Enver Cakaj: Përse e donin kaq shumë Dritëro Agollin?

598
Sigal

E kisha parë disa herë, që cigaren e kishte bërë si urë zjarri për t’u ndezur cigaren të tjerëve. Si ishte e mundur, që ai të humbiste kohën me këta njerëz? Në të vërtetë ai nuk humbiste, por fitonte miq të rinj. Sa herë u ndizte cigaren i pyeste kush ishin e nga ishin. Pastaj fillonte muhabetin me ta si t’i kishte njohur prej vitesh. Dhe ata mbetën miqtë e tij, që i kishte nga e gjithë Shqipëria. Një ditë ishte ulur vetëm në një pijetore pranë Pallatit të Kulturës dhe po pinte një gotë raki. Ulej gjithmonë atje se kishte raki Skrapari. Kamerieri i shpie një gotë raki, që ia dërgonin dy klientë nga tryeza përballë. Kur e mori vesh nga i vinte rakia, i ftoi  të vinin në tryezën e tij dhe u  tha: “Unë kam nevojë për miq, se raki ka kudo.” Pasi hodhën nja dy gota, u bënë qejflinj dhe Dritëroi ia mori këngës: “More pushkën e dole në mal…” ishin vitet që kishte ndryshuar sistemi dhe dy shokët i thanë ta linte atë këngë, se lokali kishte dhe klientë të tjerë dhe mund të krijoheshin probleme. Po Dritëroi nuk ndaloi, u tha t’ia prisnin këngën dhe të bënin iso. Mirëpo edhe pronari i lokalit ndërhyri, se i iknin myshterinjtë, po  Ai u tha: “Ju vetëm ma mbani këngën, pa e rregulloj unë!” Dhe vazhdoi: “More pushkën e dole në mal, / Enver Cakaj, o partizan.” Atëherë iu afruan edhe klientët e tjerë dhe kënga gjëmonte.

Sa kishte filluar vera, vapa kishte ardhur më shpejt se koha e duhur. Unë vendosa të shkoja në një klimë malore, sepse isha përvëluar nga rrezet e spitalit. Nëpër duar kisha një libër dhe mendova të merrja një lejë krijuese. Takohesha për herë të parë me Dritëro Agollin, që atëherë ishte  kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. I thashë se kam probleme shëndetësore dhe kam vendosur të largohem nga qyteti. Ai më shikoi dhe u çudit, që unë kisha marrë pamjen e një mehiti dhe më tha: “Pse nuk shtrohesh në spital?” E sqarova, se isha shtruar njëqind herë, po ai qeshi e më tha: “Shtrohu dhe njëherë!” Këtë e bëri për shaka dhe i tha sekretares të mbushte një fletë-lejë. Unë merrja lejë krijuese jashtë rregullave se nuk isha anëtar i degës së lidhjes, po Dritëroi u ndikua nga ajo gjendje tragjike që kisha.

Ishte vit zgjedhor dhe Dritëroi erdhi në Skrapar me Servet Pëllumbin dhe Ilir Metën për të bërë fushatë. Po a e dini kush e priti i pari në Çorovodë? Një demokrat i futi dorën dhe e mori në lokalin e tij. Plus  rakisë që piu, i dhanë dhe një shishe me vete. Sa u nda prej tij e kapën të tjerë, që donin t’i jepnin edhe shpirtin. Bagazhi i makinës së tij u mbush me turli dhurata. Në fund, kur do të niseshin në Poliçan dhe makinat prisnin të vinte, ai takoi një mik të vjetër, Nevruz Grevën, i cili e “rrëmbeu” dhe e shpuri në shtëpinë e tij. Dhe kur hyn miku në shtëpinë e skraparasve, do të largohesh kur të thotë i zoti i shtëpisë, se këndej nga ne ka një shprehje të popullit: “Kur vjen miku në shtëpi, nuk të pyet, kur ikën do të pyesë të zotin e shtëpisë.” Shokët prisnin të niseshin në Poliçan, poliçanasit prisnin të deleguarit. Më dërguan mua të vija t’i thosha, po mbeta dhe unë atje. Iliri i tha nja dy-tre herë, po aty komandonte rakia. Ia përsërita dhe unë, se po priste populli në Poliçan e u ngrita në këmbë, po ai më tha: “Ulu aty, se populli po të na dojë na pret!”

Një herë tjetër Partia Socialiste kishte një veprimtari dhe e kishte ftuar dhe Dritëronë. Ai e kishte shumë qejf Skraparin, jo vetëm për rakinë, po për thjeshtësinë dhe mikpritjen e pastër të tyre. Pas veprimtarisë, që i kushtohej humoristit Iljaz Kapxhiu, i shtruan një darkë, që zgjati shumë. Për të fjetur kishte zgjedhur shtëpinë time. Unë nuk mora pjesë në atë darkë, se nuk i duroja dot zhurmat dhe tymin e duhanit. E prita  tek hyrja e shtëpisë. Kur hymë në pallat nxori një stilolaps që bënte dritë dhe u ngjitëm në shtëpi. Sa hyri te dhoma që do të flinte, më tha: “Paske shtëpi të mirë ti!” Pastaj na pyeti për fëmijët që kishim dhe nxori tri çokollata nga xhepi dhe i lëshoi mbi tryezë për ta e na tha: “Jam burrë i vjetër unë, i di zakonet.” Gruaja u ngrit e qerasi, po unë i thashë të mos e hiqte shishen e rakisë dhe t’i afronte ndonjë meze, po ai ndërhyri: “Meze nuk dua, po shishen e rakisë mos ma largo.” Kishte dëshirë të pinim bashkë, po unë nuk e vija në gojë rakinë. E lamë në dhomën e tij, ku shtratin e kishte gati dhe ikëm në dhomën tonë të flinim ndonjë orë. Kur u ngritëm në mëngjes e gjetëm më të freskët se ne. I mbushëm një shishe me raki dhe ia dhamë me vete. Aty i thashë se kisha përfunduar një roman, po nuk e di a do të kishte kohë ta shikonte. U tregua shumë i gatshëm dhe e mori me vete. Kur vajta në Tiranë, ishte pasdite dhe ai më tha, se atë natë do të flija tek shtëpia e tij, po unë e kisha siguruar fjetjen në vend tjetër. I lashë një shishe raki atje dhe ika, po më dukej sikur Dritëronë e kisha me vete.

Një ditë Dritëroi na tregonte: “Isha në  Skrapar me Moikom Zeqon dhe nja dy shokë të tjerë, vajtëm në një sebep në shtëpinë e Demir Zykos në Gjerbës. Po kur po rrinim në një lokal në Çorovodë pa nisur në Gjerbës, nga një tavolinë tjetër na vjen një porosi me nga një dopio raki. Nuk ua prishëm, u thamë faleminderit, po nga kush i kemi ta dimë? Nga Kryetari i Partisë demokratike dhe Kryetari i SHIK-ut, thanë ata. Unë u thashë, pasi u ngritën e na takuan: Ju të Partisë Demokratike të Skraparit jeni si ata të Partisë Socialiste të Tiranës. Aty afër seç ishte një nga gazeta “Koha Jonë” dhe e botuan këtë shprehje… Kur ishte gjallë nëna ime njëherë kemi marrë në shtëpi gjithë grupin e Skraparit me këngëtarë të zgjedhur, që vinin në Tiranë në koncert. Atë ditë Demir Zykua nuk ka qenë, po ka qenë ai berberi, Beluli nga Strora, këngëtar shumë i mirë….Hatixheja, nëna ime, gjithnjë më thoshte: “Ç’i bëre ata skraparlinjtë, thuaju që të vijnë?”

Këto pak shënime që munda të radhit, mbase janë të vona, po për Dritëroin duhet të shkruash çdo ditë dhe nuk mund t’i mbarosh. Atë e respektonin se i respektonte të gjithë. Nuk ishte qibar e bëhej rrogoz me popullin. Ai mbolli aq mirësi sa nuk ka zot që t’i korrë. Nuk ka pse kujtohemi për të vetëm kur ka përvjetorë, se ai nuk takohej me njerëzit vetëm në përvjetorë, po çdo ditë. Ai ishte dhe mbeti nderi i gjithë rretheve të Shqipërisë dhe të gjitha duhet ta shpallin “Qytetar Nderi”. I pari duhet ta shpallë Skrapari, sepse ai ishte skraparizuar plotësisht.