Ëngjëll Fino/ Kush e prishi imazhin e qytetit tonë?

591
Sigal

Kohët e fundit në Gjirokastër janë shkatërruar nga mosmirëmbajtja shumë shtëpi muze

Kohët e fundit në Gjirokastër janë shkatërruar nga mosmirëmbajtja shumë shtëpi muze. Kohët e fundit u rrënua shtëpia muze e Hadërajve.  Këto janë të rënda për qytetin e gurtë. Nuk e titullova kot shkrimin me këtë titull. Si pyetje është e vrazhdë e ngacmuese, por në brendësi shihet një realitet i pakëndshëm në marrëdhëniet qytetare. As për shou mediatik nuk e titullova kështu për çka do të paraqesë më poshtë. Qyteti muze i Gjirokastrës nuk dallohet vetëm nga shtrirja e thyer në 5 brigje të shpatit të malit të gjerë e nga lagjet që shpalosin mbi to shtrirjen e tyre që marrin formën e një gjethe rrapi me godinat karakteristike me konstruksion guri, por dhe nga prania rreth tyre e bahçeve.

Ato janë një traditë shekullore e gjirokastritëve, të cilët edhe në shkëmb i kanë krijuar për të përballuar disa nevoja të ngutshme të familjes me erëza e perime sipas stinëve.

Nevoja i ka bërë banorët e qytetit malor të kenë këto bahçe. Në ato, gjirokastritët nikoqirë përveç disa pemëve si hardhi, mana, shegë, ftonj, dardhë, çerçeme, kumbulla etj., mbjellin disa rrënjë perime sipas stinëve, për të përballuar ndonjë nevojë familjare si: domate, patëllxhanë, barbunja, qepë, hudhra, spinaq, labot, sallatë, si dhe erëza, majdanoz, maraj, kopre etj.. Kjo dukuri i përshtatet pjesës shekullore të qytetit për faktin se ai shtrihet në faqe të malit dhe ka lezetin e saj.

Por qytetit modern me pallate, bulevarde e urbanistikë bashkëkohore, nuk i përshtatet një dukuri e tillë. Dhe është e natyrshme. Në një pallat banojnë më shumë se 20-30 a më shumë familje. Mjediset rreth këtyre pallateve janë të qarkullueshme e i shërbejnë të gjithë banorëve në përshtatje me moshat. Pra, ato mund të jenë lulishte, kënde lojërash për fëmijë, sheshe të lira për kalimin e orëve të lira për ta, pra janë mjedise në funksion të komunitetit që banon në pallate. Bahçet tradicionale i përshtaten vetëm qytetit të vjetër dhe ai pa ato bahçe nuk plotëson konfiguracionin e tij muzeal. Ato bahçe, me bimësinë që qytetarët në breza tradicionalisht kultivojnë në to, përbëjnë dhe gjelbërimin e qytetit që është aq i admirueshëm.

Tjetër dukuri përbën pjesa e poshtme e qytetit me lagjet e reja ngritur pas vitit 1956 si “18 Shtatori”, “Granica”, “Punëtori”, “Zinxhira”, të cilat përbëjnë pjesën e re të Gjirokastrës me pallate e institucione bashkëkohore shumëkatëshe e hapësira publike sipas një studimi shkencor për shtrirjen e pjesës së re të qytetit.  Blloqet e pallateve janë ndërtuar sipas një planimetrie të studiuar me kujdes, duke lënë rreth tyre mjedise të bollshme për qarkullimin e kalimin e kohës të lirë të qytetarëve.

Lagjja “18 shtatori” që është më e madhja në qytet e që nëtë janë ndërtuar dhe shumë objekte social ekonomike deri në vitin 1991, përbëhej nga 4 blloqe banesash me një planimetri bashkëkohore sipas një studimi urbanistik në perspektivë nga zyra e projektit të rrethit.

Pallatet e ndërtuara në këto 4 blloqe ishin të gjitha të qarkullueshme e me trotuare rreth e qark. Pjesa tjetër (hapësira midis pallateve) ishte e lirë dhe me gjelbërim. Pas vitit 1990, në këtë lagje të re të Gjirokastrës me konture bashkëkohore, ku veç blloqeve me pallate e zbukurojnë dhe shumë objekte social kulturore, ekonomike e shëndetësore si spitali rajonal “Omer Nishani”, spitali gjinekologjik, Shtëpia e Shërbimit Shëndetësor, stadiumi, Pallati i Sportit, Kinoteatri, Arkivi i Shtetit, Universiteti “Eqerem Çabej”, 2 konvikte, gjimnazi “Siri Shapllo”, Komisariati i Policisë, Gjykata e Prokuroria, shkolla 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, kopshte e çerdhe e një numër lokalesh tregtie e shërbime artizanati etj., ndodhën paradokse e transformime të paprecedenta. Gjatë këtyre 23 viteve tranzicion, lagjja është shtuar aq shumë sa i ngjan një qyteti bashkëkohor.

Po si është zgjeruar sot?

Nën arsyetimin e kthimit të pronës janë ndërtuar vend e pa vend, gati ngjitur me njëri tjetrin dhjetëra pallate nga 5-6-8-10 a m shumë kate. Nuk ka mbetur asnjë metra katror nga lulishtet plot gjelbërim e stola të dikurshme. Çdo gjë e betonuar. Por ajo që e shëmton këtë lagje është dukuria e babëzisë. Të gjithë sipërfaqet e lira e të gjelbëruara të shumicës së pallateve, veçanërisht të atyre para viteve 1990, janë zënë nga banorët e kateve të para.

Po ç’kanë bërë në ato sipërfaqe publike këta “pronarë” të paligjshëm?

Ç’nuk të sheh syri! Qarkullimi rreth pallateve është plotësisht i bllokuar nga bahçet e improvizuara, të rrethuara me tela me gjemba, me gardhe druri, me shkurre, driza e ferra. A thua janë pronarë këta njerëz? Po bashkia e qytetit pse i lejon?

Kasolle, kolibe qensh e kotece pulash, kafaze pëllumbash, oborre me beton e mbi të gjitha shtesa e ballkone vend e pa vend, diku me “leje” e diku pa leje e ç’nuk të shikon syri! Kush ua jep të drejtën këtyre që veprojnë si u do qejfi? Dhe rrezikshmëria e kësaj gjendjeje është evidente çdo ditë nga ankesat e banorëve të kateve të sipërme!

Të të bjerë nga send nga ballkonet e sipërme, nuk mund ta marrësh, pa marrë leje nga “pronari”. Dhe të duash të tentosh të hysh për ta marrë, s’hyn dot nga rrethimet. Atë do ta marrësh kur të dojë pronari dhe po ti thuash një fjalë të përgjigjet pa hezitim.

-Më do qejfi! Jam në katin e parë.

Në shumë pka të lagjes, nga këto pushtime tokash janë bllokuar edhe rrugë-kalime. 1 muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit një punonjës bashkie (nuk dua të përmend emrin) i thotë një banori të katit të parë të pallatit 49. – Bëje shpejt e shpejt shtesën e ballkonit tani që është rrëmujë, që zgjedhjet të ta gjejnë të mbaruar se pas 23 qershorit çdo ndërtim do të legalizohet.

Dhe kështu u bë! Në mënyrë rrufe ballkoni u zgjerua, u ndërtua ballkoni i ri dhe mbi të edhe 3-4 ballkone të kateve të mësipërme në kundërshtim me çdo rregull e ligj, ngjitur me hyrjet e tjera, pa marrë lejen e banorëve të tjerë të pallatit siç e përcakton ligji.

Pas vitit 1990, këtu u bënë e bëhen ndërtime pa kriter, zënie sipërfaqe të lira pa as më të voglin ngurim. Në vendin e quajtur Kodra e Shtufit, si zgjerim i lagjes “18 Shtatori” ndeshesh me pallate ngjitur njëri me tjetrin, pa asnjë hapësirë të gjelbëruar por çdo gjë është e betonuar. Kështu që lagjja që është zgjeruar pa asnjë kriter urbanistik i ngjan një amullie të vërtetë. Fëmijët e të moshuarit janë të privuar nga vendpushimet se nuk ekzistojnë në asnjë metër katror. Këtu gjelbërimi mungon fare.

Po në Gjirokastër pse kështu?

Në këto qytete që përmenda nuk pashë asnjë pallat të rrethuar me bahçe në katet e para. Panoramë që të lë përshtypjen e një fshati të periudhës së feudalizmit nuk ka vetëm lagjja “18 Shtatori” por edhe lagjja “Punëtori” e lagjja “Zinxhira”, megjithëse, këta dy të fundit janë lagje periferike.

Panoramë të zymtë lagjes “18 Shtatori” i japin dhe 3 objekte të rëndësishme që para vitit 1990 i jepnin gjallëri e hijeshi: Ish- ndërmarrja e Prodhimit të veshjeve “Bule Naipi”, ish- Uzina Metalike e ish -Shtëpia e Kulturës e Ushtrisë.

Sot këto 3 objekte i ngjajnë një panorame që lë pas një luftë. Janë privatizuar godinat e uzinës Metalike e ndërmarrjes së veshjeve, por gjendja e tyre është sikur do të të hajë.

Veç godinës së madhe të ish ndërmarrjes së veshjeve rreth saj është një mjedis i madh që dikur ishte lulishte. Sot i ngjan një shkretëtire.