Elda Berisha: “Gjëja më e bukur në jetë është të kesh një fëmijë të cilit t‘i falësh dashuri”

1166
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore qytetare, Elda Berisha: Pa këngë jeta është gri!

Ka gati 18 muaj që është bërë nënë për herë të parë. Është e pafund lumturia që i ka falur Rosheli, aq sa i ka kushtuar edhe një këngë titulli, i të cilës mban emrin e tij… Këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore Elda Berisha vjen në këtë intervistë me një rrëfim ndryshe, rrëfimin e eksperiencës më të bukur që mund të përjetojë një femër: atë të mëmësisë.

 -Elda, si fillim urime për djalin. Na trego pak emocionet që ndjeve kur more ne krahë Roshelin për herë të parë…

Është e pashpjegueshme ajo që ndjeva kur mora në krahë engjëllin tim, atë që Zoti ma fali për të më bërë të lumtur. Gjatë gjithë shtatzënisë mendoja se si do ishte ai dhe ja ku erdhi momenti që më në fund ta shikoja. Pasi dëgjova të qarat e tij, disa pika lot përshkuan sytë e mi dhe thashë “Faleminderit Zot që ma solle Roshelin në jetë shëndoshë e mirë”.

 -Ke publikuar edhe një këngë që ja ke kushtuar djalit tënd…

Po. Ishte një ide që më erdhi në mënyrë spontane, që më lindi pasi doja t’i bëja një kujtim Roshelit.

-Cila ka qenë vështirësia më e madhe në rritjen e tij gjatë muajve të parë?

Tre muajt e parë ishin shumë të vështirë, pasi Rosheli qante shumë, kjo gjë më stresoi pa masë, duke ma bërë këtë periudhë shumë të vështirë, pasi duke qenë një nënë e re nuk dija si të veproja, çfarë të bëja, cila ishte më e mira për të?! Por vetëm përkushtimi dhe sakrifica e ndihmojnë një nënë të re t’i bëjë ballë çdo vështirësie.

 -Çfarë do të thotë të jesh nënë?

Nënë, një fjalë e shenjtë dhe kuptimplotë, në të njëjtën kohë nënkupton seriozitet, përkushtim dhe sakrificë. Kur bëhesh nënë e sheh veten në një tjetër pikëpamje, je më e përgjegjshme në atë që thua dhe në atë që bën. Unë që kur jam bërë nënë kam një këndvështrim shumë largpamës dhe një karakter shumë të fortë, jam shumë e vendosur në atë që bëj dhe që shikoj në te ardhmen.

-Më trego pak për ëndrrat e tua prej nëne, dëshirat që ke për të ardhmen e Roshelit…

Në këtë drejtim jam pak egoiste. Mendoj se çdo nënë e tillë është për fëmijën e saj. Dua që të rris një fëmijë të edukuar, të pastër, të rregullt, që të mos i mungojë asgjë. Dua që të jetë më i mirë se të tjerët, të jetë lider – jetojmë në një botë të egër dhe nëse nuk je i tillë do ishte shumë e vështirë të mbijetoje. Që kur lindi kam dëshiruar që kur të rritet të merret me diplomaci.

 -A të ndryshon lindja e një fëmije?

Patjetër që po. Mund të them se ndjesia e mëmësisë më ka ndryshuar totalisht këndvështrimin për jetën, veten dhe të ardhmen. Ardhja ne jetë e Roshelit më bëri të ndihem e plotësuar. Çdo ndikim që solli lindja e tij në jetën time ishte për mirë.

 -A ka ardhur momenti për një fëmijë tjetër, mbase?

Fëmijët i dua shumë dhe dua të kem fëmijë të tjerë në të ardhmen. Për momentin po i përkushtohem vetëm Roshelit.

-Na trego për babain e djalit, si jeni njohur dhe çfarë prindi është ai?

Kemi gati 10 vjet që jetojmë bashkë, jemi njohur në mënyrë spontane, por që në fillim lidhja jonë krijoi baza të forta. E ndihmojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, mbi të gjitha për rritjen e birit tonë.

 -Tani flasim pak për anën tënde profesionale. Të ka penguar një fëmijë i vogël në punën tënde, pasi dihet që të duhet të udhëtosh, të punosh me orare të zgjatura, ndonjëherë deri natën vonë…

Fjalën pengesë nuk do ta përmendja. Për mua ky ishte një hap i menduar mirë. M’u desh vetëm një riorganizim i jetës, duke i krijuar vetes mundësinë për të punuar, por edhe për të shijuar rritjen e fëmijës tim. Rosheli është gjeja më e mirë që kam bërë, ai tani është një shtysë pozitive dhe kuptimplotë, aspak pengesë. Pas lindjes së tij bëra një periudhe pushimi nga koncertet e dasmat dhe këngës ju riktheva pasi Rosheli mbushi 10 muaj. Tani kam kapur ritmin e punës, gjatë gjithë verës kam qenë e zënë me evenimente brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 Keni menduar të merreni me politikë?

Aspak. E ku ka politikë më të mirë se kënga? Ajo jep mesazhe dashurie, paqeje, harmonie, gëzimi, hareje, relaksimi.

 Jeni lidhur me shtypin?

Jo rregullisht, zakonisht marrë revistat, por edhe gazetat që më interesojnë.

 Po me librin si i keni marrëdhëniet?

Dikur shumë të fuqishme, por sot puna, fëmija, lëvizjet. Thjesht lexoj kur dëgjoj për ndonjë roman të mirë.

 A ka shoqëri të sinqertë sot?

Është shumë idealiste, por edhe ka. Janë të pakët. Po më mirë pak dhe saktë.

 Ke menduar të jesh larg këngës?

Asnjëherë. Kënga është jeta ime, xhevahiri që më jep hapësirat dhe ndriçon rrugën.

 Je supersticioze?

Ndonjëherë. Në përgjithësi i besoj punës dhe thjeshtësisë.

  Kur ndihesh keq?

Kur shpifin dhe thonë thashetheme që si zë as dera as shtëpia. Por tashmë sikur jam ambientuar dhe me to.

 Ke fyer ndonjëherë?

S’e besoj. S’jam natyrë grindavece.

 Bën kujdes për linjat?

Sigurisht. Ruaj sensin e masës për çdo gjë. Nuk e teproj pasi të qënit këngëtare duhet të kesh dhe pamje.