Elizabeta Marku: Të këndosh live është përgjegjësi dhe profesionalizëm

1274
Sigal

Intervista/Flet këngëtarja, Elizabeta Marku Artistja që shkëlqen edhe përtej kufijve shqiptarë …

Ajo është një këngëtare shumë e preferuar dhe e klikuar, ku gjatë tërë kohës është e zënë me aktivitete, koncerte, dasma dhe gëzime të ndryshme familjare. Së fundmi ka lançuar në tregun muzikor albumin e saj të ri “Moj Dashush” një prodhim i Fenix Studio, i cili mban vulën e kompozitorit të mirënjohur Alban Furtuna. E diplomuar për Mjekësi & Drejtësi, artistja thekson se, muzika është pasioni me i madh i jetës së saj dhe një talent i pasur që nga mosha 15-vjeçare dhe që do të vazhdojë ta kultivojë si diçka e pandarë nga jeta e saj. Ajo është një nga femrat më të bukura për tu marrë shembull në edukatë, stil dhe në veshje.

 -Impenjimet aktuale të Elizabetës, cilat janë?

Janë të shumtë, koncerte dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë së bashku me grupin tim “Alb Star” dhe kolegët : Agron Avdia, Kujtim Leka, Trëndafil Mehmeti. Ky vit i ri ka nisur mbarë për mua, gjithashtu uroj edhe për të gjithë shqiptarët.

  -Çfarë e bën një këngëtare të jetë e suksesshme ?

Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty, ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh këngëtare sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Më pëlqejnë sfidat, por i marr parasysh edhe pasojat! Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

 -Jeta private, si po shkon ?

Shkon shumë mirë !

-Ç’do të thotë për ty të këndosh live?

Të këndosh live është gjëja më e bukur që mund të bëjë një këngëtar. Ka shumë emocione dhe duartrokitjet e publikut janë më të ngrohta. Më duket se kur këndoj live unë ua shpërblej ato duartrokitje. E ndiej më thellë respektin dhe admirimin e tyre. Të shkakton një ndjesi të këndshme të dish se gjithë ata njerëz kanë ardhur të të dëgjojnë vetëm ty. Gjithmonë kam tentuar të këndoj live dhe zëri më ka ndihmuar shumë.

-Jeni e ftuar shumë edhe në dasma. Çfarë ndien kur këndon në dasma?

 Në dasma është një emocion i veçantë. Jam përzgjedhur për të qenë në ditën më të rëndësishme të një çifti. Të gjithë të kushtojnë vëmendje. Momenti më i bukur është kur unë këndoj dhe çifti vallëzon.

 -Si ishte viti i kaluar për ju?

I ngarkuar, me shumë punë, koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, dasma në Kosovë dhe në qytete të ndryshme në vendin tonë.

Tashme jeni një zë i njohur në këngën popullore, ku dhe jeni cilësuar si një nga ikonat e veriut, si ndiheni nga vlerësimet që ju kanë bërë deri tani?

Unë ndjehem shumë mirë dhe e vlerësoj shumë publikun kudo që ndodhet, por më shumë dua të përshëndes publikun e Tropojës, të cilët më japin një vlerësim maksimal.

-Dhe së fundmi, diçka për ta mbyllur…

 Një përshëndetje speciale për të gjithë fansat e mi, gjithashtu edhe për menaxherin tim Klodin, i cili është një djalë i mrekullueshëm.