Enita Ismaili: “Repertori im i preferuar, këngët e Shqipërisë së Mesme”

726
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja, Enita Ismaili : Artistja e kërkuar e diasporës

 Është padyshim, një nga këngëtaret më të kërkuara të muzikës popullore. Zëri i saj brilant është kaq i dashur për publikun shqiptar, sa të gjithë do të donin ta kishin pjesë të gëzimeve familjare. Ka një axhendë të ngarkuar me koncerte, por kur bëhet fjalë për të argëtuar shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë… Enita Ismaili nuk i thotë kurrë “Jo” ftesave të tyre. Është nga të paktat artiste që nuk pranon të bëjë kompromise me këngën dhe duke i qëndruar fort besnike traditës së muzikës së vërtetë godet me forcë fenomenet negative që, sipas saj po çorodisin vlerat e trashëguara. Në intervistën e mëposhtme, Ismajli na rrëfen me detaje jo vetëm jetën e saj profesionale, projektet artistike, raportin me publikun, por na zbulon edhe një anë tjetër të saj, lidhjen e ngushtë me familjen..

 -Shumë vite në skenë. Si i kujtoni fillimet tuaja në muzikë?

 Kam qenë fëmijë, kur këndoja nëpër koncertet e shkollës fillore dhe ëndrra ime ishte të bëhesha një këngëtare që të prekja skenat e mëdha. Janë dashur shumë sakrifica që t’i hyja botës së muzikës, sepse nuk është e lehtë të jesh artiste, por pasioni për këngën më bënte që të mos stepesha.

-Ç’do të thotë për Enitën të këndosh live?

Të këndosh live është gjëja më e bukur që mund të bëjë një këngëtar. Ka shumë emocione dhe duartrokitjet e publikut janë më të ngrohta. Më duket se kur këndoj live, unë ua shpërblej ato duartrokitje. E ndiej më thellë respektin dhe admirimin e tyre. Të shkakton një ndjesi të këndshme të dish se gjithë ata njerëz kanë ardhur të të dëgjojnë vetëm ty. Gjithmonë kam tentuar të këndoj live dhe zëri më ka ndihmuar shumë.

 -Jeni e ftuar shumë edhe në dasma. Çfarë ndien, kur këndon në dasma?

Në dasma është një emocion i veçantë. Jam përzgjedhur për të qenë në ditën më të rëndësishme të një çifti. Të gjithë të kushtojnë vëmendje. Momenti më i bukur është kur unë këndoj dhe çifti vallëzon.

-Cili është matësi i suksesit të një artisti, sipas jush?

Matësi i suksesit të një artisti, i çfarëdo sfere qoftë ai është publiku dhe vetëm publiku. Ai vlerëson, ai është çelësi. Zëri dhe mënyra sesi depërton tek publiku.

 -Çfarë e bën një këngëtar/e të shumë të kërkuar nga publiku?

Thjeshtësia dhe të qenurit shumë i afërt me publikun.

Këngët e Shqipërisë së Mesme mbeten të preferuarat tuaja. Pas saj, këngët, e cilës krahinë vijnë?

Pas saj vijnë këngët e Jugut. I adhuroj, sepse më bëjnë të qaj dhe të kërcej njëkohësisht.

 -Emri juaj është mjaft i kërkuar edhe nga bashkatdhetarët në diasporë. A janë më të veçantë koncertet jashtë vendit, sesa këtu?

Po dhe të veçantë i bën pjesëmarrja, sepse çuditërisht këtu nuk ka shumë pjesëmarrje. Një arsye tjetër që i bën të veçantë është edhe malli që bashkatdhetarët kanë për vendin e tyre. Kur dëgjojnë këngë të tabanit shqiptar mallëngjehen dhe në një formë shuajnë “etjen” për vendin e tyre.

-Stili i të veshurit, kujdesi për veten, aparencën duket që është një tjetër pasion i juaji. Sa kohë shpenzoni për dukjen në skenë dhe në përditshmërinë tuaj?

Unë shpenzoj shumë, sepse jam pasqyrë për të gjithë fansat e mi dhe i kushtoj vëmendje shumë look-ut tim në skenë. Mendoj se është shumë e rëndësishme për një artiste që të kurohet estetikisht.

 -Cili është sekreti yt i suksesit?

Mendoj se janë zëri im dhe këngët që unë zgjedh për të kënduar. Këto janë armët e mia. Duke parë gjithmonë përpara, duke punuar shumë. Nuk besoj se ka ndonjë sekret tjetër.

-Ti këndon vetëm muzikë të Shqipërisë së Mesme?

 Siç e thashë edhe më sipër, që në fillimet e mia jam identifikuar me këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, por që unë këndoj edhe këngë të trevave të tjera. Në repertorin tim unë kam edhe këngë vlonjate, gjithashtu, edhe të ndryshme veriore, por që këngët e Shqipërisë së Mesme i kam për zemër dhe zënë vendin e parë.

-Mban mend, cili ishte momenti që të dha famë?

Fama ka ardhur gradualisht. Nuk mund ta them saktësisht se, cili ka qenë momenti që kam marrë famën më të madhe. Nuk e kam kërkuar famën si qëllim në vetvete, por jam përpjekur gjithmonë të kërkoj sa më shumë tek vetja. Punë, sakrificë, lodhje, pasion….Dhe fama vjen vetë.

-A ka xhelozi profesionale si kudo, apo më e fortë në muzikë?

Unë nuk kam patur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Enita dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frytet e punës.

-Si i ke raportet me kolegët?

Shumë mirë. Jam përpjekur të ruaj raporte të mira dhe korrekte me koleget e mia.