Enxhi Vlashi: Klipi “Më ka thon baba”, më bëri të famshme

797
Sigal

Personazh/Flet këngëtarja Enxhi Vlashi : Këndoj live se e ndjej këngën më afër

Enxhi Vlashi është një këngëtare e re dhe e mirënjohur për interpretimin e saj të muzikës popullore, sidomos të Shqipërisë së Mesme dhe të Trevave të Veriut . Pas mëse tetë viteve eksperiencë në aktivitete me muzikë live vajza e re kërkon të realizojë një dëshirë te hershme të saj, të bëhet e njohur në shkallë kombëtare. 20-vjeçarja nga Durrësi, është një nga shumë vajza të reja me plot pasion dhe dëshirë për muzikën. Që e vogël, në gëzime të ndryshme familjare, Enxhi niste të këndonte duke dhënë kështu sinjalet e para se në të ardhmen do t’i dedikohej këtij pasioni. Krahas impenjimit me veglën muzikore ajo nuk la pas dore edhe të kënduarit duke u aktivizuar gjithnjë me aktivitetet shkollore. Në përfundim të ciklit 8 vjeçar, nëse do të donte të vazhdonte të kënduarit duhet të zgjidhte profilin e kantos. Por dedikimi ndaj muzikës klasike nuk iu duk zgjidhja më e mirë vajzës së re, e cila shihte si prirjen e saj natyrale muzikën e lehtë dhe atë popullore. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, ajo mori pjesë në të gjitha maratonat rinore të qytetit duke korrur gjithnjë duartrokitjet e publikut. Në konkursin “Zërat e rinj”, në duet me Denis Hasën ajo e nderua me çmim të parë. Të gjithë specialistët e muzikës vlerësonin potencën e zërit të saj, natyrshmërinë në skenë dhe interpretimin dinjitoz prandaj dhe vajza e re vazhdoi e bindur në rrugën e saj …

 Përshëndetje Enxhi, së fundi keni lancuar klipin tuaj më të ri “Më ka thon baba” , më thoni ju lutem, cilët ishin bashkëpunëtorët ?

Kënga është bërë nga Gëzim Mneri & G. Muhaxhiri ku dhe transmetohet për shikuesit në kanalin Musical TV në Digitalb. Teksti është bërë nga e mirënjohura Rozana Radi.

 -Ti këndon vetëm muzikë të Shqipërisë së Mesme?

Siç e thashë edhe më sipër, që në fillimet e mia jam identifikuar me këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, por që unë këndoj edhe këngë të trevave të tjera. Në repertorin tim unë kam edhe këngë tallava, gjithashtu edhe të ndryshme veriore, por që këngët e Shqipërisë së Mesme i kam për zemër dhe zënë vendin e parë.

 -Si e përkufizoni veten me tre fjalë?

Me tre fjalë, veten do e përkufizoja e thjeshtë, natyrë e fortë dhe e zgjuar.

 -Ç`vend zë dashuria në jetën tënde? Po princi yt i kaltër si duhet të jetë ?

Si për çdo individ edhe për mua dashuria zë një vend shumë të rëndësishëm, ndërsa kriteret për princin e kaltër nuk janë të prera, por vlerësoj shumë arritjet në jetë & zgjuarsinë tek një mashkull.

 -Çfarë ju bën të lumtur ?

Imtësitë që tregojnë kujdes, njerëzit modestë e të sinqertë, ndoshta pse rrallë ndeshemi me këto gjëra, kanë filluar të më mungojnë.

-Udhëton shpesh, cilat janë projektet për këtë sezon veror?

Udhëtoj aq sa mundem, më pëlqejnë udhëtimet dhe pushimet i shijoj shumë. Projektet e mia janë të shumta, evente dhe gëzime të ndryshme familjare ku performoj Live.

  -Përveç muzikës, cili është pasioni i Enxhit ?

Arti në përgjithësi, të gjitha që kanë të bëjnë me artin.

 -Gjëja që, më së shumti ju bën nervoz në përditshmërinë tonë ? 

Hipokrizia, gënjeshtrat e njerëzve, shpirti i ligë i njerëzve etj.

 -Veshja e preferuar ?

Jam e fiksuar pas fustaneve Karen Millen, më pëlqen klasikja e ndërthurur me ekstravagancën.

 -Kujdesja për veten është kulturë, sa kohë i kushtoni pamjes tuaj ?

Sigurisht që, i kushtoj rëndësinë e duhur, sipas këndvështrimit tim.

 -Sa lexon Enxhi?

 Më parë lexoja më shumë, por kjo gjë varet edhe nga koha.

 -Me siguri që, fansat tuaj do të kishin dashur të dinë diçka më shumë rreth jetës private, si po shkon ajo?

Jeta ime private është siç ka qenë, e rrethuar me shumë dashuri dhe kujdes.

 -Ç’është Familja për Ju ?

Me dy fjalë: Pika e referimit & e mbështetjes! Familja është gjëja e pazëvendësuar dhe më e rëndësishme në jetën e njeriut.

 -Pro apo Kundër Kirurgjisë Estetike?

Jam pro kirurgjisë estetike në rastet e problemeve ekstreme.

  -Ç’do të thotë për ty të këndosh live?

Të këndosh live është gjëja më e bukur që mund të bëjë një këngëtar. Ka shumë emocione dhe duartrokitjet e publikut janë më të ngrohta. Më duket se kur këndoj live unë ua shpërblej ato duartrokitje. E ndiej më thellë respektin dhe admirimin e tyre. Të shkakton një ndjesi të këndshme të dish se gjithë ata njerëz kanë ardhur të të dëgjojnë vetëm ty. Gjithmonë, kam tentuar të këndoj live dhe zëri më ka ndihmuar shumë.

 -Diçka të veçantë që, do ta rrëfesh vetëm për lexuesit tanë ?

Lexuesit tuaj i përshëndes shumë dhe i rrëfej setin tim më të fundit të fotove, realizuar nga fotografja profesioniste F. Maliqi.