Edi Rama:“Sa më nul të jenë ministrat, aq më i suksesshëm është Kryeministri”

541
Sigal

INTERVISTA/ Kryeministri  i zgjedhur Edi Rama shpjegohet: “Ja përse qeveria ime do të jetë feministe”

– Zoti Kryeministër, ngatërrova hesapin e numrit të  ministrive të kabinetit tënd.  Sa u bënë deri tani?

– Ohu, pyetje që më bën.

– O, po zien gjithë mileti. U bë qeveria e kosit, thonë, ku të gjithë do kenë lugën e do bëhen ministra.

– Ç’ja fut kot edhe ti. Pjerdh unë, ç’thotë mileti. Ndaj nuk e kam marrë mundimin t’i numëroj sa ministra do bëj. Prandaj, mileti më votoi mua, të bëj unë ç’të dua.

– Po ti i lexove ministritë e tua, një e nga një, Zoti Kryeministër! Të të besoj vërtet që ua di numrin e vartësve që do komandosh?

– Aman, edhe ti. Më është bërë koka dhallë nga pazaret. Hajde Lirua, ikën Joni. Ikën Lirua, vjen Koçua. Cërr telefon Lirua, vërr kalemin Fuga. Hajde prapë Lirua, se ndryshoi mendje, cërr telefon Toma, dhe më kujton se mos kam harruar ndonjë porosi të tij. Me meraket e tyre, tërë këto ditë, më kanë detyruar shkruaj-shuaj-shkruaj- shuaj emra. Nuk e di edhe vetë, dreqin, më kanë bërë kryeministër apo bojaxhi. As kur më hipën delli të pikturoj nuk shkarravis e ç’shkarravis kaq shumë, sa emrat e atyre që do të bëj ministra. Mbeta gjithë javën që shkruaj-shuaj-shkruaj- shuaj.

– Pa hesap u bënë ministritë, zoti Kryeministër. Nja 4, 5, janë ministrat e tu pa portofol.

– Jam djegur nga qulli, kur sekretet e mia në PS, i mësonte më parë Saliu nga njerëzit që më tradhtonin, pas shpine. Ndaj tani, për masë sigurie, do t’i fry edhe kosit. Do kem qehajajtë e mi, që do përcjellin urdhrat e mi, vetëm gojë më gojë. T’i quaj, qehajai, u ka ikur moda, ndaj i quaj ministra pa portofol. Të jemi kontemporan edhe në qeverisje, jo vetëm në pikturë.

 – Shumë e për lumë ministritë që do bësh, zoti Kryeministër. Ja t’i numërojmë bashkë. …13, ministria e Ujërave të ëmbla. …16, ministria e ujërave të kripura. …19,  ministria e fshatrave.  …po këtë  ministri të re që bëhet e 31-ta,  dhe e quan ministria e pyjeve, ç’e deshe, zoti Kryeministër? Ku na ka mbetur pyll tani?

– Po ma mbushi mendjen Lamja. Bëje një ministri të pyllit, – më tha Lamja- që të bëjmë projekte të mbjellim ndonjë pemë. – E ç’i do pemët, a derëzi- i thashë. – Edhe atë pyll që kishim te Liqeni i Tiranës, pallat e bëmë. Edhe Dajtin do ta bëjmë si fushat, të ndërtuara me vila. – A duam të bëhemi si europianë?- më çau veshët Lamja. Ata kudo kanë hektarë të tërë me pyje. Në male, në qytete, në fusha. Ne s’lamë një pemë në mal- më tha Lamja dhe ma mbushi mendjen.

– Po këto ministri që do të quhen  të zhvillimit rural, tjetra e zhvillimit urban, çfarë fruti janë? Ta padëgjuara, më duken?

– Këtu është mençuria ime. Që ministritë e reja të jenë si çorapet. Të thurura me emra të bukur. Si ajo piktura, që  të tërheq se ka ngjyrat e ndezura, pa e vrarë mendjen askush te brendia e saj. Dhe kur të duash, që ta ç’qepësh të tërë çorapen-ministri, mjafton të tërheqësh lehtë-lehtë, një fill.

Po ku është hilja jote zoti Kryeministër?

– Si i quajmë sot pikturat që nuk kanë brendi? Kontemporane. Moderne. E di pse?

– Nuk e kam vrarë mendjen, të të them të drejtën.

– Kur edhe vetë ne piktorët nuk dimë të themi se çfarë përmbajtje ka piktura që kemi  bërë, ja futim kot e themi që piktura është: Kontemporane! Njerëzit,  ë habiten nga fjalët e padëgjuara, paskëtaj, mahniten nga abstraksioni i artit dhe kështu piktori shpëton nga belaja e (jo)përmbajtjes të pikturës që ka bërë.

– Po çlidhje kanë pikuarat kontemporane me ministritë që do kesh ti, zoti Kryeministër? Ç’janë këto? Thua se nuk do ketë më ndërmarrje të ujë-kanalizimeve, po do bësh ministri të ujë-kanalizimeve të zeza dhe të bardha, bashkë?

– Ashtu sikurse edhe piktori që bën pikturë dhe e quan kontemporane sepse nuk di të shpjegojë përmbajtjen, edhe unë dua që edhe ministrat që do drejtojnë ministritë e mia, të mos dinë hiç, se ku fillon puna e tyre dhe ku u mbaron kompetenca.

– Po kështu a nuk i bën vetë me dashje lëmsh punët, që në sabah, zoti Kryeministër?

– E shikon që je nul. Po kjo më kënaq mua? Që si ti, nul, të jenë edhe ministrat e mi. Nul, të gjithë. Që, pastaj, unë ta kem më të kollajtë, t’i kap nga veshi, një e nga një. E t’u them: “E shikon qerrata, që nuk di të ma bësh punën? E shikon, që veshin tënd ta shkul e ta ngul sa të më dojë qejfi mua?”

– Po një qeveri me të gjithë ministra nul, që nuk dinë se ç’punë të bëjnë, a nuk është rrezik të jetë qeveri e nulit dhe e veshëve të shkulura?

– Ha, ha, ha, ha. Edhe Lirua herën e parë që ia thashë, mbeti taze. Ndaj erdhi herën e dytë e më tha: Ore Edi, ja ma shkoqit edhe njëherë, atë nulin e ministrave? Se na ke lënë pa gjumë, edhe mua, edhe Monikën. Unë dua ministra të zotë, që të bëjnë atë që u kërkoj unë, e jo ministra nul e veshëshkulur. – A, mo Liro, fli rehat, fli- i thashë. – Se sa më shumë veëshëshkulur të jenë ministrat tanë, kaq më shumë, kokulur, para nesh janë.

– Po veshëshkulurit ministra do të jenë edhe kokëbosh e punëpabitisur, zoti Kryeministër.

– Këtë ta them ty, po mos e bëj fjalë, as me Liron.

– Të betohem, gurë varri do jem.

– Kështu ju dua të gjithëve. Gurë varri! Ministrat e mi veshëshkulur nuk do të bëjnë asgjë, pa më pyetur mua. Asgjë. Të gjitha kompetencat e tyre, do të dalin nga sirtari im. Ua kam bërë edhe këtë të qartë. Edhe nëse kanë ndërmend të kapin ndonjë dashnore, pa e miratuar unë i pari, asnjë nuk do guxojë, ta kapë me dorë, pale ta shijojë.

– Ndaj u heq edhe mandatin e deputetllëkun?

– Ha, ha, ha. E kuptove, pa ta thënë unë. E shikon, që më kuptove. Ministrat e mi, duke qenë pa deputetllëkun, do të jenë mendere zbuluar. Po të mos më binden, u fut nga një shkelm mendereve dhe i hedh në rrugën e madhe. Ua bëj më keq se Arben Malajt, që donte të bëhej këndes në kotecin tim. Kështu, që do të kem qeverinë me ministrat më sus në histori.

– Zoti Kryeministër, vërtet risi do të jetë haberi që dhatë, se kabineti juaj qeveritar, do të jetë feminist, për herë të parë në histori?

– Të betohem që e kam seriozisht. Do bëj më shumë femra ministre se burrat.

– Po femra fut shejtanin në shishe, zoti Kryeministër. Ju nuk i trembeni kësaj?

– Më thonë Edi, mua, jo shaka! Burrave, sado t’u shkulet veshi, sado t’i shaj nga fara e fisi, sado t’i gjuash me shkelm, prapë e lëvizin menderen dhe ta kthejnë fjalën. Femrave, po i shave keqas në sy, pulë bëhen. Kështu ua bëja në Bashki. Një herë i shaja unë, një muaj të tërë zë femre nuk dëgjoja më. Dhe këndesi këndon më mirë, kur ka shumë pula përqark vetes.