Edona Vatoci shkëlqen me videoklipin e parë

799
Vajza nga Prishtina, Edona Vatoci që duket sikur ka lindur me këngën, që vjen nga një familje artistësh dhe që ka studiuar për piano befason publikun në hapësirën shqiptare me vidoklipin e saj të parë në një zhanër krejt të veçantë. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf” ajo rrëfen fillimet e para, emocionet, aspiratat dhe tw fshehtat e saj.
Qysh nga shfaqja e parë para publikut jeni shoqëruar nga shumë admirues, megjithatë pyetja mbetet: Kush është Edona Vatoci?
Hahaha, nuk e di a e njoh mirë. E di që është 20 vjeçe, e lindur në Prishtinë, Kosovë. Edhe nëse do të rilindte edhe një herë, Edona do të ishte sërish në Kosovë, në kryeqendrën e saj Prishtinën, do të ishte me shumë aspirata dhe do të rizgjidhte sërish të njëjtën dhunti: muzikën. Muzika dhe kënga për mua është vetë jeta.

Përveç teje, a keni pjestarë të tjerë të familjes që kanë lidhje me artin, kulturën dhe sidomos me muzikën?
E gjithë familja e babait tim është marrë me muzikë. Gjyshi ka qenë adhurus i flaktë i muzikës dhe të gjithë fëmijtë e tij kanë ditur të luajnë në një instrument. Babai ka qenë i vetmi i cili më ka përcjell muzikën profesionalisht. Ai është klarinetist.

Kur ka qenë dalja juaj e parë në skenë?
Dalja ime në skenë për herë të parë ka qenë në veprimtarinë e “The Voice of Albania 2”, para diku tre viteve, kur isha vetëm 16 vjeç. Kam kujtime shumë të bukura nga kjo veprimtari, konkurrencën e fortë, trajnerët dhe jurinë mjaft profesionale. “The Voice of Albania” është një mundësi e mirë për të shfaqur talentin e vërtetë dhe që shërben si një shtysë e fortë për të ecur më tej. 
Ku i keni marrë mësimet e para për muzikë dhe kush ka qenë ai që ka zbuluar talentin tuaj?
Me muzikë jam marrë që nga mosha 8 – vjeçare, qysh kur jam regjistruar për të ndjekur shkollën fillore të muzikës dhe kam marrë mësimet e para në piano. Këtë instrument e kam studiuar për 8 vite rresht. Mirëpo pas moshës 15 vjeç kam kuptuar dhe mundësitë e mia për t’u marrë me interpretimin e këngës. Askush nuk e ka ditur këtë dhuntinë time, për shkak sepse kam qenë disi e mbyllur, e turpshme, por më në fund e kam marrë vendimin për të marrë pjesë në një veprimtari muzikore mbarëkombëtare dhe kënduar para publikut në Tiranë. Pikërisht ka qenë kjo kohë që kam provuar aftësitë e mia vokale duke luajtur edhe në piano në maratonën e këngës “The Voice of Albania 2”.

Ndërkaq keni koleksionuar klipin e parë: Kush kanë qenë realizuesit e saj dhe si është pritur ai nga publiku në hapësirën shqiptare?
Kënga, muzika dhe teksti janë bërë nga unë, ndërsa videoklipi është realizuar në bashkëpunim me një grup artistët të rinj dhe mjaft të talentuar. Kështu skenari dhe regjia e klipit mbajnë firmën e Noar Sahiti, xhirimi dhe fotografia nga Dritëro Mehmetaj, ndërsa montazhi nga Lum Çitaku. Për veshjen time u kujdes stilistja e njohur Venera Mustafa, ndërsa për grimin Mjellma Doli. Klipi është pritur mjaft mirë, rezultati ka qenë mjaft befasues për shkak se nuk është shumë e zakonshme që për një video me këngë të këtij zhanri të ketë kaq shumë shikues, admirues dhe komente. Gjej rastin për të falenderuar të gjitha ata që e kanë parë dhe shijuar videoklipin tim të parë. Jam impresionuar nga konsideratat jashtëzakonisht të mira dhe i falenderoj me gjithë shpirt. Në fund të fundit ato janë një vlerësim për punën mjaft të sinqertë dhe të lodhshme. Dua të shtoj se edhe prej shtypit të shkruar dhe viziv videoklipi është pasqyruar gjerësisht.

Shumë këngëtarë shqiptarë dhe jo vetëm preferojnë të këndojnë në disa klube admiruesish, a keni edhe ju një të tillë?
Paj, ditë e natë ka qenë vendi ku për herë të parë kam kënduar këngët e mia, edhe vendi ku për herë të parë kam promovuar këngën time të parë (Hala) edhe zakonisht aty janë gjithmonë njerëzit që kanë qef me m’ndëgju mu duke performuar. Kështu që ditë e natë është shtëpia ime, edhe është vendi ku shumë potenciale të mëdha të skenës së vogël alternative mblidhet edhe performojnë këngët e tyre tepër të mira.
Sigal