INTERVISTA/ Enkeleida Zeko: Jam gjithmonë Fair…

1999
Sigal

Enkeleida Zeko është një ndër gazetaret më profesioniste në gazetarinë sportive. Ajo trasmeton vetëm pozitivitet dhe buzëqeshje tek të gjithë. Enkeleida ka ditur t’ia dali më së miri në atë që ka dashur të bëjë, madje ka thyer dhe tabu duke qënë moderatorja e parë sportive. Enkeleida Zeko është një nga figurat më të spikatura të gazetarisë sportive në televizionet shqiptare. Prezantuesja e emisionit “Fair Play” në Ora News në një intervistë për gazetën “Telegraf” tregon se si ka nisur rrugëtimi i saj në gazetari. Gjithashtu Enkeleida na tregon edhe sepse zgjodhi pikërisht gazetarinë sportive

Si ka nisur rrugëtimi juaj në gazetarin sportive?

Unë gjithmonë e kam ditur se çfarë dua të bëj. Gazetaria dhe televizioni ka qenë ëndërr për mua. Për këtë arsye nisa studimet e larta në gazetari. Kur isha në vitin e dytë në fakultet mendova të ndërthur punën me studimet, një praktikë që kishte nisur të ndiqej në atë kohë. Mu ofrua roli i gazetares sportive në Televizionin “Koha” në ato vite një ekran me peshë dhe influencw mediatike. Pranova të bëja sportin, fillimisht skeptike por nuk u desh shumë kohë që unë dhe sporti të lidheshim shumë ngushtë. Kështu nisa të shtroj një rrugë pak nga pak çdo ditë. Pas përfundimit të studimeve praktikën nisa ta ndërthur me specializime të ndryshmë jashtë vendit si në Gjermani, Itali, Spanjë duke kërkuar të perfeksionoj çdo detaj të këtij profesioni. Dhe ja ku jemi sot.

Ju keni qënë gazetarja e parë sportive femër, sa e paragjykyar keni qenë në atë kohë?

Unë kam qenë jo vetëm ndër gazetaret e para sportive, por gazetarja e parë femër që arriti të ndërtonte dhe drejtonte një emision krejt e vetme. Ishte e vështirë të pranoheshe në ato vite deri në këto nivele. Por ishte cilësia ajo që bënte diferencen, përkushtimi në profesion dhe aftësitë të cilat mposhtwn çdo paragjykim.

Sa të vëstirë e ke pasur ta thyeni këtë tabu në mediat shqiptare?

Fillimet ishin të vështira dhe më duhej të punoja shumë për t’u bërë e besueshme, kjo është themelore për të qenë një gazetare e mirë. Edhe vetë komuniteti i sportit e kishte të vështirë ta pranonte femrën në disa ambiente, kishte ende komplekse gjinore. Ndërsa me punën në ekran çdo gjë ishte më e thjeshtë; ose mbijeton, ose skualifikohesh.

Gati dy dekada në ekran çfarë ka ndryshuar tek ju dhe çfarë ka mbetur e pa tjetërsuar?

Ende nuk e besoj që po mbushen 20 vite në ekran, koha kalon shumë shpejt. Isha një studente me shumë ëndrra, ndërsa sot jam një gazetare me këmbë në tokë. Shumë gjëra ndryshojnë në jetë në 20 vite, i pandryshueshëm ka mbetur përkushtimi im i përditshëm për punën dhe sportin.

A keni menduar ndonjëherë ta braktisësh ekranin?

Jo asnjëherë, puna ime është e lidhur ngushtë me të, është kënaqësi kur njerëzit të vlerësojnë për punën që bën, ndihesh sikur të japin gjithë pasurinë e botës.

Sa punoni ju për të qënë gjithmonë e informuar mbi gjithça që ndodh në sport?

Punoj dhe ndjek sportin çdo ditë. Ndjekja e të gjitha lajmeve është mënyra më e mirë për të qenë gjithmonë e informuar.

Sapo ka nisur sezoni i ri i “Fair Play” çfarë risie do ketë në këtë sezon?

“Fair Play” është një format që rezultoi i suksesshem që në fillimet e tij. Temat dhe të ftuarit sjellin gjithmonë risi dhe larmi. Çështjet që trajtohen janë gjithmonë aktuale dhe problemore dhe kjo sjell në mënyrë të pashmangshme reagim në komunitet.

Si ia dilni që të keni një emision me audiencë të lartë?

Jam gjithmonë Fair. Ky është çelësi i suksesit të emisionit. Të marrësh audiencën duhet të thuash të vërtetën dhe t’i bësh të gjithë pjesë të programit.

Cilët nga emisionit që keni drejtuar ka qenë më i sukseshmi për ju?

Nuk di ta them me saktësi. Kam trajtuar shumë herë çështje të rëndësishme, të cilat kanë patur impakt të madh në komunitet. P. sh., trajtimi i zgjedhjeve në FSHF në fillim të këtij viti ka qënë shumë Fair dhe ka pasur shumë audiencë.

E mbani mend daljen tuaj të parë në ekran?

Patjetër që e mbaj mend. Madje edhe tani që po ma kujtoni sërish emocionohem. Kam punuar me shumë këmbëngulje dhe durim me veten derisa i largova të gjitha emocionet.

Ju jeni me origjinë nga Gjirokastra, çfarë ndjeni se keni marrë prej saj?

Jam krenare që jam nga Gjirokastra. Kam një peshë të rëndë mbi supe prej familjes time. Jam Zekate dhe prej tyre kam marrë krenarinë dhe dinjitetin për ta mbajtur gjithmonë kokën lart. Ndërsa thjeshtësinë dhe pasionin për gazetarinë i kam marrë nga mami im.

Thonë që Gjirokastritët janë koprracë, ç’mendim keni ju?

Kush e thotë këtë, ta tërheqë menjëherë (qesh). Gjirokastritët e vërtetë janë kavalierë të shkëlqyer, këtu i referohem babait tim, por kjo, gjithmonë pas shkodraneve se ndryshe më mërzitet  familja e bashkëshortit….(qesh)

Ju jeni mamaja e një vajze 3 vjeçare, si ka qenë jeta juaj pas lindjes së vajzës?

Të ndryshon komplet jeta. Dita lind me mendimin për Esterin dhe mbyllet përsëri me të. Më lëndon çdo çast që jam larg saj. Përjetimet me të bukura në jetë lidhen me krijesën që ke lindur, bota merr ngjyra të tjera nga buzeqeshja e saj.

Sa orë kaloni me vajzën?

Gjithë kohën time të lirë e kaloj me të. Jam shumë prezente në jetën e saj, është e lidhur shumë me mua. Tani jemi në procesin e fillimit të kopshtit që është një etapë shumë e rëndësishme për të dyja. E përjetoj edhe unë si ajo, e kemi të vështirë të largohemi qoftë edhe për pak orë nga njëra – tjetra.

Cilat janë hobet e Enkeleidës?

Të dëgjoj muzikë të mirë, të marrë një libër dhe të jem buzë detit. Të shoh një film që më pëlqen edhe pse mund ta kem parë 10 herë…Gjërat që më pëlqejnë nuk më mërziten kurrë.

Vetë merreni me sport?

Jo. Trajtimi i sportit në këto nivele është vetëm palestra ime.

Cila është deshira juaj më e madhe ?

Nuk jua them se kam frikë mos nuk më realizohet…(qesh)

Pas 10 vitesh ku e shikoni veten?

Duke drejtuar sigurisht programin tim sportiv “Fair Play”

Era Çela