E vërteta e kamionit të drogës në Qafë – Thanë

793
Nga Bardhyl BERBERI

Njoftimet e bëra se droga ka hyrë me mushka dhe më pas është nisur nga Tetova, duke kaluar në Shqipëri dhe më pas në Itali, u dukën një absurditet i vërtetë, pasi trafikantët nuk mund të merrnin dy herë rrezik për të kaluar drogën një herë nga Shqipëria me kafshë nga kufiri i gjelbër në Maqedoni dhe më pas përsëri me kamion, duke kaluar nga Qafë – Thana, aq më tepër që aty ka një skaner shumë të fuqishëm që është kapur edhe gjysmë kg drogë e fshehur e jo 8 ton drogë!

Por le t’i marrim faktet me radhë sipas kronologjisë së ngjarjes.

Në datën 4 shkurt 2017 një kamion me targa BT 0415 AC dhe numrin e rimorkios 5217 AC që drejtohej nga shtetasi maqedonas Zoran Stanojevski, banues në Bitola, në orën 17 e 25 minuta futet në doganën shqiptare, pasi kalon kontrollin tek dogana maqedonase. Ai ka deklaruar se në kamionin e tij në Tetovë ka ngarkuar material ndërtimi dhe suvaje. Pesha totale e kamionit ka qenë 13,815 kg totali, ndërsa ngarkesa 3 ton. Kamioni, pasi është kontrolluar imtësisht nga pala maqedonase, ka hyrë në territorin shqiptar dhe është parkuar në sheshin e doganës shqiptare në Qafë –Thanë para skanerit dhe të nesërmen më datë 5 shkurt, në orën 8 e 25 minuta të mëngjesit, pasi janë kryer veprimet me agjentin doganor, kamioni ka kaluar në skaner (shih foton origjinale të skanimit) dhe dokumentin e agjentit doganor. Skaneri ka dalë i pastër pa markime dhe në orën 9 e 2 minuta, pasi ka kryer veprimet kishte si destinacion Kroacinë dhe do të kalonte nga dogana e Hanit të Hotit. Deri këtu gjithçka ka rrjedhur normalisht. Çuditërisht pas dy orësh agjentët doganorë të Qafë –Thanës janë njoftuar se kamioni do të ndërronte destinacion dhe nuk do të kalonte nga dogana e Hanit të Hotit, por nga porti i Durrësit dhe nuk do të shkonte në Kroaci, por në Itali. Këtu duket se do të bëhej “pislliku”, do të ndërrohej rimorkio me material ndërtimi dhe me skanerin e Qafë –Thanës do të kalonte në doganën e Durrësit me destinacion Italinë. Kamioni i plumbosur dhe i skanuar kalon në portin e Durrësit dhe në Ankona, në momentin që kamioni po ndërronte rimorkion, duke lënë atë që kishte dhe duke marrë një rimorkio tjetër, duke i vendosur targat e mëparshme BT 0415 C dhe rimorkion 52 17 është kapur në flagrancë nga policia italiane, e cila nuk jep përgjigje se kamioni u kap rastësisht apo ishte në ndjekje të tyre.

Doganierët maqedonas thonë se e kanë hapur kamionin dhe kanë gjetur lëndët e ndërtimit dhe më pas e kanë plumbosur, ndërsa pala shqiptare ka kryer skanimin, që duket qartë nga foto se aty ka lëndë ndërtimi. Sipas një dyshimeve, pas ndërrimit të destinacionit pas dy orësh që është bërë njoftimi, ekziston mundësia që kamionit t’i jetë ndërruar rimorkio e ngarkesës me lëndë ndërtimi dhe të jetë vendosur rimorkio me drogë, si dhe targat e rimorkios të hequra nga ajo me lëndë ndërtimi. Kështu kamioni, duke pasur dokumentin doganor për material ndërtimi dhe skanerin e pastër që duken materialet, e ka shfrytëzuar për të kaluar në Itali me këto dokumente.

Nyja e këtij procesi është shoferi maqedonas, i cili ka parë se çfarë ka ndodhur me kamionin e tij, pasi ngarkesa është ndërruar në një vend të caktuar gjatë rrugës, pasi trafikantët i kishin kalkuluar mirë të gjitha veprimet. Sipas një përllogaritje, rimorkio që është ndërruar rrugës ka pasur 3 ton drogë dhe fitimi ishte mbi 8 milionë euro!
Sigal