Ermir Dizdari: Në vitet 1960, ishte kulmi i liberalizmit në muzikë dhe në veshje

850
Sigal

PERSONAZH/ Flet dirigjenti, “Mjeshtri i Madh”, Ermir Dizdari:

Kujtimet e dirigjentit Ermir Dizdari në fushën e  muzikës më ngjallin gjithmonë kureshtje. Ai ka një kujtesë të çuditshme që gjithmonë nxjerr në pah detaje nga jeta e muzikantëve të shquar shqiptarë sa të befason. Këtë radhë biseda me të u soll rreth kompozitorit të shquar Abdulla Grimci, i cili mund të quhet “babai” i festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare.

 Kur është bërë Festivali i parë i Muzikës së Lehtë në radio Tirana?

Festivali i parë në Radio -Tirana është bërë në dhjetor të vitit 1962. Ose më mirë nga datat 24-26 dhjetor u zhvillua Festivali i parë i këngës në Radio.
Radio- Tirana
 ka qenë “Akademia” e parë e gjuhës letrare shqipe… Ky Festival në atë kohë është bërë në skenën e Teatrit të Operës e Baletit, aty ku sot është Universiteti i Arteve të Bukura. Pra, jo në Teatrin e baletit të sotëm. Në këtë godinë është bërë  ky festival deri ën vitin 1965. Kur mbaroi Pallati i Kulturës i sotmi, në vitin 1966, atëherë Teatri i Baletit kaloi në këtë Pallat, ku është dhe sot. Pra Festivali i Muzikës së Lehtë  në vitin 1966 u zhvillua në këtë Teatër të Ri, ose më mirë të themi në Pallatin e Kulturës që është dhe sot. Salla e mëparshme e Universitetit të Arteve ishte më e vogël, më e ngushtë dhe jo me shumë hapësira. Ndërsa salla në teatrin e ri ishte e fjalës së fundit, ishte shumë komode dhe kur kaloi në këtë godinë u mirëprit.

 Kush ka qenë Drejtor Artistik i Festivalit të parë?

Abdulla Grimci, ka qenë kompozitor. Ai ka qenë në brezin e parë të kompozitorëve shqiptarë. Ka qenë në atë plejadë që hodhën bazat e krijimtarisë së këngës së muzikës së lehtë shqiptare por edhe asaj klasike. Abdullai ka studiuar në Itali, ku dhe u martua. Pra ka bërë shkollën italiane të muzikës që ka qenë dhe mbetet një ndër shkollat më të mira në botë. Është kthyer në vitin 1944 nga Italia, ku dhe u vendos përfundimisht në Tiranë.

 Ku ka punuar në fillimet e tij Abdullai?

Ka qenë Shef i muzikës në Radio -Tirana. Atëherë radio ka qenë një institucion i rëndësishëm i medias, pasi ishte i vetmi institucion i fonisë shqiptare që kishte një rëndësi të jashtëzakonshme. Të ishte Shef i Muzikës në atë kohë nuk ishte diçka e lehtë.

 Çfarë roli kishte Abdullai në Festivalin e parë?

 Në Festivalin e parë, Abdullai ishte ideator, organizator dhe realizues i këtij Festivali kaq të rëndësishëm në historinë e muzikës shqiptare. Pra hodhi themelet, ose më mirë u bë nismëtari i Festivalit të Parë në Radio -Tirana, që deri në atë kohë as mendohej dhe as imagjinohej se si mund të realizohej. Pas këtij festivali ai drejtoi, organizoi dhe tre festivale të tjerë. Pra ai gjithsej ka realizuar, ideuar apo drejtuar mbi tre festivale, por që ishin të parat dhe të qenit të parat kanë rëndësi të madhe pasi kanë punë jashtëzakonisht të para, n.q.s nuk ke eksperiencë kurrë nuk mund të realizosh një aktivitet të tillë me përmasa kombëtare.

 Cilat janë vështirësitë e ndërtimit të një festivali?

Janë shumë, shumë, po aq sa është dhe vështirësia e tij. Së pari realizmi i tij është thelbi, pasi do ndjekësh gjithë ecurinë deri në konkurrim.  Kjo punë fillon nga formacionet e orkestrës, nga përzgjedhja e teksteve, muzikës, këngëtarëve, për orkestrimin nga kënga në këngë, pastaj është regjia, fonia, ndriçimi, zëri, dekori,  konferencierët, tekst konferencierët. Ky është një aktivitete skenik, i cili ka një kompleks punësh të gjinive të ndryshme. Pra në të gjitha këto komplekse ideimesh, Abdullai ka qenë ideatori, ka qenë rregullatori, iniciatori, organizatori. Pra ai ka meritën e madhe të hapjes së Festivalit në Radio Tirana që zot mbahet si eventi më i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare në të gjitha kohërat.

 A ishte e vështirë hapja apo kthimi në një traditë e një eventi të tillë?

Posi, shumë e vështirë, për ët mos thënë ishte një utopi. Ishte iniciativa e Abdullait që morri rrugë kjo punë, pasi kishte shumë zëra që thoshin që të mos marrë udhë ky event. Shumë ishin skeptikë, mosbesues, ishin të dyzuar. Nuk e mendonin kurrë krijimin e një tradite të tillë, pa pasuar asnjë eksperiencë të mëparshme si në Itali. Pra shumica mund të them se ishin kundër organizimit të këtij eventi, pasi donte shumë punë, përgjegjësi, organizim, lodhje, korrektesë, profesionalizëm, etj… Ndaj pati shumë skepticizëm?

Ku e kishte bazën ky skepticizëm?

Pasi ata që nuk janë profesionistë dhe ata që shohin çdo gjë sot të ngritur, e mendojnë se atë kohë ishte si sot. Kur diskutohet për në event të tillë me përmasa kombëtare dhe të asaj kohe, gjërat duhet të çohen në kohën kur bëhen. Ku kishte atëherë këto kamera, këto televizione, këto aparatura zëri, regjistrimi,  skena, ndriçim, etj… Ajo kohë nuk kishte as këtë komunikacion, lidhje mes institucioneve, s’kishte celularë, kompjuterë, që ta lehtësonin punën. Pra çdo gjë ishte shumë e vështirë ku e keqja më e madhe ishte se bëhej për herë të parë. Ata që nuk besonin ishin ata që nuk donin të rrezikoheshin, pasi çdo dështim paguhej me kokë. Madje, kishte ndonjë që në pesimizëm e sipër i thoshte “Kujdes Abdulla se luan me kokën tënde”. Por ka një gjë, që ai kishte idenë e qartë. Por ndodhi dhe në një situatë të rëndë për Shqipërinë?

Kush ishte kjo situatë?

Ishte koha kur Shqipëria sapo doli nga Traktati i Varshavës, njëkohësisht ishte fillimi i revolucionit kulturor kinez, pra dy ngjarje me tronditje të mëdha. Por dua të them se në atë kohë në Tiranë kishte aktivitete të jashtëzakonshme artistike.

 P.sh çfarë aktivitetesh të mëdha artistike lindën apo morën rrugë në atë kohë?

I pari është ky Festival që sapo folëm që ishte një ngjarje historike për mua. Pastaj u çel dhe Festivali i parë i Këngës për Fëmijë në vitin 1963. Mbi këto filluan dhe Festivalet e këngës nëpër rrethe, ku fundi i viteve 1960, kapi, 27 rrethet me Festivale të këngës për Fëmijë dhe Festivale. Në vitin 1966 lindi dhe takimi i ansambleve në Durrës. Takimet Kombëtare të bandave. Pra në ato vite muzika ishte në kulmin e lulëzimit, ishte në kulmin e sukseseve të saj. Këto ishin më shumë edhe grupe amatore, por që përgatiteshin nga profesionistë.

Po Abdullai, ku u bazua në ideimin dhe organizimin e festivalit të parë?

Sipas mendimit tim dhe të specialistëve që flisnim nën zë në atë kohë, festivali ynë ishte bazuar te festivali me famë botërore i Sanremos. Ne këtë festival kur ishim të rinj ne nxënësit e Liceut e ndiqnim në mënyrë të rregullt. Madje, shumë nga këto këngë i këndonim në mbrëmjet e vallëzimit të Universitetit. Nga struktura e ideimit si festival, nga ndërtimi i këngëve, aksionet, tekstet, atmosfera, ana emocionale,  ky Festival ishte binjak i Sanremos, pasi Abdullai aty kishte mësuar.

Nuk kishte atë shtrëngesë ideologjike në atë kohë, nuk kishte kufizime për muzikën si në Festivalin e 11 ?

Absolutisht jo. Vitet 1960 ishin vitet e arta për muzikën e lehtë shqiptare, madje doja të thoja për të gjithë gjinitë e saj. Ne këngët e ditës së tretë të Festivalit të Sanremos i këndonim të gjithë nëpër Tiranë.

 Kur filluan shtrëngesat ndaj muzikës?

Këto shtrëngesa filluan me letrën e hapur të KQPPSH  të vitit 1966 dhe me fillimin e Revolucionit Kulturor kinez 1967. Këtu filloi kthesa. P.sh në vitin 1966 filloi dhe Festivali Kombëtar Folklorik që u bë në Elbasan, një vit më vonë 1967, në Lezhë pastaj filloi në Gjirokastër që u bë çdo 5 vjet. Madje, në atë kohë ndiqej dhe moda perëndimore, italiane, pra nuk kishte ndonjë kufizim. Atëherë muzika e huaj mbizotëronte në Shqipëri pasi kishim dhe pak kompozitorë. P.sh 98 % e repertorit të  TKOB ishte e huaj. Në atë kohë ne kishim vetëm operën Mrika dhe ndonjë tjetër. Në një vit në Opera kishte 38 vepra skenike si repertor, që sot rrezik të arrihet. Madje spektatori ishte i pranishëm dhe veshja ishte me modën e asaj kohe.

 Cilat kanë qenë krijimet më të mira të Abdulla Grimcit si kompozitor?

 Një nga këngët e tij është Fëmija e parë. Një nga këngët më të bukura që e ka kënduar Vaçe Zela me tekst të Dionis Bubanit. Por krijimtaria e tij më e madhe është opera Bijtë e Skënderbeut. Por është një nga metodistët më të mirë pasi tekstet e tij metodike për muzikën edhe sot kërkohen me përparësi. Njëkohësisht, ai njeh bandën shumë mirë dhe ka një krijimtari shumë të mirë për bandën, instrumentet e bandës, ka simfoni, rapsodi, etj.. Po në gjininë e operës?

Po, këtu dua të ndalem, pasi ai ka krijuar operën “Bijtë e Skënderbeut: në vitin 1968. Kjo ishte një ndër operat e para shqiptare. Një operë që e vura dhe unë në skenë në Durrës. Dua të them se kjo vepër u disa herë në skenë dhe salla ishte plot. Këtë vepër Abdullai e vuri kur ishte në bazë. Pikërisht në vitin 1967 ai pas kësaj letre shkoi në bazë, në rrethin e Durrësit. Pra shumë artistë shkrimtarë erdhën në Durrës, shumë të tjerë shkuan në rrethe të tjera. P.sh tek ne erdhi Koço Uçi kompozitor dhe dirigjent i Ansamblit të Ushtrisë, Nasho Jorgaqi erdhi në Porto, Abdullai Shef Muzike në Kavajë, disa shkrimtarë të tjerë erdhën ën fermë të Sukthit.

“Fëmija i parë”

Teksti: Dionis Bubani,

Muzika: Abdulla Grimci,

Këndoi: Vaçe Zela

Si sot një vit më parë jam martuar

Dhe të lumtur rrojmë ne

Dikur isha çapkëne, por jam shtruar

Nisa në familje një jetë të re

 

Kam qenë në rini shpesh e gëzuar

Ëmbël qeshën sytë e mi

Por sot me një gëzim të madh jam zgjuar

Ndjeva ndoshta më të shtrenjtën lumtuni

 

Dua të këndoj

Gjithë botën ta lajmëroj.

O miqtë e mi

Më lindi një fëmijë.

 

Unë e ëndërroj

Mezi pres që ta shikoj

Ta përkëdhel ta puth me dashuri

 

Dua të vallëzoj

Gjithë botën unë ta përqafoj

Trashëgimtari im jeton

 

Tralala, ma të lutmur s’ka

Se mua “mami” do më thotë

Me lulëzim edhe shkëlqim

edhe natyra po më uron

 

Fëmija është shpresa e shtëpisë

T’ardhmen tonë përshëndet

Dhe vjen me gaz ky fryt i dashunisë

Ëndrra e çdo zemre që me mall e pret

 

Prandaj dhe unë e dua aq shumë

Porsi drita e syve të mi

Kur ndoshta do më lerë edhe pa gjumë

Vetë unë do ta mbaj

në krahë me dhembshuri