Elhaida Dani: Në jetë tentoj të gjej lumturinë

848
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja Elhaida Dani: “Konkurrenca nxit ambicien profesionale”

 Një këngëtare që për çdo ditë fiton zemrën e qindra mijëra fansave në të katër anët e globit, ku ka emigrantë shqiptarë, por dhe më tej. Fama e saj në Itali i kaloi parashikimet. Por ajo që duhet të theksoj është se ajo këtë vit fitoi  ‘The voice of Italy’. Ajo ia arriti të magjepsë të gjithë publikun në Itali madje, edhe jurinë e ‘The voice of Italy’, me zërin e saj mbresëlënës, plot ritëm, plot ndjenjë, me një timbër të veçantë. Talenti i saj i mahniti specialistët italianë të muzikës. Këngëtarja shkodrane, tashmë po diskutohet gjithkund për vokalin e saj të spikatur dhe pse në një moshë që askush s’e beson.

   Gjithmonë pranë studiove, keni ndonjë ide të re për të krijuar?

 Gjithmonë, me mendje tek kënga. Aktualisht ndodhem pothuajse çdo ditë në studio dhe për të dëgjuar propozimet e reja dhe për të eksperimentuar për krijimin e këngëve të reja. Kënga ka diçka të veçantë, asnjëherë nuk i dihet kur vjen. Ajo është si poezia vjen në mënyrë të natyrshme, kur është mbrujtur brenda qenies si frymëzim.  Nuk i dihet asnjëherë kur të vjen kënga e duhur.

Çfarë shënon për ju muaji shtator?

 Për këngëtarët ky muaj është paksa ndryshe, më i qetë, më pak i zhurmshëm, më pak e tensionuar. Për mua është muaj krijimtaria, pas atyre muajve të zhurmshëm të verës, ku lëvizja nga një aerodrom në një tjetër, nga një shtet në një tjetër. Shtatori për mua vjen më pak i trazuar dhe jashtë asaj vape përvëluese verore. Eshtë muaj krijimtarie, muaj ndjesie kënge.

  Folët për verën, si kaloi kjo verë për ju?

  Tej mase e mbingarkuar. Jashtë çdo parashikimi. Jam argëtuar shumë, por edhe jam lodhur. Të dyja bashkë. Kur bëj bilancin them që ka qenë një verë e mbarë. Por ka qenë dhe një verë e eksperiencave të veçanta, ku mësova gjëra të reja, të cilat s’i kisha shumë të qarta. Lëvizja për mua është jetë, pa lëvizje më duket se ndryshkem. Vera është stina e lëvizjeve të mëdha.

 Diku ka një moment apo është dikush që të zbulon aftësitë, apo preferencat, kush e zbuloi zërin tuaj?

Ah! Nëna ime. Sa herë më dëgjonte më thoshte ke vesh muzike. Bëhet fjalë për moshën 6-vjeçare. Ajo ishte që më nxiti të shkoj në shkollë për piano. Pra qysh fëmijë u duk e ardhmja ime të cilën më vonë të dy prindërit ma nxitën këtë dëshirë. Ëndrra e tyre u realizua.

 Ky profesion a mendoni që ju siguron të ardhurat e dëshiruara?

Në radhë të parë unë e dashuroj shumë këtë profesion. Edhe sikur të mos më realizonte shumë dëshira financiare sërishmi këtë do të zgjidhja. Kënga ka momentet e saj të vlerësimit. Unë deri para disa kohësh nuk siguroja aq sa të ndihesha mirë, por jeta, koha bëri të vetën dhe unë tashmë mund të them se jam më shumë se e kënaqur. Në momentin që flitet, sigurisht, kërkesat dhe ofertat janë të shumta dhe mendoj se realizimi financiar është mëse i kënaqshëm.

 Kur keni kohë të lirë kujt ja dedikoni?

 Edhe kur bëj diçka tjetër mundohem ta lidh me muzikën, pasi kështu ndihem më e sigurt. Pra kur kam kohë më pëlqen, të lexoj, shëtitjet në breg të detit në periudhën e vjeshtës dhe një ndër gjërat që më jep shumë kënaqësi është të flas me njerëzit dhe në fund të bisedës t’i kem dhuruar shumë energji pozitive.  Nuk kam ndarje me thikë, por ndihem mirë kur bëj diçka të mirë.

  Si ndiheni mes këngëtareve me emër në Shqipëri?

I respektoj të gjitha këngëtaret dhe këngëtarët pasi duke qenë të një niveli të lartë mendoj se nxitet konkurrenca, ambicia profesionale, në të gjithë botën pa qenë konkurrent me asnjë njeri, thjeshtë duke merituar vendin e tij.

 Kush është këngëtari/ja që preferoni?

 Padyshim i pari që do rendis është R. Koçante, i cili më orientoi në rrugën më të bukur me një ndihmë profesionale. Pikërisht ky njeri më bëri të njoh se ç’do të thotë të jesh një artist që dhuron shpirt.

 Tashmë vijnë studimet….si ndiheni mes librave të shkollës?

 Këtu ka diçka që ngecur. Karriera e këngës më ka lënë pak mbrapa. Aktualisht të jem e sinqertë impenjimet me këngën më kanë bërë të lë pak pas dore universitetin. Por studimet s’do t’i le kurrë, janë pjesë e ambicieve të mia profesionale.

 Çfarë vlerësoni tek njeriu?

Thjeshtësinë dhe korrektesën, dy vlera nga më të çmueshmet.

 Kur ndiheni keq?

Kur dëgjoj njerëz që flasin pa doganë.

 Me cilët preferoni të shoqëroheni më shpesh me meshkuj apo me femra?

Nuk kam përcaktime. Shoqërohem me këdo që ndihem mirë.

Çfarë është primare për ju në jetë?

Të qënit e lumtur.

 Përdorni FB?

S’kam kohë, as për të as për rrjetet sociale, por ka të tjerë që ma plotësojnë këtë boshllëk.