Sigal

INTERVISTA / Me Piktorin e Popullit dhe sekretarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Skënder Kamberi

F.H.- Urime për detyrën e Sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

S.K.- Ju faleminderit!

F.H. – Ju keni qenë në shumë shtete, edhe në SHBA. Si Iu duk Parisi?

S.K. – Parisi m’u duk një kryevepër arti. Në Paris shkova për të hapur ekspozitën e tre piktorëve të mirënjohur shqiptarë: Ibrahim Kodra, Kel Kodhelit dhe timen (S.K). Ekspozita ishte një mesazh paqeje, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe u hap në sallat e KSBE-së në Strasburg të Francës. Ishte një shans për të tre, ne, piktorët dhe për Galerinë Te & Gi. Meritë për këtë veprimtari ndërkombëtare ekspozuese, ka veçanërisht pronari dhe drejtori i Galerisë TE & GI, Tefik Dedej që i mbuloi të gjitha shpenzimet për këtë aktivitet të rëndësishëm artistik, pa ndihmën e asnjë institucioni kulturor dhe sponsori. Pra, ne, nuk i trokitëm askujt në derë si gjinkalla. Në çeljen e ekspozitës morën pjesë shumë autoritete e përfaqësues të vendeve evropiane, si dhe ministri i Kulturës e Sporteve të KSBE-së z. Raimond Weber, i cili na priti edhe në veçanti në zyrën e vet. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i përgjithshëm i KSBE-së z.Daniel Tarçis. Ai foli me respekt për ekspozitën, pikturën shqiptare dhe Shqipërinë. Ai theksoi sidomos mesazhin paqësor që vinte nga Shqipëria. Vlerësoi, gjithashtu nivelin artistik të veprave të ekspozuara. Pra, ishte shans i madh që autoritetet KSBE-së hapën dyert për t’u njohur me artin viziv shqiptar

( Ibrahim Kodra: Settimana della cultura albanese)

.

F.H. – Ju habiti Parisi?

S.K. – Më befasoi.

F.H. – Të hutoi?

S.K. – Jo, sepse e njihja indirekt Parisin nëpërmjet librit, televizorit, filmave. Pra, s’ishte i panjohur për mua. Kështu që nuk kisha përse të hutohesha. E shkela për herë të parë, por jo se e shihja për herë të parë atë. Për shembull. Kaloja rrugës dhe lexoja: Rruga “Hygo” dhe më kujtonte menjëherë Katedralen e Parisit. S’ishte i panjohur për mua as Sheshi Konkord; nuk ishin të panjohur Kulla Ejfel, Harku i Triumfit, as edhe portreti i vet Ejfelit. Shkurt, i njihja por s’i kisha prekur. Kisha lexuar se Mopasani e pinte kafenë në katin e dytë të Kullës Ejfel. Aty e piva dhe unë si për t’i bërë shoqëri Moposanit.

F.H. – Të kthehemi te ekspozita që hapët në Paris. Si u pritën veprat tuaja?

S.K. – Shumë mirë. Autoritete të ministrisë së kulturës, gazetarë, reporterë, piktorë, dashamirës të Shqipërisë, shqiptarë të diasporës, shprehën konsideratat, kënaqësitë që iu shkaktoi ekspozita. Kënaqësia e çeljes së ekspozitës qe e jashtëzakonshme, por nuk zgjati shumë, pasi na e prishën qejfin ngjarjet tronditëse të 13 – 14 shtatorit. Po perifrazoj këtu thënien e Meternikut se “Kur merr të ftohur Franca, teshtin e gjithë Evropa”. Kështu dhe për ne shqiptarët, kur kur merr të ftohur Tirana teshtin, jo vetëm e gjithë Shqipëria, por edhe gjithë shqiptarët që ndodhen kudo në botë, ato ditë teshtimë edhe ne që ndodheshim në Paris.

F.H. – U njohët me ndonjë piktor francez?

S.K. – Po. U njoha edhe me Omar Kaleshin si dhe piktor francez. Këmbyem me ta kënaqësi reciproke. Kaleshi e pëlqeu shumë ekspozitën, u shpreh me ngrohtësi për pikturat tona. Na ftoi në studio. Dhe ne u kënaqëm dhe i folëm me ngrohtësi për pikturat e tij dhe diskutuam gjatë për problemet e krijimtarisë në pikturë.

(Kel Kodheli:Vajza me kostum popullor).

F.H. – Po Luvri si t’u duk? Besoj se Luvri ishte edhe më i njohur për ty?

S.K. – Po, edhe më i njohur. Që në vitet e Liceut artistik, në Akademi dhe më vonë kam qenë në kontakt me albume të shumta me piktura të Luvrit. Na kanë mbajtur në tonus. Të them të drejtën, albumet nuk kanë munguar, as në bibliotekën time, as në bibliotekën e Lidhjes. Por që të jem realist me albume të tilla nuk binte në kontakt çdo piktor. Kishte kufizime. Kjo bënte diferencën

F.H. – Rafaelo ndenji katër orë para Monalizës (Xhakondës) kur e pa në Studion e Leonardos, po ti sa orë qëndrove para saj?

S.K. – Natyrisht më pak, shumë më pak. Rafaelo ishte vetëm, kurse pas meje qëndronte një radhë e gjatë kolosale njerëzish, vizitorë që prisnin me një durim e kureshtje të jashtëzakonshme ta shihnin. Nëse ne dikur në Shqipëri, zinim radhën për qumësht dhe ziheshim, atje zinin radhën për art e të qetë.

(Skënder Kamberi: Vrana Konti)

FH – Çdo të ishte bota, pa pikturë; sipas S. Kamberit?

SK – S’do të kishte bukuri, po të mos kishte Paris.

“Të mjerë janë të verbrit në botë, por më të mjerë janë ata pa Paris”, thotë Kadare në një poezi të tij për Parisin. S’më harrohet, një nga sallat e Luvrit, ku ish pasqyruar Fransua i Parë, krahas të cilit ishin vendosur dhjetëra e dhjetëra portrete të arkitekteve, piktorëve e skulptorëve, mendja dhe zemra e të cilëve kishin bërë Parisin. Kur pashë San Pietron në Romë, u shtanga para “Pieta” së Mikelanxhelos, por u pikëllova shumë për anonimët, mjeshtëria e të cilëve më tronditi.

-Po në Luver kishte anonimë që tronditnin me mjeshtërinë e tyre dhe a ndjeve dhe ti pikëllim për ta?

– Po të përgjigjem me një mendim të bukur të Dela Kruas, i cili thotë se ka vepra mjeshtërore të realizuara maksimalisht, por më pak art, dhe vepra artistike që nuk kanë shumë mjeshtëri. Franca ka 3 – 4 shekuj që është kampione e artit viziv. Ajo i ka përkrahur mjeshtrit, por i ka lënë vend edhe artistëve, revolucionarë, promotorëve të artit në dekada dhe shekuj. Për shembull Muzeu Orsej, jashtë Luvrit, kishte vepra arti të të gjithë artistëve, të shekullit 19-të nga e gjithë bota por të gjithë këta artistë, që nga Kurbe, Delakrua dhe impresionistë të tjerë, ndryshonin shumë nga njëri-tjetri edhe pse kritikë të ndryshëm bashkëkohës, kishin arritur të mos i kuptonin tendencat, tematikat e ndryshme. Kritikët, kritikonin, këta piktorë padrejtësisht, por papritur dhe artdashësi francez i donte dhe i ruajti veprat e tyre në panteonin e artit. Të tillë artistë nuk mbeten anonimë. Na u shtua edhe një gëzim tjetër kur shkuam në Luksemburg me ftesë të z.Anette Myllink, ku pamë edhe ekspozitën moderne të Manifest 2.

F.H. – A u kthyet më i pasur artistikisht nga Franca?

S.K. – Po. Tani jam më i pasur. U pasurova me diçka që kisha mangët, me diçka që më nevojitej.

F.H. – Ju faleminderit!

S.K. – Ju lutem!

Piktori i rebelimit Skënder Kamberi

Spunto nga ekspozita personale e Piktorit të Popullit, Skënder Kamberi

 

Zakonisht përfytyrimet janë pa ngjyrë, por përfytyrimi im i takimit me Skënderin ka mbetur me ngjyrë, atë mbrëmje të vitit 1956.

Në dosjen e nxënësit të Liceut, një dosje e thjeshtë prej kartoni do të kishte vazhdimisht perla akuareli. Ashtu si perla krijohet nga një kokrrizë rëre akuarelet e Skënderit krijoheshin me një fije letër, me pak ujë, pak ngjyrë dhe shumë talent… Në vaj Skënderi ishte edhe më magjistral. Ai ishte bosi i ngjyrës në gjithë Liceun, kurse në skica dhe krokira s’i gjendet partneri. Më thotë që ta lija valixhen në studion e tij gjer sa të rregullohesha në konvikt. Studio?! Ç’ishte kjo studioi?! Po, po… Skënderi kishte studio. Askush s’ia kishte dhënë. Askush s’ia merrte. Ai e përdorte për të punuar dhe kjo i dukej gjithkujt normale. Skënderin e përpinte dëshira për punë. Punonte më shumë dëshirë “Vetë dëshirën për punë e quaj talent”. Këto fjalë të Gorkit më kujtoheshin shpesh, kur shihja me Skënderin, kur ai punonte me aq dëshirë. Por, talenti i Skënder Kamberit dhe vetë Skënderi ishte sui generis. Skënderi ishte një nxënës i vështirë për pedagogët. Ai e eksperimentonte në ngjyrë, vizatim… Syri Skënderit evidentonte. Pedagogët këtë e quanin – deformim. Skënderi interpretonte. Pedagogët këtë e quanin – pazotësi, mungesë vizatimi. Mëkati i mungesës së vizatimit do ta ndiqte Kamberin gjatë viteve të Liceut, Akademisë e në jetë… Vitet e Liceut u bënë për Skënder Kamberin vite pune dhe eksperimentesh sistematike. Ndërsa ditën punonte me ngjyra, natën gjer vonë, ai punonte vizatime anatomike, studionte perspektivën, duke vizatuar objekte të pambarimtë. Eksperimentonte guximshëm, organikisht, sinqerisht duke iu përgjigjur thirrjeve të brendshme misterioze të shpirtit.

VAJZAT

Venusin e Milosit e pikturonte me jeshile?! Venusi më shumë se një statujë dukej si një trung i veshur me dredhëza të blerta?! Në studio Skënderi po pikturonte një vajzë. Gjysma e portretit oranzhë, gjysma e blertë. Ishte periudha kur ai eksperimentonte në ngjyrë. Portrete të tjerë i kishte blu-rozë. Dukej sikur portretet ishin ca lëndina të ndritura përgjysmë nga një diell portokalli ose rozë. “Kryevepër” i thanë për portretin që po bënte. Ne shokët i pëlqenim eksperimentet e Skënderit, por ato nuk u pëlqenim profesorëve, disiplinës shkollore. Ndaj vlerësimeve, Skënderi, nuk reagonte, por harlisej përbrenda. Kjo kuptohej nga mënyra se si e vazhdonte punën me temperament, me forcë krijuese më të freskëta. Ndaj vërejtjeve reagonte menjëherë me një “Po, po! Ke të drejtë, po nuk ndryshonte asnjë gjë. Vazhdonte në të tijën. Ndërsa të tjerët punonin në vende që të mos s’i shihte kush, Skënderi punonte kudo, edhe në mes të sheshit “Skënderbej”, te këmbët e policit. Mjafton që t’i pëlqente peizazhi. Skënderi e pikturonte Venusin e Milosit me një koncept të ri koloristik. Arrinte një të bardhë brilante, të një cilësie sipërore e cila do të shfaqej e pranishme në pikturën e Skënderit gjatë gjithë jetës krijuese. Ma tregoi. Më pëlqeu shumë. Profesori i pikturës e rroku në qafë. “Po ja kështu more Skënder… kjo është!”. Ajo e bardhë e Venusit do të përsosej më tej në punën e Diplomës. Vite më vonë me bardhësinë e borës në tablonë “Ndihma e shokut”. Këtu përdorimi i së bardhës i kishte kaluar kufijtë e superiores.

Te pusi në Kavalone

Ajo ishte një habi koloristike. U fol se kur shuheshin dritat e ekspozitës dëbora e tablosë zbardhte në errësirë. Si dritë hëne ose si dritë neoni zbardhte bora e tablosë së Skënder Kamberit. Përzbardhnin kristalet e koloristike të dëborës. Si ka mundur ta arrijë këtë piktori? Kush ishte ky piktor ky penel magjistar? Po “Vrana Konti” edhe këtu kolori i piktorit vlonjat do të bënte çudira për të dhënë epikën shqiptare. Nëse pena e Kadaresë e kishte bërë çudinë e saj për të dhënë qëndresën shqiptare, të njëjtën çudi po bënte dhe peneli i Kamberit për të dhënë këtë qëndresë. Po pse s’u ekspozua kjo habi artistike?! Pati dhe vite të tëra që piktori nuk po i ekspozohej as edhe një tablo. Megjithatë ai nuk hoqi dorë nga eksperimentimet e guximshme dhe rezultati nuk vonoi. Lindi tabloja “Buka e duarve tona”. Nëse dikur piktori vlonjat kishte bërë habi me të bardhën perle, tani ai po habiste me të gjelbrën, e blertë. Edhe fusha s’e kishte kaq të bukur gjelbërimin grunor, mjeshtëria dhe pikturimi gjenuine i piktorit e bënte atë më të bukur në tablo. Dukej sikur gruri kishte mbirë në tablo. Gjithandej flitet për një tablo “Vajza e valëve” e pikturuar si me pikla vese. Ku është ajo? Por të mos e lëndojmë më tej piktorin… E para ekspozitë e hapur para pak kohësh në Galerinë Kombëtare? Rebelimi dhe dhimbja bridhnin nëpër tablotë. Rebelimi ishte edhe artistik edhe politikë. Piktori rebelohej kundër gjithë imitimeve dhe snobizmave, epigonizmit, trafareteve që mënjanimin traditën.

Në ullishten e famshme artistike të Vlorës, shikoni se si ka mbetur, ulliri më vajor artistik i piktorit, shpirt det… ( Intervista e realizuar më 1989)