E vërteta e krijimit të çetës së Çamërisë

1043
E shtuna e 6 shkurtit do të shënojë një event përkujtimor tradicional, formimin e çetës “Çamëria” në Markat të Konispolit, më 2 shkurt 1943. Një nga çetat që në historinë e LANÇ dhe pas çlirimit me titullarët dhe formuesit e saj është e mbushur me enigma. Shumë herë është ndërruar data e formimit, duke e ngatërruar me legalizimin dhe uzurpimin e komandës së sajë. Histori që duhet të flasë. Sjellim për herë të parë fakte të pa publikuara që i vë në dispozicion intelektuali Hekuran Halili, ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, por gjithashtu sjellim edhe kujtime të ish-formuesit të çetës, Emin Kuçuku. Natyrisht, kujtimet e këtij të fundit mund të jenë edhe si ndikim i atmosferës politike kur janë shkruar, por gjithsesi, meqë janë botuar në një libër, po sjellim ilustrim. Ndërsa theksojmë se prononcimi i Hekuran Halilit, themeluesit të organizatës “Çamëria” dhe partisë PDI(sot e shkrirë PDIU) janë fakte, që sillen për publikun për herë të parë, jo vetëm detajet, por sidomos lista e formuesve, pasi shumë emra janë fshirë.

Hekuran Halili prononcohet:
Zona e Konispolit ose “Çamëria e Vogël”, pjesa e mbetur brenda kufirit të sotëm shtetëror shqiptar, pas vendimeve famëkeqe të 1913-ës, që copëtoi trojet shqiptare, duke e ndarë Çamërinë etnike nga trojet amtare dhe popullatë e shquar në shekuj për atdhedashurinë dhe patriotizmin, pa u ndarë asnjëherë nga pjesëmarrja e eventeve kryesore historike shqiptare dhe luftërave për liri, duke u krenuar edhe me heronjtë e sajë. Pushtimi fashist i 1939-ës u prit me indinjatë nga kjo trevë patriotike me luftime rezistence në grykë të Bogazit e në qafë të Harunit. Patriotët çamë sabotuan luftën italo-greke dhe nuk e mbështetën okupimin italian. Qemal Kuçuku, pinjoll i një fisi të madh e patriotik konispolat vjen në vitin 1941 nga Korça, ku qe student në Lice dhe shpërndante traktet e para komuniste. 

Traktet patën efektet e tyre me ndikim të madh në popull dhe në vitin 1942, kur revolta antifashiste rritej dhe lëvizja NAÇL zgjerohej në organizimin e saj nga Tirana, në zonën e Çamërisë, dërgohet patrioti Njazi Demi me origjinë nga Filati i Çamërisë (sot qytet në kufirin grek). Njaziu bën kontaktet e para me elementin patriotik të Çamërisë së këtej kufirit dhe mirëkuptohet deri në miratim nga krerët e vendit(në këtë kohë agallarët konispolatë ishin pronarë të tokave të shumta të fushës së Rrahut deri në Butrint e Livadhja (-shën.im a.m.). Pas misionit të Qemal Kuçukut, po në vitin 1942, dërgohet në Konispol patrioti çam Rexhep Demi, po nga Filati, komunisti i orëve të para, i cili formoi dy grupe edukative me shtrirje në gjithë zonën. Pas gjithë këtij aktiviteti të komunistëve Kuçuku dhe Demi, qarkori i Gjirokastrës, në shtator 1942 dërgon në zonën e Çamërisë së Konispolit Shefqet Peçin, i cili organizon një takim me të gjithë krerët e kësaj zone në Pandalejmon (fshat mysliman në afërsi të Livadhjasë). Po këtë vit, në nëntor 1942, Shefqet Peçi vjen përsëri në Konispol dhe strehohet në shtëpinë e Rexho Plakut ku qëndron dy ditë në shtëpi të këtij patrioti dhe njeriu me influencë të madhe në zonë, nën censurën e madhe të italianëve, zhvillojnë shumë takime në zonën e Çamërisë. 

Dhe të mos harrojmë se Rexho Plaku qe nga pasanikët më të mëdhenj çam të asaj kohe dhe këtë pasuri e shkriu për LANÇ, por pavarësisht kësaj veprimtarie dhe investimi kolosal, nuk u shpëtoi burgjeve komuniste të pasçlirimit. Pas veprimtarisë apo misionit të Shefqet Peçit, më 25 janar 1943, në Konispol vjen Memo Meto, i cili sjell në Konispol vendimet e konferencës së dytë të Qarkut të Gjirokastrës. Takimi me Memo Meton u bë në prezencën e një pjesëmarrjeje të gjerë të popullatës dhe qenë të thirrur edhe kryetarët e komunave fqinje, Pandalejmon dhe Markat, Taho Sejko dhe Haxhi Rushiti. Një ditë më pas, më 26 janar, në një mbledhje të gjerë, u zgjodh këshilli NAÇ i Konispolit me 11 veta, të cilin e kryesonin Qazim Demi –Kryetar, Vehip Hushi –Sekretar, Emin Kuçuku –n/kryetar. Në këtë kohë merr hov edhe rinia e Konispolit dhe jo pa qëllim, një vit fiks pas themelimit të rinisë komuniste shqiptare, më 23 nëntor 1942 në Konispol, në prani të të dërguarit të komitetit qarkor të rinisë, Teme Sejko, u krijua organizata e rinisë komuniste konispolate me kryetar Qemal Kuçuku. 

Çeta “Çamëria” u legalizua më 02 shkurt 1943 në fshatin Markat, në vendit e quajtur “Bregu i Mënes” me pjesëmarrje të gjerë nga të shtatë fshatrat e Çamërisë së pjesës së kufirit shqiptar, po në çetë u vendos të regjistroheshin vetëm 29 vetë (nuk dihet arsyeja-shën.a.m.) dhe komandant u zgjodh Haki Rushiti. Ja lista që publikohet për herë të parë; 1-Ismail Dalani,2-Haki Rushiti, 3-Rexho Plaku, 4-Ahmet Demi,5-Haxhi Murati, 6-Emin Kuçuku, 7-Taho Sejko, 8-Petrit Taka, 9-Sami Murati, 10-Qazim Demi, 11-Skënder Taka, 12-Azem Munga, 13-Ramadan Zejno, -14-Rexhep Toqe, 15-Alush Kuçuku, 16-Mehmet Pepeto, 17-Osman Plaku, 19-Qerim Çukaj, 20-Remzi Tare, 21-Sali Dalani, 23-Neshat Abazi, 24-Veip Musha, 25-Azbi Sherreti, -26-Izet Malo dhe 29-Ismail Zoto. Çeta, pas dy –tre aksioneve të para, sidomos ajo e qafës së Dishatit, dhjetë ditë pas legalizimit të 02 shkurtit, më 12 shkurt, zgjerohet dhe një muaj më pas, më 12 mars, numëronte 120 veta me një organizim perfekt edhe të njësiteve guerilje të zonës. Me rritjen numerike, kjo çetë pësoi edhe ndryshimet e organizimit të njësive ushtarake partizane ku lindi batalioni “Çamëria” me dy çeta partizane. “At. Stath Melani” dhe “Hasan Tahsini” me komandant Haki Rushiti, komisar Lefter Talo dhe zv/komisar Ramadan Zejno, intendent(emri nuk i dihet) Demi. Këtu do të venitej ndriçimi i luftëtarëve çam. Më pas një pjesë do të inkuadroheshin në Brigadën VI S. Dhe XIX S. Nga zona e Çamërisë u rreshtuan në rreshtat e ushtrisë partizane 635 luftëtarë, duke luftuar deri në Vishegrad dhe dhanë jetën për lirinë 72 vetë.
Ja çfarë kujton një nga pjesëmarrësit dhe bashkëthemeluesit e çetës “Çamëria” Emin Kuçuku, përfshirë në librin “Konispoli, vështrim i shkurtër dhe kujtime”, i autorit Jonuz Kuçuku: 
“Preokupimi i vazhdueshëm i Qemalit ishte që të krijohej sa më shpejt çeta partizane. Një ditë më tha: -Konispoli e ka pasur zakon, se, kur është fjala për punë të mira, të mos mbetet në fund, por të jetë nga të parët. Më bëri përshtypje dhe mu bë edhe mua preokupim krijimi i çetës. Për këtë çështje biseduam me Ahmet Demin, Haxhi Muratin, Rexhep Plakun, Ramadan Zejnon etj. Haxhiu më tha se edhe atij, i kishte thënë Qemali për të formuar një çetë. Më duket se djali yt, Emini është komunist, por atdhetar i mirë dhe guximtarë trim. Të dëgjojmë djalin e të mos kursehemi për vatanin. Në Konispol erdhi Njazi Demi, i cili na foli midis të tjerave, për lëvizjen antifashiste. Ai na tha se ka të drejtë Qemali që u ka nxitur të krijoni çetën partizane. Bile për mua, jeni të vonuar, prandaj duhet të shpejtoni. Kështu u krijua bindja e të gjithëve se duhej krijuar çeta. Në Konispol disa kishin dyfek të vjetër, por veç këtyre, kishte edhe dyfek të mbledhur gjatë tërheqjes së ushtrisë greke. Duke biseduar me ushtarë të besuar, organizuam punën për të blerë armë, e sidomos municione që u mungonin edhe atyre që kishin dyfek. Armët e municionet i blemë në Çamëri e në Korfuz, nga i sillnim fshehurazi me varka. Nga Korfuzi sollëm edhe një mitraloz me municion. Blerja e armëve u bë gjatë muajve shtator-nëntor 1942. U përgatit edhe një listë e personave që do të formonin çetën. U treguan të gatshëm shumë qytetarë, aq sa mund të krijohej një batalion. Natën e 2-3 dhjetorit 1942, në shtëpinë e Ahmet Demit, u bë mbledhja për formimin e çetës. Në atë mbledhje ishin Ahmet Demi, Rexhep Plaku, Emin Kuçuku, Ramadan Zejno, Haki Rushiti, Sami Murati, Taho Sejko. Të gjithë ramë dakord që të formohej çeta për të filluar luftën e armatosur kundër okupatorit dhe për këtë u betuam para një flamuri që na e vuri në mes e shoqja e Ahmetit, Ruhije Demi. Ky ishte një vendim historik për qytetin dhe krahinën. Rexhep Plaku, unë, Sami Murati e Taho Sejko shfaqëm mendimin që komandant i çetës të ishte Ahmet Demi. Ky ishte oficer me akademi ushtarake, kundërshtar i njohur i Zogut, oficer i qeverisë së Fan Nolit, që ishte dalluar në luftime dhe i plagosur, siç ishte dhe njeri i njohur e me influencë në rrethet Konispol e Delvinë-Sarandë, por edhe në Çamëri. 

Por Haki Rushiti nuk ishte dakord që të vendosnim në këtë mbledhje për komandantin e çetës, por të prisnim kthimin e Ahmetit e të Rexhepit, që do të niseshin të nesërmen për në Tiranë e Gjirokastër, ku do të bisedonin me persona të njohur për çështjen e luftës. Ahmeti u takua në Tiranë me Koço Tashkon, nëpërmjet vëllait të tij, Taqos që e kishte mik, kurse në Gjirokastër u takua me Bedri Spahiun me anën e Kadri Boboçit. Edhe Rexhepi takoi njerëz të njohur në Tiranë dhe të dy, kur u kthyen, na thanë se formimi i çetës u mirëprit nga të gjithë. Ne i kishim lajmëruar të gjithë ata që do të shkonin të parët në formimin e çetës, midis të cilëve ishin dhe vëllai im, Alushi dhe Qemali që e prisnin me gëzim këtë ngjarje, i cili kishte marrë pjesë edhe në mbledhjen ku u vendos për formimin e çetës si përgjegjës i të rinjve që ruanin rreth shtëpisë. Kështu viti 1942 përgatiti gjithçka për formimin e çetës partizane. Emri i çetës “Çamëria” u vendos që në mbledhjen e parë, sipas propozimit të Haxhi Muratit, i cili më pas, kur u formua batalioni “Çamëria” mbi bazën e kësaj çete, propozoi që njerëz çetë, t’i vihej emri “At Stath Melani” dhe tjetrës “Hasan Tahsini”. Rexhep Plaku propozoi që çetës t’i vihej emri Alush Taka dhe i tha haxhiut: -Propozove dy emra, njërin prift e tjetrin hoxhë. Po, mor bir, iu përgjigj Haxhiu, të tre janë emra të shquar e të dëgjuar. Shpallja e çetës “Çamëria” u vendos të bëhej në Markat, ku kryetar i komunës ishte Haki Rushiti. Ky dukej se kishte djallëzi, kur na pengoi të caktonim që në mbledhjen e 2 dhjetorit, komandant të çetës Ahmet Demin. Ne i lajmëruam partizanët që të shkonin në Markat, por Hakiu, pa pritur Ahmetin dhe Rexhepin shpalli formimin e çetës dhe veten komandant të sajë. Për mos të krijuar ngatërresa që në fillim, nuk e bëmë problem këtë veprim të Hakiut…”.
Agron MEMA
Sigal