Eliona Thomaraj: Në Vlorë bëj çudi, pse të rejat nuk frekuentojnë teatrin

599
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisorja dhe aktorja Eliona Thomaraj: Dashuria, të bën të lotosh dhe ta fshin lotin

 Një martesë e parë e dështuar dhe një e dytë që po shkon drejt fundit. Ish-burri që kërkon të hakmerret, duke i shpënë dy personazhet drejt shkatërrimit dhe tragjedisë. Një tekst që përshkruan në mënyrë ngjethëse marrëdhëniet bashkëshortore, duke vënë në pikëpyetje institucionin klasik të martesës. Por e vërteta është që një martesë e rrënuar para së gjithash është  mungesë komunikimi. Kjo është në thelb  drama “Borxhlinjtë”  me autor Strindberg që është vënë në skenë nga trupa e Teatrit “Petro Marko” Vlorë me regji të Roland Mingës ku Eliona Thomaraj luan rolin e Teklas.

 Ç‘përbën për ju ky rol?

Ky rol për mua (ose vepra në tërësi) përbën një sfidë. Kjo në kuptimin pasi jam femra në rol, por dhe femër në jetë, është sfidë  pasi dua të jap dhe të ndaj të drejtën duke ja dhënë këtë të drejtë të drejtës dhe jo vetvetes. Rrethanat në të cilat ndodhet personazhi është e pamundur që Teklan (personazhin) ta zhbësh vetëm për nj naivitet të saj. Do ta quaj naivitet pasi bashkëshorti i parë, lë nj vajzë të re vetëm dhe ikën për studime. Çfarë pretendon ky nga kjo vajzë e re kaq e formuar, kaq inteligjente, kaq e etur për jetë? Pra, ky burrë pretendon ta mbylli në shtëpi. Pra shfaqet një ndjenjë maskiliste e kohës atëherë, por  që është po kaq problem dhe sot në Shqipëri. Në momentin që burrat përballen me një femër, me një dashuri më të madhe se të tyren, atëherë patjetër mundohen ose  ta zhbëjnë, ose të hakmerren derisa ta zhbëjnë  deri në ditën e fundit të jetës. Kjo është padrejtësia më e madhe.  Kam luftuar shumë me personazhin se edhe kolegët e mi e paragjykonin e prosvalnin karakterin e Teklës, ndërsa unë e marr në mbrojtje pasi them, jo, kjo femër  ka të drejtë dhe pres me shpresë të më gjykojë kritika, apo spektatori pasi ta shohë  veprën, nëse Tekla ka apo jo të drejtë. Është e pamundur, të duash  të skllavërosh një femër, vetëm dhe vetëm se është më i aftë se ty. Jepi lirinë, jepi të drejtën. Tekla në të dy martesat ka qenë e pafat pasi të dy bashkëshortët nuk e trajtonin si njeri, si intelektuale, si e zgjuar por thjesht si femër shtëpiake. Gjithmonë, ata i thoshin të dhashë këtë, të dhashë atë, të solla atë apo këtë pra thjesht si stoli. Po Tekla asgjë nuk paska dhënë. Ajo ka jetuar mes një egoizmi maskilist dhe prapë ka mbijetuar. Prapë  është nj ndër femrat më të mira të salloneve, është shkrimtare, me pozitë në kohën e vet dhe sa më shuam shkëlqen kjo femër aq më shumë persekutohet nga bashkëshortët. Madje duan ta vrasin mes kultit të adhurimit të tyre.

Mendon se kjo dramë është aktuale sot në Shqipëri dhe se shoqëria tek ne është po kaq maskiliste?

Besoj se po. Unë mendoj se Shqipëria është po kaq maskiliste sa shoqëria norvegjeze e viteve 1889. Mendoj se tek ne po krijohet një shoqëri borgjeze, ose mikroborgjeze, që po përballet me ato probleme që është përballur shoqëria norvegjeze në fundet e viteve 1800.

Në këtë këndvështrim mendoni se shoqëria shqiptare ka zënë pozicionin e duhur në jetë?

Femra shqiptare nuk e ka zënë fare pozicionin e saj në jetë, por një “x” nga femrat, po përpiqet që të hap celulat  që femrat shqiptare mbase në vitin 2054 të kenë një vend të vetin ashtu si e meritojnë. Por celula e femrës e ka hedhur tashmë rrënjën për të pasur një ditë të bukur.

Po kush e pengon femrën shqiptare të zërë këtë pozicion?

Është mentaliteti shqiptar i trashëguar. Besoj se politika po hedh hapat e parë në ndihmë të saj. P.sh n.q.s një vajzë e re e sapomartuar do t’i thotë bashkëshortit se do shkojë  për një projekt në Vlorë, bashkëshortit do t’i duket utopi për të mos thënë çmenduri. Bashkëshorti duhet ta dijë se është martuar me një aktore dhe duhet që ta lejë të lirë në profesionin e saj. Një grua rrit fëmijën e një burri, me ç’të drejtë ai kërkon që ta verbojë, duke e zënë skllave vetëm të rrisë fëmijët, kur janë pjesë e të dyve. Kështu progresohet injoranca dhe terri ndaj femrës. Nëna është  ajo që të mëkon dijen, ecjen, dashurinë, dhembshurinë.

Cilat janë problemet më të mëdha të femrës shqiptare sot?

Problemi më i madh i femrës shqiptare sot është se nuk kanë burrë. Sepse has në burra që kërkojnë prej tyre vetëm t’u sjellin të mira materiale, apo në të ashtuquajturin burrë që ta shohin si të vetmin shpëtim, kur nuk i dhurojnë asnjë trëndafil gruas.

 Cili është mendimi juaj për bashkëjetesën?

 Bashkëjetesa është e domosdoshme, pasi  të jep mundësinë që të kesh një bazë jetike,  që do të thotë nuk jemi thjesht shokë dhome,  siç mund të ndodhë në vitet e shkollimit të lartë. Pra bashkëjetesa të vë në provë që nëse unë gatuaj ti duhet të lash enët dhe bashkëjetesa vë në provë që n.q.s diçka nuk shkon kështu siç duhet të shkojë, bëhet ndarja. Ndërsa kur çdo gjë ndahet, lihet më shumë kohë për të qenë së bashku, e njohim më shumë njeri tjetrin për të qenë në nj frekuencë. N.q.s nuk ecim kështu atëherë, atëherë kur do ta gjejmë këtë frekuencë kur nuk e gjejmë në këto vite bashkëjetese? Vetëm në krevat? Pa këtë frekuencë që gjendet në bashkëjetesë ku ti nuk ke as frikë, as interesin, as molepsje, ku paguhet bashkë qiraja, ku ndahen punët, atëherë vazhdimi është i pamundshëm. Në këtë mënyrë bashkëjetesa është e domosdoshme. Por prindërit tanë kanë të tjera mendime dhe na bëjnë presin për martesë. Por n.q.s nuk gjendet frekuenca para martese atëherë problemet lindin kur del fëmija në jetë. Pastaj mundohemi që martesës  t’i hedhim një vello të bukur, kur në fakt asgjë nuk ka ndryshuar. Atëherë çfarë kemi ndryshuar ne shqiptarët, vetëm rrobat e trupit? Ne në radhë të parë duhet të ndryshojmë mendësinë.

Ju mendoni se ju si artiste ende jeni e paragjykuar?

Nuk e di  se kush më paragjykon, pasi nuk i takoj ata që më paragjykojnë, por e di që ka të tillë. Por shoh se një pjesë edhe an kuptojnë dhe unë eci me mendimin se oh, nj ditë do vij pranvera dhe do çelin sythe të tjera.

 Një përkufizim për dashurinë?

Oh, dashuria. Dashuria është ai fenomen psikofizik, që të shtyn  dhe të tërheq si qendër graviteti i tokës, të bën të lotosh dhe ta fshin lotin. N.q.s nuk do të ishte dashuria, asnjë nga të gjitha gjërat që ne bëjmë për të plotësuar jetën, nuk do ekzistonte.

Ju flisni dhe lotoni. Mos vallë dashuria juaj e ka arritur këtë përkufizim?

Unë besoj se kam përjetuar dhe përjetoj një dashuri, e cila ka provuar distancën, paragjykimet (pasi unë jam e fejuar me një italian)  dhe ka disa gjëra të veçanta. Unë mund të them se distanca jonë, bashkëjetesa jonë, ardhja e tij  në Shqipëri, shkuarja ime në Itali ka kaluar në sprova, ekuilibra  që kanë qenë të vështira, por të bukura. Unë dua të them se në këtë drejtim duhet të bëjnë përpjekje meshkujt shqiptarë pasi femrat po e thonë fjalën e tyre.

 Keni kohë që punoni në Vlorë dhe pse lerë e rritur në Tiranë, si është maskilizmi në atë qytet?

Këtu situata është dhe më e vështirë. Unë kam qenë e lidhur me artin që fëmijë, kam qenë pranuar në filma artistik qysh fëmijë  dhe  mendoja se në Vlorë do shkoja të emancipoja një qytet të rëndësishëm për historinë, por ajo çka ndjej është se dhe megjithëse ka Universitet, pjesa dërrmuese e femrave apo të rinjve, nuk i afrohen teatrit dhe pse bileta është shumë e lirë. Bëj çudi pse, kur aty nuk ka as galeri Arti, as Muze Historik, as teatro privat, as, as, etj.. Kjo tregon se femra nuk e ka atë liri.

 Kush ka qenë roli i parë në vegjëlinë tuaj?

Unë kam lozur në filmin për fëmijë “Qyteti më i ri në botë” në vitin 1985 dhe pastaj  në shumë emisione televizive si recituese, por dhe në filma të tjerë që deri tani s’më janë ndarë. Por aktualisht jam e dhënë pas teatrit duke pasur parasysh se jam dhe regjisore.

 Ky rol i veçantë, i sajti është në fondin tuaj të roleve?

Ky është roli i 27 dhe mund të them që është një ndër rolet më të bukur po aq sa dhe i vështirë.