Enada Hoxha: Të jesh balerinë do të thotë të kufizohesh në disa drejtime

957
Sigal

INTERVISTA/ Flet balerina Enada Hoxha: Sot baleti ka fituar shumë terren

 Ajo se njeh duhanin, as pijet alkoolike. Madje s’bën kurrë jetë nate. Profesioni i të qenit balerinë e ka privuar nga shumë gjëra. Madje dhe ushqimin e përzgjedh. Sipas Enadës sot baleti po fiton shumë teren, madje kërkesat e prindërve për fëmijët e tyre në këtë drejtim, për të mësuar balet, janë jashtëzakonisht të mëdha. Sot femra shqiptare, në sajë të punës, studimit, kërkesave ndaj vetes, ndihet më e respektuar dhe më e pavarur. Asaj i pëlqen baleti Parisian dhe pse pedagogët e saj kanë nostalgji për shkollën ruse të baletit.

 -“La Traviata” pati një sukses të madh kur e vutë në skenë. Pse zgjodhët pikërisht atë opera?

Me Traviatën kam një marrëdhënie paksa ndryshe. Jam e dashuruar me këtë rol, me këtë Opera, ndihem mjaft mirë dhe mund të them se është një nga pjesët më të bukura dhe për publikun shqiptar, pa diskutuar për mua konkretisht. Unë kam pasur jashtë shtetit mjaft eksperienca me balete të huaja  dhe koreografë me të cilët kam punuar, dhe kam parë se si është vënë kjo vepër në skenë. Në momentin e parë që e kam parë këtë shfaqje u dashurova me të dhe madje kam shkuar tek koreografi duke i thënë të lutem përveç roleve të tjerë që më ke besuar mund të më besosh dhe rolin e Traviatës sepse duke e parë jam ngazëlluar së tepërmi. Kështu që në momentin që mu dha mundësia, apo u diskutua me koreografin Italian për të ardhur për ta vënë këtë vepër, në atë moment i thashë vetes, përse të mos e vë vetë këtë shfaqje? Atëherë fillova të bisedoj me Maestro Zhani Cikon, duke pasur parasysh se ky vit është dhe viti i Verdit ku koicidoi dhe me 60 vjetorin e TOB, kështu që me këtë rast ju bë një homazh të gjithë balerinëve që e kanë luajtur Traviatën. Pra ishte momenti i duhur dhe kështu Ciko ra dakord me dëshirën time dhe të Gertit u bë realitet.

 -Ajo ishte premierë për ju?

Po. Ajo ishte premierë absolute pasi “La Traviata” tek ne nuk është luajtur balet përveçse opera.  Dhe ajo që më bën të ndihem mirë, së bashku me bashkëshortin tim Gertin, është se tashmë vënia në skenë është një vepër krejt e jona, d.m.th, e krijuar nga ne.

 -Kush ishte vështirësia më e madhe e kësaj vepre?

Si çdo balet tjetër vështirësia është në zbërthimin e personazheve, i historisë që ka personazhi. Është  një rol kompleks i Violetës, pasi ajo është një kurtizane, ku përveçse e adhurojnë dhe e dëshirojnë shumë të rinj, ajo bie në dashuri, e cila është dashuria e saj e parë, me një njeri që e do shumë. Por ajo ka disa gjendje emocionale, pasi është e sëmurë, dhe dashuria e parë në jetën e saj ja vështirëson këtë dashuri. Pra një rol kompleks pasi duhet një pjekuri artistike dhe në moshë në balet që ta nxjerrësh në pah dashurinë, por dhe problemet e tjera. Vështirësia vjen kur ti e krijon të tërën vetë, pasi ta bësh në komplesitet është vështirësi dhe përgjegjësi por edhe nga ana regjisoriale, pasi në këtë rast ne jemi dhe regjisor. Regjia bëhet duke ju përshtatur libretit dhe pjekurisë së personazhit dhe historisë. Vështirësia tjetër është se në këtë rast ti nuk punon vetëm për veten tënde, për rolin tënd, por punon edhe për një trup baleti.

 -A po fiton terren baleti në Shqipëri?

Baleti ka qenë prezent gjithmonë në publikun e Tiranës, pavarësisht se në kalendarin e TOB ka më shumë vepra operistike se sa baleti, por kjo vjen për disa arsye të tjera. Pra baleti është më pak prezent pasi është shumë i kushtueshëm, baleti do një mori skenografish, kostumesh, pra ka disa vështirësi specifike. Por gjithsesi, baleti në TOB ka vendin e tij, ka simpatizantët e tij që vijnë duke u rritur dhe prezenca e tij vjen duke u shtuar. Unë mendoj se aktualisht përveçse është prezent në publik, ai ka një peshë të rëndësishme. Publiku vjen me dëshirë të madhe për të parë, baletin sepse baleti përveçse të ofron një vepër shumë të bukur, skenografi shumë të bukur, kostumografi shumë të bukur, por i dhuron spektatorit një mori lëvizjesh të ndryshme që e tërheq shumë publikun. Këto lëvizje janë shumë elastike, shumë profesionale, shumë të veçanta. Me ide që të befasojnë. Të gjitha këto elementë sjellin afrimin e publikut. Ky fakt duket qartë se salla po mbushet çdo ditë dhe më tepër, por nga ana tjetër janë rritur shumë kërkesat e prindërve për të aktivizuar fëmijët.

 -Sa vepra baleti keni realizuar së bashku me Gertin?

Veprimtaria jonë është e mjaftueshme për kohën që po flasim. Kemi një pjesë të numrave solistikë,  në koncerte të ndryshme që janë krijimtari tonat, ndërsa balet i mirëfilltë janë “Dhimbje dhe dashuri”, jeta E Shopenit,  “La Traviata”, Opera e Dhora Lekës “Vjeshtë dhe stuhi”, krijimtarinë e baletit në Operan “Aida”, pra këto janë më të rëndësishmet. Krijimtaria jonë, ka qenë e përhershme dhe vazhdon të jetë e tillë.

 -Në sa skena të huaja keni luajtur dhe ku jeni ndjerë më mire?

Unë kam luajtur në skenat më të rëndësishme të Italisë, sepse lidhja ime kryesore është me koreografët në Itali ku baleti gjallon. Më ka rënë rasti jo me balet klasik, të kërcej, në shumë vende të tjera Evropiane.

 -Është e vështirë të jesh sot balerinë?

Jo. Sot klima ka ndryshuar. Baleti po pëlqehet çdo ditë dhe më shumë. Sot shoqëria shqiptare është e emancipuar dhe konservatorizmi nuk ka vend në pjesën dërrmuese të shoqërisë. Kush di ta kuptojë dhe të marri kulturë për baletin, nuk humbet asgjë por vetëm ka për të fituar. Është art shumë i bukur, arti i perfeksionit dhe harmonisë. Ku ka gjë më të bukur se kaq?

 -Mendoni se ky art është më i volitshëm për femrat se sa për meshkujt?

Ja dhe ju në pyetje jeni paragjykues (hahah). Jo absolutisht jo. Se di si aludojnë, mendojnë, perceptojnë njerëzit por mendoj se është një art i të dy gjinive, pasi dhe ky art është gjithmonë në duet apo më shumë. Por femra ka më prezencë, sepse vishet më bukur, ka më sharmë dhe paraqitje. Kur kërcen ndërron fustane, bën më shumë makijazh etj..

 -Ku qëndron vështirësia e të qenit balerinë?

Qëndron në shumë gjëra, pasi në radhë të parë duhesh të kesh një disiplinë të fortë, të hekurt, të punosh orë e pa orë, të kesh kujdes që nga menaxhimi, ushqimi dhe deri tek vizitat, apo dëfrimet në orët e vona. Ka një regjim punë-shtëpi dhe anasjelltas që jo çdo njeri mund ta përballoj.

 -Mendoj se regjimi më i fortë është ai i ushqimit?

Besoj për pjesën më të madhe, pasi ka dhe balerina me metabolizëm shumë të mirë që mund të hanë çdo gjë dhe të mos shëndoshen, ashtu sikundër ka me metabolizëm që duhet të jenë shumë të kujdesshëm.

 -Dita më e vështirë në skenë?

Unë çdo gjë e bëj të vështirë, se bëj asnjëherë të lehtë asgjë. Të vështira janë momentet kur rrëzohesh në një shfaqje, kur një skenë për disa kohë nuk realizohet si duhet etj., ose kur të ndodh  një incident të griset një fustan etj..

 -Mendoni se femra shqiptare ndihet e vlerësuar?

Sigurisht që sot femra shqiptare nuk është e shumë viteve më para, sa vjen për çdo ditë shihet një evoluim. Femra bëhet më e guximshme më e arsimuar, më kërkuese. Pra femra me punë dhe dinjitet po fiton disa të drejta të mohuara

 -Cilat janë trupat më të mira të baletit në botë?

Unë për vete kam si shembull trupën e Parisit, Amerikën (kjo ka shumë trupa), ndërsa shumë koleg të mi dhe pedagogë janë të dhënë pas baletit rus, pasi dhe aty janë shkolluar, janë nostalgjik. Në trupën e Parisit, shikon art, elegancë.

 -Marrëdhëniet me librin?

Ah, kam studiuar shumë, po shumë. Sot puna më ka larguar disi. Por di të them që sado pak kohë që të kem rrëmbej librat e baletit dhe mbyllem në qetësinë time. Lexoj çdo gjë që ka me baletin, të koreografëve të shquar. Nga ana tjetër merrem me djalin tim, të cilin e edukoj shumë në marrëdhëniet e mira që duhet të ketë me librin.

E çuditshme (E strano, e strano…) Traviata

Viti 2002 – vit i evenimenteve të mëdha në T.K.O.B.  në planin kombëtar është viti i përvjetorit institucional. 50 vite + 10 që nga shfaqja e operas “Rusalka” në vitin 1953 në sallën e Teatrit Popullor të atëhershëm që ishte streha e parë e institucioneve profesioniste të vendit. Tjetër event nominues për 2013 në T.K.O.B është aderimi në vitin ndërkombëtar muzikor Verdi – Wagner, dy kolosëve të artit skenik muzikor që u kremtohet në mbarë botën 200-vjetori i lindjes së tyre. E pra ne duke kërkuar të jemi koherentë gjithë sa më sipër kemi zgjedhur të çelim vitin Verdian me titullin simbolik dhe përfaqësues madje edhe për gjithë gjininë operistike “La Traviata”. Por sa e goditur dhe përfaqësuese është opera “La Traviata” kaq dhe e thjeshtëzuar duket zgjedhja. Në fund të fundit një titull që maksimumi çdo 3-4 vjet sheh dritën e skenës.

“La Traviata”

Tek ne ka njohur 6 produksione të ndryshme në vitet 1956 (premiera absolute), 1972, 1983, 1991, 2003, 2006, 2007, 2011 dhe rreth 200 shfaqje. Ndër produksionet përveç premierës absolute shqiptare (me autorë realizues: N. Dombrovski, H. Hevolli, M. Krantja) përkujtojmë premierën e vitit ’72 (me autorë M. Luarasi, A. Oseku, F. Kraja), shfaqje që u anatemua në klimen e dhunshme te Pleniumit te 4-te te PPSH-se si dhe dy realizimet e viteve 2003 (N. Gurakuqi, T. Pustina) si dhe shfaqjen e veçantë të vitit 2006 (M. Ranieri, A. Bernard).

Atëherë ja gjetja: Titulli më popullor i triologjisë Verdiane (Trovatore, Rigoletto, Traviata), por i transponuar në artin e Terpsikores (perëndisë greke – antike) të vallëzimit, pse jo bazuar në romanin më të lexuar të ‘800 – shit të Alexandre Dumas (biri) “La damme aux Camelias”, pra:

“Zonja me kameliet”, (La Traviata) një balet nga Enada dhe Gerd Vaso

Një produksion komemorativ që në planin e historikut të T.K.O.B i kushtohet interpretueseve shqiptare të rolit të Violeta Vallery në skenën shqiptare dhe falë hapjes së vendit tani edhe në gjithë botën. Në rend kronologjik: (T.T.Koço, M. Kraja,  Gj. Kosturi, N. Mula, E. Mihali, M. Tafaj, T. Kora, I. Mula, M. Leka, E. Jaho, E. Golemi, R. Tullumani). Për të realizuar këtë transpozicion të veprës vokale në atë të lëvizjeve vallëzuese është dashur dhe një përshtatje e partiturës operistike të G. Verdit, e cila është realizuar me shumë kujdes përmes një ndërhyrjeje që ka përshtatur linjat e personazheve vokaliste në tingëllimin e instrumenteve solistike të ngjyrave të ndryshme, përshtatje kjo e realizuar në mënyrë autentike nga kompozitori Ylli Ramzoti përmes një qëndrimi serioz dhe në respekt të thellë të autorësisë verdiane. Pra vërtetë një këndvështrim i veçantë dhe afirmues për kapacitetet krijuese të T.K.O.B. skenografia e Erald Bakallit dhe kostumografia e Ardi Asllanit janë inspiruar nga të njëjtat motive. E plotëson këtë vizion zgjedhja e të mirënjohurit Eno Koço, që përveç mjeshtërisë së drejtimit të veprës gëzon atributin e djalit të vetëm të sopranos që solli në vitet ’30-të për herë të parë në jetën muzikore shqiptare Arien e famshme “E strano, estrano” (E çuditshme, e çuditshme) që për koincidencë mund të zgjidhet dhe si nën titull i pasqyrimit mediatik të këtij informacioni shpjegues.

Zhani CIKO