Elisabeta Pando (Saranda): Flamuri shqiptar më jep forcë dhe emocion

910
Ajo dhe pse nuk ka shumë vjet në tregun muzikor është një ndër këngëtaret shqiptare më të preferuara në jug dhe tek emigrantët shqiptarë në Greqi. Një vajzë e sinqertë në dukje e vogël, por tepër shpërthyese në skenë. Korrekte dhe shumë kërkuese ndaj vetes. Punon sistematikisht dhe këngën e ka si Zotin. Zbulimi i saj u bë në “Maratonën e këngës Popullore” para disa vitesh ku ajo tërhoqi vëmendjen të gjithë shikueseve direkt në sheshet e qyteteve apo dhe në transmetimet në Tv. Jo pak njerëz u befasuan edhe nga emri i saj artistik Saranda. Një emër i bukur që lidhet me qytetin më jugor, qytetin e kaltërsisë, qytet ku ka lindur. Emri artistik dhe pjesëmarrja në Maratonën e fundit me këngën. “Kënga e Kurbetit”, ku ajo nxirrte nga gjoksi flamurin tonë kombëtar, bëri që të dallohej nga këngëtaret e tjera. Sipas shumë specialistëve të këngës thuhet se Saranda është një frymë e re në këngën popullore, pasi ajo është po kaq e suksesshme edhe në këngët lirike, apo në këngët e muzikës së lehtë.
Kënga është magji. Jo vetëm ai që e këndon, por sidomos spektatori kur dëgjon një këngë të bukur, mrekullohet. Rastësisht apo një vazhdim jetësor i trashëguar. Si erdhi kënga tek “Saranda”?
Që në fëmijëri isha lidhur me këngën. Të gjithë e donim këngën në shtëpi. Duke dëgjuar pjesatrët e familjes kryesisht gjyshen, nënën, duke kënduar, apo duke dëgjuar radion, mundohesha ti imitoja apo të këndoja dhe unë. Ku isha afër tyre ngrija zërin të ndjeja muzikën brenda vetes. Më pëlqente të këndoja çdo lloj kënge. Më vonë si shumë shqiptarë të tjerë edhe familja ime, për arsye ekonomike emigroi në Greqi. Ne jemi vend kufitar me Greqinë dhe Saranda është më afër se çdo qytet tjetër i Shqipërisë me të. U vendosëm ën qytetin e bukur të Patras. Edhe aty, ne, në familje këndonim. Një ditë më dëgjoi të këndoja një komshi që e donte muzikën. Ai më rekomandoi të këndoja në një lokal të madh të qytetit të Patrës. Ishte viti 1997 kur unë sapo kisha mbushur 17 vjeç. Këndova një nga këngët më të bukura të këngëtares me famë në Greqi (dhe jashtë saj) Marinelës. Kënga titullohet “Prapë do të gjej”. Kur e këndova për herë të parë mora duartrokitje të paimagjinueshme. As unë nuk e prisja këtë sukses. Pra rruga ime ishte hapur. Shikoja se çdo gjë, çdo tingull më vinte në vesh si muzikë. U hapën rrugët. U rritën kërkesat. Më ftuan të këndoja në sallën e tragetit më të madh Patra-Itali. Rastësisht ca italianë kërkuan të këndoja një këngë italiane. Dhe unë vetëm një këngë di të tillë. Pasi e këndova ata erdhën dhe më dhuruan tufa me lule. Pashë lot gëzimi në sytë e tyre. Pra e kisha zotëruar atë këngë. Ndaj e adhurova dhe më shumë këngën. Pa këngën dita më duket si një pyll pa zogj.
Emrin artistik “Saranda” vetë e vendosët?
Po. Çdo këngëtare ka emrin e saj artistik, është modë kjo. Duke qenë se jam nga Saranda, duke ditur se ky qytet të mahnit me bukurinë e tij, me valët në mbrëmje, emër më të bukur artistik nuk mund të gjeja. Pasi fillova të këndoja rregullisht në lokal, bëra dhe prezantimin e emrit artistik. Sa herë prezantohesha “Saranda” duartrokitjet nuk kishin të sosur. Qyteti I bukur ishte shumë I njohur në Greqi.
Nga shumë kritikë kam dëgjuar se ju qysh në albumin e parë patët shumë sukses. Si do ta cilësonit këtë album? Madje jeni dhe krijuese e teksteve dhe muzikës, kantautorë. Nuk është paksa e vështirë?
Kur e kujtoj albumin tim të parë edhe vetë për moment ndihem e hutuar. E dëgjoj me nostalgji. Nuk e besoja të kisha atë sukses. Ishin 8 këngë që unë bëra vetë dhe tekstet dhe muzikën. Madje teksti i këngës së mirënjohur “Për mua je perëndi” kushtuar nënës, tërhoqi vëmendjen e opinionit, sikur të ishte një tekst nga poet I mirëfilltë.
Në këtë kohë ju filluat dhe studimet për muzikë?
Po! Në këtë kohë e pashë të arsyeshme që patjetër duhej të vazhdoja shkollimin e mëtejshëm. Tashmë u ndërgjegjësova se duhet të studioja. Kështu fillova shkollën e mesme për kanto dhe më pas në Konservatorin e Athinës për Pedagoge kantoje. Konservatori zgjat 6 vjet. Konservatori i Athinës q është një ndër Konservatorët më të vjetër në Ballkan. 
Po kënga e parë në shqip, cila ka qenë?
Prezantimi i parë për publikun shqiptar ka qenë “Vallja e burrave”, që vërtet më bëri të ndjehesha mirë. Është një këngë potente, e gjallë, që e ngriti peshë publikun.
A bashkëpunoni dhe si i ndiqni koncertet e këngëtarëve shqiptarë në Greqi?
Unë në Athinë jam në dijeni të çdo aktiviteti të këngëtarëve shqiptarë qoftë të atyre që zhvillon ambasada jonë, qoftë të atyre që zhvillojnë shoqatat. Por nga shumë koncerte do të veçoja atë të vitit 2007 ndoqa në Athinë një koncert të Ylli Bakës dhe Aurela Gaçes. Ishin fantastikë. U mrekullova. Dhe e dini çfarë…? Të gjithë lekët që kisha me vete i bleva lule dhe ua hodha atyre. Aq koncert i bukur ishte. Në fund s’kisha lekë për të marrë
taksi..ahaahaha
Çfarë shtyse ju dha ky koncert?
Pashë nga afër se këta këngëtarë kishin punuar shumë, kishin marrë përsipër detyra të mëdha në rrugën e këngës. Pas këtij koncerti i vura detyrë vetes të kisha një album me këngë shqiptare, pasi këndoja vetëm greqisht. E dua shumë atdheun tim. Këngën popullore shqiptare. Bëra tekstet dhe muzikën vet. Pastaj u lidha me Adrian Hilën. Ishin 8 këngë 5 nga të cilat me videoklip. Pra me Adrianin realizova vetëm orkestarcionin.
Zëri, arma juaj e fortë. Si e ruani zërin?
Këngëtari ka zërin, futbollisti këmbët, volejbollisti duart, muzikanti pianon. Pra secili profesion ka të veçantën e vet. E ruaj me fanatizëm zërin. Nuk abuzoj as me alkool, as me cigare..etj. Mbaj dietë në këtë drejtim. Unë studioj për këtë profesion dhe e di si ruhet zëri.
Meshkujt grekë janë më të pëlqyer se ata shqiptarë?
Qesh, jooooooooooooo, për mua meshkujt shqiptarë janë më burrërorë dhe konkret. Pastaj duhet të dashurosh fort që të nxjerrësh një konkluzion për meshkujt. 

Ç’është dashuria për ju?

 Gjëja më e bukur, drita, dielli, është mëngjesi apo më mirë të themi buzëqeshja e jetës.
Në Maratonë ju kemi parë të mbështjellë me flamur shqiptar, kjo ishte risi. Pse?
Atdheun e dua shumë. Kur më thonë vorioepiriote qesh. Prindërit më kanë edukuar me dashurinë për atdheun. Duke qenë larg e kam ndjerë mungesën e tij. Sa më larg aq më shumë mall. Ndërsa aktivitet me këngëtarë shqiptarë në Greqi ma kanë ndezur më shumë këtë dashuri. Se di . Natyrshëm. Flamuri sikur më jep forcë. Më jep energji të pashtershme. Më duket sikur dhe trupin e kam si flamuri ynë kuq e zi. Krenohem për këtë. Dhe në maratonë më quanin “Vajza dhe flamuri”.
Planet e së ardhmes?
Po punoj sistematikisht për realizimin e një klipi të ri, ku sërishmi tekstet dhe muzikën i kam realizuar vetë.
Dita më e veçantë si këngëtare? Kur jeni ndjerë më mirë në këtë rrugëtim artistik?
Ah, një moment! Ishte dita kur më kanë kërkuar autograf, kolegët nga Kosova. Jam mallëngjyer. Ata e kanë shumë të zhvilluar ndjenjën e patriotizmit.

Ku e ke planifikuar plazhin?
E ku ka më mirë se Saranda.
Sigal