Elis dhe Rudina Hyshmeri, çifti në jetë dhe në Art. Rudina: Realiteti shfaqet në telajo i pasuruar me botën e brendshme të piktorit. Njohja dhe pranimi i vetes për atë që jemi na bën njerëz më të mirë. Elisi: Artistët i pararendin ndryshimit të botës me veprën e tyre

964
Sigal

Elis Hyshmeri

Vizatoja dhe asgjë nuk ishte e qëllimtë. Derisa një ditë vizatimet e mia mbushën muret e shkollës. Ky ishte momenti i parë që ndjeva se arti ishte një thirrje e brendshme

Artistët i pararendin ndryshimit të botës  me veprën e tyre

 

Elis dhe Rudina Hyshmeti janë një çift artistësh, që arti i bashkoi edhe në rrugët e jetës. Modestë, punëshumë, të talentuar, me shpirt të mbarsur me shqetësimin e artistit edhe për shoqërinë tonë, që nëpërmjet artit, siç thotë edhe Elisi në intervistën për gazetën “Telegraf” mundohet që me të gjitha format dhe forcat e mija që ta ndryshojë formën e tij dhe të përmirësojë cilësisht jetën e njerëzve duke i ushqyer me veprat e mia.  Dhe Elisi me besimin që e armatos arti thotë, se artistët i pararendin ndryshimit (të jetës, të shoqërisë, të natyrës, të botës së brendshme)  me veprën e tyre. Gjithmonë, biseda me artistin është një monopat drejt njohjes së forcës së botës krijuese.

– Elis, çfarë  është për ju skulptura?

-Çdo formë që çan ajrin dhe jeton, për mua është skulpturë.

– Cili ju ka nxitur, inkurajuar më shumë në fillimet tuaja?

– Gjithçka lindi krejt natyrshëm. Vizatoja dhe asgjë nuk ishte e qëllimtë. Derisa një ditë vizatimet e mia mbushën muret e shkollës. Ky ishte momenti i parë që ndjeva se arti ishte një thirrje e brendshme.

– Cili është ngacmimi, për të filluar një krijim?

-Çdo gjë është spontane. Ngacmimi mund të vijë ngado, i rëndësishëm është momenti për artistin dhe ndjesia që përjeton ai…

– Çfarë ju shqetëson dhe cili është meraku juaj, deri sa krijimi të marrë trajtë?

-Është një vuajtje e vazhdueshme deri në finalizimin e punës. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për probleme teknike. Artisti nuk diskuton kurrë për to. Ajo që merr rëndësinë primare është përcjellja e emocionit të duhur tek njerëzit dhe arritja e qëllimit final.

Artisti jeton midis dy botëve: Reales dhe asaj që mbizotëron në imagjinatën e tij. Cilën botë doni të ndryshoni dhe si, ju si artist?

-Patjetër këtë realen. Do të doja t’ju ftoja në botën time imagjinare e të shikonit me sytë tuaj  se sa magjike dhe posesive është ajo. E shikoj veten shumë të dobët në ndryshimin e këtij realiteti, megjithatë përpiqem me të gjitha format dhe forcat e mia që ta ndryshoj formën e tij dhe të përmirësoj cilësisht jetën e njerëzve duke i ushqyer me veprat e mia.

– Kur ju e quani të arrirë një krijim tuajin?

-Një vepër e imja quhet e arrirë në momentin kur ajo përcjell atë që ndjej unë shpirtërisht .

– Çfarë mbani mend nga dështimi juaj i parë? Atë krijim e braktisët përfundimisht? Cili ka qenë kritiku më i rreptë?

-Faleminderit që ma bën këtë pyetje! Më kujton shprehjen më të fuqishme të udhëheqësit dhe pedagogut tim Fatos Kola, që më shoqëroi gjatë gjithë studimeve të larta: – Bravo, po dështon me sukses!…Kuptimi i shprehjes ishte, se asnjë artist i vërtetë nuk duhet të vetëkënaqet. Mjafton të përmendim këtu shprehjen e gjeniut Leonardo Da Vinçi, që në fund të jetës së tij deklaroi se asgjë nga ato që kishte bërë deri atëherë nuk ishte e arrirë, duke u shprehur: -Tani e kuptova se çfarë është arti…!

– Talenti, pasioni apo përkushtimi ndikon në karrierën artistike?

-Duhen të tre këto elemente për t’u bërë një artist i mirë. Për t’u bërë akoma më i mirë duhet ta ushqesh me një dashuri të madhe.

– Kur ndodheni të zbrazët nga idetë dhe nuk mundeni dot të krijoni, si ia del Elisi?

-Nuk mund të mos ketë ide apo krijim edhe në ditët më të këqija. Arti ka aftësinë të shprehë të gjitha emocionet, pikëpamjet, idetë dhe qëndrimet, cilado qofshin ato. Në një farë mënyrë arti për mua është si një valvul shkarkimi emocionesh, ndjenjash.

– Cila është përvoja që ju fituat në konkurrimin ndërkombëtar të skulpturës në Itali?

-Përballja me 52 artistë nga vende të ndryshme të botës ishte një përvojë shumë domethënëse për mua. Por ajo që vura re dhe ndjeva, ishte fuqia që ka arti për të bashkuar njerëzit të cilësdo etnie qofshin ata.

– E gëzon  artisti respektin dhe vlerësimin nga shoqëria jonë?

-Nga një këndvështrim i përgjithshëm mendoj, se shoqëria jonë nuk është e ndryshme nga shoqëritë e tjera. Edhe këtu si kudo në botë, ka një elitë që njeh dhe vlerëson artin, ashtu siç ka edhe njerëz që nuk e njohin aq mirë atë.

– Është një postulat: Sikur shoqërinë ta udhëhiqnin artistët, bota do të ishte shumë më ndryshe, shumë më njerëzore. Përse artistët akoma nuk mundin  të udhëheqin shoqërinë?

-Artistët nuk e kanë këtë qëllim në vetvete . Ata përpiqen të ndryshojnë botën në heshtje. Në disa raste edhe t’i pararendin ndryshimit me veprën e tyre. Ata janë modestë dhe të vërtetë. Kjo mund të jetë arsyeja më e fortë e qëndrimit të tyre larg politikës.

– Sa ju pëlqen të këshilloni të tjerët? Po edhe sa parapëlqeni t’ju këshillojnë?

-Jap ndonjë këshillë kur më kërkohet dhe në njerëz që e di që nuk do ma marrin për keq, por jam i hapur për këshillat e të tjerëve, edhe pse jo gjithmonë i marr parasysh.

Kur jeni në ethet e procesin krijues, e diskutoni me të tjerë idenë e krijimit?  Sa ndikoheni nga ato që ju thonë?

-Kur kam ndonjë ide që dua ta hedh shpejt, parapëlqej të jem i vetëm dhe në shoqërinë e ndonjë muzike të mirë. Diskutimet i lë për më vonë.

– Keni medituar ndonjëherë me veten, përse njerëzit sot rendin pas materiales dhe i shqetëson pak pasuria e brendshme, artistikja?

-Shoqëria konsumatore i ka bërë njerëzit shumë më materialistë se më parë, jeta me kërkesat e saj në rritje ka shtuar gjithmonë e më shumë nevojën për të ardhura. Kjo e ka çuar edhe artin drejt një arti që konsumohet shpejt, lë njëfarë mbrese, por nuk mund ta kesh për një kohë të gjatë. Ky është arti që reflekton shoqërinë e kohës, Arti Bashkëkohor. Por një gjë është e sigurt, që skulptura dhe piktura e mirëfilltë do t’i rezistojë kohës, edhe pse mund të ndryshojë, përshtatet dhe reflektojë shoqëri të tjera të së ardhmes.

– A është  sukses i punës artistike, vetëm kur një krijim vlerësohet në treg me çmim shumë të lartë monetar?

-Jo gjithmonë. Gjatë historisë së artit ka pasur artistë që për shkak të menaxherëve shumë të zotë kanë shitur piktura me çmime stratosferike dhe kur janë analizuar pas ca vitesh, është arritur në përfundimin se vepra nuk ka pasur ndonjë vlerë të madhe artistike

Rudina Hyshmeri

Nuk mund të kuptoj se ku janë kufijtë e jetës sonë familjare me atë artistike, thjesht janë të shkrira në një

Njohja dhe pranimi i vetes për atë që jemi na bën njerëz më të mirë

 

Merita më e madhe e njeriut, është të njohë çfarë dëshiron të bëjë në jetë, – na thotë piktorja Rudina Hyshmeri në intervistën për gazetën “Telegraf”. Rudina na pohon se vetë artisti është filtri, përmes së cilit realiteti shfaqet i pasuruar me botën e brendshme të tij.  Talenti i bën artistët të jenë më të ndjeshëm, dhe pa këtë ndjeshmëri nuk mund të jesh artist, thotë Rudina Hyshmeri për gazetën “Telegraf”.

-Rudina, e zgjodhët ju pikturën apo ju zgjodhi piktura që të bëheshit piktore?

-Në fillim  kur unë isha ende fëmijë dhe vizatoja pa pushim, aq sa nuk më pëlqente as të luaja jashtë me shoqet e mia, mendoj se më zgjodhi ajo mua… Më vonë, kur e kuptova se  ajo që doja të bëja gjatë gjithë jetës sime ishte të merresha me art, e zgjodha edhe unë atë…

– Cila është magjia që jep piktura, të cilën fotografia nuk e përcjell dot tek syri i njeriut?

-Piktura është një mjet shprehës në duart e artistit. Qëllimi i saj nuk është thjesht riprodhimi i realitetit. Artisti është filtri nëpër te cilin kalon realiteti dhe shfaqet në telajo i pasuruar me botën e brendshme të tij.

– Sa ndikon në formimin tuaj si piktore, talenti? Po shkolla çfarë të jep më tepër?

– Në rrugën e artit sigurisht talenti është shumë i rëndësishëm, ai është elementi kyç pa të cilin nuk mund të lindë një artist. Por nga ana tjetër puna luan një rol vendimtar në zhvillimin  dhe arritjet e një artisti dhe  jo vetëm. Për sa i takon shkollës edhe ajo ka rolin e saj, por është e rëndësishme të dish të marrësh prej shkollës…

– Trashëgimia kulturore, çfarë ure ka me artin?

-Trashëgimia kulturore për mua është nënshtresa e artit të çdo kombi. Çdo artist i cilitdo komb transmeton në mënyrë të pandërgjegjshme, por në disa raste edhe të ndërgjegjshme, trashëgiminë e tij kulturore dhe gjenetike. Kështu për shembull Rubensi na servir figurën tipike holandeze me veshjet dhe tiparet e popullit të tij, Da Vinçi zonjën tipike italiane të kohës , Kol Idromeno vajzën tipike shkodrane në Portretin e Motrës Tone, Buza malësorin karakteristik shqiptar, Kodra figuracionin aq të pasur të traditës sonë popullore etj. Kjo ndodh, sepse artisti nuk jeton jashtë realitetit, ai është pjesë e tij, është e drejta e tij pastaj ta përcjellë realitetin sipas perceptimit dhe imagjinatës së tij.

– Studimi i artit, çfarë ju ndihmon në penelatën tuaj?

-Studimi dhe njohja e artit shqiptar e botëror ka qenë shumë e rëndësishme për mua në fillimet e mia si artiste, por besoj që kështu është dhe duhet të jetë për çdo artist. Kjo për arsye se kjo njohje të bën të kuptosh, sa të pafundme janë mundësitë dhe dimensionet e artit dhe sa pa skaje është e bukura.

– Syri, vëzhgimi apo ideja janë pikënisja e një pikture për ju?

-Vëzhgimi i realitetit është një pikënisje e fortë në një vepër arti. Syri kritik me të cilin artisti e sheh këtë realitet  dhe këndvështrimi i tij, përcakton mënyrën se si do të serviret realiteti në veprën e artit. Idetë, qëndrimet dhe përjetimet e artistit janë fryma e veprës, ndërsa penelatat janë ledhatimi i syve të audiencës.

– E ke të fotografuar pikturën që do të arrish, apo të ndodh që ta transformosh të tërën deri sa ta realizosh?

-Pikturimi është një proces i ndryshueshëm deri në momentin që artisti mendon se ka arritur të shprehë vetveten.

– Pse artistët janë më të ndjeshëm emocionalisht, në krahasim me njerëzit e tjerë?

– Artistët, në qoftë se nuk do ishin më të ndjeshëm se të tjerët atëherë s’do të ishin artistë. Arti nuk mund të bëhet pa u ndjerë më parë.

– Kur ju e quani të arrirë një krijim tuajën?

-Kur Elisi nuk më bën më vërejtje. (qesh). Bëj shaka, edhe kjo e para qëndron por ka shumë rëndësi për mua që të jap maksimumin në secilën prej veprave të mia.

– Çfarë ju jep më shumë motiv të krijoni?

– Gjendja emocionale është fitili i krijimtarisë time.

– Piktura, mund të shërbejë thjesht si një mjet zbukurimi që e ekspozojmë në muret e mjediset ku jetojmë apo punojmë?

-Për fat të keq jo rrallë ndodh kështu, por e vërteta është se vlera e një pikture nuk përcaktohet nga fakti se “sa bukur rri me mobiliet”. Ajo duhet së pari të konfirmojë vlerat e saj si vepër dhe pastaj ato vlera na kultivojnë shijet, duke i soditur në muret e ambienteve tona.

– Kur e vlerësoni që një pikturë e ke dalë ta realizosh të arrirë?

-Kur ajo më thotë se unë nuk duhet ta prek më….

Çfarë dëshironi  të përcillni tek njerëzit me pikturat që realizoni?

-Në veprat e mia përpiqem të jap perceptimin tim për të bukurën, dashurinë për artin, sinqeritetin për atë çka përfaqësoj dhe botën time të brendshme që nuk ka trajtë, por mund të ndjehet.