Eleonora Pançe/ Një jetë kushtuar shkollës dhe edukimit

978
Sigal

Kush ka patur fatin të jetë nxënës i Shkollës Ushtrimore Kosova në vitet 60-70, veçanërisht i klasave A, me siguri e kujton emrin e mësueses së klasës së tretë fillore Eleonora Pançe. E brishtë në trup, por me një personalitet që rrezatonte vetëm dashuri e përkujdesje për nxënësit e që nuk kish nevojë ta impononte respektin, ajo dinte t’i bënte për vete të gjithë me zërin e butë dhe të ëmbël, por mbi të gjitha me pasionin dhe kujdesin me të cilin e ushtronte profesionin e saj si mësimdhënëse. Këto ditë ajo feston 90 vjetorin e lindjes e rrethuar nga dashuria e dy djemve te saj Kristi dhe Genci bashkë me familjet e tyre. Si ish-nxënës i saj, ndjeva detyrim moral e vendosa të shkruaj disa radhë për këtë grua të rrallë e të jashtëzakonshme, të cilën kam gati 45 vjet që jam mësuar ta thërras « Zysh Leonora », ashtu si të gjithë shoqet e shokët e Shkollës Kosova të viteve 70 – 75.

Eleonora Pançe ka lindur më 10 gusht të vitit 1925 në Nartë të Vlorës. Ishte vajza më e vogël e një familjeje me shumë emër dhe arsimdashëse. Babai i saj, Kristaq Ikonomi, i vëllai dhe të gjithë xhaxhallarët ishin të diplomuar në universitete perëndimore në disiplina si shkencat, avokatura apo mjekësia në fillimet e shekullit XX-të. Duke ndjekur nga pas të atin dhe lëvizjet e tij për arsye pune si projektues dhe zbatues i Reformës Agrare në periudhën e Mbretit Zog, ajo i kreu klasat e fillores në vitet 31-36 në katër qytete të ndryshme, Fier, Berat, Kavajë dhe Vlorë. Në moshën 12 vjeçare, e pikërisht në vitin 1937, ajo nis studimet në Institutin Femëror «Nëna Mbretëreshë», pas Luftes së Dytë Botërore i emërtuar Shkolla Pedagogjike, institucion me të cilin do të mbante lidhje të forta përgjatë gjithë periudhës së saj si mësimdhënëse aktive. Falë mendimit vizionar të ministrit të Arsimit të atyre viteve, Mirash Ivanaj, u arrit të krijohej në Shqipëri një shkollë e mesme elitare për vajzat, edukatoret e ardhshme, sipas modeleve më të përparuara perëndimore të kohës. Ky realizim mbetet nga më të arrirët për epokën në fjalë për faktin se më shumë se kushdo tjetër janë nënat të parat që projektojnë të ardhmen e çdo shoqërie përmes rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Si nxënëse e Institutit Femëror, sëbashku me shoqet e saj të afërta të klasës, Liri Belishova, Vera Pojani etj, dhe e frymëzuar nga idealizmi i moshës, Eleonora Pançe mori pjesë aktivisht edhe në Lëvizjen Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duke u dalluar edhe si drejtuese e Rinisë Antifashiste. Rezultatet e larta në shkollë, por edhe pjesëmarrja në luftën për çlirim do ti jepnin asaj potencialisht të gjitha kredencialet për karrierë në sistemin e ri, por gjërat dukej se po ndryshonin … Idealizmin që kish patur brenda vetes po e shihte gjithnjë e më pak rreth saj e në vend të tij konstatonte gjithnjë e më shumë konformizëm, për tu shprehur me fjalë të kursyera. Kësisoj, në një realitet të ri, me dëshirën për të mbetur vetvetja ajo merr vendime që pakkush mund ti merrte pë atë kohë jo të zakontë. Në vitin 1946 heq dorë nga mundësia për të ndjekur studimet e larta në Moskë në degën psikologji për të qëndruar pranë prindërve dhe pasi refuzon edhe disa poste drejtuese në ministrinë e Arsimit, vendos përfundimisht t’i përkushtohet mësimdhënies në arsimin fillor. Menjëherë ajo bie në sy për profesionalizmin e saj, sepse klasat ku ajo jep mësim shpallen model për nga rezultatet e larta në shkollat e Tiranës.

Veçanërisht ajo shquhet gjatë periudhës kur angazhohet pranë Shkollës Ushtrimore Murat Toptani, shkollë e atashuar pranë asaj Pedagogjike. Shkolla ushtrimore ishte konceptuar si «laborator» për Shkollën Pedagogjike, e cila përgatiste mesues. Një lloj «bërthame» ku shumë shpesh do të bëheshin mësime të hapura, ku nxënësit e Pedagogjikes do të praktikonin mësimdhënien. Ishte në fakt modeli më i avancuar i arsimit fillor në Shqipëri, ku më vonë u eksperimentua edhe mësimi i gjuhëve të huaja qysh në klasën e dytë. Natyrisht, mësuesit e ngarkuar për realizimin e këtyre programeve duhej të ishin shumë të përgatitur, si nga ana shkencore dhe psikologjike e pedagogjike, por edhe veçanërisht të përkushtuar e të motivuar. Ideja e ketij tipi shkolle u arrit të realizohej plotësisht ne vitin 1960 me hapjen e Shkollës Ushtrimore Kosova, një shkollë me shumë emër e reputacion falë mesueseve Hava Shehu, Andromaqi Noçka, Elonora Pançe, Afërdita Shala etj.

Pas 14 viteve plot pasion e përkushtim si mësuese e klasës së tretë, në vitin 1974 Eleonora Pançe emërohet drejtoreshë e Shkollës Ushtrimore Kosova, funksion që e kreu deri ditën e daljes në pension në fund të vitit shkollor 1976-1977. Për meritat e saj të veçanta ajo mban titullin «Mësuese e merituar» si edukatore e më shumë se 1200 nxënësve në rreth 30 vite karrierë, për pjesën më të madhe të të cilëve ajo vazhdon të kujtojë detaje. Për të gjithë ne ish-nxënësit e Shkollës Kosova, ajo mbetet mësuesja e mrekullueshme, mësuesja model që na rrethoi vetëm me dashuri e ngrohtësi. Në gjithë formimin tonë, ajo ka padyshim një pjesë dhe kontribut shumë të veçantë e të rëndësishëm. Mirënjohje e respekt pa fund për ty Zysh Eleonora. Jetë të gjatë e plot shëndet të urojmë të gjithë në këtë 90 vjetor! I shkruajta këto fjalë për mësuesen time, Eleonora Pançe, sepse kam ndërmjend gjithnjë thënien e Viktor Hygoit `«Dy janë shtyllat që mbajnë të ardhmen e një kombi, Nëna dhe Mësuesi».

Taulant Dedja
Ish-nxënës i Shkollës Kosova – Tiranë, 1971 – 1975