Ergys Keta:Po nuk guxove, nuk arrin të mësosh suksesin apo dështimin!

1426
Sigal

INTERVISTA/ Flet Top-Modeli i njohur & i talentuar shqiptar, Ergys Keta

I apasionuar pas pasarelave dhe ëndrrës për të qenë një Model, Ergys Keta sot është një ndër imazhet më të kërkuara në botën shqiptare të modës, por edhe jashtë vendit. Pjesëmarrës në disa evente mode, e ka nisur karrierën e tij me sete të ndryshme fotografike, më tej duke pozuar për marka të njohur të industrisë së modës & duke qenë prezent në disa klipe muzikore. Është i qeshur, mjaft i dashur dhe me direktiva të qarta për sa i përket botës së modës. Mes fjalëve të tij, duket qartë një djalë me ambicie, mjaft i kujdesur në ato që thotë dhe që nuk pranon të adhurojë askënd, përveç punës së tij. Pasioni më i madh i jetës së tij janë pasarelat, por nuk ngelet pas televizioni & udhëtimet në vende të ndryshme të botës. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme!

Përshëndetje Ergys! Tashmë prej disa vitesh jeni një ndër modelët më të kërkuar në tregun shqiptar. Si i kujtoni fillimet tuaja?
Fillimet e mia në Modeling në fakt kanë qenë të hershme. Prej 3 vitesh merrem me Balet & Modeling dhe mendoj se, sot jam profesionist në këtë fushë. Unë kam qenë pjesëmarrës në shumë evente dhe kompeticione mode duke marrë vlerësime për tiparet dhe fizikun tim të veçantë, të cilin e përkufizuan të tipit latin. Gjithashtu, kam pozuar për koleksione veshjesh të firmave të ndryshme, duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. Tashmë u bënë kohë që po merrem me modeling dhe aktualisht jam pjesë e Agjencisë JPFG , si Model.

 Duke qenë se jeni Model profesionist, cilat janë tendencat e këtij sezoni dimëror?
Tendencat e dimrit nuk njohin limite këtë sezon. Ato që i karakterizonin koleksionet ishin ngjyra pa fund, dizenjot mesdhetare e ato latine. Mesa duket koleksioni i “Guçi”-t e i “D&G” ishin mjaftueshëm frymëzues për pasuesit, të cilët sollën një mori ngjyrash e modelesh ekstravagante këtë sezon dimëror. “Celio” besnik si gjithmonë, pa ndryshime të mëdha kishte sjellë një koleksion mjaft maskilist, duke përdorur ngjyrat e tokës dhe grinë . “Roço Baroço” të kujtonte koleksionet e “Gabanna”-s para dy viteve, duke mbizotëruar e bardha dhe tyli. “Cortefiel” solli një shpërthim me ngjyra elektrike dhe dizenjo pafund.

Përveç modelimit, cilët janë pasionet e Ergysit?
Pasioni më i madh i jetës time janë pasarelat, por nuk ngelet pas baleti, televizioni, aktrimi dhe udhëtimet në vende të ndryshme të botës.

 I ri në moshë dhe me sukses mbi supe, ky quhet guxim?
Edhe guxim, edhe punë, edhe ëndërr, edhe një horizont drejt të ardhmes time. Përqindja e guximit është e madhe por 100 % është puna ime, pasi ëndrra tashmë po bëhet realitet. Më pëlqen të qëndroj tek e para, pasi po nuk guxove nuk arrin të mësosh as suksesin, as dështimin. Njeriu mundohet t’i ketë të dyja këto gjëra dhe mes tyre të bëjë një balancë të ndershme.

 Si vishesh në jetën e përditshme? Po veshjet e femrave shqiptare si të duken?
Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë shkolle, normalisht i veshur sport & praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që, i përshtatem eventit. Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj së është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se, duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin qe të përket dhe ditës që kemi përpara.

Modelingu në Shqipëri është pasion, profesion apo biznes ?
Modelingunis në të gjithë globin si një Pasion. Koha më pas të tregon nëse mund të kthehet në një profesion të mirëfilltë. Mundësitë për modelingun e një vendi të vogël dhe me shumë problematika si Shqipëria, janë të kufizuara. Rrallë herë moda merr prioritet dhe kjo është e kuptueshme. Por, pa diskutim që jemi në një situatë më të mirë se 5 apo 10 vite më parë. Sot ka më shumë aktivitete, më shumë sfilata dhe kjo bën që gjithsecili të ketë më shumë mundësi.

Të prekin thashethemet që dëgjon për veten?
Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej. Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që, nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

Thonë që nuk ka industri mode në Shqipëri, Ju si Top-Model , çfarë mund të thoni?
Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

Cilat janë impenjimet aktuale të Ergysit?
Impenjimet e mia janë të shumta, pikë së pari studimet zënë një peshë mjaft të rëndësishme në jetën time. Por dhe Modelingu sigurisht. Aktualisht, menaxhoj dhe administroj “Pur-Pur” Club. Një lokal me muzik live .