Edmond Budina: Sot prej mendjeshkurtësisë, makutërisë e injorancës së politikës filmi shqiptar u shpërbë, u rrop, u vodh

641
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” aktori dhe regjisori Edmond Budina

Edmond Budina, emër i spikatur i shesh xhirimit ndërkombëtar. Aktori, regjisori dhe skenaristi që ka kaluar dimensionet e artit shqiptar, duke u vlerësuar edhe jashtë kufijve, tashmë do të nisë xhirimet e filmit më të ri, që do të jetë një bashkëprodhim shqiptaro-italo-maqedonaso-bullgaro-francez. Edmond Budina, aktori i shumë roleve si në filma ashtu edhe në teatër, shprehë gjatë intervistës vështirësitë e tij pas largimit nga Shqipëria për të arritur deri në këtë sukses. Arsyet pse sot prodhohen më pak filma shqiptarë dhe vlerësimi i artistëve në optikën e një përfaqësuesi të denjë të kinematografisë sonë.

Ju i keni shtuar vlera kinematografisë shqiptare edhe vitet e fundit, kur ne shikojmë një zbehje të prodhimtarisë filmike. Sa e vështirë është për ju të jetoni në një vend tjetër dhe të realizoni filma duke dhënë kontributin tuaj që të njihet arti shqiptar edhe jashtë kufijve?

Të rifillosh jetën nga e para, sikundër ndodhi me mua në vitin 1992, natyrisht që nuk është e lehtë. Për të shpërfaqur aftësitë e tua e të hysh në jetën kulturore në një vend si Italia, që ka traditë e konkurrencë të fortë në fushën e artit, është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Vështirësitë janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga fillestarja, mbijetesa, ose të siguruarit e bukës së përditshme, të cilën nuk ta fal kush. Ndonëse ne ishim të ftuar prej shtetit italian, na u desh të përveshnim mëngët, pasi premtimet që na ishin bërë nuk u mbajtën. E rëndësishme është të mos demoralizohesh e të thyesh, të mos heqësh dorë prej ëndrrës, qëllimit, asaj që do të arrish. Ëndrra ime ishte të mundja të vazhdoja profesionin tim edhe atje. Ajo që kisha humbur përjetohej me dhimbje në një realitet krejtësisht të ri e të panjohur. Më kujtohen ditët e para të qëndrimit në një hotel afër Padovës, që shtyheshin me zor e ishin të mërzitshme, sepse ishim si të izoluar. Fillova t’i mbush ditët duke shkruar një skenar, të cilin e kam ende në sirtar. Ose më pas, kur me liretat e kursyera shkova të shihja shfaqjen “Vdekja e komisionerit”, të Artur Milerit, shfaqje e vënë në skenë edhe në Tiranë e unë isha pjesëmarrës. Është e pashlyer dhimbja e brendshme duke parë personazhin që kisha interpretuar, tekstin e të cilit e përsërisja në mendje e lotët me rridhnin vetiu. Pikërisht përgjatë asaj shfaqjeje m’u forcua bindja për të mos u dorëzuar e pata nxitjen të reagoja. Shkova të takoja në kabinën e tij, protagonistin e shfaqjes, njërin prej aktorëve më të shquar italian, Erico Maria Salerno. Ai më priti me shumë përzemërsi e më kërkoi t’i tregoja diçka timen. I dhashë skenarin që kisha shkruar atë kohë. Me një korrektësi që ishte për t’u admiruar, ai jo vetëm e lexoi, por më ftoi të bisedonim. Skenari e kish befasuar dhe më këshilloi të mos i ndahesha asaj rruge. Shkëmbyem numrat e telefonit për mundësinë e përfshirjes sime në njërën prej shfaqjeve të tij, por për fat të keq kjo s’u realizua, sepse ai u nda nga jeta pas pak kohësh. Ajo ishte shtytja e parë që më dha një lloj besimi. I nxitur prej saj kontaktova një tjetër aktor të njohur, i cili më premtoi se do të më angazhonte në shfaqjet e njërit prej teatrove ku ai interpretonte, por…telefoni binte në boshllëk, nuk përgjigjej kush. Edhe zhgënjimet kanë pjesën e tyre në arritjet e mija, se përveç që bëhen mësim, më rritin këmbënguljen, inatin për t’ia dalë mbanë. Kështu ndodhi kur i punësuar pranë “Ipotesi Cimena”, shkolla kinematografike e Ermano Olmit, si gjithçka bërës elektricist, punëtor, asistent regjisor, rekuizitier u ndodha në njërën prej takimeve të tij me studentët. Ai po dëgjonte subjektet e filmave të shkurtër që do t’i realizonin për Rai-in. Në fund të takimit brenda meje bërtita: “Unë do të shkruaj një subjekt shumë më të mirë se këta”. Me t’u kthyer në shtëpi u ula dhe brenda natës shkrova një skenar me metrazh të shkurtër, që ishte zanafilla e filmit “Letra ere”. Gjithçka që kam arritur të bëj, qysh prej roleve në teatër, kinematografi, apo televizion deri tek realizimi i filmave të mi, ka qenë një rrugëtim i gjatë, i vështirë, që shpesh më ka kërkuar të bëj sakrifica. Vështirësitë për të realizuar sot një film, veç atyre artistike, janë nga më të ndryshmet, por ajo që të lodh më tepër është gjetja e financimeve. Jo gjithmonë ia arrin të mbledhësh e të organizosh një bashkëprodhim të suksesshëm. Natyrisht kur kjo realizohet është njësoj si të kesh fituar një betejë, kënaqësia është e pakrahasueshme. Unë kam pasur fatin që të dy filmat e mi, veç festivaleve, të jenë shpërndarë në rrjetin e kinemave në Itali e vende të tjera. Shitja e dvd se “Ballkan Pazar”, jo vetëm në videotekat, por edhe në libraritë Feltrinelli apo Mondadori në gjithë Italinë, është jo vetëm një kënaqësi e imja, por edhe e shqiptarëve që gjejnë veten e ndjehen krenarë për kulturën e artin e tyre. Këtë e kam parë, e kam prekur kur ata më shkruajnë ose dërgojnë fotot me kopertinat e dvd ose reklamat e filmit. Nuk ka besoj njohje më të mirë për artin shqiptar kur dikush thotë që u dashurova me Shqipërinë pasi pashë filmat…kur spektatorët e huaj të ndalojnë në rrugë e përgëzojnë për ato që ke bërë, ose kur kritikë të njohur shkruajnë “Ka një vend të ri në hartën e kinemasë evropiane, Shqipëria. Këtë e themi pasi kemi parë Letra ere”.

Ju keni bashkëpunuar me emra të njohur si nga Itali ashtu edhe nga vende të tjera. Si do i konsideronit këto bashkëpunime? Kanë ofruar mundësi të reja për ju?

Çdo bashkëpunim është një mundësi, një investim më shumë për të realizuar një tjetër në të ardhmen. Në një farë kuptimi e quaj veten me fat, që kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me regjisorë, aktorë ose producentë të njohur, jo vetëm italianë. Kjo më ka ndihmuar të pasurohem me përvoja të reja, mënyra të reja pune, koncepte të ndryshme prej atyre që kisha mësuar në Shqipëri. Përfitimi më i madh besoj se është hapja e mendësisë, për t’i parë gjërat në një tjetër këndvështrim, duke respektuar opinionin e gjithsecilit e të mos jesh imponues e intolerant. Bashkëpunimi me Rai-in p.sh më ka mësuar se si mund të punohet me ritëm të lartë, shpejtësi e cilësi. Çdo të thotë përsosje në organizim, një nga elementet kryesore të sheshit të xhirimit. Prej regjisorit të njohur Ken Loach kam mësuar se si mund të punohet, kërkohet e nxirret maksimumi prej aktorëve që nuk janë profesionistë. Prej Diego Abbatantuono se si mund të improvizohet para kamerës e kështu me radhë. Pra çdo njohje dhe punë e re, është një përvojë më shumë, që të pasuron e pavetëdijshëm shtresëzohet brenda teje, për t’u shpërfaqur e përdorur më pas në punët e tua. Unë jam një “hajdut” i mirë, domethënë di të vëzhgoj, të “vjedh”, të përfitoj prej përvojave të të tjerëve, qofshin këta edhe të rinj, të njohur ose të panjohur. Do ose s’do bashkëpunimet janë një pasuri që dikur do të të shërbejnë. Është si të hysh në një mekanizëm që të shtyn përpara. Kështu një punë sjell tjetrën, një njohje sjell pasardhësen. Dikush të sheh, të pëlqen, të prezanton ose rekomandon tek dikush tjetër e gradualisht fillon e bëhesh pjesë e asaj bote të cilën e dëshiron dhe e ke ëndërruar. Së paku kështu ka ndodhur me mua. Pa dyshim kjo ndodh në rastet kur ti punon individualisht, je në kërkim të përhershëm për të shpërfaqur më të mirën tënde.

Të bëjmë pak retrospektivë. Si ishte kinematografia në komunizëm?

Kinematografia në kohën e komunizmit ishte një nga mjetet më të fuqishme të propagandës e duke ia ditur rëndësinë, sistemi i atëhershëm i jepte përparësi. Jo pa qëllim u krijua kinostudioja “Shqipëria e Re” ku qenë të punësuar rreth njëmijë punonjës të profesioneve nga më të ndryshme, të specializuar e të studiuar edhe jashtë vendit. Atëkohë janë prodhuar me qindra mes kinokronikave, dokumentarëve, filmave vizatimore e artistikë. Sot ato janë një pasuri e jashtëzakonshme për të kuptuar, zbuluar e studiuar një periudhë të caktuar historike, sikundër ishte ajo e kohës së komunizmit. Megjithë kufizimet ideologjike, që shpesh dëmtonin cilësinë artistike, në atë kohë janë krijuar vepra me vlerë, të cilat shihen sot me kënaqësi. U krijuan breza kineastësh e specialistësh, të cilët kanë prodhuar deri në katërmbëdhjetë filma artistikë në vit. Ajo që të dhemb është shkatërrimi total i atij institucioni që dikur quhej “Kinostudioja Shqipëria e Re”. Ndonëse e ngritur për qëllime propagandistike ishte një qendër që i bënte njerëzit të ëndërronin, ishte një vatër ku lëvroheshin edhe idetë liberale për kohën, një lloj oazi lirie. Sot prej mendjeshkurtësisë, makutërisë e injorancës së politikës ajo u shpërbë, u rop, u vodh. Një pasuri kombëtare e pazëvendësueshme nuk është më. Në vitet e tranzicionit, që ende s’ka fund, u zaptuan toka e prona, u privatizuan dyqanet prej shitësve, në fabrika iu dha përparësi punonjësve, ndërsa zërave e protestave të artistëve e punonjësve të kinostudios askush nuk ia u vuri veshin. Së fundmi edhe QKK është detyruar të ngushtohet si në një garsoniere, sikundër dikur të detyronte të jetoje partia e punës. Në shumë vende të lindjes simotrat e kinostudios jo vetëm u ruajtën, por u fuqizuan, u modernizuan e sot janë qendra të rëndësishme krijimtarie kinematografike, që sjellin të ardhura, punësim e për rrjedhojë ndikojnë në ekonomitë e atyre vendeve. Nëse edhe tek ne do të qe ndjekur e njëjta politikë, sot në vend që prodhimet kinematografike, deri ato amerikane, të shkonin në vendet fqinje mund t’i derdhnin të ardhurat e tyre tek ne.

A vlerësoheshin artistët?

Sikundër të gjitha sistemet diktatoriale edhe ai i yni, ia u njihte rëndësinë e ia u kishte frikën artisteve, jo pa qëllim ata konsideroheshin “ndihmës të partisë në edukimin e masave”. Artisti ishte përherë në qendër të vëmendjes së opinionit, vlerësohej shumë prej publikut. Kishte prej tyre që koleksiononin edhe fotografitë e aktorëve, këngëtarëve etj. Në një farë mënyre ishin të adhuruar e bëheshin shembuj për t’u imituar, ndërkohë që shpërblimin e kishin njësoj si gjithë punonjësit e tjerë. Për këtë arsye ata mbaheshin nën kontroll prej mekanizmave shtetërorë e partiakë e disa prej tyre janë dënuar në forma nga më të ndryshmet për t’u bërë shembull për të tjerët. Në dukje ishin të “privilegjuar”, por në realitet jo. Sikundër tani jepeshin tituj e medalje, por jo gjithmonë për merita, por për shërbimin e afërsinë që kishin me sistemin, njohjes, miqësisë me zyrtarët shtetërorë e partiakë. Nuk është se tani ka një vlerësim të veçantë për artistët e kjo duket në politikat që ndiqen për kulturën, që konsiderohet si vrima e fundit e kavallit.

Pra sistemi i kaluar ka ndikuar në numrin e lartë të prodhimit të filmave, por përveç kësaj kishte arsye të tjera që pse bëheshin aq shumë filma dhe sot jo?

Shteti interesohej për kinemanë dhe kishte një institucion të veçantë punonjësit e së cilës paguheshin pikërisht për prodhimin e filmit, kishte një strukturë të ngritur e të specializuar për këtë. Kur ishte e nevojshme viheshin në dispozicion të filmit ndërmarrje të tëra për t’u përdorur figurantë në skenat masive. Prodhimi i filmit kishte një kosto të ulët në raport me atë çka është sot, ku ndonjë ditë do të na privatizojnë edhe ajrin. Sot është e pamundur të realizosh një film pa bashkëprodhime të huaja. Duke u shkatërruar struktura e kinemasë u larguan specialistët e për këtë sot je i detyruar të marrësh të tillë nga jashtë, që kanë një kosto jo të vogël. Për të realizuar sot një film është stërmundim i jashtëzakonshëm që kërkon shumë energji për të siguruar financimet. Qysh prej idesë e deri në realizimin e filmit kalojnë vite të tëra e ndodh që të braktisësh një projekt sepse nuk ia del dot. Koha e harxhuar për probleme jashtë artistike, stresi që të krijohet bie ngandonjëherë mbi krijimtarinë, cilësinë e kënaqesh me faktin që më së fundi ia arrite ta mbyllësh projektin. Unë nuk mendoj se nuk kemi forca krijuese, përkundrazi Shqipëria ka një popullsi të re me shumë energji, por ata janë të flashkët për faktin se nuk përkrahen sa duhet, nuk nxiten, nuk kanë motivim. I rëndësishëm është fakti që me gjithë këto mundësi të pakta, kineastët shqiptarë kanë arritur të realizojnë vepra që sot konkurrojnë me shumë dinjitet në skenat ndërkombëtare. Sot nuk ballafaqohesh vetëm me prodhimet e tua, por me një botë të tërë e gradualisht, në raport me atë çka ne prodhojmë, kemi bërë hapa përpara. Kam besimin e bindjen që kinemaja jonë është në prag të një hopi cilësor.

Ju jeni një personalitet i filmit shqiptar. Çfarë do të donit që në ditët e sotme të konkretizohej në këtë fushë?

Së pari do të doja një strategji largpamëse për kulturën shqiptare në përgjithësi, një përkujdesje prej ligjvënësve, që të krijonin kushte më të mira për nxitjen e krijimtarisë artistike. Rritjen e fondeve për QKK, e cila po bën ç’është e mundur për të rritur sasinë, cilësinë e prodhimeve tona kinematografike. Po krijon kushte për një njohje sa më të mirë të tyre nëpërmjet kontakteve ndërkombëtare. Këtu kam parasysh edhe stendën tonë në Festivalin e Berlinit, ku si asnjëherë më parë morën pjesë një numër i konsiderueshëm krijuesish, producentësh e gazetarësh. Të bëhet ajo që e kanë shumë vende evropiane, të shkarkohen prej taksave ata që investojnë në fushën e kinemasë. Do të doja një sensibilizim më të madh e përkujdesje edhe prej biznesit privat që të sponsorizonte e investonte më shumë në këtë fushë. Do të doja një formim më të madh kulturor të spektatorëve, ndërgjegjësim e shkuarje më të madhe në kinema. Sot jemi të mbytur me stacione televizive, internet etj, ku mund të shohim gjithçka, por asgjë nuk mund ta zëvendësojë sallën e kinemasë, shijen që ndjen kur e sheh në grup e emocionohesh së bashku. Magjia e kinemasë shijohet në kinema. Investimi në fushën e kulturës në pamje të parë duket jo frutdhënës, por në fakt nuk është kështu. Në fushën e kinemasë, për shembull, Shqipëria mund të tërheqë financime të huaja të cilat mund të shpenzohen këtu, sikundër bëjnë shumë vende të tjera. Së fundmi u shfaq në Zvicër një film ku isha pjesëmarrës si aktor dhe produksioni zviceran mori prej regjionit të Trentino Alto Adige një shumë prej treqind mijë eurosh, me detyrimin që të xhironte atje dhe të shpenzonte dyfishin. Llogaria qe e thjeshtë dhanë një e morën dy. Kështu veprojnë shumë vende. Investimi në fushën e kulturës është po ashtu afatgjatë. Sa më tepër t’i ushqejmë njerëzit me kulturë, aq më të qytetëruar do të jenë, më të zbutur do t’i kenë shpirtrat e më të kthjellëta mendjet e për rrjedhojë më pak grushte në parlament, më pak abuzime me ambientin, më pak vjedhje, agresivitet e tritol…

Adele, vajza juaj, sa e përfshirë është në kinematografi?

 Adele që kur ka qenë tetë vjeçe ka marrë pjesë në një dokumentarin tim. Pastaj ka qenë pjesëmarrëse në një film me metrazh të shkurtër e më pas tek Letrat e erës, ndërsa tek Ballkan Pazar ka qenë pjesë e produksionit. Gjithçka që shkruaj ose ideoj ka si pikënisjeje Adelën, që është lexuesja ime e parë e po ashtu edhe kritikuesja e parë. Është një pikë referimi e rëndësishme për mua e përfshirë në gjithçka që bëj.

Cilët nga filmat tuaj mendoni se ka arritur suksesin më të madh?

Nuk mund të them se cili ka pasur suksesin më të madh se ndërsa ‘Letrat e erës’ ka shkuar në më shumë festivale dhe ka marrë vlerësimet maksimale prej kritikës, ‘Ballkan Pazar’ ka pasur shikueshmërinë më të madhe, numër më të madh spektatorësh. Dvd e tij është shpërndarë nga Cechi Gori group, shtëpia më e fuqishme e homevideo në Itali. Në të dyja rastet jam ndjerë shumë mirë dhe pritshmëria ka qenë e madhe. E sigurt është që të dy filmat, secili në mënyrën e vet, kanë bërë shumë zhurmë, qoftë jashtë, qoftë brenda vendit. Ia lë spektatorit të përzgjedhë.

Në planet tuaja tashmë është realizimi i një filmi të ri. Çfarë mund të zbulojmë për lexuesit?

Së fundmi jam në prag të realizimit të një filmi të ri, që do të jetë një bashkëprodhim ndërkombëtar, shqiptaro-italo-maqedonaso-bullgaro-francez. Sikundër shihet ka një pjesëmarrje shtetesh, që të japin besim për vetë faktin që kanë pranuar të jenë pjesë e bashkëprodhimit, sepse besojnë në këtë projekt, por nga ana tjetër të rritin edhe përgjegjësinë për të realizuar një vepër me sa më dinjitet. Skenari është një temë e ditës, raporti i një babai me djalin e tij, por ku ndërthuren në mënyrë të natyrshme edhe korrupsioni, ndotja e ambientit, një temë që pothuajse nuk është trajtuar fare në Shqipëri. Në të zbulohet Shqipëria e sotme me të mirat e defektet e saj, me njerëzit e moralshëm e të pamoralshëm, me peizazhin kontradiktor, botët shpirtërore përherë të trazuara. Shpresoj që edhe me këtë film të trazojmë mendjet njerëzore e të japim kontributin tonë modest në ecurinë e kinematografisë shqiptare.

Freskida Miloti