Emmy Gashi:“Çelësi i suksesit tim është besimi në ëndrrat e mia”

948
Sigal

Intervista/ Modelja shqiptare po thyen ccdo pritshmëri në Suedi duke qenë imazh i firmave H&M dhe Kappahl

 Për momentin Emmy (Emine Gashi) është duke bërë disa sete fotografike me veshje mbretërore në Suedi. Është një modele që duket se po thyen çdo pritshmëri për moshën që ka. Për më shumë lexoni intervistën.

 -Përshëndetje Emmy të falënderojmë për përgjigjen dhe mikpritjen tënde ndaj ftesës së gazetës “Telegraf” për një intervistë me ty për të mësuar më shumë rreth boomit tënd në fushën e modës. Na thuaj si nisi pasioni yt për modën?

Faleminderit për gjithë suportin tuaj si gazetë. Pasioni im në fushën e modës ka filluar që e vogël. Madje, më kujtohet që në një moshë shumë më të re se sot fitoja gjithmonë konkurset si më fotozhenikja e lagjes. Këtë pasion e kam të trashëguar edhe nga im at’, i cili gjatë viteve ‘70 ka qenë i përzgjedhur si një ndër fytyrat më të bukura në Hungari dhe Poloni.

-Për të gjithë ata që nuk e njohin mirë Emmy-n, cila është Emine Gashi? Përshkruaje veten tënde me pak fjalë?

Emmy Gashi? Është e lindur në Ternoc të luginës së Preshevës, territor i banuar nga shqiptarët në territor serb, vajzë 17 vjeçare, shumë e thjeshtë dhe e shoqërueshme, mbi të gjitha krenare për prejardhjen e saj. Studioj për fashion dhe media në një ndër shkollat më të mira të mesme në Stokholm. E dashuruar vetëm me të bukurën dhe shumë anti të zakonshmes.

 -Kush të ka përkrahur më shumë në talentin tënd të modelingut pasi ti spikate në këtë fushë?

Të them të drejtën në familje unë kam qenë gjithmonë ajo e lazdruara dhe magneti i komplimenteve. Por asnjëherë se kisha menduar se fjalët e familjareve do bëheshin realitet. Eh sa shpesh më kanë quajtur “Missi i familjes”, e gjëra të tilla, por unë gjithmonë i kam konsideruar si lajka të zakonshme që mund t‘i jepeshin një vajze të vetme në familje. Kjo do të thotë se përkrahjen më të madhe kam pasur nga rrjeti më i ngushtë familjar pastaj më vonë edhe nga rrethi im shoqëror.

-Jeni e para modele shqiptare që keni firmosur një kontratë me agjenci të famshme botërore mode, siç janë ‘H & M’ dhe ‘Kappahl’. Na tregoni më shumë rreth saj, si arritët të bëheshit pjesë e kësaj kontrate? 

Që jam e para femër shqiptare se dija…si ja bëra? Thjesht pyesni përzgjedhësit hahaha…shaka! Unë mendoj se thjesht është personaliteti im që ka bere jurinë të më përzgjedhin ngaqë bëra portofolin tim (prezantimin) pa asnjë kompleks dhe gjithmonë duke u treguar një person shumë me këmbë në tokë, që do bënte gjithçka për t’i treguar botës se besonte më shumë se gjithçka në veten e saj.

 -Çfarë përfitoni ju nga kjo kontratë?

Nga kontrata përfitoj, photoshooting me fotografët më të mirë të vendit dhe një shumë të majme parash. Plus, do jem edhe imazh i firmës “Kappahl” duke qenë fytyrë prezantuese e çdo produkti që del në shitje nga kjo kompani

 -Çfarë bënte Emi përpara se të nënshkruhej kjo kontratë?

Para se të bëja kontrata? Më besoni isha i njëjti person. Thjesht bëja kursime maksimale për të blerë gjëra që mua më pëlqenin nga këto firma (marka).

– Në artin e modës, pasarelave dhe photoshopit, cili është çelësi juaj i suksesit tuaj që ju bëri të shkëlqenit më shumë se modelet e tjera?

Unë do të thoja që çelësi i suksesit në çdo moment është besimi në ëndrrat tona. Çdo punë dhe mundim i joni për realizimin e ëndrrave tona me kohën, qoftë edhe me vonesë do të plotësohet. Më besoni për këtë gjë.

– Keni idhuj modele që dëshironi t’i përngjani ose që jeni fanse e saj? Nëse po, cila është modelja e huaj që ju pëlqen më shumë dhe shqiptare nëse ka?

Unë për vete kam mësuar nga më të vjetrit që në jetë është më zhgënjyese se çdo gjë të jesh kopja e dikujt, prandaj shumë lirshëm do të thoja që do doja gjithmonë të isha kjo që jam duke shtuar se ëndërr të madhe e kam suksesin e modeles së njohur Naomi Cambell dhe frymëzim në gjithçka që bëj kam dhe personalitetin dhe lirshmërinë e bërjes së gjërave të modeles shqiptare Anxhela Martini.

– Përveç kontratave me firma prestigjioze si ‘H & M’ dhe ‘Kappahl’ çfarë suksesesh të tjera radhit Emmy në karrierën e saj, të cilën shumë modele mund të kenë xhelozi sepse fati ju ka buzëqeshur më shumë se ato…

Së pari, nuk mendoj fare që kam karrierë të konsoliduar, por do shtoja se si fillim i karrierës do mund të konsiderohej edhe bashkëpunimi me fotografin e njohur të quajtur Rolf Midhl të agjencive më të shquara që merret me zbulimin dhe menaxhimin e modeleve ruse, franceze dhe suedeze, dhe njëkohësisht personin e vetëm qe më ka ndihmuar të jem pjesë e fushatës “Sveriges bästa dagar” që në shqip do të thotë “Ditët më të mira të Suedisë”. Ndërsa përsa i përket fatit mendoj që Shqipëria etnike është plotë me talente dhe shpirtra artistik, që koha do i zbulojë.

 – A ka ndonjë personazh VIP që e ke njohur nga fusha e modës dhe mbani kontakte të rregullta me të? Nëse po, mund t’i ndani emrat e tyre me lexuesit e gazetës tonë.

I vetmi personazh publik që unë dhe vëllai im, i cili njëkohësisht është edhe kreator në fushën e modës, njohim është ajo që na ka qëndruar pranë është dikur e njohura si Miss diaspora dhe modelja shqiptare e quajtur Malbora Gurra, e cila me mundësitë e veta na ka qëndruar gjithmonë aq afër sa ka pasur mundësi. Malbora është edhe njëkohësisht një ndër organizatoret më të rëndësishme të eventeve kulturore shqiptare në diasporë.

– Si nis dhe si mbaron një ditë e zakonshme për Emmy-n?

Një dite e zakonshme e imja? Zgjimi nga gjumi është gjithmonë para orës 7.00 për të vijuar orët mësimore në gjimnazin që unë vazhdoj studimet, pastaj në shumicën e rasteve pas shkollës aktivitetet me miq dhe familjarë duke bërë pjesë këtu dhe photoshooting e herëpashershëm që mund të vijnë shpeshherë.

– Nëse do të bëhej ndonjë ofertë të ishit në videoklip të ndonjë artisti ndërkombëtar. Në videoklipin e cilit/cilës do donit të ishit? 

Ehh shumë pyetje me vend. Shumë shpejt do më shihni edhe si pjesë e një videoklipi të një artisti suedez. Emrin nuk e them dot për shkak të rregullave që janë bazë këtu në Suedi, por po mu dha rasti të zgjedhja mes Beyonce dhe Lady Gaga-s pa pikë dyshimi do zgjidhja ikonën e  revolucionit të modës, kë tjetër pos Lady Gaga-s.

 -Sipas Emmy-t kush është ikonë e modës në Shqipëri dhe Botë?

Ikonë e modës nuk e them dot vetëm një emër, por sa i përket Shqipërisë më pëlqen shumë guximi i dy këngëtareve tona Tuna dhe Aurela Gace. Te huajt? Rita Ora dhe Kim Kardashian.

 – Mund të na thoni disa prej emrave të stilistëve shqiptarë, të cilët keni pasur një bashkëpunim ose do donit të kishit?

Bashkëpunime me stilistë shqiptare nuk kam pasur asnjëherë pasi siç e ceka nuk kam formuar unë akoma imazhin e një modeleje të duhur akoma. Por nëse do me jepej rasti s’do hezitoja asnjëherë të punoja për Valdrin Sahitin, i cili sipas meje është më i miri dizajner që ne kemi pasur ndonjëherë.

 -Çfarë e bën Emmy-n të jetë ndryshe nga modelet e tjera?

Ajo që besoj se më bën mua të jem ndryshe nga modelet e tjera është se besoj shumë, dhe shpresoj të jetë, energjia pozitive që unë reflektoj tek njerëzit, mirësia dhe sinqeriteti.

-Përveç modës çfarë keni tjetër pasion?

Pasion tjetër nëse mund ta quaja është vallëzimi dhe noti. Dy gjëra shumë të kundërta më vete, por që gjithmonë kanë qenë pjesë në jetën time. Unë mendoj dhe shpresoj që moda në Shqipëri është diçka shumë prezente. Duke pasur në mendje edhe shprehjen “veshim ç’të duam pa pyetur të tjerët çfarë mendojnë rreth asaj që kemi veshur”.

– Emmy, ju jetoni në Suedi, si mendon a vlerësohet sa duhet arti në përgjithësi dhe moda në veçanti në Shqipëri? Nëse do ishit në Shqipëri a mendoni se do kishit korrur këtë sukses duke ditur sesi funksionojnë gjërat aty…

Nëse do isha në Shqipëri të jem realiste do thoja se do e kisha më të vështirë. Duke marrë për shembull edhe starin e njohur Elhaida Dani (shpresoj të mos keqkuptohem).

-Një mesazh përshëndetës për të gjithë dashamirësit e tu që lexuan këtë intervistë dhe duan të jenë gjithnjë “fresh” në lookun e tyre. Çfarë i këshillon Emmy?

E vetmja këshillë që do ua preferoja lexuesve të gazetës “Telegraf” është: Çdokush t’i ndjek ëndrrat, se po patëm ëndrra kemi edhe vullnet për përpjekje që të realizojmë synimet tona.

Intervistoi:Arlis ALIKAJ