Ergus Alushi: Të panjohurat e regjizorit të shquar të estradës e teatrit të Vlorës, Jorgaq Tushe

977
Sigal

 

Personazh

Historia e panjohur e regjizorit të shquar të estradës dhe
teatrit profesionist të Vlorës

Jorgaq Tushe, nga studimet në Bukuresht në gjirin e klasës
punëtore në Smokthinë

 

 

Som

Kush është Jorgaq Tushe, njeriu që pasi përfundoi studimet
për regjisor filmi në Rumani e dërguan në hidrocentralin e Smokthinës për të
punuar në “gjirin e klasës punëtore” si hekurkthyes

som

Tushe tregon se kishte përgatitur të bënte film “Kështjella”
të Ismail Kadaresë dhe “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”, ku kishte menduar që
rolin e Zylos ta luante Sulejman Pitarka, por ishte etiketuar si me “shfaqje të
huaja” e nuk mund të ishte regjisor filmash

 

 

E ka filluar si amator në Shtëpinë e Pionierit, Shtëpinë e
Kulturës, për të arritur kulmin si i tillë në fabrikën e Sodë – Kaustikës në
1968 me një parodi së bashku me Agron Hamon për luftën në Vietnam, një pantonimë
për turnin e tretë në punë dhe një monolog satirik “Do bëhen zgjedhjet” të
shkruar nga Shefqet Musaraj. Në 1969 konkurron në Institutin e Lartë të Arteve
për aktor dhe pasi përfundon me notën 10, e dërgojnë për shkollë regjisor filmi
në Bukuresht, Rumani, së bashku me Kujtim Çashkun. Kujton se kur shkuan në
Rumani, në Shqipëri u thanë që të mos tregonin se kishin mbaruar shkollën e
lartë për aktor dhe kështu bën edhe pse atje nuk ua besuan shumë këtë
“gënjeshtër”, pasi ata ishin shumë të mirë në mjeshtëri aktrimi aq sa i
dërgonin në vite më të larta në shkollë për tua demonstruar më të rriturve këtë
mjeshtëri. E thotë me mburrje e nostalgji se në shkollën e artit në Tiranë
kishte patur fatin ta mësonte mjeshtërinë e aktrimit nga Drita Agolli, një
pedagoge e nivelit të lartë.

Studioi për regjisor filmi, por nuk xhiroi asnjë film

Në Rumani, për disa vjet mësuan gjithçka që duhet të mësojë
një regjisor filmi, që nga aparati fotografik, skenari, skenografia, muzika e
detaje më të vogla që i nevojiten një regjisori për të ndërtuar një film. Por,
edhe pse përfundoi shkëlqyeshëm për regjisor filmi, tre vjet në Rumani, i ka
mbetur peng që në jetën e tij artistike nuk mundi të ishte asnjëherë regjisor
filmi. Tregon se kishte përgatitur të bënte film “Kështjella” të Ismail
Kadaresë dhe “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”, ku kishte menduar që rolin e
Zylos ta luante Sulejman Pitarka, por ishte etiketuar si me “shfaqje të huaja”
e nuk mund të ishte regjisor filmash.

Nga Bukureshti në Smokthinë të Vlorës!

Pas përfundimit të studimeve të larta në Rumani e dërgojnë në
“gjirin e klasës punëtore” për riedukim, pasi kishte paraqitur “shfaqje të
huaja”. E dërgojnë në Boder, në hidrocentralin e Smokthinës, fshat në Vlorë, ku
kryen punën e montatorit, hekurkthyesit e punë të tjera për të cilat vendoste
klasa punëtore. Punoi në “gjirin e klasës punëtore” deri atë ditë që në Vlorë
erdhi një frigorifer I madh nga Rumania dhe Azbi Gjika, të cilin e kujton me
respekt pasi nuk jeton më, e mori në qytet për të përkthyer librin e përdorimit
të frigoriferit. Pasi u pajis edhe me një “karakteristik të mirë” nga klasa
punëtore ku kishte kryer stazhin e riedukimit, u punësua në teatrin e Vlorës,
në vitin 1976.

Fillimet në teatrin e Vlorës

Në fillim punoi si aktor në Estradën Profesioniste, për të
punuar më pas edhe si regjisor pranë kësaj Estrade e cila në ato vite ishte në
kulmin e saj, ku ai përmend emrat e aktorëve të humorit Myqerem Fera, Leka
Kruta, Meliha Fera etj. Pas vendosjes së rreth 15 premierave në Estradë, kaloi
si regjisor i dytë në Teatrin e Dramës. Shfaqja e tij e parë si regjisor në
Teatër ka qenë “Familja e peshkatarit”, ku rolin e parë e kryesor, Jonuz
Brugës, ia besoi një të riu që sapo kishte përfunduar studimet e larta për
aktor e më pas do të bëhej një aktor I njohur në Shqipëri, Bujar Asqeriut. Ndër
kulmet e tij në vitet e punës si regjisor në Teatrin e Dramës, përmend edhe
vendosjen në skenën e teatrit të Vlorës të komedisë “Pallati 176” të Ruzhdi
Pulahës. Shfaqja do të kishte një sukses të madh jo vetëm në Vlorë, por edhe në
qytetin fqinj të Fierit, ku biletat shiteshin qysh herët në mëngjes e trupa
pasi jepte shfaqjen në mbrëmje, kthehej në Vlorë natën vonë, e të nesërmen
përsëritej I njëjti ritual. Duke qeshur kujton se në kohën që jepej shfaqja në Fier,
Luftar Paja e Albert Verria që luante rolin e Jovan Bregut, ishin të dy
deputetë në Kuvendin Popullor e kishin një xhelozi suksesi për njëri tjetri e
në këto kushte, Luftar Paja nuk e lejoi shumë ditë dhënien e shfaqjes në Fier,
me justifikime nga më të ndryshmet, edhe pse kërkesat në fier ishin të shumta.

“Mirëmëngjesi Vera!” 1981, shfaqja me rekord shikuesish

Shkrimtari Gafur Shameti dhe regjisori Jorgaq Tushe, do të
bashkëpunonin në mars të vitit 1981, për të vënë në skenë shfaqjen
“Mirëmëngjesi, Vera”Komedia u prit mirë nga publiku artdashës vlonjat
dhe ishte një sukses për trupën e teatrit Profesionistë të Vlorës. Tema aktuale
të realitetit ishin në qendër të komedisë, ku linja kryesore ishte dashuria e
dy të rinjve, Verës inxhiniere dhe Arbenit mekanik. Efterpi Laçka në rolin e
nënë Aishes, do të jetë aktorja kryesore e shfaqjes. Hatiqet Bendo në rolin e
Verës, do të dhurojë një tjetër lojë të bukur të duartrokitur nga publiku. Lojë
të bukur dhuroi dhe aktorja Lavdie Basha. Vladimir Abilaliaj do të luante rolin
kryesor atë të Arbenit, duke krijuar një portret real të personazhit. Në rolet
e tjera do të luajnë Fatmir Këmbaci, Vasillaq Godo, Fabit Beqri, Ilirian Ali,
si dhe çifti simpatik Hasho-Mihali. Jorgaqi kujton se shfaqja u dha për
publikun për 45 net.

Asistent regjisor në një shfaqje të Kadri Roshit në Vlorë

1981Në gusht të vitit 1981, Aktori i madh shqiptare, Kadri
Roshi, do të luante në skenën e teatrit të Vlorës. “Lidhur si fishek
gjerdani”, titullohej drama e Bashkim Kozelit, me regji të Pjetër Gjokës e
Lazër Filipit e as. regjisor Jorgaq Tushe e Besnik Aliaj. Shfaqja do të arrinte
një numër rekord spektatorësh, duke u shfaqur për 12 ditë, në teatrin e
qytetit. Përkrah Kadri Roshit, do të luanin aktorët e njohur të Vlorës, Liza
Laska, Albert Verria, Vasillaq Godo, Agim Shuke, Adem Gjyzeli, Fabit Beqiri.
Suksesi i shfaqjes ishte dëshmia më e mirë e cilësisë së lartë artistike që
kishin aktorët e trupës së teatrit profesioniste të Vlorës.

Luan si aktor në 10 filma shqiptarë

Rolet e shumta në teatrin e Vlorës, shfaqjet e suksesshme si
regjisor, studimet e larta në Rumani, tërhoqën vëmendjen e disa regjisorëve
shqiptarë të cilët e angazhuan si aktor në filmat e tyre. Jorgaq tushe numëron
role në 10 filma artistik shqiptarë. Fillin e kujton që nga filmi “Plumba
Perandorit”, filmin “Liri a Vdekje” me regji të dy vlonjateve Ibrahim Muco e
Kristaq Mitro, filmin “Nata e parë e lirisë” me regji të Esat Mysliut, “Skëterrë
43” të Rikard Lkarja e deri tek seriali i parë në historinë e filmit televiziv
shqiptarë “Agimet e stinës së madhe” me regji të një tjetër vlonjati Albert
Minga.

Rikthimi në teatër pas shumë viteve emigrant

Në fundin e ’90, me ndryshimin e sistemit, detyrohet të
largohet për në emigracion duke u rikthyer në Vlorë në vitin 2006. Kontributi I
tij në artin e Vlorës dhe kinematografinë shqiptare, nuk ishte harruar dhe këtë
e kupton kur kryetari I bashkisë në atë vit, Shpëtim Gjika I afron punë në teatrin
e Vlorës, për ta vazhduar kontributin e lënë në mes. Shfaqja e parë “Krushqit
nga Vlora”, suksesi i parë i Jorgaqit si regjisor pas kthimit nga Greqia, fiton
çmimin e parë në Prishtinë, në një Festival të organizuar në kuadër të
përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Disa nga shfaqjet e vendosura në skenë
prej tij në vitet e fundit janë “Burri I gruas sime”, “Misteri”, me teatrin e
dramës, “Misteri”, “Lojë e dyfishtë”, komedi”, “Pengu”, “Një letër e humbur “,
si aktor dhe e fundit “Njeriu që pa vdekjen me sy” ku luan rolin e kryetarit të
bashkisë, Filimoni, në veprën e Viktor Eftimiut.

Nostalgji

Jorgaqi qesh kur kujton një episod në shfaqjen “Shumë zhurmë
për asgjë” në vitin 1982, ku Albert Verria dhe Vasillaq Godo ishin në rolin e
dy rojeve. Të veshur me disa rroba të kohës së Shekspirit, u kishin dal këmbët
e holla dhe nga poshtë sallës që I ngacmonin spektatorët me batutat si “sa
këmbë të bukura që keni” e i madhi Bert Verria që u thoshte me zë të ulët
“hajdeni më shikoni në plazh.” Sot, edhe pse në moshën e pensionit, vazhdon të
angazhohet në teatrin e Vlorës, herë si aktor e herë si rregjisor, thotë se
ndihet i nderuar që ka punuar me aktorë të mëdhenj si Albert Verria, Sulejman
Pitarka, Mario Ashiku, Jani Riza, Timo Flloko etj. Është shumë energjik dhe çdo
ditë pranë teatrit të Vlorës, duke mos iu dorëzuar viteve që ikin e nuk kthehen
më. Vitin e kaluar, në Korçë, në Kokofestë, fitoi çmimin e parë si aktori më i
mirë, me rolin e Komentatorit në shfaqjen “Të gjithë burrat e Analizës”, por
askush nga drejtuesit e artit në qytet e në bashki, nuk u kujtuan ta përgëzonin
e ta nderonin për këtë çmim.

Roli i “Enver Hoxhës”

Kur ngjizet profesioni i aktorit me atë të regjisorit, ky
është kulmi i arritjes profesionale për çdo artist, në fushën e aktrimit. Pas
kësaj, mund të luash çdo rol, çdo karakter, çdo figurë historike. Jorgaq Tushe
e ka arritur një ngjizje të tillë. Ndaj dhe jo më kot është përzgjedhur nga të
gjithë aktorët shqiptarë, për të qenë “Enver Hoxha”, në një
dokumentar Historik, italo-shqiptar, për jetën e diktatorit. Dokumentari
Historik do të shfaqet së shpejti për publikun shqiptar, dhe ndodh për herë të
parë. Dhe për herë të parë kjo realizohet nga Aktori me përmasa tashmë
ndërkombëtare, Jorgaq Tushe. Dokumentari tregon se si diktatori e shikonte për
veten e vet festivalin Italian të këngës “Sanremo”, por popullin e vet nuk e
lejonte, duke i detyruar njerëzit që ta shikonin fshehurazi e më pas t’i
dënonte. Të luash rolin e një udhëheqësi shteti qoftë Ky i mirë apo i keq,
është një ëndërr për çdo aktor në botë. Modestisht, Jorgaq Tushe, e ka tashmë
të realizuar një ëndërr të tillë, që shqiptarët të mos e harrojmë diktaturën
dhe diktatorin që kanë pasur. Sepse harresa është mëma e përsëritjes.

Po mendon për t’i dhënë fund angazhimit në teatrin e Vlorës

E thotë me dhimbje e me gjysmë zëri, ndoshta ngaqë nuk do
t’ia thotë as vetes se, është duke menduar largimin nga teatri i Vlorës. Ndihet
i lodhur, por më shumë se i lodhur ndihet i zhgënjyer nga fakti se ndihet i pa
vlerësuar nga drejtuesit e teatrit e bashkisë. I dhemb fakti që kur doli në
pension askush nuk u kujtua të organizonte diçka e ta falënderonte për 40 vjet
kontribut ne teatër. I dhemb fakti që vitin e kaluar fitoi një çmim nderi në
festivalin e përvitshëm të Korçës dhe askush nuk u kujtua t’i bënte një
falënderim publik, të organizonte një aktivitet në teatër për çmimin që fitoi,
sepse në fundin e karrierës e në moshën që është, ka nevojë për një vlerësim,
për një fjalë të mirë, për një mirënjohje. Kontributi i tij në teatrin e Vlorës
është 40 vjeçar dhe me prodhimtari të lartë e me cilësi artistike. Por i dhemb
edhe fakti që teatri i Vlorës po plaket dita ditës, se nuk ka aktorë të rinj
dhe teatri ka mungesa të shumta në funksionimin e menaxhimin e tij, mungesa të
cilat po e dëmtojnë në heshtje e pa kuptuar, larg vëmendjes së opinionit, larg
vëmendjes së atyre që duhet të ndërhyjnë për ta ndryshuar situatën.

 

Historia e Teatrit Profesionistë të Vlorës që nga drama e
parë në 1909 e deri tek “Njeriu që pa vdekjen me sy”, 2016.

Shfaqja e parë teatrale në Vlorë, 29 janar 1909.

 Klubi
“Labëria” vendos në skenë dramën “Vdekja e Pirros”, vepër e
patriotit, Mihal Grameno.

Ndodhte për herë të parë, një shfaqje teatrale në Vlorë. Jani
Minga, ishte organizatori i vënies në skenë të kësaj drame, ku bënte edhe rolin
e suflerit gjatë gjithë shfaqjes. Në rolet kryesore, luajtën si njerëz me arsim
të lartë si Spiro Jorgo Koleka, por edhe artizanë të thjeshtë si Llukë
Papajorgji. (Llukë Berberi). Shfaqja u luajt në mjediset e shtëpisë së Syrja
bej Vlorës, babai i Eqerem bej Vlorës.

 

27 nëntor 1962, Krijohet Teatri Profesionist i Vlorës

Në mbrëmjen e datës 28 nëntor në Vlorë, në sallën e
kinoteatrit “7 Nëntori” teatri i porsakrijuar profesionist i vlorës, bashkë me
amatorët më të zgjedhur të rrethit, shpallën për herë të parë siparin me
veprimtarinë muziko-letrare “O flamur gjak, o flamur shkabë”. Ishte shfaqja e
parë që do të shtronte përpara sfida të mëdha në vendosjen në skenë të veprave
të shumta. Emrat e parë të trupës së teatrit janë Vangjel Panozaqi, Liza Laska,
Astrit Hasho, Pirro Sava, Myqerem Fera, Vasillaq godo, Ali Roshi, Vasil Qesari,
dudi Hasho e të tjerë emra. Në vitet në vazhdim, teatri i Vlorës fitoi përvojën
dhe respektin e spektatorëve, u shtua me emra të rinj e të merituar si Albert
Verria, Adem Gjyzeli, Resmie Ruci, Agim Shuke, Bujar Asqeriu, Hatiqe Bendo,
Jorgaq Tushe, Afërdita Tushe, Astrit Mamaj, Vladimir Abilaliaj, Artan Islami,
Ilirian Ali, Matilda Avduli etj.

Premiera e parë

Drama “Fundosja e skuadrës”me regji të Kujtim Spahivogli.

Me rastin e 90 vjetorit të shfaqjes së parë teatrale në
Vlorë, në shkurt të vitit 1999, teatri i Vlorës e ndryshoi emrin nga “7
nëntori” në “Petro Marko”.

Disa nga shfaqjet që janë vënë në teatrin ‘’Petro Marko’’:

”Njësiti familjar” – Teatër – maj 1977, regjisor Myqerrem
Ferra.

“Mirëmengjes, Vera’’-teatër-Mars 1981, regjisor:Jorgaq
Tushe-Autor: Gafur Shameti.

‘’Lidhur si fishekë gjerdani” – Teatër – gusht 1981, regjisor
Pjetër Gjoka (Artist i Popullit ), Lazër Filipi ( Artist i Merituar ), as.
regjisor Jorgaq Tushe. Krahas aktorëve vlonjatë ka luajtur edhe “Artisti i
Popullit” Kadri Roshi.

‘’Kur mbyllinm fontanën’’-Janar 1982, Regjisor: Nazmi
Bunjaku.

‘’Shpartallimi’’-9 Tetor 1982 , Regjisor:Besnik Aliaj.

‘’Tre shokët’’-Estrada-Nëntor 1982.

‘’Nëntori i Flamurit’’-teatër, skenarist:Milano Stefa-Nëntor
1982

”Në fillim të sezonit” – teatër – korrik 1983 regjisor Albert
Verria i cili ka qenë një nga aktorët më të mirë shqiptarë, i vlerësuar në
vitin 1987 me titullin e lartë “Artist i Popullit”Filmi i tij më i mirë ka qenë
“Kapedani”. Ai ka ndërruar jetë në vitin 2015.

“Flakë në shtëpi” dhjetor 1967

Në dhjetor të vitit 1967, në teatrin e Vlorës, do të vendosej
në skenë shfaqja “Flakë në shtëpi”.

Një dramë për të sensibilizuar emancipimin e gruas dhe brezin
e ri. Në rolet kryesore do të luanim aktorë të rinj që sapo kishin përfunduar
Institutin e Lartë të Arteve, për aktor. Ishin Resmie Ruci, Vasillaq Godo, Agim
Shuke. Edhe regjisori ishte i ri, Leka Bungo. Krahas tyre luanin Liza Laska e
Adem Gjyzeli. Shfaqja pati jehonë për kohën dhe u ndoq për ditë të tëra, në
sallën e mbushur plot.

“Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe censurimi i Viktor Eftimiut!
– 2016

Kështu titullohet shfaqja më e fundit e trupës të teatrit të
Vlorës, shkruar nga Viktor Eftimiu e me regji të Elma Doresi. Shfaqja është
duke u ndjekur nga një numër i konsiderueshëm spektatorësh, të cilët e kanë
mirëpritur lojën e aktorëve, mes të të cilëve luan edhe Jorgaq Tushe.  Por ajo që ka rënë në sy ka qenë mos përmendja
gjatë gjithë shfaqjes e fjalës “kryetari i bashkisë sonë”, duke e cituar vetëm
“kryetari ynë”, duke mos u kuptuar nga publiku, se për çfarë kryetari bëhet
fjalë për kryetar bashkie, komune, Kryqi i Kuq apo kryetar kooperative! Nuk
është e qartë, se përse dhe kush e ka deformuar një shprehje të tillë në pjesën
e shkruar nga rumuni Viktor Eftimiu, e cila e thënë vazhdimisht “rroftë shoku
Filimon, kryetari i bashkisë sonë” është një nga batutat e njohura të kësaj
vepre të mirënjohur.