Enkeljda Arifi: Këndoj për Çamërinë se sot është dita e saj

601
Sigal

PERSONAZH/ Flet këngëtarja e mirënjohur çame Enkeljda Arifi (Alushi): Çamëria është gjithmonë në zemrën time

Një vajzë çame që ja ka kushtuar gjithë krijimtarinë e saj kësaj krahine martire. Ajo është ngjitur në skenë qysh nxënëse dhe tashmë vazhdon me sukses rrugën e bukur të këngës. Këngët e saj më të suksesshme janë ato të trevës së Çamërisë prej nga ajo ka prejardhjen. Ka vite martuar në Gjilan, por ajo asnjëherë se ndan krijimtarinë nga prejardhja e saj Çamëria. Këngët më të bukura ajo i ka me Hysni Alushin, djalin e xhaxhait të saj, duetet e të cilëve kanë lënë gjurmë në publikun shqiptar kudo në botë.

Cili është aktiviteti juaj i fundit?
Më datë 25 isha në Elbasan në një koncert humanitar, kushtuar fëmijëve me sindromin daun. Pra ishte një koncert bamirësie ku e ndjeva veten mirë. Asnjëherë nuk refuzoj ndaj aktiviteteve të tilla.

Ju morët vlerësim për një këngë për Çamërinë që e paraqitët në Festivalin e e këngës Tradicionale “KËNGA IME “TV KLAN. Çfarë përbën kjo ngjarje për ju?

 Ishte një Festival i suksesshëm për ne. Ne përfaqësuam Çamërinë dhe u vlerësuam me çmimin e produksionit “PROMOTOR” Pra kënga jonë ishte e një natyre krejt tjetër, ndaj dhe patëm shumë sukses. Dua të them se këngët tona që kanë vargje për Çamërinë.

 Me kë bashkëpunuat për këtë këngë?

 Teksti: Jorgo Papingji, muzika Kujtim Balili. Orkestrimi nga Edi Balili. Kënga titullohet “Ah moj zemër”. Mendoj se dhamë më të mirën e mundshme. Edhe në Kosovë kjo këngë u mirëprit shumë.

Jo isha duet me Hysniun.

 Nuk morët pjesë në Festivalin për Çamërinë që organizoi Unioni i Kombit Shqiptar ?

Ky Festival tashmë ka krijuar portretin e vet, i cili po tërheq gjithmonë dhe më shumë grupe folklorike nga tërë krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për tre vjet kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e këtij festivali.  Këtë vit ky Festival zgjoi jo vetëm qytetin e Sarandës, por gjithë fshatrat e kësaj zone kryesisht ato çame, nga datat 25-28 qershor. Por unë nuk isha këtë vit për vetë organizimin e  mësipërm në Elbasan.

Ju dikur më keni thënë një poezi për Çamërinë?

Gjyshi im më kishte thënë,

Se kur jemi ndarë,

Atje ke vëllanë,

Që kurrë se ke parë

 O moj nuse e bukur

Ç’të solli kësaj ane

Kështu në të dukur,

Më dukesh si çame

Pengu juaj për të qenë në Çamëri mbetet evident?

Poja si thotë kënga:

Kur të shoh kështu moj xhane,

Me jelek e çitjane,

Borzilok e manxurane,

Çame e kaluar çame.

 Si të mos kesh mall për Çamërinë? Ajo është në sytë e mi, e bukur, krenare, madhështore, plot begati. E kush nuk do ta donte këtë vend?

Çfarë ju kanë treguar prindërit, kur janë larguar nga Çamëria dhe si janë vendosur në Rrogozhinë?

 Unë di që gjyshërit e mi janë larguar nga Çamëria, kur ka ndodhur eksodi. Kanë qenë vitet ‘43-‘44. Ata janë vendosur në hyrje të Rogozhinës, ku banonin 80% vetëm me banorë çam dhe ajo lagje quhet lagja “Miqësia”. Ka qenë një lagje tipike çame, ku kemi ruajtur të gjitha adetet tona.

Çfarë ju kanë treguar  prindërit tuaj  për  shpërnguljen nga Çamëria?

Në ato vite unë di që burrat e fisit të babait tim kanë ardhur më përpara në Shqipëri sepse i merrnin ushtarë me zor, ata nuk donin të ishin në shërbimin ushtarak të Greqisë. Gjyshi im ka qenë nga një fshat afër  Filatit  edhe gjyshja që është ende gjallë është edhe ajo nga një fshat afër  Filatit që quhet Vorsela. Këto dy fshatra i ndante vetëm një lum.

Çfarë ju ka ngelur në mendjen tuaj ndonjë këngë apo ndonjë  histori  që ju ka  treguar  gjyshi apo gjyshja juaj për Çamërinë?

 Ka shumë histori që më kanë thënë, por ajo që mua më ka ngelur në kokë është kur gjyshja ime ishte e vogël dhe tregonte se kur shkonim në shkollë na mësonin me zor greqisht. Ne, tregonte ajo, në shtëpi flisnim shqipe të pastër, por në shkollë mësuesit kanë qenë aq të rreptë sa na mësonin me zor greqishten. Mësuesit po të dinin se nxënësit mësonin gjuhë tjetër përveç greqishtes i dënonin shumë rreptë. Gjyshja ime ka pasur flokë të gjatë dhe i ka pasur me tre gërsheta të gjata. Mësuesja i thotë se duhet t’i presësh leshrat, nëna e saj nuk ia ka prerë dhe kur shkoi në shkollë mësuesja ia preu të tria gërshetat. Kur ia  kanë prerë flokët në shkollë ajo ka ikur nga shkolla dhe ka shkuar në shtëpi duke qarë. Grekët kanë dashur jo vetëm të zhduknin gjuhën, por edhe zakonet dhe traditat. Këtë histori gjyshja ime ma  ka  treguar kur lidhte gërshetat e mia kur unë kam qenë e vogël… Gjyshi im Ramiu që tani ka disa vjet që ka vdekur ka kënduar shumë bukur. Këtë ndoshta e kemi trashëguar unë dhe xhaxhai im. Gjyshi im për një kohë të gjatë ka lënduar në shtrat, ku humbi të dëgjuarit dhe të parit, por ai vazhdimisht këndonte. Ai këndonte ato këngë çame aq të bukura, ku mund të veçoj një këngë ku tregonte për Çamërinë kur një pjesë shkoi në Turqi, një pjesë në Shqipëri dhe një pjesë tjetër humbën fare dhe nuk i dihet më filli i tyre. Unë fjalët  e këngës nuk i kujtoj dot se kam qenë shumë e vogël, por kujtoj lotët që i dilnin dhe zërin që i dridhej gjyshit tim.