Emigracioni nuk prek vetëm individin, por të gjithë shoqërinë

6476
Emigracioni është një ndër temat më aktuale, jo vetëm në këto moment, por vitet e fundit në historinë e Shqipërisë. Nga studiuesit nuk është shfaqur si problematikë para hyrjes së demokracisë.

1. Emigracionin ta trajtojmë si fenomen shqiptar. Ju si psikologe, ç’mund të na thoni Fatlinda?

Emigracioni në vetvete përmban lëvizje demografike të popullsisë, duke u shpërngulur nga një vend në tjetrin për çfarëdolloj arsye, ekonomike, sociale apo politike. Emigracion ka pasur që në lashtësi. Emigracioni është fenomen i lindur me njerëzimin. Megjithatë, studiuesit e kanë ndarë për Shqipërinë në 3 faza. Faza e parë, deri në vitin 1944, ku emigrimi ishte i fokusuar në vendet e largëta si Amerika. Faza e dytë kaloi në një izolim politik, ndërsa faza e tretë është ajo e demokracisë, pra pas vitit 1990. Deri në vitin 1944, shquhej një dyndje e madhe. Kjo gjë u ripërsërit pas vitin 1990. Vitet 1990-1996 kaluan në një dyndje më të madhe, sidomos në Greqi dhe Itali. Më tepër ishte emigracioni ilegal, pavarësisht se një pjesë e tyre ishte nëpërmjet ambasadave. Më pas janë ndjekur procedurat legale nëpërmjet bashkimeve familjare dhe sipas politikave të vendit mikpritës.

2. A ngjason emigracioni ynë me atë të vendeve arabe?

Mund të bëjmë krahasimin për arsyen pse ndodh emigracioni. Vendet arabe i krahasojmë me emigrimin e shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-1999, vite që ishin nën presionin e luftës. Shtypja nga një shtet tjetër apo luftërat civile, që ndodhin brenda një shteti janë faktorët përcaktues që popullsia të marrë masa radikale për t’u larguar nga vendi. Aktualisht s’e krahasojmë emigracionin shqiptar me atë arab, sepse shqiptarët largohen më tepër prej shkaqeve ekonomike, formimit të tyre arsimor dhe mundësive më të mira. Kurse në vendet arabe e shohim prej mungesës së kushteve.

3. Sa ndikon në jetën e të emigruarit emigracioni?

Emigracioni ka qenë boshti qendror që i ka dhënë drejtim jetës së tyre. Kemi emigrantë që janë kthyer pasi kanë marrë atë që kanë dashur ose jo. Emigracioni mund të ketë mbetur si një eksperiencë tashmë dhe jeta vazhdon në vendin e tij. Është një aktualitet i përgjithshëm i atij që është atje dhe atij që është kthyer dhe thjesht e kujton.

4. Cilat janë pasojat që sjell emigracioni në shoqëri, duke e marrë në aspektin që ka njerëz që shesin gjithçka, thjesht për t’u larguar dhe më pas përballen me një terren të vështirë dhe kur kthehen s’kanë ku të qëndrojnë?

Për sa u përket problematikave, normalisht një fenomen s’prek vetëm individin, por dhe familjen, që ka ndarje, humbje, mall midis tyre. Problematikat marrin përmasa më të gjera, tashmë shoqërore. 

5. A ndikon kjo në plakjen e popullsisë shqiptare?

Patjetër. Ka ndikuar tashmë. Vihen re ndryshime në statistika për sa i përket këtij fenomeni. Më parë kemi pasur % të lartë të zonës së re në Shqipëri. Tashmë ka ndryshuar. Nëse shifrat 25-28 % kanë qenë mbizotëruese në Shqipëri, tani kemi një % deri në 31-32. Problematika të tjera të emigracionit janë edhe ato sociale. Vendet e zhvilluara janë më atraktive, përderisa i tërheqin emigrantët. Të mos harrojmë se ne ndjejmë atraksion për disa burime të mirëmenaxhuara në vendin tone. Përse të mos zbatojmë në resurset e vendit tonë dhe t’i gjejmë në vendin tonë ato që kërkojmë atje? Pra, kemi një lloj demoralizimi për vendin tonë.
Një fëmijë në emigracion

6. Çfarë shqetësimi krijon tek fëmija një vend i huaj, kur pak vite është mësuar në Shqipëri dhe më pas detyrohet të largohet kundër dëshirës së tij?

Kjo është një nga gjërat më të dhimbshme që sjell emigrimi. Fëmijët shkëputen pa dëshirën e tyre nga një ambient i sigurt tashmë ku janë rritur dhe mësuar me gjyshërit, familjarët dhe shoqërinë dhe ndihen mirë dhe komfort në këtë vend, duke shkuar në një vend ku s’njohin as gjuhën. Por, fëmija i përshtatet stadit të tij të zhvillimit. Fëmija ka një avantazh, që është më i predispozuar të adaptohet në kushtet e reja më shume nga i rrituri. Këtu duhet vërtet një kujdes nga ana e prindërve, që fëmija të socializohet në mënyrë të përshtatshme, që të mos i mbesin pasoja afatgjata. Fëmijët kanë treguar që e kanë gjetur gjuhën e tyre. Janë të rralla rastet që kanë çuar në lloj izolimi. Janë futur në shkollë, janë stabilizuar dhe pas shumë vitesh, të rriturit dhe të duan të kthehen, e shohin më të përshtatshëm për mirërritjen e fëmijëve dhe u krijojnë kushte atyre që nëse kthehen në Shqipëri, fëmijët të mbeten aty.

7. Përballja me 2 kultura, si ndikon në psikikën e individit, pavarësisht moshës?

Të gjithë emigrantët janë përballur me kulturën ku kanë shkuar, aq sa kanë dashur. Zgjedhin ose të integrohen ose të izolohen. Kur integrohen, domethënë që e kanë pranuar më së miri. Bëhen pjesë e saj, marrin pjesët që duan dhe pëlqejnë, e më pas i realizojnë. Kemi mjaft raste emigrantësh që krijojnë në SHBA aktivitete të përbashkëta dhe integrohen në kulturat e vendit, duke u bërë pjesë jo vetëm e traditave por dhe bizneseve, duke kaluar dhe në punonjës administrate! Në rastin tjetër kemi familje më të tërhequra, që ruajnë traditat. Përmendim arbëreshët, komunitet që dhe në ditët e sotme i kanë ruajtur mjaft mirë traditat e të parëve. Dhe në Shqipëri, para se të niseshin jashtë, janë të njohur me kulturën. Ky problem ishte më i avancuar në fillim-vitet ’90, kur s’ishin të informuar për zakonet dhe politikat atje. Realisht, në atë kohë mund të themi që ishte përballje shoku me kulturën tjetër. Gjithsesi, kushtet janë lehtësuar.

8. A duhet të ketë politika që të mbështesin ose zbusin traumën e emigrimit nga mënyra si ka ikur, ose kur vjen në Shqipëri dhe gjithçka ka mbetur po aty?

Rikthimi i emigrantit mund të ketë disa arsye. Në të shumtën e rasteve ndodh kur nuk kanë arritur të stabilizohen si duhet në vendin që kanë shkuar. S’kanë arritur të pajisen me dokumente në forma ligjore, ose nuk kanë plotësuar kriteret. Mbetën të zhgënjyer sepse u mësuan me një lloj standardi jetese të zhvilluar. Nuk mund të them që emigrantët që kthehen, hasin problematika dhe gjejnë vështirësi në anën sociale. Tregu i punës është faktori kryesor që çon në emigrimin e popullsisë shqiptare. Por nga politika s’është bërë shumë në këtë aspekt. Ata që janë rikthyer me dëshirën e tyre, kanë mbledhur disa të ardhura, kanë një vizion të ri dhe përpiqen ta imitojnë në vendin e tyre. Kjo sjell diçka shumë pozitive për Shqipërinë si në aspektin ekonomik dhe social. Më tepër se nga politika, këtë lloj avancimi, ish-emigrantët e kanë bërë si një metodë zhvillimi në vendin e tyre me sa kanë mundur. Puna e krahut do ishte e dobishme në vendin e tij nëse do kishte mirëmenaxhim resursesh. Shqipërisë s’i mungojnë resurset, prej pozitës gjeografike të mirë që ajo ka. Për të rinjtë shqiptarë do doja të kishte më shumë optimizëm, që ta ndërtojnë jetën këtu, sesa diku tjetër. Midis tyre ekziston shprehja “Shqipëria nuk bëhet”. Shqipëria vetëm me shqiptarët bëhet!
Intervistoi: Klaudia Malaj 
Sigal