Erik Shegani: Femra, me atë delikatesën apo elegancën të frymëzon në pikturë

1536
Ka lindur në qytetin e Tiranës. Shkollën 9-vjeçare e ka mbaruar tek shkolla “Dora’D Istria” dhe aktualisht vazhdon studimet në gjimnazin e përgjithshëm “Petro Nini Luarasi”
Profesori i tij i dijes në fushën e pikturës prej disa kohësh është z. Gëzim Tirana, i cili po e orienton në këtë aspekt tashmë të ri të jetës. Falë tij ka fituar shumë njohuri të cilat kanë zënë vend tek ai dhe janë bërë pjesë e jetës në portretin artistik dhe është i sigurt që ka për ta shoqëruar gjatë gjithë rrugës së të artit.
-Si lindi dhe kush ta ngjizi dëshirën për pikturë?
Lindi krejt rastësisht, ku fillova të ndjeja atraksion nga lapsat me ngjyra dhe fillova të shprehja gjithë fantazinë time në letrat e bardha. Fillmisht fillova duke vizatuar personazhet e filmave vizatimorë dhe më pas u vazhduan nga vizatime të ndryshme . Pasioni dhe kreativiteti nuk mungonte por vazhdonte dita ditës duke u rritur. Ishte një pasion i zbuluar rastësisht që u be pjesë e pandarë e jetës sime . 
-Kush e zbuloi talentin tuaj dhe si e nise rrugën e vështirë të pikturës?
Prindërit e mi duke u kujdesur gjithmonë për mua vunë re një dhunti timen që kishte të bënte me pikturën. Ata morën pikturat e mia të para dhe i vendosën në kornizë duke më dhënë një motivim mjaft të madh për të bërë gjëra akoma më të bukura dhe kështu kalova nga të bërit skica në piktura më të ndërlikuara
-Cila ka qenë piktura e parë dhe cili është fati i saj sot?
Piktura e parë ka qenë një pikturë e punuar me lapustila, ku kisha punuar disa kafshë të ndryshme që lodronin me njëra-tjetrën. Ajo pikturë sot ndodhet në një kornizë në zyrën e mamasë sime, e cila ndihet krenare sa herë që e shikon.
-Cilat janë bojërat, me të cilat ju preferoni të punoni më shumë?
Ndihem mjaft komod kur punoi me bojëra vaji, por gjithashtu edhe ato të drurit janë mjaft praktike në realizimin e një skice apo pikture të thjeshtë
-Cila gjini e pikturës është më afër jush: portreti, peizazhi, kompozimi, modernia(abstraksioni), natyra e qetë?
Kompozimi sigurisht arrin te me nxjerr ne letër idetë dhe mendimet e mia, duke me bere te ndihem me afër me te dhe prandaj mbetet me e preferuara por edhe llojet e tjera nuk ngelen mbrapa pasi një artist i mirë është ai që di të hedh në letër të gjitha gjinitë. 
-Ku qëndron vështirësia juaj në pikturë?
Ndonjëherë e gjej të vështirë realizimin e portreteve dhe kjo jo se nuk jam i aftë të ndërtoj tiparet që i korrespondojnë por është saktësia në shprehjen e emocionit ajo që më shfaq ndonjëherë ndonjë pengesë. Janë pikërisht ndjenjat e njeriut në portret ato çka i japin vlerë dhe jetë pikturës duke e bërë të dalë nga kornizat dhe të të përcjellë emocion. 
-Cilët nga piktorët botërorë, me jetën dhe veprën e arrirë, ju ka shtyrë më tej të dashuroni pikturën?
Të gjithë pa diskutim të japin një shtysë mjaft të madhe për të vazhduar përpara, secili në stilet e veta, por ja vlen për t’u përmendur në veçanti Leonardo da Vinci me hijeshinë dhe pastërtinë e punës së tij arrin të kuptosh mjaft mirë se çdo të thotë të bësh art dhe të shprehësh botën tënde të brendshme dhe vizionin tënd për të ardhmen në një pikturë. 
-Cili është mësuesi juaj tashmë dhe cilat janë kërkesat e tij?
Mësuesi im është piktori Gëzim Tirana. Prej meje ai kërkon gjithmonë më të mirën, i pëlqen që gjërat të jenë sa më të sakta por do që gjithmonë unë t’ia le rrugën e lirë fantazisë sime. Ai përpiqet gjithmonë që të më mësojë teknika të reja që pikturat të kenë secila specifikat e saj dhe në mënyrë që të dalë në pah individualiteti.
-Mendoni se ky do të jetë profesioni juaj i ardhshëm?
Për momentin e shoh vetëm si një pasion, si një formë për të shprehur botën time të brendshme dhe mendoj se e tillë ka për të mbetur edhe në të ardhmen. Sigurisht që do t’i përkushtohem sa të mundem dhe e shoh si bashkudhëtare krahas profesioneve të tjera si mjek apo arkitekt.
-Sa piktura keni në arkivin tuaj dhe ku janë shpërndarë ato?
Aktualisht kam të dokumentuara mbi 100 piktura. Një pjesë e tyre ndodhen të ekspozuara në muret e shtëpisë sime ndërsa pjesa tjetër gjendet e ekspozuar në faqen time të pikturave në instagram me adresë: erik_drawng.
-Mos mendoni se ka ardhur koha për një ekspozitë?
Ekspozita është e vetmja pjesë e “planit”, e cila ka ngelur e pa realizuar, por mendoj se momenti me i përshtatshëm nuk ka ardhur akoma , mendojë se duhet ta organizojë në një kohë të afërt kur pjekuria ime artistike të jetë rritur që t’i japë më shumë vlera artit tim.
-Keni shumë piktura apo portrete femrash në telajo, femrat janë frymëzim për ju?
Sigurisht edhe femra me atë delikatesën apo elegancën që ajo reflekton të tërheq dhe të frymëzon. Të njëjtat tipare merr edhe piktura, të bën të duket si diçka e brishtë e cila përjetësohet në faqen e telajos bashkë me hiret e saj, duke e bërë atë të duket mjaft atraktive në sytë e gjithkujt.
-Është në preferencat tuaja abstraksionizmi apo ndryshe piktura moderne?
Nuk eksperimentoj shumë në këtë linjë, por ama duhet ta pranoj se është mjaft interesante dhe sigurisht më ka tërhequr edhe mua plot herë brenda saj. Larmishmëria e ngjyrave dhe e formave e bëjnë atë unike dhe mjaft të pëlqyer.
Sigal