Edmond Zhulali: Ky festival është më i vështiri, por dhe më i bukuri

79

INTREVISTA. Flet Drejtori Artistik i Festivalit të 52 në RTSH, Edmond Zhulali

 Festivali i 52-të i këngës së muzikës së lehtë në RTSH, po afron. Në këtë festival do të ketë 16 këngë, që për drejtuesin artistik Edmond Zhulali është një risi që ka kaluar testin më të vështirë. Në fazën e përzgjedhjes është bërë një punë korrekte, që vlerësimet të ishin reale dhe të pakontestueshme. Sipas Zhulalit, ky festival do të ketë një juri prej shtatë vetësh dhe në natën e tretë do të këndohen të 16 këngët konkurse.

 Kush është risia  që sjell Festivali i 52 në RTSH?

 Ky festival për mua do mbetet në mendjen e shumë shikuesve për shumë vlera të jashtëzakonshme, pasi mbështetet tek tradita, pjesa më e rëndësishme e artit  muzikor dhe kryesisht të këngës së muzikës së lehtë shqiptare. Ky festival, për shikuesin shqiptar do të përmbajë emra më të rëndësishëm të kompozimit, të vokaleve, dirigjimit,  pasi ky festival është vendi ku ka fillesat muzika e festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare qysh në hapat e para të saj.  Mendoj se, ndryshimet në këtë festival janë mënyra strukturore, gjë, e cila solli mënyrën e përzgjedhjes së këngëve të pranimit në festival. Unë dua që në fillimet e festivalit të evidentoj se, ky festival u ndërtua me 16 këngë të reja dhe krahas tyre së bashku me këngëtarët që marin pjesë në konkurrim, u përzgjodhën dhe 16 këngëtarë të tjerë me kontribute në festivale, të cilët publiku i njeh shumë mirë në arritjet e tyre artistike, të cilët do të këndojnë një duet një këngë të kënduar së bashku me këngëtarin konkurrues. Por kjo këngë nuk do të jetë e kënduar më parë as nga këngëtari konkurrues, as nga këngëtari  që do të jetë në duet me këngëtarin konkurrues. Kjo është një formulë e re e pranueshme, edhe për të sjellë diçka të re, për vetë faktin se përzgjedhja nga juria përzgjedhëse ishte shumë e vështirë, sidomos në fillimet  e selektimit, pasi sa më pak këngë të pranohen, aq më e vështirë bëhet mënyra e selektimit. Kjo solli këtë veçori, këtë risi dhe mënyrë zhvillimi të Festivalit të 52. Tjetër e veçantë është se në natën finale nuk do të ketë seleksionime gjatë ditëve, por të 16 këngët do të këndohen edhe në ditën e tretë, pra në natën finale.

 Po në natën e parë sa këngë do të këndohen?

Në natën e parë do të këndohen tetë këngë dhe të tetë këngëtarët do të këndojnë në duet jashtë kualifikimit nga një këngë tjetër, pra do të bëhen 16 këngë (do të jenë këngëtarët e ftuar). Pra “x” këngëtar do të këndojë dhe një këngë me një këngëtar tjetër që nuk është pjesëtar i festivalit, ku kënga që do të këndohet nuk është kënduar më parë nga asnjë prej dy këngëtarëve. Këngëtari i dytë nuk është pjesëmarrës në konkurrim. Kjo e bën tërheqëse këtë festival. Në të dy netët ne do t’i sjellim shikuesit shqiptar edhe 16 këngë të vjetra, e cila është bërë në marrëveshje mes nesh dhe këngëtarëve këto këngë do të jenë këngë të bukura, këngë të suksesshme, të cilat janë kënduar në festivale të ndryshme më përpara. Njëkohësisht dhe këngëtarët do të jenë ata që kanë pasur suksese me këngët e tyre në festivalet e mëparshme (pra flas për këngëtarët jashtë konkurrimit).

 Në këtë moment që flasim çfarë është realizuar?

Janë realizuar të gjithë elementët e domosdoshëm për festivalin, pra janë përcaktuar këngët fituese, por edhe ato që do të përsëriten në duet. Çmimi do të jepet në natën e tretë, ku në finale do të jenë të gjitha këngët dhe juria do të tërhiqet pas përfundimit të konkurrimit për të vlerësuar fituesin. Pra, kjo shmang shuam njëanshmërinë në vlerësim.

 Besoj çmimet do të jenë si në të gjitha festivalet?

Po, çmimet do të jenë po ato. Do të ketë një çmim të parë, një çmim të dytë dhe një të tretë. Çmimi i parë sipas traditës që tashmë ka vite që dihet nga shikuesi ynë do të jetë pjesëmarrëse në Festivalin Europian.

 A është përcaktuar juria e këtij Festivali?

Ne jemi në fazën e fundit të përzgjedhjes së jurisë dhe ajo çka mendoj është se ne duhet të zgjedhim, (ku unë së bashku me drejtuesit e institucionit kam përgjegjësi) anëtarë dinjitozë, anëtarë jo vetëm përsa i përket anës profesionale, por  edhe integritetit të tyre moral, sepse është shumë me rëndësi  dhe kjo pjesë. Kemi shumë personalitete që po i diskutojmë, ku në fund do të nxjerrim shtatë anëtarë të jurisë, të cilët do të japin mendimin e tyre, direkt, të pavarur, të pandikuar për çmimet e këtij festivali. Të gjitha emrat që ne do të bëjmë publik pas disa ditësh do të jenë emra të pranuar nga të gjithë, jashtë asnjë ndikimi, ku asnjë prej tyre s’do të ketë asnjë lidhje me këngëtarët që konkurrojnë qoftë edhe të rastësishme.

 Pra, tashmë ky festival ka kthyer këngën direkt, pa superpozim?

Qysh pas Festivalit të 50-të, Festivali i RTSH, nuk zhvillohet me superpozim, pra zhvillohet live (direkt) në të gjitha komponentët dhe ajo që është pjesa më e rëndësishme është formacioni orkestral, e cila këtë vit është përbërë nga Orkestra Simfonike e RTSH dhe nga një formacion i vogël Bend, i muzikës së lehtë. Ky orkestrim i vogël i vishet orkestrës Simfonike të RTSH. Me orkestrën Bend është  punuar në veçanti, janë bërë provat dhe mendojmë se do ketë harmoni. Në orkestrën Bend bëjnë pjesë tre kitara, një bateri, organo, etj., që përbëjnë këtë orkestracion kaq cilësor. Për këtë orkestër ka punuar në mënyrë të veçantë kompozitori Alfred Kaçinari, i cili njëkohësisht së bashku me mua është dhe producent muzikor i këtij festivali. Njëkohësisht me mua si Drejtor Artistik është dhe kompozitori Shpëtim Saraçi  me të cilën kam diskutuar shumë për mbarëvajtjen e Festivalit. Ky festival  është njëkohësisht dhe produkt i një zyre që është ngritur pranë Radio- Tiranës, e cila ka disa vjet që funksionon. Në këtë zyrë janë gjithmonë unë, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi. Me këtë grup kemi realizuar të gjithë festivalet e muzikës së lehtë live si dhe dy Festivale të Këngës Popullore qytetare. Është realizuar dhe Hit Festi dhe një Festival për Fëmijë, ku fituesi ka marrë pjesë në Festivalin Europian të Këngës së Muzikës së Lehtë për Fëmijë. Pra është një punë e madhe që na është  ngarkuar dhe që ne e kemi realizuar me shumë seriozitet. Por për të gjitha le të na vlerësojë publiku dhe artdashësit.

 Po skena e këtij Festivali, a do t’i përshtatet kësaj orkestre mikse?

Në këtë pyetje unë dua të flas edhe për bashkëpunëtorët e mi. Regjisor do të jetë Petri Bozo, Adnan Kastrati, skenografist,  skenariste Alda Bida, si dhe dirigjent Jetmir Brabullushi, me dy shokë të tij, po punohet shumë për një skenografi bashkëkohore, ku do të ndërthuren elementët klasik me ato bashkëkohor, ku midis ndriçimit do të jetë dhe Orkestra e madhe Simfonike, e cila zë vend kryesor në sfond, ku ndriçimi do të jetë funksional. Pjesa skenike dhe ajo vizive do të jenë në unitet, ku të gjitha elementët do të harmonizojnë dhe plotësojnë njëri- tjetrin. Po punohet shumë në skenografi dhe ndriçim. Disa elementë kryesorë do të jenë dhe disa inserte të vogla që plotësojnë figurën e këngëtarit që të njihet sa më mirë nga spektatori.

 Po kur flasim për prezantuesin?

Edhe këtë vit prezantimin ja besuam Enkel Demit, i cili këtë herë do të jetë me dy femra emrat e të cilave do të bëhen prezent momentin e duhur. Enkeli e pranoi sërishmi këtë prezantim me risitë e saj. Nata finale do të jetë shumë interesante, pasi në momentin që kanë kënduar të 16 këngëtarët dhe juria tërhiqet për të bërë vlerësimin, për të zbardhur vlerësimet, për spektatorët do të ketë një shou artistik që nuk do ta bëj publik sot, që publiku ta ketë surprizë. Ndër të ftuarat do të jetë këngëtarja daneze që fitoi çmim të parë vitin e kaluar në Eurovizion  si dhe Helajda Dani, njëkohësisht kënga “Këputa një gjethe dafine” do të vijë në një ripunim timin si dhe do të ketë një trup baleti të përgatitur nga Arjan Sukniqi.