, për të qenë i suksesshëm në jetë?

Ermira
Babamusta:
Kjo është një
pyetje shumë interesante, sepse në thelb trajton pyetjen, se si i përballon
njeriu rrethanat e jetës. Në aspektin filozofiko-psikologjik, instinkti, personaliteti
dhe përvojat e njeriut diktojnë suksesin ose humbjen. Instinkti na mëson t’i
shfrytëzojmë rastet e duhura në jetë. Por, pa vullnet, këmbëngulje dhe besim në
vetvete, kjo mbetet vetëm një dëshirë. Realizimi i dëshirës varet dhe nga
personaliteti ose identiteti i njeriut. Nuk mjafton vetëm zgjedhja në rrugën e
drejtë ose caktimi i një qëllimi, por duhet të dish të jesh i qëndrueshëm dhe i
vendosur, deri në fund. Dhe, përvoja në sprova të tilla, na jep maturi dhe
forcon besimin në vetvete. Shpesh herë, ndodh që njeriu bëhet vetë pengesë e vetvetes
dhe, madje, armiku i vetes, duke dekurajuar veten, me mendime negative ose duke
imagjinuar dështimin, në vend të arritjes. Kur njeriu i bazon vendimet, nga
frika e diçkaje dhe jo nga mundësia, “po nëse?” (what if?), atëherë i kufizon
arritjet, sipas përcaktimeve të kufijve të frikës. Mendja është forca dhe fuqia
më e madhe e njeriut, sepse aty është gjeneza e konceptimit të një ideali ose
qëllimi. Mënyra se si e merr me mend njeriu një poçes të një ideje, reflekton
realizimin aktual të saj. Jeta në Amerikë është e tillë, që i jep liri dhe
mundësi individit, në mënyrë të barabartë që ai të eci përpara. Kështu, mbetet
në dorë të individit që të punojë dhe të përdorë mundësitë që i ofrohen.
Shoqëria amerikane të përgatit nëpërmjet edukimit dhe punës, që të marrësh
kompetencat e duhura, në një specializim, i cili të intereson. Dhe, nëpërmjet
konkurrencës, nxitë dhe individin, që të synojë më lart në vetvete. Falënderoj
mentorët e mi, Senatorin Tom Harkin, Kongresmenin Mark Kennedy dhe Presidentin
Barack Obama, që më dhanë përvojën e paharruar në diplomacinë dhe politikën
amerikane, të cilës unë i shërbej dhe e kam profesion.

3. Si i
ke mbajtur lidhjet me vendlindjen e Shqipërinë, me Kosovën, por edhe me bashkësinë
shqiptare në ShBA?

Ermira
Babamusta:
Bashkësia shqiptare
e Nju Jorkut ruan kulturën dhe traditat shqiptare, me punën e palodhur të
intelektualëve dhe shoqatave të ndryshme si “Vatra” dhe “Zëri i Amerikës”.
Shqipërinë e kam vizituar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe falënderoj
Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare Kinematografike në Tiranë, të ndjerin
Artan Minarolli dhe Majlinda Tafa, për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë! Në
Kosovë, kam jetuar dhe punuar në vitet 2008 dhe 2012, për hulumtimet shkencore
të masterit e doktoraturës dhe misionet e OKB-së, që kam kryer në Prishtinë,
Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë.

 

Lidhjet
me vendlindjen dhe origjinën kosovare i ruaj nëpërmjet tre platformave, që kam
zgjedhur. Së pari, në aspektin intelektual, duke zgjedhur lidhjet
shqiptaro-amerikane dhe të drejtat e njeriut, në fushën e marrëdhënieve
ndërkombëtare dhe shkrimeve të mia shkencore. Së dyti, në aspektin politik,
duke u përfshirë në misione diplomatike-kulturore me OKB-në dhe projekte të
tjera humanitare. Dhe, së treti, nëpërmjet diplomacisë kulturore në diasporë,
me dy platformat e mia, “Prishtina Press” dhe “NY Elite Magazine” (
www.nyelitemagazine.org), si dhe duke bashkëpunuar me komunitetin shqiptar dhe
amerikan të Nju Jorkut, në projekte të ndryshme artistike-kulturore.

4. Si i
vazhdove studimet e specializimet, në Amerikë a gjetkë dhe në cilët drejtime?

Ermira
Babamusta:
Pasi mbarova vitin
e tretë, te Gjuhët e Huaja, në Tiranë, më doli bursa për studim jashtë shtetit
duke fituar pikët më të larta të provimit kualifikues. Specializimet i kam
kryer në Amerikë dhe Francë, në degën Shkenca Politike dhe Marrëdhënie
Ndërkombëtare. Të drejtën e studimit, në të gjitha gradat, e kam marrë duke
fituar bursën nga universiteti, duke qenë studente e dalluar, në Dean’s list
(Lista e nderit e rektorit të Universitetit).

 5.Tashmë, është e njohur publikisht veprimtaria jote humanitare,
sidomos në mbrojtje të femrave shqiptare, në Shqipëri e Kosovë dhe kudo, që ato
ndodhen…Cilat kanë qenë arritjet tua më të dukshme, në këtë fushë kaq me
rëndësi për Kombin tonë?

Ermira
Babamusta:
Ish-sekretarja e
Shtetit Amerikan, Hillary Clinton, me shumë të drejtë, thotë që të drejtat e
gruas janë të drejtat e njeriut. Mbrojtja e femrave nënkupton që strukturat
shoqërore sigurojnë barazi në familje, në dinamikat ekonomike, në ligj dhe
politikë. Mendoj se femrat, me intuitën e tyre dhe shkathtësinë e brendshme,
janë të predisponuara për të arritur sukses, në biznes. Në politikë, roli i
femrës ka qenë kryesor në situata konflikti, në tematikë paqeje dhe sigurie.
Kosova është një shembull shumë i mirë, në këtë rast, ku gratë shqiptare kanë
rritur mirëqenien ekonomike, duke krijuar biznese në komunitet dhe deri në
krijimin e rrjeteve ndërkombëtare dhe përfaqësimin në tryezat e negociatave.
Gjatë punës time në OKB, në Departamentin e Paqes në Nju Jork, kam pasur rastin
t’i ndjek nga afër dhe të marr pjesë në këto zhvillime diplomatike. Më 2016,
pata nderim të jem pjesë e librit “Zonjat Shqiptare në Nju Jork”, projekt i
“Albanian Excellence”, i cili u zhvillua nën kujdesin e ish-Presidentit të
Republikës, Bujar Nishani. Falënderoj Flora Nikollën, Andis Gjonin dhe
“Albanian Excellence”, për organizimin e mrekullueshëm të Mbrëmjes Gala,
“Zonjat shqiptare, në shekullin XXI”, në Nju Jork, më 24 shtator 2016. Aty u
paraqitën histori suksesi, kushtuar zonjave shqiptare. Pata nderin dhe unë të
nderohem me “Trofeun e Ekselencës”, si një nga femrat e suksesshme
shqiptaro-amerikane, në diasporë. Ndërsa, në qershor 2017, u nderova nga Bordi
Amerikan i LIU, me Çmimin Inaugural “10 Under 10”, një nga femrat e Nju Jorkut
me arritje të jashtëzakonshme profesionale. Një nga shoqatat bamirëse, që
përkrah në Shqipëri, është Shoqata “Ideartë” (
www.unejamdiearte.com), konceptuar nga Ermir Cani. Ky është brezi i ri i
Shqipërisë, që ruan vlerat historike të qytetit të tyre të Peqinit dhe
mobilizojnë forcat vullnetare, për të zhvilluar organizime humanitare, sociale
dhe kulturore, në shërbim të banorëve, qytetit dhe Shqipërisë. Disa nga
veprimtaritë përfshijë: “Maratona me biçikleta”, “Bamirësia nuk të bën të
varfër”, Konkursi letrar “Frymoj në letër” etj.

6. Natyrshëm,
tërë puna jote e palodhur, atdhetare e njerëzore, është nderuar dhe çmuar
lart…Pra, cilat janë vlerësimet kryesore, që të janë bërë, deri sot?

Ermira
Babamusta:
Babai më ka edukuar
të kuptoj se, vlerësimi më i madh, të cilin mund ta marrësh në jetë, është të
qenit Njeri. Të jesh njeri, nënkupton të jesh human, i vetëdijshëm për
përgjegjësinë e madhe, që ke ndaj një njeriu tjetër, ndaj shoqërisë, ndaj
mjedisit, e kafshëve, çdo gjëje përreth nesh. Se si e trajton veten dhe të
tjerët – të arrish një harmoni paqësore brenda vendës, duke e reflektuar dhe me
lidhjet me të tjerët, për mua, është arritja më e madhe.  Mbi të gjitha, vlerësoj lidhjet njerëzore dhe
fuqia e vetë njeriut, që të nxitë për të provuar një ide të re. Shpeshherë,
njerëzit ankohen se nuk kanë ose nuk kanë mundësi. Mua, më pëlqen t’i krijoj
vetë mundësitë, të provoj një ide dhe nuk dua të pres nga të tjerët. Zoti na ka
dhënë të gjithëve mend, dhe secili nga ne ka mundësi për të realizuar atë çka
duam, sado hap i vogël ose i madh të marrim. Nuk mendoj se dikush tjetër është
më i mirë se ti. Secili prej nesh ka dhuntitë e veta, për të ofruar. Secili
rrezaton dritën e vetë. Arritjet në profesion, si nga Kongresi Amerikan dhe nga
Shtëpia e Bardhë, tregojnë që kam punuar shumë dhe ende më mirë, kur
vlerësohesh për pasionet dhe ambiciet, që ke në jetë, sidomos nga elita
diplomatike amerikane, që unë e çmoj shumë dhe i shërbej.

7. Tani,
le të kthehemi te një temë tjetër, që më intereson…Sa lexon Ermira dhe a ka
provuar të krijojë
, në poezi ose prozë dhe të botojë?

Ermira
Babamusta
:
Kam dy botime akademike shkencore dhe tani po merrem
me të tretin. Me krjimtari poetike jam marrë deri në moshën 22-vjeçare dhe më
kanë bërë disa vlerësime për poezitë. Më pëlqejnë më shumë librat historikë dhe
shkencorë.  Më ka pëlqyer shumë
matematika dhe kam fituar disa kampionate në shkallë kombëtare. Më intereson
historia dhe jeta e njeriut dhe më pëlqen të shkruaj biografi. Më vonë, dua të
mësoj se si të shkruaj skenarë filmash. Në të ardhmen, do vazhdoj të jem e
përfshirë në fusha artistike dhe kulturore, përveç fushës sime, diplomacisë,
sepse mendoj që janë të ndërthurura dhe në shërbim të njëra-tjetrës.

8. Po me
studime të mirëfillta a merresh dhe në cilat fusha?

Ermira
Babamusta:
Gjatë kandidaturës
së doktoraturës, për Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare, jam marrë me
hulumtimin e çështjes së Kosovës. Njëkohësisht, përfundova programin e
Harvardit, “Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan”. Kam mbaruar
shkëlqyeshëm, me bursë, dy mastera në Shkenca Politike dhe Administrim Publik,
si dhe kam kryer programin e përparuar, niveli graduate, në Manhattan, për
“Diplomaci të OKB-së”. Më 2010, kreva studimet në Strasburg të Francës, në
degën “Ligji Evropian dhe Institucionet e BE-së”, duke fituar bursë nga
Universiteti WVU, si një nga studentet femër, që ka arritur ekselencë
akademike.

9. Ti
drejton “Gazetën Prishtina Press”, ku bashkëpunoj me kënaqësi edhe unë…Si të ka
ecur puna dhe cili është rrjeti i njerëzve, që publikojnë aty dhe në çfarë
tematikash kryesore?

Ermira
Babamusta:
Gazeta
Prishtina Press” është në funksion dhe ekzistim, që nga muaji maj 2008, e
realizuar me rastin e shpalljes së pavarësisë të Kosovës. Kjo është e para
gazetë e pavarur, publikuar nga unë, në bashkëpunim me Adem Ramadanin e
“NESMEDIA” (Prishtinë), në Kosovë pas shpalljes së Pavarësisë, më 2008, në
shqip dhe anglisht. Nga viti 2008-2010, gazeta ka shtypur 3,500 kopje, për çdo
publikim javor, në Prishtinë dhe, më pas, e ka vazhduar veprimtarinë online (
www.gazetaprishtinapress.com). “Prishtina Press” përuron kulturën shqiptare, për të
forcuar imazhin pozitiv të traditës, historisë dhe kulturës shqiptare, në vend
dhe nëpër botë. Gjithashtu, përkrahen talentet, shkrimtarët dhe artistët
shqiptarë: në Amerikë, Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Falënderoj të gjithë
intelektualët nga vendi dhe diaspora për bashkëpunimin dhe për përkrahjen e
vazhdueshme, për 10 vjet së bashku!

10. A mos
harruam ndonjë gjë të rëndësishme, gjatë kësaj bisede, për të cilën të
falënderoj nga zemra! Gjithashtu, gjej rastin të uroj: Shëndet, mbarësi dhe
plotësim të çdo dëshirë, që ti ke në jetë!

Ermira
Babamusta:
Ju faleminderit
Profesor Murat Gecaj, për nderin dhe për bisedën tonë të përbashkët! Është
me të vërtetë kënaqësi dhe nder të bisedoj me një mendjeartë, si ju dhe
vlerësoj shumë punën tuaj fisnike, ndër vite dhe bashkëpunimin tonë 10- vjeçar.

 

Një nga
veprimtaritë kulturore, që kam nisur më 2017, është përkrahja e një grupi
muzikor rock, nga Australia, që quhet “Cynation” (
www.cynationband.com). Cynation përbëhet nga Josh Mak (vokalist, kitarë), Simon
Lai (kitarist), Andrew Teo (bass) dhe Shah (kitarë). Grupi ka në plan, në vitin
2019, të bëjë një turne në Nju Jork dhe Shqipëri. Me këtë rast, do vij dhe unë,
që ta vizitoj vendlindjen.