Enkelejda Qesku:Dashuria për mua është liri totale e shpirtit

758
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur Enkelejda Qesku (Kela): “Me shpirtin nuk bëhet kontratë, shpirti nuk komandohet dhe nuk blihet”

 Ka kënduar qysh në fëmijëri dhe një nga këngët e saj të preferuara është kënduar në fillimin e bukur “Tomka dhe shokët e tij”. Në repertorin e saj ajo ka këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. E ftuar, kudo ku ka emigrantë ajo nuk përton, por jep shpirtin e saj që me zërin e bukur të kënaqë dashamirësit e saj.

 Kush është veçantia e rrugëtimit tuaj si këngëtare?

Në skenë për herë të parë jam ngjitur në moshën 7- vjeçare, ku mora pjesë në Festivalin për Fëmijë në Pallatin e Pionierit, ku u vlerësova me Çmimin e Dytë. Si këngëtare më ka zbuluar mësuesja ime e klasës së parë… Pra e veçanta është se qysh sa hyra në bankat e shkollës unë fillova të merrem me këngë.

 Si do ta përcillnit tek lexuesi këngën tuaj të parë?

 Kënga ime e parë ka qene kënga që është kënduar në filmin “Tomka dhe shokët e tij”. Isha vetëm 7 vjeçe dhe kur mësuesja pyeti kush do na këndojë një këngë. Unë ngrita dorën pa qenë e sigurt se dija të këndoja, thjesht dija tekstin (qesh). Më kujtohet që e këndova me një frymë pa ndërprerje nga turpi që më vinte si fëmijë që isha dhe si herë e parë…

 Si filloi karriera juaj me këngë të lehta apo ato popullore?

Karrierën e kam nisur me muzikë të lehtë dhe këndoja muzikë të lehtë, po shihja që këndoja me qejf dhe këngët e vjetra popullore që këndoheshin nëpër dasmat dhe gëzimet familjare. Pa dëgjuar mendimin e asnjë specialisti në vitin 1991 me iniciativën time mora pjesë në një konkurs që bëhej për këngën popullore pa u përgatitur fare. Më kujtohet që në korridor i thashë fizarmonicistit do këndoj 3 këngë të vjetra që i di po s’i kam kënduar ndonjëherë (vetëm me veten time). Dola me shumë sukses nga ky konkurs që më dha të drejtën të ndiqja për një vit një kurs të këngës popullore, ku pata fatin të bashkëpunoja me artistin e madh Ibrahim Tukiçin, Zeliha Sinën etj., etj….

 Tashmë dihet reputacioni juaj, por dhe këngëtarët më me përvojë kanë momente si të mira, por edhe dobësie në skenë. Cilat janë këto momente për ju?

 Rastet që jam ndjerë më mirë në skenë janë dy që nuk do t’i harroj kurrë. Rasti i parë ka qenë në Vlorë, në Pallatin Sportiv, ku zhvillohej një koncert i madh ku merrnim pjesë 5 këngëtare. Në momentin që dola duartrokitjet ishin kaq të shumta sa u mpiva dhe s’po filloja të këndoja se prisja që të pushonin, por kur e pashë që zgjati pak guxova të thosha e buzëqeshur në mikrofon: Mund ta filloj këngën apo jo? Emocione nga gjithë ajo ngrohtësi që nuk dija si ti falënderoja një për një po të ish e mundur te gjithë spektatorët. duke pasur parasysh si është publiku i Vlorës që duartrokitjet nuk i jep kurrë kot… për mua ish- maksimumi. Rasti i dytë më ka ndodhur në Firence për festat e nëntorit në 2008. Po këndoja një këngë që tastieristi s’po i vinte dot mbrapa këngës ( ndodh edhe kjo) dhe i bëra me shenjë “stop”. Fillova të këndoja pa muzike po e ndjekur nga të gjithë pjesëmarrësit në sallë. Një moment tepër emocionues që sa herë e kujtoj përmallohem, nuk kish gjë me fantastike se kaq, të gjithë bashkë duke kënduar në një zë …

 Preferencat për muzikën popullore?

Më pëlqejnë të gjitha trevat sepse kanë karakteristika të veçanta çdo njëra prej tyre. I këndoj të gjitha me të njëjtën dashuri.

 “Burri qenka lotari”  edhe sot është një nga këngët më të pëlqyera tuajat?

Po. Për herë të parë mbas shumë vitesh dola në treg me një klip këngë singëll që titullohet “Burri qenka lotari” me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzika Edi Balili. Albumi im i parë është bërë në 2010 në bashkëpunim me shtëpinë muzikore “Muza”. me kompozitorin e mirënjohur dhe tepër të suksesshëm Edi Balili (për të cilin falënderimet janë gjithmonë pak). Albumi im nuk ka dalë akoma në treg. Unë kam publikuar deri tani vetëm dy këngë nga ky album. Kënga e parë është “Një femër si unë s’ke me gjet”, dhe “Du një djalë shkodran”, sepse nuk i kam mundësitë për të publikuar më shumë këngë (sponsorët nuk më duan fare (qesh) dhe kuptohet pseja… Deri këtu kam arritur me forcat e mija pa ndihmën e askujt. Kur t’i kem mundësitë (dhe shpresoj), do të nxjerr dhe materialet e tjera që për tani rrinë në një sirtar për pamundësi publikimi …

 A i janë rikthyer këngëtarët e vërteta këngës popullore?

 Shihet vërtetë një rikthim në këngën popullore gjë që më vjen shumë mirë. Ne duhet të krenohemi dhe të mbajmë gjallë vlerat e muzikës tonë që është ndër më të vjetrat në botë. Për fat të keq mesa më kujtohet nga viti 1990, filluan të konvertonin në stil arab, grek e sllav shumë këngë tonat. Kjo ka qenë dhe do mbetet e pafalshme si për muzikantët ashtu edhe për interpretuesit. Rryma të reja do hyjnë siç kanë hyrë, po unë mendoj se, ne duhet ta vlerësojmë fort muzikën dhe mos të humbim origjinalitetin e këngës shqiptare. Tregu komercial fatkeqësisht funksionon keq në bazë dhe të nivelit të njerëzve dhe kjo bën që zgjedhjet të bëhen jo si duhet po në varësi të fitimeve… Kjo bën që të dalin nga vijat si kompozitorët ashtu edhe këngëtarët, nëse vërtetë është bërë ky rikthim do të thotë që kemi filluar të kuptojmë e të vlerësojmë çiftelinë dhe lahutën e veriut, polifoninë e jugut që habit botën për veçantinë e saj dhe pakrahasueshmërinë me asnjë rrymë muzikore, e perlat e muzikës së Shqipërisë së Mesme që mbeten të pavdekshme. Të krenohemi gjithmonë për rikthimin se mbajmë të gjallë vlerat e muzikës tonë.

   Jeni supersticioze?

Nuk jam supersticioze, u besoj vetëm ëndrrave.

 Lidhja me kuzhinën?

Jam adhuruese për kuzhinën dhe po të kem kohë i kushtohem me shumë kënaqësi. Këtë e tregon edhe fakti që edhe pse kam një jetë tepër të ngarkuar ftoj me kënaqësi miq e shokë për darka. Darkat me miq për mua janë shplodhje dhe gatuaj më tepër kënaqësi. Kuzhina ime e preferuar është peshku. Çdo lloj pjate me prodhime deti është speciale për mua.

 Mendimi juaj për bashkëjetesën?

Mendimi im për bashkëjetesën?  ….Do ta lidh me thënien që më ka thënë një zotëri në moshë, idealist, që unë kam patur fatin ta njoh (B. Ramaj): “Dëgjo Kela, vetëm me shpirtin nuk bëhet kontratë, shpirti nuk komandohet dhe nuk blihet…”. Mëse e vërtetë, një bashkëjetesë me shumë dashuri është më e bukur se çdo lloj martese. Është vetëm dashuria e pastër dhe e sinqertë që të lidh me një person asnjë formalitet dhe formë tjetër.

Ç’është për ju dashuria?

Dashuria për mua është liri totale e shpirtit dhe e ndjenjave pa rregulla dhe pa limite.

 Motoja e jetës?

Motoja ime në jetë është të rris mirë dy vajzat e mija e që një ditë t’i shoh të realizuara në çdo lloj fushe të jetës. Është maksimumi për mua si nënë. Jetoj dhe punoj me këtë ide.

 Si është një ditë pune e zakonshme për ju?

Një nga ditët e mija të zakonshme të punës?   …Çohem në 7 të mëngjesit, filloj punë në 7: 30 deri në 1 të drekës… Nga ora 1 deri në 3:30 kam pushimin. Nga 3:30 deri në 8 të darkës jam gjithmonë në punë. Bëj çdo ditë 10 orë e gjysmë punë… Do thuash ti po nuk jeton me mikrofon?’

Do doja shumë po nuk mundem se të tillë e kam jetën. Këndoj edhe pse punoj shumë. Më ka rastisur shpesh të vishem në punë të bëj km me makinë dhe të këndoja për bashkatdhetarët e mijë këtu në Itali, mbrëmjet mbaronin vonë dhe më ka takuar të fle edhe 3 orë e të nisem për punë si gjithmonë në orën 7:00. Ky është shpirt i artistit i palodhshëm të punosh e të këndosh dhe unë krenohem për këtë. Me pak fjalë, këngëtare mërgimi që përballon jetën me punë dhe muzikë për aq sa mundet. Nuk më lodhin sakrificat kur shoh që i jap siguri familjes time që është çdo gjë për mua.

 Ku preferoni t’i bëni pushimet?

Pushimet preferoj t’i bëj pranë detit gjithmonë. Mundësisht dhe në Shqipëri.

 Lidhja me alkoolin dhe cigaren?

 Cigaren nuk e kam pirë dhe as do ta pij kurrë. Ndërsa për pijet preferoj një gotë verë. Më pëlqen dhe një gotë birrë  tip super “Tennents”.

 Ç’bëni kur nxeheni?

 Kur nxehem o reagoj përnjëherë, ose nuk përgjigjem fare deri sa të qetësohem e të kuptoj çfarë ka ndodhur

 Veshja e preferuar?

Veshja ime e preferuar sportive po edhe klasike, varet nga okazionet.