Elementët e Integritetit Efektiv dhe Legjislacioni

744
Valentina Golemi, audituese, KLSH

Termi integritet nuk është një koncept i thjeshtë për t’u përkufizuar. Ky term rrjedh nga latinishtja, që do të thotë i paprekur. Integriteti i referohet virtytit dhe gjendjes të qenit të palëkundur. Integriteti është i lidhur ngushtë me mungesën e mashtrimit dhe korrupsionit, por gjithashtu përfshin mirësjellje të përbashkët. Në këtë kontekst, është një koncept pozitiv dhe i gjerë në lidhje me etikën dhe kulturën. Standardet ndërkombëtare të auditimit të INSTOSAI-it, kanë përdor një përkufizim të gjerë dhe pozitiv të termit integritet, ku shprehen, me të kuptuarit e cilësive apo gjendja me parimet morale si drejtësia, ndershmëria dhe sinqeriteti, që duhet të karakterizojë çdo punonjës të institucioneve audituese. Ndërsa vetëvlerësimi i integritetit, është siguria që vjen së brendshmi, bazuar mbi vlerat që njohim tek vetja, duke iu referuar pikave të forta dhe të dobëta, gjatë punës së përditshme në administratë. Nisur nga këto referime, audituesit duhet në vizionin e tyre, të kenë prioritare, që, integriteti do të thotë më shumë, se thjesht shqyrtim i ligjeve dhe rregullave. Ligji është kufiri i poshtëm dhe pikënisja minimale morale. Integriteti mbulon jo vetëm kërkesat e mos korruptimit, por gjithashtu mbulon vlera si ndershmëria, sinqeriteti, neutraliteti, konsiderata, besueshmëria, respekti, objektiviteti dhe mirësjellja. Një auditues duhet të kujdeset që të ushtrojë përgjegjësitë e tij dhe të përdorë fuqitë, informacionin dhe burimet në dispozicion në të mirë të publikut ose të interesit publik të cilit i shërben, si dhe të sillet në mënyrë korrekte me kolegët e tij, të audituarit dhe me publikun në përgjithësi. Këto parime vlejnë për çdo institucion publik dhe jo publik, i cili duhet të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që personeli i vet nuk do të tundohet dhe nuk do të korruptohet. Në këdo institucion,duhet që stafi i tij të kryeje detyrat e veta në përputhje me parimet e integritetit, duhet që të rikujtojë rregullisht dhe qartësisht stafin për rëndësinë e integritetit, të krijojë një kulturë të hapur dhe transparente ku pranohen kritikat, ku mund të bëhen gabime dhe çështjet e vështira mund të diskutohen. Në ditët e sotme integriteti i zyrtarëve të shtetit dhe i punonjësve civilë, si dhe veprimet e tyre janë në fokus, në rritje të vëmendjes publike. Skandalet e shumta që lidhen me korrupsionin, rritjen e kostove, paligjshmërinë ose mungesën e profesionalizmit, nxjerrin në pah rëndësinë e kësaj çështjeje në Shqipëri dhe në shumë vende. Reforma dhe modernizimi i administratës shtetërore , i menaxhimit publik dhe rritja e demokratizimit dhe e hapjes së shoqërive, lejojnë dhe synojnë zhvillimin dhe forcimin e strukturave dhe menaxhimit të integritetit në shërbimin civil. Integriteti si komponent i etikës rezulton të jetë një pjesë e kërkuar e qeverisjes publike dhe e performancës së institucioneve shtetërore dhe, në rrethana të tilla,është një element i rëndësishëm, i audituesve të KLSH-së,përgjatë auditimeve të përputhshmërisë,financiar, performacë, të sistemeve të IT-së,etj. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) është një gur themeli i qeverisjes së mirë të sektorit publik, duke siguruar objektivitet dhe paanshmëri, gjatë kryerjes së angazhimeve të auditimit. KLSH kryen vlerësime dhe opinione, nëse burimet publike menaxhohen me përgjegjësi dhe efektivitet nga institucionet e sektorit publik, ku nëpërmjet rekomandimeve funksionale dhe në kohë ,nxit përmirësimin e llogaridhënies dhe integritetit, në mënyrë të mundshme në rritjen e besimit tek qytetarët dhe palët e interesuara. Por, KLSH në kuadër të ushtrimit të funksioneve, të monitorimit të Buxhetit të Shtetit, ushtron edhe një rol tjetër, duke nxitur mirë qeverisjen, të rrisë sistemet të kontrollit të brendshëm dhe të ndihmojë institucionet publike në realizimin e objektivave në mënyrë efecientë, efektive dhe duke pasur në vëmendje edhe elementët e integritetit, në përshtatshmëri të standardeve ndërkombëtare të auditimit, si instrumente të vlefshme për matjen e klimës së integritetit apo respektimin e kodit të sjelljes të institucionet publike.

Kështu, për të vlerësuar nëse ligjzbatuesit kanë në vëmendje integritetin duhet të merren në konsideratë disa elementë të cilët mund të dobësojnë kredibilitetin e institucionit, elementë të cilët duhet të jenë në fokusin e çdo audituesi. Më konkretisht mund të përmendim:

• Parakushti për autoritetet qeveritare është besimi i publikut. Një qeveri të cilës i mungon integriteti humbet besimin e publikut dhe më pas autoritetin e vet. Publiku duhet të jetë në gjendje t’i besojë qeverisë sepse është i vetmi ofrues i shumë shërbimeve.

• Integriteti, jo vetëm rregulla dhe ligje, por gjithashtu edhe përgjegjësi morale. Tensioni është më i lartë atje ku rregullat mungojnë apo janë të pasigurta, për rrjedhojë audituesi duhet të jetë në gjendje të krijojë një opinion të pranueshëm moralisht dhe të veprojë me përgjegjësi në përputhje me vlerat dhe standardet e një administrimi efektiv.

• Prioritet duhet t’i jepet parandalimit, sipas motos “më mirë të parandalosh se sa të kurosh”.

• Integritetit duhet t’i kushtohet vëmendje vazhdimisht. Nëse një politikë dobësohet atëherë kur gjërat funksionojnë siç duhet, risku për incidente rritet. Integriteti duhet të jetë një komponent standard në menaxhim dhe në ciklin e politikave.

• Konfliktet e interesit, nëse një anëtar i grupit të auditimit është i angazhuar në aktivitete me pagesë ose pa pagesë jashtë shërbimit civil.

• Dhuratat/ftesat/përfitimet. Gjatë procesit të auditimit,subjekti mund të ofrojë të mira materiale audituesit . Dhënësi tenton “të falënderojë” për të pasur ndikim mbi audituesin, për të përmirësuar marrëdhëniet, që të presë diçka në kthim. Pranimi i një dhurate është një rrezik për integritetin.

• Konfidencialiteti/liria e të shprehurit. Përgjatë auditimit merren mjaft informacione dhe të dhëna, të cilat mund të jenë me interes për një palë të tretë. Audituesit kanë të drejtën për lirinë e shprehjes, me kusht që, të mos komprometojnë punën e tyre ose të SAI-it.

• Audituesit duhet të kenë integritet ndaj, personave me cilësi të veçanta, si politikanët apo të afërmeve.

Me anë të auditimit të integritetit KLSH synon të nxisë institucionet e sektorit publik të kryejnë proceset e punëve me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, pra jo vetëm nëse ato zbatojnë ligjet, rregulloret, etj. Kështu, KLSH duke zbatuar parimet e IntoSAINT-in (Vetëvlerësimin e Integritetit), përpiqet të plotësojë kërkesat e INTOSAI-t dhe më konkretisht një nga shtyllat kryesore të Strategjisë së INTOSAI-t, objektivi nr.4, “të udhëheqë përmes shembullit”, ku me anë të elementeve të integritetit i shtrin më tej detyrat funksionin e tij, duke parandaluar shpërdorimin e fondeve publike, uljen e kostove në realizimin e detyrave dhe duke orientuar subjektet që të vendosin individët e duhur me aftësitë që kanë në detyrat (funksionet) që i përshtaten, e për rrjedhojë auditimi i KLSH-së, synon të ulë konfliktin e interesit ndërmjet punonjësve, të vlerësojë nëse individi e ka të nevojshme trajnimin me qëllim rritjen e aftësive për realizimin e objektivave. Duhet pranuar gjithashtu, nisur nga këndvështrimi i audituesit, ky proces është i vështirë, andaj duhen evidentuar të gjitha hapat dhe dokumentet standard që plotësohen gjatë auditimeve të përputhshmërisë, financiare, performancës dhe teknologjisë së informacionit, duke nxjerr në pah elementët e integritetit, me qëllim që zyrtarët publikë gjithmonë të realizojnë objektivat e tyre duke u udhëhequr nga parimet etike dhe vlerat, pritjet, politikat dhe rezultatet e njësisë së sektorit publik. Nga ana tjetër vetëvlerësimi i integritetit në KLSH është konsideruar si një nga metodat inovative dhe të efektshme, me impakt rritjen e pritshmërive në zhvillim të procesit të auditimit. Krahas zhvillimit të kapaciteteve të audituesve të cilët do të kryejnë auditime integriteti, paralelisht KLSH është bashkuar me tendencën e Institucioneve Supreme Evropiane të Auditimit dhe ka ngritur tashmë strukturën e tij etike, ka Kodin e tij të Etikes, po bashkëpunon me shoqërinë civile, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, po bën gjithnjë e më shumë transparente veprimtarinë e tij, po menaxhon konfliktin e interesi nëpërmjet deklarimeve periodike, po drejton nëpërmjet shembullit të Drejtuesve të Lartë, ka qenë pjesë e Grupit për rishikim e ISSAI 30, Kodi Etikës së INTOSAI, që u miratua në dhjetor të vitit 2016 në kongresin e XXII të INTOSAI-t në Abu Dhabi, pasi është e rëndësishme që sjellja etike duhet të jetë pjesë integrale e veprimtarisë së tij. Në kuadër të angazhimeve konkrete për kryerjen e auditimeve të integritetit, KLSH me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Hungarisë, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mbi auditimin e integritetit, duke shkëmbyer eksperiencën në këtë fushë. Këto auditime, të cilat kanë filluar në radhë të parë nga vetë institucioni i KLSH-së dhe njëkohësisht shtrihen në institucione të tjera qëndrore dhe vendore, do t’i shërbejnë detyrimeve dhe angazhimeve që shtrohen në Progres Raportet e Komisionit Evropian mbi Shqipërinë. Në përfundim mund të themi që çdo Institucion Suprem Auditimi (SAI) edhe KLSH synon të jetë një trupë profesionale që i kontribuon shtimit dhe kursimit të vlerës së parave publike, duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të qeverisë e të enteve të tjera publike nëpërmjet auditimit, duke fituar në këtë mënyrë besimin e palëve te interesit në qeverisjen e sektorit publik.
Sigal