Elmie (Gjyriqi) Halili/ Jam e sinqertë, këmbëngulëse dhe vetvetja

658
Karriera e saj është e gjatë, këngët po ashtu janë të shumta. Një këngëtare që gjithmonë ka qenë në treg për thjeshtësinë, korrektësinë, zërin e bukur dhe dëshirën për të qenë befasuese në skenë. Klipet e saj të fundit ‘I thuaj nënës tënde’ & ‘Vallja e Tropojës’ kanë ngjallur interes dhe kanë korrur sukses. Klikimet e këtyre këngëve në youtube janë rritur në mënyrë të pabesueshme, por ajo sërishmi nuk flet me deklarata bombastike. 

-Ke shumë këngë dhe klipe, por unë do të doja të ndaleshim pak te klipi i fundit. Si erdhi ky klip, kush e realizoi këngën?

Klipet e mia të fundit janë ‘I thuaj nënës tënde’ & ‘Vallja e Tropojës’ Ky i fundit ishte bashkëpunim (duet), një prodhim i Swart. Mund të them se kane ecur mirë, gjë që e tregojnë edhe klipet në youtube 
-Tashmë me mbi 20-vite karrierë muzikore, duke u cilësuar edhe një nga bilbilat e muzikës së veriut. Si ndjeheni? 
Sigurisht që ndjehem e vlerësuar nga ky fakt 
-Tre cilësi që ju karakterizojnë? 

E sinqertë, këmbëngulëse dhe vetvetja 

-Je ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar, për sa i përket gëzimeve të tyre familjare. A ndihesh e privilegjuar? 

Ndihem, madje shumë e privilegjuar, sepse është kënaqësi më vete të këndosh dhe të shikosh gëzim në familjet shqiptare, qofshin ato brenda apo jashtë kufijve 
-Një rrugë e gjatë. A është e vështirë për ju të qenit nënë, artiste dhe grua në karrierë? 

Çdo gjë ka vështirësitë e saj. Por e bukura qëndron tek vështirësia. Është e mrekullueshme të kesh mundësinë të jesh gjithnjë sa më lart. Edhe pse, nuk është e thjeshtë! Artit i kushtoj kohën e tij, por tashmë mund të them se muzika është një proces gjithnjë e më i natyrshëm për mua. 

-Ju dhe familja. Konkretisht, çfarë këshille i jep fëmijëve të tu më shpesh? 

Fëmijët i këshilloj çdo ditë. U them, të jenë njerëz të mirë, të kuptojnë që me punë e studim mund të arrihet gjithçka dhe t’i jenë mirënjohëse jetës për çdo mundësi që i ka dhënë, të jetë dashamirëse për arritjet e miqve të saj etj.

-Ju dhe besimi. A besoni në Zot apo në besëtytni?

Besoj si çdo njeri. Besoj që Zoti është një. Në të njëjtën kohë edhe pse tingëllon paradoksale, mendoj që ka shumë kuptim kur të urojnë fat, por ka shumë kuptim kur mendon se fatin e krijon vetë njeriu. Mendoj dhe besoj fort që Zoti i shpërblen në pjesën më të madhe të rasteve njerëzit e mirë dhe puna shpërblen ata që punojnë. 

-Kënga është frymëzim. Ku e gjeni frymëzimin në jetë dhe si i ruani ekuilibrat e përditshmërisë? 

Frymëzimin?! Tek familja, ajo është forca ime. E gjen te vajza ime që është edhe shoqja ime e vogël. Te gjërat e bukura … Shmang energjitë e këqija dhe konfliktet që lindin nga mendjet e cekëta. 

-Sigurisht rezultatet duan dhe dije. Dija vjen nëpërmjet librit. Çfarë lexoni që të jeni e suksesshme?

-Udhëhiqem nga intuita, por kam kuptuar se leximi, përditësimi me informacionet e fundit është një ushqim i domosdoshëm. Lexoj sigurisht dhe gjithnjë kur jam e përgatitur me kohën. 

-Aktualisht mund të themi se shërbeni si një model për artistet e reja. Kush janë faktorët dhe nxitësit në këto arritje jo të pakta?

Rezultati vjen nga dy faktorë punë dhe talent. Por, puna dhe vetëm puna të jep rezultatet e mëdha. Kam trokitur në dyert e duhura me besim. Ato që janë hapur më kanë shpalosur rrugë të gjatë të pafundme. Vij nga një familje e thjeshtë, por shumë artdashëse, në sfond kam pasur një fëmijëri të thjeshtë pa pretendime e llastime. Por, prindërit më kanë dhënë shumë dashuri. Mirësia e tyre ka qenë balsam për jetën tonë. Pastaj shume përpjekje, shumë ëndrra dhe mamaja ime që thoshte: ‘do bëhet kjo vajzë’. Ambicien ma kultivoi rezultati i mirë i përpjekjeve të bëra. 

-Ka idhuj, ka dhe modele. A keni një model gruaje që ju frymëzon në botë?

Sigurisht kam një model, ajo është Meryl Streep, me një karrierë dhe jetë personale brilante. 
-Në jetë nuk ecet pa ideale, cilat janë idealet e tua? 

Idealet të japin nxitje në jetë. Ideali i parë është dashuria për familjen. Është dashuri e pakushtëzuar. Altruizmi, të bësh për njerëzit e tjerë dhe të ndash gjithçka me ta. Të mos gënjesh kurrë… I urrej gënjeshtarët, ai që gënjen gjithçka mund ta bëjë. Kam alergji nga mosmirënjohësit, sidomos atyre të cilëve u jep papritur ndonjë gjë të veçantë në kthim, përveçse një falënderim të thjeshtë njerëzor.

-Prisni që një ditë Shqipëria të ketë një grua kryeministre?

Po, do të më pëlqente t’i jepej ky shans një gruaje! 

-E suksesshme në disa dimensione, a e shikoni veten në të ardhmen në një pozicion politik vendimmarrës ? 

Nuk kam asnjë projeksion lidhur me këtë fushë. Politika më duket gri, për botën time gjithë ngjyra. 

-Njeriu ka dhe ëndrra…Ëndrra e së ardhmes që doni ta ktheni në realitet? 

Kam një ëndërr të madhe…Të drejtoj një fondacion bamirësie…
Sigal