Enver Memishaj /30 prefektët që shërbyen në periudhën 1912 – 1944

1206
Sigal

Nga 12 prefektë që vdiqën në Shqipëri, 2 prej tyre u burgosën dhe 7 të tjerë u internuan nga fashistët

Kohët e fundit , studiuesi i historisë Enver Memishaj ka dalë para lexuesit, me librin e tij të dymbëdhjetë “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”, që përshkruan jetën dhe veprimtarinë e nëpunësve të lartë të shtetit shqiptar që i shërbyen Qarkut të Vlorës gjatë 100 vjetëve. Libri hedh dritë, mbi atë pjesë të historisë sonë, të pa njohur, prandaj lexohet me kënaqësi interes dhe emocion.

JETË TË HARRUARA

Pa respektin ndaj të parëve, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen.

 “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”, nuk merr përsipër të paraqes me hollësi jetën e harruar,  dhe veprën e prefektëve të Qarkut të Vlorës, por në vija të përgjithshme i kemi kthyer historisë nëpunësit e lartë të shtetit që i shërbyen këtij qarku gjatë 100 vjetëve, 1912 – 2012, si një detyrim dhe nderim për shërbimet që ata i bënë vendit te tyre. Për këtë arsye disa momente të jetës, së këtyre burrave janë kaluar shkurt, aq sa ishte njohja jonë për ta.

Nëse këto vështrime të shkurtra, informacionet që japim, mbi jetën e prefektëve të Qarkut të Vlorës, do të ngjallin diskutim, atëherë ky libër ia ka arritur plotësisht qëllimit për të cilin është shkruar. Në 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare mora përsipër  t`iu bëj homazhe të merituara nëpunësve të lartë që i shërbyen Vlorës në kohë të vështira, dhe që kanë mbetur jetë të harruara dhe këtë u përpoqa ta bëj me anën e këtij libri.

Nisur nga kjo përvojë e jetës sime, vendosa të vlerësoj punën e atyre burrave që i kishin shërbyer Vlorës sime të dashur dhe që, ose ishin lënë në heshtje, ose ishin harruar, ose nuk ishin vlerësuar, qëndrim aspak human që mbahet ndaj nëpunësve të lartë të shtetit.

Shumë nga këta burra të shquar që renditen në këtë libër si Refo Çapari, Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi,  duke punuar me vetëmohim dhe përkushtim i dhanë gjithçka mundën vendit të tyre pa kërkuar asgjë për vete, pra janë shembulli se si u bë shteti dhe se si përparon vendi.

Disa të tjerë dhanë jetën në luftë, u pushkatuan nga komunistët, apo që edhe vdiqën nëpër burgjet e zeza të tyre si: Dulejman Çela, Seit Qemali, Niman Ferizi, Sadik Metra, Ismet Kryeziu etj..

Disa të tjerë si Abedin Nepravishta e Faik Bregu, u dënuan e u persekutuan nga fashistët dhe komunistët. Duke i parë në tërësi, të 30 prefektët që shërbyen në periudhën 1912 – 1944, patën nga komunistët një fund të pamerituar:

Nga 12 prefektë që vdiqën në Shqipëri, 2 prej tyre u burgosën dhe 7 të tjerë u internuan nga fashistët dhe komunistët. U pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq, 6 prefektë. Vdiqën nëpër burgjet komuniste, 3 prefektë. Vdiqën në emigracion 7 prefektë, 3 prej të cilëve ishin shpallur “armiq të popullit”. Ranë dëshmorë për lirinë e vendit të tyre, 2 prefektë.

Unë kam nderim e respekt të veçantë për këta burra, që gjatë ushtrimit të detyrës së prefektit, në çdo kohë, u orientuan nga e vërteta dhe drejtësia.

Në përgjithësi sot vihet re me të drejtë nderimi ndaj botës së artit, por padrejtësisht harrohen fushat e tjera të veprimtarisë njerëzore, nëpunësit në përgjithësi, ekonomistët, inxhinierët, mjekët, agronomët, etj.. Ndaj libra të tillë do ua kthejnë nderimin dhe vlerësimin e munguar 30 nëpunësve të lartë të shtetit shqiptarë, 30 jetë të harruara nga shoqëria shqiptare, dhe veçanërisht nga vlonjatët, atyre që s`kursyen asgjë por që  kanë dhënë kontributin e tyre në jetën dhe zhvillimin e Qarkut të Vlorës.

Të hedhësh dritë mbi figura pothuajse të pa njohura nga publiku i gjerë, sepse për ata është folur, diku duke mashtruar, diku duke shpifur, diku duke e mbuluar me heshtje dhe dikujt tjetër duke i dhënë vlera të pamerituara është një detyrim atdhetar.

Sidoqoftë ky libër le të jetë edhe një apel dhe nismë për ta çuar më tej punën pra për të ndriçuar plotësisht jetën dhe veprën e këtyre personaliteteve të pasqyruar në këtë libër. Shembullin na e ka dhënë Prof. Dr. Uran Asllani me tre libra të vlefshëm për personalitete të politikës dhe të kulturës shqiptare; Hil Lushaku me historinë e ministrave të brendshëm dhe historinë e drejtuesve të policisë; Eqerem Beci e Zhani Canco për studentët shqiptar në Rumani, Vladimir Misja për studentët shqiptar në Shën Peterburg. Dr. Bujar Leskaj me deputetët e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë,  etj..

Në kushtet e vështira që prefektët punuan ndofta nuk patën mundësi të na linin shkrime për jetën dhe shërbimet që i bënë Vlorës dhe vendit të tyre, por ata na lanë shërbimet që bënë ndaj atdheut të tyre si një shembull që ne pasardhësit duhet të ndjekim. E ç`mund të na linin më shumë: Osmën Haxhiu, Qazim Kokoshi, Ahmet Durmishi, Dulejman Çela, Abedin Nepravishta, Seit Qemali, Rauf Fico, Bajram Fevziu etj..

Autori Enver Memishaj – Lepenica

 CILËT ISHIN  PREFEKTËT E  QARKUT TË VLORËS, GJATË 100 VJETËVE 1912 – 2012

 II/1 – Periudha 1912 – 1938, ngritja dhe konsolidimi i shtetit shqiptar

  1. Refo Çapari

2.  Ahmet Durmishi

      3.  Rauf Fico

4.  Nexhip Basha

5.  Fehim Leskoviku

6.  Osmën Haxhiu

7.  Seit Qemali

8.  Qazim Kokoshi

9.  Qazim Koculi

10. Bajram Fevziu

11. Zenel Prodani

12. Faik Bregu

      13. Halim Gostivari

14. Niman Ferizi

15. Qazim Bodinaku

16. Dulejman Çela

17. Rustem Ymeri

18. Vasil Kalluçi

19. Rasim Kalakula

20. Zef Kadare

21. Ismet Kryeziu

22. Abedin Nepravishta

23. Sadik Metra

24. Abdurrahim Hoxha

II/ 2. Periudha 1939 – 1944, gjatë pushtimit nazi – fashist

25. Faik Quku

26. Tafil Boletini

27. Lele Koçi

28. Veip Runa

29. Ahmet Myftari

30. Vizhdan Risilia

II/3. Periudha  1945 – 1990, gjatë diktaturës komuniste

Sekretarët e parë të Komitetit të Partisë Komuniste, Partisë së Punës së Shqipërisë të Rrethit të Vlorës dhe Kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Vlorë.

II/4. Periudha 1991 – 2012, e ndërtimit të demokracisë

31. Bahri Shanaj

32. Afrim Haçi

33. Tare Hamo

34. Fatos Hamiti

35. Shpëtim Gjika

36. Bashkim Habili

37. Artan Nelaj

38. Kreshnik Alimerko

39. Dorotea Konomi

40. Xhevair Rexhepi

41. Akil Danushi

42. Hasan Halili

43. Eduard Velçani