Edi Luarasi: Si prezantova dy Festivalet më të vështirë të TVSH, të 10-in dhe 11-in

578
Sigal

Portret/ Edi Luarasi dhe jeta e saj bashkë me Mihallaq Luarasin

Kur bisedon me të koha ecën me shpejtësi rrufe. Ajo natyrshëm plot emocion dhe çiltërsi rrëfyen një pjesë të vogël të jetës së saj mbushur me ngjarje dhe me peripeci. Askush sot në demokraci s’mund të mendojë se sa vështirë e kanë pasur jetën këtë njerëz që ne i quajmë personalitete, dhe që kanë jetuar si njerëz tepër të thjeshtë. Me Edi Luarsin ishte hera e parë që bisedoja dhe u befasova me kujtesën dhe mënyrën e të komunikuarit. Rrugën e artit e nisi si këngëtare dhe e pasoi si aktore. Në këtë gjini të artit ajo dha çka kish brenda saj me gjithë shpirt. Kur të thotë se në fëmini isha si çun, i qëlloja çunat me grushte, se beson, që ajo femër aq delikate të ishte kaq e rreptë. Flet e menduar sepse u largua nga kënga dhe ju përkushtua aktrimit. Me të qeshur thekson se “Mihallaqi dhe sot më thotë edhe po të martohesh prapë, ty do të merrja”. Këtu flitet për Mihallaq Luarasin, regjisorin me famë që i rrëmbeu zemrën që në rini.

Ngjitja në skenë 

Skena, teatri, filmi erdhi papritur tek ajo. Erdhi si një pranverë e shpejtë por e heshtur. Erdhi si një diell i papritur pas një shiu të madh. Erdhi dhe i mbushi zemrën, i ndriçoi rrugën. Sepse e tillë ishte ajo kohë për të, ai moment për jetën e saj. Këndonte në Estradën e Shtetit , pra ishte këngëtare. Ishte 17 vjeçe në atë kohë dhe këndonte këngë që ishin të vështira për zërin dhe po e dëmtonte zërin me ato këngë të vështira. Zëri po i trashej. Kordat po i prisheshin. Në këtë kohë në Estradën e Shtetit ku ishte regjisor Mihallaq Luarasi, kërkohej një personazh për një rol. Duhej një vajzë tip llasticë, e përkëdhelur, lajkatare, plot naze. Kërkonin në estradë po nuk e gjenin. Kur Mihallaqit i ra ndër mend për të. E thirri dhe i ofroi rolin. Në fillim nguroi. Se kishte menduar veten se mund të bëhej aktore. Por me këmbënguljen e tij pranoi. Mihallaqi ishte një regjisor që kishte shumë ide. Të gjithë e shihnin si një njeri tjetër. Ai kishte mbaruar në Hungari për regji me nota të shkëlqyera. Ai binte në sy kudo në Tiranë. Edhe veshja e tij edhe e folura kishin tjetër aromë. Ai e sqaroi disa herë duke i thënë se do të më ndihmonte. U bind, pranoi. Pra roli i parë ka qenë ai i një vajze çapkëne me Estradën e Shtetit kur ishte vetëm 17 vjeç. Pas përfundimit të rolit e duartrokitën. Mihallaqi ngeli shumë i kënaqur. E përqafoi. Se besonte se kishte realizuar një rol që do i ndryshonte rrjedhën e jetës. Pas tij, Mihallaqi i besoi edhe dy, tre role të tjerë. Të gjitha dolën me sukses. Tashmë i kishte kaluar 17 vjetët dhe kalonte në 18. Ishte një moment që i pëlqente më shumë aktrimi se sa kënga. Madje e ndjente se në këngë s’mund të jepte më tepër. Dhe vazhdoi shkollën për aktrim. Ishte këmbëngulja e Mihallaqit. Ai e detyroi të shkonte në Institutin e Arteve. Shkoi duke ndjerë dorën e tij të ngrohtë, duke ndjerë ndihmën e tij, mësimet e tij. E ndjente se e ardhmja ishte pikërisht aktrimi.

Dashuria 

Bashkë me studimet jeta mori një rrugë tjetër. U dashurua me Mihallaqin. Ishte ai që e ndiqte kudo, e udhëzonte, i jepte dorën. Sytë e tij kishin kohë që e shprehnin dashurinë. Por gjeti belanë me prindërit. Ata nuk donin. Se pranonin dashurinë e tyre. Se donin Mihallaqin, pasi thoshin është shumë ekstravagant. Prindërit i thoshin çdo darkë se kemi shumë kërkesa për ty. E kërkonin inxhinierë, doktorë. Kishin diferencë 11 vjet që për atë kohë ishte shumë. Këtu prindërit ngulmonin. Por ajo e kisha mbledhur mendjen top. Ishte e dashuruar me Mihallaqin.

Matura e parë

Ishte matura e parë që mbaroi në Shqipëri për aktrim. Pra ishte ndër studentët е klasës së раrё dramatike, pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. «Shumë zhurmë për asgjë» me tё cilën mbrojti diplomën, e evidentoi, pasi korri sukses.

Roli i parë  dhe…

Një rol interesant për të. Roli i parë ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin me skenar të Fadil Paçramit. Atëhere Kujtimi ishte regjisori më në zë. Pastaj rolet janë të shumë. Por ajo veçon Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca, tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.  “Orfeu zbret në ferr” ku ka luajtur me Timo Fllokon, Prokop Mimën, Margarita Xhepën. Si aktore pranë Teatrit Popullor, ka luajtur mbi 30 rоlе…

Prezantuese e dy Festivaleve në RTSH

Ishin ditët nga më të bukurat por dhe ditët që po përgatitej skema e goditjes ndaj Mihallaqit. Kishte vite që sigurimi i shtetit po kërkonte ta dënonte gjoja për prirje liberale. Dhe rasti erdhi në Festivalin e njëmbëdhjetë. Ai Festival që bëri bujë. Edi ishte prezantuese. Kishte veshur një fustan të bardhë të gjatë deri në fund të këmbeve. Orkestra në disa raste kur luante çohej në këmbë. Emocionet ishin të mëdha. Dy herë prezantuese kur dihet që të gjithë sytë i kishin në Radio Televizion pasi Festivali ishte ngjarja më e madhe kulturore e vitit. Festivali bëri bujë. Këngët e Festivalit këndoheshin në rrugë. Atë e përshëndesnin kudo. Pa u shuar gëzimi erdhi goditja. Mihallaqi u gjykua për tendenca të huaja, pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë. Pra ajo që sigurimi e priste erdhi. Mihallaqi u dënua me 8 vjet burg.

Largimi nga teatri

Me dënimin e Mihallaqit atë e larguan nga teatri. Sigurisht, nuk kishte rrugë tjetër në atë kohë. Një jetë tjetër e priste. Një jetë larg skenës. U fut në punë në rrobaqepësi. Ishte një punë e re por që e kapi shpejt. Atëhere për të marrë gjysmë pension i duhej të punonte punë si hamalle që të plotësonte 15 vjet punë të vështirë. I duheshin 6 muaj për plotësuar kaq vite punë. Pra kjo punë mund të ishte e barasvlershme vetëm n.q.s punonte si hamall. E provoi por se përballoi dot. Ngrinte arka me domate. Vetëm një muaj mundi. Kaq, u bë kockë e lëkurë. Ishin vite të vështira. Shumë. Shumë. Disa miq nuk i flisnin më. Ndoshta kishin të drejtë. Dhe ajo u shmangej. Madje në shtëpi kishte vendosur perde të errëta që të mos dukej asgjë nga jashtë. Donte të ishte sa më larg realitetit. Mihallaqi e kreu burgun në Ballsh. Ajo shkonte çdo muaj bashkë me fëmijët. Ai se jepte veten. S’kam bërë gjë thoshte. Kam punuar me përkushtim. Ishte shumë krenar. I ofruan si kusht për mos largim nga Teatri Kombëtar që të ndahej nga Mihallaqi. Ja afruan si alternativë. Por as se mendonte të ndahej nga dashuria e parë. Se mendonte ta linte Mihallaqin. Ndaj punoi rreth 16 vjet si rrobaqepëse. Vite pune dhe në shtëpi. Pra punonte edhe në shtëpi përveç punës në shtet. E dinte se e ndiqnin, por kishte shumë kujdes.

Mihallaqi pas burgut

Dhe pse u dënua 8 vjet Mihallaqi kreu vetëm 6 vjet burg. Ai u lirua në vitin 1980. Përafërsisht 11 vjet ai punoi si bojaxhi. E përvetësoi shumë mirë profesionin. Ishte njeri me kuraje. Madje çdo mbasdite ai shkonte me fëmijët në TOB pasi i çonte aty për të mësuar, Shpesh herë i thoshte mos u duk andej. S’ka arsye pse i thoshte. S’kishte gajle ç’thoshin të tjerët. Shikonte punën e tij. Kishte botën e tij.

Kthimi në skenë

Megjithëse 51 vjeç, pas ardhjes sё demokracisë, Edi Luarasi kthehet nё skenë pikërisht në vitin 1991..Ishte një moment i vështirë. Ndodhej në dilemë të dilte apo jo në skenë.  Paksa e vështirë, pas 20 vjet shkëputjeje, megjithatë me kuraje e pasion tё pashtershëm, arriti të fitonte e të meritonte duartrokitjet e publikut nё dramën “Vizita e Damës plakë”. Kishte menduar se kishte humbur publikun por jo. Publiku s’e kish harruar. Ka qarë nga gëzimi.

Jeta në demokraci

Pas disa muajsh në demokraci shkuan në Hungari. Miqtë e Mihallaqit nuk i lanë në baltë. I morën, u siguruan strehim pa pagesë. Ishte një ndihmë shumë e sinqertë që pak e ndesh sot në jetë. Vinte në Shqipëri ku ka luajtur edhe 3 role të tjerë këto me shkëputje nga Hungaria. Aty Mihallaqi punonte si përkthyes dhe siguronte të ardhurat për ushqim. Ndenjën plot 12 vjet deri në vitin 2002. Kjo qëndresë kishte të bënte me sëmundjen e Mihallaqit, pasi ai vuan nga zemra dhe aty kujdesi ishte shumë i madh. Por ajo s’mund të rinte më. I dukej vetja parazite. I tha Mihallaqit boll. Unë do shkoj në Shqipëri. Mihallaqi s’ia prishi përsëri. Edhe pse i sëmurë u kthyen në Tiranën e dashur pasi aty ju mungonte shoqëria.

 Pengu në skenë

Ka atë që nuk ka mundur të luaj “Pigmaljom” të Bernard Shout. Bëhet fjalë për një studim të një profesori që i bëhej një femre  të ashpër, ordinere, me fjalor rruge, e pa arsimuar se si mund dhe a mund të bëhej aristokrate. Për shumë vite ajo bëhet e tillë dhe arrin sukses. Pas shumë vitesh bashkë në rrugën e suksesit profesori dhe vajza bien ë dashuri por profesori s’donte ta besonte. Ky skenar është realizuar në film nga e madhja Luiza Dulitëll. Pedagogia e saj ruse i thoshte se duhet patjetër që ta realizosh këtë rol. Dhe e çuditshmja është se profesori në film i thotë pas suksesit femrës që u bë aristokrate se këtu do ndahemi, studimi  mbaroi. Ajo tashmë e dashuruar me profesorin e qëllon me këpucë duke e sharë si në kohën kur filloi studimi. Ky është pengu i saj….