Edlira Çepani dhe Gerti Bogdani: Jeta jonë mes familjes, politikës dhe Shoqërisë Civile

869
Ëngjëll MUSAI

Gerti Bogdani: Shqipëria, në një udhëkryq të rrezikshëm


*Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike
Kjo verë ka qenë e ngarkuar me Reformën në Drejtësi, cili do ishte mendimi juaj, jo vetëm për reformën, por edhe për situatën në të cilën është drejtësia shqiptare? 

Bogdani: E tillë ka qenë dhe më mirë kështu, sepse për mendimin tim, nëse do të kalonte vera pa u votuar dhe do pritej sezoni i ri parlamentar, mbase do ishte shumë vonë dhe nuk do të kishte një rezultat pozitiv. Besoj që këmbëngulja e partnerëve tanë, sidomos nëpërmjet figurave të larta, në radhë të parë nga SHBA e më pas nga BE, bënë që të gjitha palët të bien dakord dhe ta votojnë këtë reformë. Reforma në Drejtësi është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse siç e kam thënë edhe më parë, Shqipëria është në një udhëkryq shumë vendimtar, por edhe të rrezikshëm. Në këto momente besoj vendoset nëse Shqipëria do të bëjë një hap pozitiv përpara drejt një rruge të drejtë dhe më një fije shprese në fund të tunelit për qytetarët e vet, apo do të vazhdojë të rrëshqasë prapa. Besoj dhe shpresoj që reforma në drejtësi dhe njësia anti-korrupsion (apo Byroja Kombëtare e Hetimit, siç njihet tashmë) do të ndihmojnë në këtë drejtim. Sepse, nëse Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë ndonjëherë shpresë për një të ardhme më të mirë, ajo fillon nga lufta reale ndaj korrupsionit. Në këto 25 vite tranzicion korrupsioni ka qenë pjesë e pandashme e jo vetëm e drejtësisë shqiptare, por e politikës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. E në këto tre vite të fundit të kësaj maxhorance, të Rilindjes, është konsoliduar në ekstrem dhe është kthyer në sistem. Fakti që çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë numërohen me gishtat e një dore; apo që persona përgjegjës për vjedhje disa miliona eurosh, jo vetëm që nuk dënohen por edhe dëmshpërblehen për ‘shqetësimet’ që i krijohen; apo që biznesmenë që me luksin e tyre i marrin jetën qytetarit të thjeshtë apo turistit të huaj; apo që fëmijët e nëpunësve të administratës bëjnë parada në internet e në Bllok, sikur të ishin bijtë e Rokfelerëve, tregon shumë qartë se në çfarë pike ndodhet jo vetëm drejtësia shqiptare, por edhe politika shqiptare në përgjithësi. Ndaj edhe njëherë e theksoj, shpresoj dhe besoj që një hap që duhet të ndalojë këtë inerci dhe të ndryshoje drejtimin, është pa diskutim reforma në drejtësi. Ashtu sikurse u votua, me konsensus të të gjitha palëve, pa e shndërruar thjeshte në një vegël të Kryeministrit, i cili pavarësisht deklaratave publike, deri në momentin e fundit u mundua ta kthejë në një vegël personale dhe ta kishte drejtësinë të ‘rilindur’ e jo të ‘reformuar’.

Ka një shprehje popullore, që thotë se “puna e natës është gazi i ditës”. Mendoni se vendosja e afateve e tensionoi më shumë situatën dhe krijoi një ngërç në vazhdimësinë me ligjet e tjera, pjesë e paketës së reformës?

Bogdani: Siç e thashë edhe më sipër, po të mos ishte për presionin e afateve dhe trysninë e partnerëve tanë, nuk do të kishte fare ‘punë nate’ siç thoni ju. Dhe shqiptarët nuk do të kishin shpresën, që mbase ata që vjedhin dënohen, që mbase mund të ketë një të ardhme më të mirë edhe në këtë vend.

Ka pasur një lloj “rebelimi” të disa deputetëve demokratë, të cilët më shumë se parimet dukeshin sikur ishin të kapur nga dikush për të krijuar përçarje në radhët e së djathtës. Ju si do e komentoni?

Nuk e shoh si lloj ‘rebelimi’, sepse zakonisht ata që udhëheqin rebelime janë njerëz që kanë mbështetës të panumërt nga pas. Në këtë rast nuk shoh ndonjë ‘lider’ të tillë. Por është e vërtetë, loja nëse mund të quhet e tillë, ka qenë shumë e komplikuar dhe me shumë prapaskena dhe kjo jo thjesht për të krijuar një përçarje në radhët e të djathtës, më shumë sesa për të minuar indirekt një reformë konsensuale që do t’i shërbente të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht Edi Ramës.

Zgjedhjet në Dibër janë një tjetër objektiv për demokratët. Pas dy javësh do kemi zëvendësuesin e Shukriut. Sa e sigurt është PD dhe pse jeni të bindur në fitoren tuaj?

Bogdani: Përgjigjen e jepni ju në pyetjen tuaj, kur flisni për zëvendësuesin e Shukriut! Është një turp për çdo qeveri e parti, që të funksionojë në këtë mënyrë të ulët, duke shfrytëzuar çdo post dhe mundësi pushtetin që kanë për t’i rënë në qafë qytetarëve të vet. Në rastin e Shukriut në Dibër duke kërkuar favore seksuale për një vend pune, e në rastet e Shukrive të tjerë në të gjithë Shqipërinë, duke kërkuar para apo favore për vende pune apo punë publike. Ajo që shqiptarët dhe dibranët panë në ekranin e Ora News, ishte ‘rilindja e grisur’ që kjo qeveri po u sjell këto tre vite, në çdo aspekt që vetëm është përkeqësuar ditë pas dite! Ndaj në zgjedhjet pas dy javësh dibranët kanë mundësinë t’i japin përgjigjen e merituar për nderin e vet në radhë të parë dhe për të mirën e të gjithë të tjerëve në radhë të dytë.

Keni qenë këto kohë, në një angazhim të gjerë me takime në vendet europiane dhe në SHBA, si Sekretarit i Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike. Si shikohet prej tyre situata në vend, po për plantacionet e hashashit është diskutuar?

Bogdani: Situatë shumë e vështirë dhe e ngarkuar, është e qartë tashmë që me reklamën e Lazaratit (që ishte një hap shumë pozitiv në vetvete) qeveria përpiqet të mbulojë qindra Lazaratet e tjera që ka krijuar nga Delvina në Dukagjin. Ky është një shqetësim i madh për partnerët, sepse paratë e drogës nuk pasurojnë thjeshte trafikantët, policët e korruptuar, apo qeveritarët që mbyllin sytë dhe veshët. Ndaj do duhet një luftë e fortë dhe pa kompromis për ta rivendosur edhe njëherë Shqipërinë në hartën dhe listën e vendeve të sigurta dhe për ta hequr nga ‘nyja e trafikut’ siç e cilëson në raportin e fundit Departamenti i Amerikan i Shtetit.

Keni pushuar gjatë kësaj vere dhe cili është mendimi juaj për turizmin shqiptar?

Bogdani: Të them të drejtën, kam frikë se në Shqipëri pjesa më e madhe e turizmit bëhet mbi të gjitha për patriotizëm. E them këtë, sepse që të shkosh nga Tirana në Jug, më parë duhet të kalosh tek ‘llumo-mare’ që kjo qeveri ka bërë në Vlorë e të rrish aq gjatë në trafik sa të të ikë dhe koha dhe dëshira për pushime; më pas sa zbret Llogaranë apo sa shikon pjesën më të madhe të plazheve në Shqipërinë vend që të kënaqet syri si më parë me peizazhin, duhet të shohësh kafshimin e betonimin e plazheve më të bukura që i kishin mbetur këtij vendi, diku të ish-deputetit dhe ish-mikut të Kryeministrit, diku të biznesmenëve miq të çdo kryeministri; më pas duhet të paguash një dhomë (një krevat, TV dhe kondicioner) sikur të jesh në një hotel me pesë yje në mes të Karaibeve; më pas duhet të paguash sa frëngu pulën çadrën apo shezllonin, që në proporcion me të ardhurat mesatare të një qytetari jam i sigurt se janë më shtrenjtë se në çdo vend të botës. (A ka mbetur ende ndonjë plazh publik?). Të mos flasim pastaj për ushqimin dhe shërbimin, ku çmimet janë si në restorantet më të shtrenjta të Europës, ndërsa ushqimi dhe shërbimi si tek mensa e kinezëve; e për t’i vënë kapakun, ruajna Zot të mos ndodhë ndonjë sëmundje apo shqetësim shëndetësor, se përveç dy a tre ambulancave që rrinë pronto tek vilat qeveritare, për të tjerët fati ngelet vetëm në dorë të Zotit. E për këtë nuk kanë faj as ata njerëzit që mundohen me aq sa dinë të ofrojnë shërbime e të bëjnë turizëm, as njerëzit që duan t’i marrin të plota shërbimet për të cilat paguajnë, për këtë e kanë fajin strukturat e gjithanshme të qeverisë të cilat nuk bëjnë dot punën e tyre duke trajnuar njerëz, duke rritur kapacitete, duke vendosur shërbimet bazë si ujë e drita e spitale.


Edlira Çepani: Familja dhe miqtë janë thesaret tona më të vlefshme!
*Kryetare e organizatës “Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje”

Ju shohim shpesh të angazhuar aktivisht në Shoqërinë Civile, aktiviste për të drejtat e grave në vendimmarrje, por edhe shumë çështje të tjera, që kanë lidhje me komunitetin, çfarë do të thotë të jesh aktiviste e Shoqërisë Civile në Shqipëri?

Çepani: E vërtetë që prej tashmë 10 vitesh unë kam zgjedhur të punoj me të drejtat e njeriut dhe në fushën e shoqërisë civile, pasi kjo ka qenë fusha ku kam dashur gjithmonë të investoj dhe të jap kontributin tim modest. Në Shqipëri ka ende shumë arsye për të cilat është tepër e rëndësishme një shoqëri civile aktive, e fortë dhe që punon në terren, aty ku janë njerëzit dhe aty ku janë problemet reale. Dikush që punon në shoqërinë civile ka privilegjin të jetë në terren e të kuptojë realisht atë që duan njerëzit dhe mbi të gjitha ka privilegjin të bëhet zëri i atyre që nuk kanë zë! Me punën time kam shkuar në pafund fshatra e qytete, kam njohur jashtëzakonisht shumë njerëz në çdo cep të Shqipërisë, është një privilegj ta kesh këtë mundësi! Kjo ka qenë ëndrra ime tërë jetën dhe sot jam krenare që zërin e atyre që nuk mund të flasim, shpesh kam arritur ta ngre në instanca vendimmarrëse dhe të gjithë bashkë, me komunitetin, me kolegët e shoqërisë civile e me vendimmarrësit kemi arritur të bëjnë ndryshime, ndonjëherë të vogla e ndonjëherë të mëdha, për të mirën e njerëzve. Por puna në shoqërinë civile në Shqipëri nuk është aspak e thjeshtë. Shpesh njerëzve, e sidomos vendimmarrësve, nuk u pëlqen kur ka njerëz, aktivistë, që u thonë të vërtetën, që nxjerrin në pah probleme dhe që duan të vendosin drejtësi për njerëz dhe komunitete që nuk kanë fuqinë e mjaftueshme për ta bërë këtë gjë vetëm. Ne aktivistët kemi “një defekt”, e themi të vërtetën pa dorashka e shpesh kjo konsiderohet si sulm personal në Shqipëri. Është shpesh shumë e vështirë në Shqipëri që njerëzit të ndajnë punën nga jeta personale, shumë herë kur ngre problematika për çështje të caktuara, konsiderohen sulme personale dhe më raste të rikthehen si sulme personale. Në një nga rastet e fundit kur lobonim për më shumë gra dhe vajza në Këshillat Bashkiakë dhe në Parlament, një mik shumë i mirë që merret me politikë më pyeti: “Pse i luftoni burrat juve?” Qesha me lot dhe i shpjegova se si lufta për barazinë gjinore, si lufta e aktivistëve për çështje të tjera nuk është një luftë personale kundër njerëzve, është një betejë që bëhet kundër apo pro politikave, çështjeve dhe problematikave. Fatkeqësisht kjo gjë shpesh keqkuptohet.

Jeni e angazhuar me organizatën “Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje”, cili është aktiviteti juaj në këtë kuadër?

Çepani: Unë e kam thënë gjithmonë që për mua është një nder të jem në krye të një organizate të tillë ku që prej vitit 2008, janë bashkuar gra dhe vajza nga e gjithë Shqipëria, nga e majta në të djathtë (50% parti të djathta e 50% të majta), shoqëria civile, media dhe biznesi, të cilat kërkojnë së bashku të përmbushim misionin e përbashkët i cili përmblidhet në pak fjalë: “shanse të barabarta përtej gjinisë, edhe për gratë edhe për burrat, në çdo fushë të jetës; barazi e respekt për këdo përtej gjinisë dhe më shumë përfaqësim të barabartë në proceset vendimmarrëse vendore e qendrore”. Në besojmë se burrë apo grua, secili/a ka të drejtë të ketë shansin edhe për të garuar në politikë, edhe për të qenë drejtues/e në sektorin privat e kudo. Për këtë punojmë të gjitha bashkë, në çdo cep të Shqipërisë, pa ndasi politike, por duke u fokusuar tek gjërat që na bashkojnë dhe për të cilat mund të luftojmë së bashku. Shqipëria do të jetë një vend më i mirë, kur nuk do të përdorë vetëm 50% të potencialit të vet (50% e popullsisë meshkuj), por 100 % të këtij potenciali në çdo fushë (meshkuj e femra bashkë), veçanërisht në proceset vendimmarrëse. Në Rrjetin e Grave Barazi në Vendimmarrje, kam njohur gra dhe vajza të cilat kanë qenë dhe do të jenë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua në çdo hap! Në çdo cep të Shqipërisë gjen gra dhe vajza me një fuqi të jashtëzakonshme të cilat duhet dhe meritojnë të mbështeten nga çdokush! Unë falënderoj Zotin çdo ditë që më ka dhënë privilegjin për t’u bërë me aq sa mundem zëri i tyre!

A është e vështirë të jesh bashkëshortja e një politikani dhe të jesh aktiviste e Shoqërisë Civile njëkohësisht? 

Çepani: Kur jemi dashuruar me Gertin, ai nuk ishte ende politikan, ishte profesor dhe unë nuk isha e angazhuar si sot në shoqërinë civile, punoja në fushën e avokatisë. Më pas punët tona kanë ndryshuar dhe këtu jemi sot. Në e kemi bërë çdo gjë bashkë si skuadër dhe jemi rritur bashkë në çdo hap, secili ka zgjedhur atë që di të bëjë më mirë dhe atë punë ku e gjen më shumë veten. Ne kemi zgjedhur punët që bëjmë sot sepse besojmë realisht se nëpërmjet tyre mund të realizojmë një ndryshim për mire dhe në fund të fundit punët tona mund të duken shumë të ndryshme, por kanë një qëllim dhe privilegj të përbashkët: “Nëse ke dëshirë të punosh ashtu siç duhet, mund të ndryshosh për mirë jetë njerëzish! A ka gjë më të bukur se kjo?” Skuadra jonë, dje dyshe, sot treshe bashkë me Ajrën, bëhet çdo ditë e më e fortë! 

Si pozicionohet Ajra në familjen tuaj? A është pjesë e angazhimeve? A do donte që prindërit të ishin më pak të angazhuar?

Çepani: Ajra ka qenë një aktiviste e vogël, e pranishme në çdo manifestim e aktivitet për të drejtat e njeriut, të kafshëve e të ambientit që në barkun e mamit. Sot ajo është vetëm 3 vjeç dhe rrallë herë mungon në manifestime për çështje të komunitetit e të një jetë më të mirë, për të, për fëmijët e tjerë, kundër dhunës, kundër padrejtësive. Herën e fundit shkroi dhe mbajti edhe pankartën e vet për të drejtat e fëmijëve! Në mundohemi ta marrim me vete kudo, ajo është pjesë e skuadrës, ndaj gjithmonë mundohemi që punën ta koordinojmë me familjen e të mos lëmë mangët asnjërën, duke patur parasysh se është familja baza kryesore mbi të cilën neve investojmë gjithçka e para çdo gjëje. 
Ju jeni Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Konsujve të Nderit në Shqipëri, kreu i së cilës është Z.Ylli Ndroqi dhe Këshilltare Diplomatike në Konsullatën e Meksikës në Shqipëri. 

Çepani: Unë jam rritur nëpër botë, me imazhin e një babai diplomat dhe një familje diplomatësh, ndaj kjo ka ndikuar që të kem një adhurim të veçantë për këtë fushë. Ndërkohë që mamin jam munduar ta ndjek gjithmonë në çështje të aktivizmit social, babin jam munduar ta ndjek kudo nga mbrapa nëpër takime, në aktivitete diplomatike e ai më ka edukuar me dashurinë për këtë profesion kaq të bukur! Kjo është një fushë që unë e dashuroj, ndaj nëse do të kisha dy jetë, në njërën do isha bërë padyshim diplomate karrierë si babi. Një fushë shumë interesante e diplomacisë është edhe diplomacia e konsujve të nderit. Një diplomaci që po fuqizohet çdo ditë e më shumë nëpër botë, pasi ata janë ura unike të lidhjes midis kombeve dhe janë katalizatorë kyç të diplomacisë ekonomike. Jam e lumtur që edhe në Shqipëri, për herë të parë në rajon, kemi krijuar Shoqatën e Konsujve të Nderit në Shqipëri, për 35 konsujt e nderit, figura të nderuara të biznesit dhe diplomacisë që kemi aktualisht si përfaqësuese të shteteve të ndryshme në Shqipëri dhe në pak kohë kemi krijuar një strukturë që është e njohur dhe aktive jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj duke u bërë një zë i fortë si në strukturat europiane ashtu edhe në ato botërore. Shqipëria ka shumë nevojë për fuqizimin e diplomacisë ekonomike dhe konsujt e nderit janë personat e duhur për ta bërë atë të suksesshme, shpresoj që të ketë çdo herë e më shumë mbështetje për ta dhe për punën unike që bëjnë në Shqipëri. Një rast suksesi është Konsullata e Nderit të Meksikës në Shqipëri, që tashmë është bërë një institucion i njohur e i vlerësuar për punën konkrete në çdo fushë, si nga qeveria meksikane, si nga ajo shqiptare. Kur Konsulli i Përgjithshëm i Meksikës në Shqipëri Z.Ylli Ndroqi më thirri të bëhesha pjesë e Konsullatës që në atë kohë sa po hapte dyert, e pranova me kënaqësinë e faktit që unë kam lindur në Meksikë dhe që do të punoja me një nga figurat më të njohura të medias e biznesit në Shqipëri. Pas këtyre viteve jam tërësisht mirënjohëse për kaq shumë gjëra që kam mësuar duke dhënë kontributin tim modest për Meksikën, ku kam një pjesë të zemrës e të jetës sime, në krah të një Konsulli të shkëlqyer që i është përkushtuar me shumë angazhim kësaj pune dhe ka bërë vërtetë një ndryshim rrënjësor në fuqizimin e marrëdhënieve Shqipëri – Meksikë. 

Dhe një pyetje nga jeta private, për të cilën jemi kuriozë. Çfarë ju pëlqen më shumë në familjen tuaj? Është ndonjë sekret që duhet të dimë për Edlirën dhe Gertin?

Çepani: Gjëja që na ka pëlqyer dhe ku e kemi gjetur veten gjithmonë, janë padyshim udhëtimet. Nuk do t’i ndajmë dot kurrë, as nga puna as nga jeta jonë. Sekreti? Ne jemi të apasionuar pas festave të vogla ku mund mblidhemi më familjarë dhe miq për të kaluar kohë me ta dhe për të lënë jashtë çdo gjë tjetër qoftë dhe për pak kohë. Familja dhe miqtë janë thesaret tona më të vlefshme!




Sigal