Elona Paja: Fëmijët atëherë ishin më të drejtpërdrejtë, më naivë

1054
Elona Paja mbetet një ndër gazetaret e suksesshme që ja ka kushtuar krijimtarinë e saj dhe performancën televizive fëmijëve dhe vetëm fëmijëve. Një vajzë kërkuese ndaj vetes, korrekte dhe me vizion. Mini-Mini Show ka startuar për herë të parë në vitin 2003. Një format që në atë kohë rezultoi i suksesshëm. Më pas ai vazhdoi deri në vitin 2009. Tashmë, Elona, vendosi t’i rikthehet këtij emisioni, sepse nevoja për të patur një emision për fëmijë nuk ndihet vetëm në TVSH, por në të gjitha kanalet televizive. Këmbëngul gjithmonë, sepse fëmijët janë e ardhmja dhe si e ardhme, ata meritojnë të kenë hapësirat e tyre, vëmendjen tonë dhe t’i drejtojmë e t’i edukojmë siç duhet.
– Kush janë të veçantat e këtij emisioni dhe cilat janë risitë në këtë këndvështrim të ri?
Sot bëj krahasimin me brezin e fëmijëve të para 13 viteve me sot. Ata atëherë ishin më të drejtpërdrejtë dhe më naivë në pyetjet që u bënin të ftuarve. Ishin me më pak komplekse. Ky brezi i sotëm i cili i di të gjitha që në bark të mamit ka dhe një vetëkontroll. Shpeshherë ata kanë informacion edhe më shumë se ne të rriturit. Risitë ketë radhë janë të shumta,duke nisur që nga personazhet e ftuar të cilët vendosen përballë fëmijëve. Dikur pjesa më e madhe e të ftuarve i përkisnin fushës së politikës, sot ata i kemi lënë mënjanë. Ftohen personazhe, për të cilët vetë fëmijët kanë interes, por njëkohësisht në përzgjedhjen e tyre ne përpiqemi të mos i japim shikuesit një emision argëtues(natyrisht edhe për këtë mendojmë,por si qëllim i fundit),por një Mini Show edukativ dhe informativ.
-Si ndiheni në këtë emision dhe cilat janë përgatitjet dhe vështirësitë për realizimin e tij?
Le të themi qe ndihem mirë. Është formati im dhe e bëj me shumë dashuri. Puna me fëmijët më jep mjaft kënaqësi. Natyrisht që të hysh në botën e tyre dhe të fitosh besimin e tyre është e vështirë, por po e fitove ketë besim ti ja del mbanë. Vështirësitë janë të shumta në TVSH por mbështetja dhe përkushtimi i stafit me te cilin punoj, bën që në fund të ditës të gjitha të harrohen.
– A mendoni se emisione të tilla duhet të jenë të vazhdueshme në të gjithë stacionet televizive?
Sigurisht që po. Ka tentativa të vazhdueshme por janë të vogla. Më shumë këto tentativa i shoh si show për të korrur sukses me pafajshmërine e fëmijëve. Fëmija është fëmijë dhe ka kohë të rritet. Ne natyrisht e kemi për detyrë tu përgjigjemi të gjitha pyetjeve të tyre,por jo ti shtyjmë ata të sillen si të rritur. Atë ç’ka mbjell- Atë do të korrësh
-Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj më të afërt në këtë nismë, sa të bukur po aq dhe të vështirë?
Sa mirë që ma bëre këtë pyetje. Së pari ekrani i shenjtë i Televizionit Shqiptar,i cili në 18 vite pune aty nuk më ka braktisur kurrë. Së dyti unë kam një regjisor të talentuar i cili si puna ime ka një jetë që merret me fëmijët e ai quhet Artur Dauti. Pa gazetaren dhe koordinatoren e këtij formati Nevila Hoxha (Islami) nuk besoj se do t’ja dilja dot mbanë e vetme. Dhe pastaj dy njerëz të dashur për mua, operatori Arben Ametlli dhe mjeshtri i zërit Kristaq Kristo, të cilët më durojnë edhe kur jam e mërzitur, edhe kur jam me nerva (qesh).
-Pse zakonisht femrat janë më të pranueshme në realizimin e emisioneve të tilla?
Këtë se’ di. Ndoshta, sepse gjuhën me të cilën u flitet fëmijëve vetëm ato e njohin. Instinkti i nënës…
-Mendoni se femrat shqiptare e kanë gjetur veten dhe respektohen si moderatore në televizione?
Përderisa në një pjesë të mirë të formateve televizive e drejtojnë femrat natyrisht që po. Në ato formate që kërkohet gjuhë më e ashpër e mbulojnë shumë mirë meshkujt. Megjithatë një gjë mund ta them me siguri. Femrat janë shumë të zonjat në punën që bëjnë dhe u besohet. Me femrat vështirë se mund të bësh kompromise. 
-Po në emisione të tjera, femra a është po aq premtuese sa në ato për fëmijë?
Sigurisht. Ju keni emisione politike që drejtohen nga femrat, edhe në botë. Emisione me tema të forta sociale, ekonomike. Femrat janë shumë të zonjat dhe dinë t’i çojnë punët deri në fund. Egoizmi që i karakterizon i bën më të forta. 
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?
Së pari, dhe më kryesorja mendoj është pavarësia ekonomike. Që këtu nisin të gjitha problemet. Një femër e pavarur ekonomikisht do të thotë një femër e cila nuk do të durojë më dhunën në shpinën e saj, nuk do t’i trembet divorcit, do të dijë të ngrejë zërin për të drejtat e saj etj.
-Në emisionin tuaj a ndikon politika dhe në fakt a duhet të ndikojë?
Aspak. Gjatë këtij sezoni gjeja e parë që ramë dakord njëzëri ishte të mbanim larg politikës fëmijët. Mjaft më me personazhe politikë se na kanë ardhur në majë të hundës. Natyrisht që herë pas here ata bëhen kuriozë dhe e pyesin të ftuarin por detyra e një televizioni publik është të merret me edukimin dhe informimin e tyre. Ndonjëherë më ndodh t’i ngacmoj me humor se me kë parti janë ata dhe aty kuptoj që ata janë partizanë të bisedave të prindërve në familje. Këtu kuptoj që në familjet tona flitet më shumë për politikën, sesa për hallet tona të përditshme.
– Po filmi për fëmijë, a është në nivelet e duhura dhe a ka rëndësinë e duhur sot?
Unë sapo kam përfunduar një serial me 20 seri për fëmijë, “Dadoja e pallatit tonë”. Ndërkohë që kam rinisur seritë e reja të tij. Filmat për fëmijë janë të paktë. Natyrisht që duhen buxhete por mendoj që edhe skenaristë që shkruajnë për fëmijë janë me kokrra. Në një të ardhme kemi për të patur, por kjo e ardhme sot që po flasim më duket e largët. 
Sigal