Enkelejda Arifi (Alushi): Veshja dhe melodia çame janë shumë të veçanta

1447
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e talentuar çame Enkelejda Arifi (Alushi)

 Ftesat për të vijnë nga të katër anët e botës dhe ajo ndihet e vlerësuar dhe e motivuar. Kryesisht zëri i saj pëlqehet për këngët për trevën e Çamërisë, nga dhe ka prejardhjen. Me këto këngë ajo për çdo ditë ajo po e rrit reputacionin e saj. Fama e saj i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ajo tashmë është e kërkuar në të katër anët e botës ku ka emigrant shqiptar. Gjithmonë, në krah të saj  do të gjendet dhe djali i xhaxhait Hysen Alushi. Tashmë ata të dy janë kthyer në një mit dhe njësohen me krahinën e Çamërisë pasi këngët e tyre çojnë peshë jo vetëm çamët por të gjithë shqiptarët.  

   Mora vesh se po përgatisni një këngë të re për Çamërinë. Mund të na e bëni present?

Këtë radhë jo. Dua ta mbaj sekret. Së shpejti do bëhet e ditur. Sigurisht, bëhet fjalë për një këngë të re për Çamërinë time.

Prapë me Hysniun?

Edhe këtë do ta mësoni së shpejti. Ka diçka tjetër kjo këngë…

 Në eventet, ku ju ftoheni, gjithmonë do t’i këndoni patjetër dhe këngët për Çamërinë si p.sh në Kanada apo Amerikë?

Po. Patjetër për shumë arsye. Por kryesorja është se ne për këto këngë na ftojnë, për këto na hapen dyert e këngës dhe aktiviteteve. S’ka shqiptar sot në botë që të mos i dojë këto këngë pasi Çamëria tashmë pas zgjidhjes së problemit kosovar është pika më delikate e çdo shqiptari. Pra është një problem evident, ku të gjithë shqiptarët ndjejnë dhimbje dhe kërkojnë zgjidhjen e tij sa më shpejt. Nuk ka aktivitet që ne shkojmë që këngët për Çamërinë të mos këndohen apo kthehen nga tri herë. Ftesën për Kanada e pritëm me shumë kënaqësi. Kërkesa e kryetares  së Shoqatës së Emigrantëve në Kanada zonjës Rukie Kondi erdhi në një moment, kur ne kishim shumë kërkesa si në Europë edhe në Amerikë, por ne vendosëm të shkojmë në Kanada për shumë arsye. Së pari, se aty ka një komunitet çam që nuk jemi takuar, së dyti është se dëshira jonë është të shkojmë aty, ku kemi shkuar më rrallë, pasi duam të përhapim aromë Çamërie në çdo shtet, ku ka emigrantë shqiptarë. Kanadaja mbetet e preferuar.

 Por edhe veshja juaj flet shumë, pasi në të gjitha këto aktivitete shkoni këndoni me kostum popullor tipik çam. Nga vjen gjithë ky ndikim për veshjen çame?

As vetë se di, por kam parë që kjo veshje ndikon shumë. Janë ndërthurje të elementëve kryesorë apo karakteristikave të veshjeve interesante të Çamërisë. Dihet që gratë çame veshin çitjane, apo tumane (mosha e vjetër) të qëndisura me fije ari. Kostumet çame popullore kanë lënë gjurmë tek populli grek.

 Element tjetër i veshjes suaj është edhe nga një fjongo e kuqe që e lidhni në ballë si element i rëndësishëm i dallimit të kreshnikëve.

 Ndihem mirë me të. Më jep shumë sharm. Kjo fjongo e kuqe ka shumë domethënie. Me të lidhen ngjyra e flamurit, gjaku i derdhur për liri, shtrëngimi i ballit për të parë qartë dhe në largësi duke mos të penguar flokët. Kjo fjongo e kuqe të jep siguri në interpretim. Ka një forcë të padukshme që  të bën krenarë në çdo skenë, ku këndon.

 Këngët tuaja nuk mund të konceptohen pa Hysniun, djalin e xhaxhait nuk ndaheni si duet…?

Rastësia ka bërë që net ë plotësojmë njeri tjetrin. S’na le kënga të ndahemi. Këngët tona si duet kanë gjetur një harmoni që s’mund të bëjmë pa njëri- tjetrin. Ndoshta është rastësi të jemi kushërinj, por kur kënga është kaq e lidhur mes nesh sigurisht s’ka pse të ndahemi. Ndoshta mund të ishte njeri tjetër në vend të Hysniut, apo në vendin tim, por ja rastësia qëlloi tek ne. Pastaj askush s’mund t’i këndojë këngët e Çamërisë se një apo dy çamë.

 Ju jeni martuar në Kosovë. Ka një lidhje mes dy krahinave me shumë histori të kombit shqiptar?

Çamëria për mua është si Kosova. Të dyja janë, krahina shumë të bukura të kombit shqiptar. N.q.s koha e vuri në vend padrejtësinë ndaj Kosovë, tashmë ka ardhur koha e krahinës së Çamërisë. Po ju them se kur kam kënduar këngën e parë për Çamërinë në Kosovë (aty ju për promovimin) salla u ngrit e gjitha në këmbë, sa u duk sikur nga duartrokitjet, ndërtesa ku bëhej koncerti do të shembej. “Vaj e mall për Çamërinë”,  është një këngë hit, e shumë mirëpritur, ku edhe sot pas shtatë vjetësh dëgjohet me shumë kureshtje dhe në çdo shtëpi kosovare. Kosovarët që e dinë ç’do të thotë të jetosh jashtë strehës tënde qoftë dhe përkohësisht, i japin vlerën që duhet Çamërisë dhe popullit të saj. Kosova dhe Çamëria për mua janë një janë pjesë e kombit tim dhe ndoshta janë ndër të paktat që bëj pjesë shpirtërisht, por edhe fizikisht në këto dy krahina martire, pasi jam vajzë çame e martuar në Kosovë.

  Si do ta komentonit aktivitetin e përvitshëm që organizon Unioni Artistik i Kombit Shqiptar kushtuar Çamërisë?

Një aktivitet unik, tepër karakteristik, i veçantë që më ngjall emocion. Marr pjesë me gjithë zemër në këtë aktivitet. Çdo vit në këtë aktivitet vijnë këngë të reja për Çamërinë, vijnë valle të reja, elementë të rinj të veshjes karakteristike çame. Me aktivitete të tilla me përmasa mbarë kombëtare mbahet ndezur kjo çështje plagë e Ballkanit. Dhe kjo është shumë sinjifikative, pasi mban ndezur ëndrrat shumëvjeçare të popullit çam.

 Thuhet dhe pse kanë dalë shumë këngë të reja, kënga juaj e parë mbetet e pa arrirë…

Për mua çdo këngë për Çamërinë ka të veçantat e saj, ndërsa spektatori ka shijet e tij. Unë e vlerësoj shijen e spektatorit dhe pse vetë mundohem që çdo këngë çame ta mbaj në të njëjtin nivel. Pra secila këngë ka rëndësinë dhe mesazhin e vet. Ajo duke qenë e para si duket ka më shumë kohë që vret veshin e dëgjuesit dhe është bërë më e afërt. Mësohet më shpejt, por ajo i la vend këngës tjetër, po aq të bukur…

 Kur të shoh kështu moj xhane

Me jelek e me çitjane

Borzilok e manxurane

Çame  e kaluar çame.

  Prindërit të kanë lënë ndonjë amanet?

Po. Të shkoj në vendlindjen e tyre dhe në tokën e origjinës time, në tokën me të cilën lidhen ëndrrat e fëmijërisë time, me aromën dhe bukuritë  me të cilat unë jam lerë dhe rritur me tregimet e gjyshërve…

 Lermë  një si të të shikoj

Sa herë malli të më marrë

Lermë një bahçe ta punoj

Që kur të vdes të kem një varr.

 Tokës së të parëve të mi tokës së ëndrrave të mia kam nisur t’i këndoj shumë herët, qysh në duart e nënës apo gjyshes, dhe më pas çdo gëzim familjar, e së fundi në mënyrë profesionale si këngëtare e mirëfilltë çame.  Në çdo hap të jetës time Çamëria është present, me tokën, detin, ajrin, lulet, pemët, ndërtesat karakteristike, veshjet e bukura, këngët magjike, violinën si vegël muzikore e pandarë. Ajo është si një lule brenda zemrës time…

Jeni ambientuar me Kosovën?

 Më duket se kam lindur dhe jam rritur këtu…nuk shoh asnjë ndryshim nga qytetet apo krahinat e tjera të Shqipërisë. Kudo që shkoj më duket se jam në Tiranë, Durrës, Rrogozhinë  apo Tiranë… aty.  Kosova më duket si pjesë e Shqipërisë, ku s’kam asnjë dyzim apo hamendësi.