Edhe kometat “marrin frymë”

530
Kur janë pranë Diellit lëshojnë oksigjen
Edhe kometat ‘marrin frymë’ dhe prodhojnë oksigjen çdo herë që i afrohen Diellit. Zbulimi, i publikuar në revistën Nature Communications, është rezultat i një simulimi dhe propozon një shpjegim alternativ ndaj vëzhgimeve të bëra në vitin 2015, në bazë të imazheve dhe të dhënave që lidhen me kometën e Misionit Evropian Rosetta, 67P / Churyumov Gerasimenko.
Atëherë për herë të parë ishte vënë re se kometa prodhonte oksigjenin molekular (O2), pra molekulat e përbëra nga dy atome të oksigjenit. Ky rezultat është konsideruar si prova që oksigjeni molekular ishte i pranishëm në renë fillestare, nga e cila lindi Sistemi Diellor.
Tani të njëjtat të dhëna dhe një simulim sugjerojnë një hipotezë të re, sipas të cilës oksigjeni molekular prodhohet në një kometë si në një lloj të ‘frymëmarrje’.
Zbulimi erdhi nga California Institute of Technology (Caltech) dhe eksperimentin e kreu inxhinieri kimik Konstantinos P. Giapis, që në përgjithësi merret me teknikat e reja për prodhimin e mikroprocesorëve. Giapisit i lindi ideja, pasi vuri re që reaksionet kimike të vërejtura në kometë ishin shumë të ngjashme me ato që ka studiuar në laborator për 20 vjet, tek goditjet e atomeve të ngarkuara elektrikisht (joneve) në sipërfaqet e materialeve superpërcjellëse. Nëse qëllimi kryesor i këtyre kërkimeve është që të zhvillojnë memorie më të mëdha dhe më të shpejta për chip-et e kompjuterave, Giapisi vendosi të aplikojë të njëjtat teknika studiuese, për kometat.
Në këtë mënyrë studiuesi tregoi, me një simulim të bërë në laborator, që kur kometa i afrohet Diellit, ajo çliron avuj uji, molekulat e të cilit bëhen të ngarkuara me energji elektrike (jonizuese) nën efektin e rrezeve ultravjollcë. Njëherësh rrjedha e grimcave të ngarkuara nga dielli (era diellore) godet sipërfaqen e kometës. Kur kjo ndodh, molekula e oksigjenit e pranishme në ujë, lidhet me një tjetër atom oksigjeni, duke bërë të lindë oksigjeni molekular.
Sigal