Enea Nika: Artin e kam perëndinë time

793
Sigal

Profil nga një bisedë me artistin 16- vjeçar, Enea Nika

Trupgjatë, i heshtur e punë shumë, i vështirë për të hyrë në kontakt bisede. E gjetëm në momente pune duke xhiruar për një videoklip të fundit të tij dhe menduam se kërkesës sonë për bisedë ju shmang nga përqendrimi në punë, por jo! Enea përveç aksiomës se arti do dashuri, përqendrim dhe vëmendje tek përkushtimi, ka dhe modestinë, megjithëse paksa e tepërt për moshën e tij 16 vjeçare, por shpresë dhënëse për të ardhmen. Sa është futur në autostradën e artit dhe ka zgjedhur korsinë e tij të veçantë (pikërisht kjo na u bë shtysë për këtë profil), një korsi pa qarkullim të shumtë, por jo se trembet Enea, por është i braktisur nga arti si zhanër artistik. Një zhanër i rrallë, disi i veçantë, i palakmueshëm deri sot nga personalitetet e artit, por nesër kjo korsi e hapur nga artisti i ri Enea Nika do të jetë e guiduar nga mijëra artistë. Dhe Enea po korr suksese!Dhe brenda këtij suksesi po ndërton profilin e vet artistik. Bëhet fjalë për videoklipet poetike të promovuara në rrethet artistike të Sarandës. Dhe është videoklipi i katërt që prezanton: “Pulbardhat”, “Shqip ” të Dino Kubatis,  “Nëna” të Teodor Kekos,  “Babai ka nevojë për pak paqe” të Sami Gjikës promovuar edhe në Nju Jork, dhe së fundmi videoklipi “Perandoria e zogjve” të poetit sarandjot Bardhyl Maliqi. Një realizim artistik i përkryer, kur kemi parasysh moshën e tij, përzgjedhjen e poezive  dhe vet veprimin pa mbështetje financiare, thjeshtë promovuese. E shkëputëm Enean dhe mes një buzëqeshje të çiltër kuptuam atë gen të të atit, modestinë dhe shërbimin ndaj spektatorit, qytetit dhe njeriut. Enea thotë se i ati , artisti Anastas Nika, e ndihmon mjaft me këshillat e tij, por në fund vendos ai, sepse arti ka pavarësi mendimi, flet me gjuhën e perëndive dhe perënditë gjuhën e tyre ja kanë dhënë shpirtit. Kur flet shpirti flet perëndia, shprehet Enea 16- vjeçar dhe na befason. Dhe më tej interesimit tonë ai i përgjigjet se, “brenda asaj që thashë më lart, në punën time artistike, kërkoj paqen qiellore dhe tokësore, për vete dhe për tjetrin, por duke qenë tepër tradicional në krijimtarinë time, pra këtë e them se respektoj shumë familjen se e shoh më të shtrenjtën e krijimtarisë së jetës njerëzore. Ndjehem keq kur shoh keq dhe ndaj krijoj të sjell gëzim. Mëngjesin e nis me filma multiplikativë, provojeni ta nisni ditën duke parë të paktën gjysmë ore filma të tillë dhe do ndjeheni gjithë ditën të çliruar nga emocionet e streseve të përditshme, do të keni një ditë pune normale. Mua kjo në punën time autodidakte të artit më ndihmon në pamjen psikologjike të gjërave, kjo në kompleks, dhe më shumë më jep shtysa të fantazisë. A nuk jemi rritur të gjithë me botën e kafshëve nëpërmjet përrallave, pra ka një lidhje organike këtu, freskohet truri. Kjo më ka vlejtur që përdor shumë pak tekst në punën time, më shumë flas me lëvizje dhe figurë. Besoj se do arrij orientimin dhe synimin…”. Ky është Enea 16 vjeç, që synon majat e artit pamor dhe po krijon profilin e tij të veçantë….