E konsideroj veten me fat, kjo punë më plotëson!

1378
Hermes NIKAJ 
Televizion/Prezantuesja Renada Daci rrëfen hapat e parë në botën e televizionit 
Renada Daci, 21 vjeç, nga Fushë Kruja. Ka mbaruar studimet Bachelor, cikli 3-vjeçar, për gjuhë shqipe dhe letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Vazhdon studimet master, viti I. Është bërë pjesë e ekranit të TV SCAN, ku mbulon rubrikat kulturore në emisionin “parfume”. E pasionuar pas botës së artit dhe kulturës, ajo po realizon ëndrrën e të qenit pjesë e botës së televizionit. 

1. Mund të na tregoni si e morët vendimin për t’i hyrë rrugës së TV?
Në fakt, nuk m’u desh të mendohesha dy herë për të marrë një vendim të tillë. Ëndrra ime, që e vogël, ka qenë të isha pjesë e TV, e botës së ekranit. Fundja, kush nuk e lakmon TV?! Unë zgjodha gjuhën shqipe dhe letërsinë për disa arsye; theksoj këtu dëshirën për ta studiuar gjuhën tonë të bukur shqipe, duke mësuar të mos gaboj në asnjë fjalë apo shenjë pikësimi, të shmang çdo barbarizëm të mundshëm nga fjalori vetjak, e së fundmi, për të realizuar edhe dëshirën e tim eti: të trashëgoj profesionin e mësuesisë në familjen tonë (po e njëjta degë). Sa më shumë e studioja gjuhën dhe lexoja literaturë nga më të ndryshmet, aq më shumë e vija re që oratoria ime sa vinte dhe përmirësohej, po ashtu aftësia për të qenë sa më e komunikueshme me njerëzit përreth. Kuptova që unë duhet ta gjej çelësin e sirtarit të ëndrrave…dhe ja ku jam sot! 

2. Cilat rubrika mbuloni aktualisht me kronikat tuaja dhe a e shihni veten në ndonjë rubrikë tjetër? 
Aktualisht jam pjesë e stafit të TV SCAN, ku me shumë përkushtim punojmë për të realizuar një fundjavë plot ngjyra. Unë, së bashku me kolege të tjera realizojmë “PARFUME”, një format tepër interesant që promovon vlera dhe kulturë mbi të gjitha. Kronikat e mia realizohen duke intervistuar ne terren, njerëz nga fusha e Artit dhe Kulturës, kronika të tjera të cilat kanë të bëjnë me stilin e të jetuarit etj. Format tjetër i “PARFUME” janë realizimi i intervistave në studio si dhe prezantimi i lajmeve të Show Bizz-it të huaj. Unë pres shumë nga vetja si Renadë, e nuk jam mësuar të kënaqem me pak. Ndoshta mund të duket e tepërt, por kjo jam unë. E di që mund të bëj akoma më shumë, pse jo, të drejtoj një emision timin! 

3. Cilat kanë qenë vështirësitë e para të punës në TV dhe si i keni tejkaluar ato? 
Fillimi gjithmonë të përball me vështirësi dhe mund të të shkaktojë pasiguri ose lëkundje në vetvete. I drejtohesh vetes: “Oboboo, si do të dal?! A mundem unë ta bëj këtë?!” …Kisha frikë mos bëja lapsuse…gjëra të tilla. Në daljet e para, këto vështirësi kam hasur. më pas e kuptova që unë duhet thjesht të kem besim në aftësitë e mia, të qëndroj e qetë dhe të punoj me shumë dashuri! 

4. Kënaqësia më e madhe e punës në ekran, cila është sipas jush? 
Para se të bëhesha pjesë e ekranit, edhe unë ashtu si të gjithë teleshikuesit, e shikoja nga jashtë TV dhe më pëlqente shumë. Gjithçka është e përgatitur mirë dhe i është kushtuar vëmendje qoftë edhe detajit më të vogël. Tani ndihem akoma më e kënaqur me këtë që bëj, sepse tashmë e di si funksionon, e di sa e vështirë është; gjithçka nis me një ide që mund të lindë kurdo, duke qëndruar shtrirë në divan, duke ecur rrugës, apo duke qenë pjesë e një dite plot aktivitete. Pastaj, një staf i tërë punon fort për të realizuar këto gjëra të bukura; Si të thuash “Ideja jote merr jetë”. Kjo është kënaqësia më e madhe që unë marr në ekran, kur shoh “produktin e mendjes sime”, të transmetohet për teleshikuesit shqiptarë. Shkurt, qartë, saktë: Kjo punë më plotëson! 

5. A ju njohin njerëzit kur ecni në rrugë? 
Çfarë reagimesh keni hasur? (Qesh) Jooo, aspak. E para fare është se unë nuk kam shumë kohë që jam pjesë e TV dhe sigurisht, jo vetëm që nuk jam e njohur më shumë sesa në rrethin tim shoqëror, por as nuk e synoj diçka te tillë. Nuk e di çfarë ndjesie mund të kesh që njerëzit të të ndalin rrugës, apo te përballesh me ndonjë reagim të tyrin. Unë di vetëm dicka: TV nuk është e vetmja ëndërr e imja që kam ndërmend të realizoj. Jam një thërrime e vogël në botën e Artit e dua që të përjetoj pak nga të gjitha degët e tij. Jam ende në fillimet e mia! 

6. Ju ndiqni edhe studimet Master pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Si ia dilni të jeni edhe studente ekselente, edhe gazetare e re tepër e zonja?
(Qesh) E theksova edhe më parë. Jam shumë e lidhur me degën për të cilën vazhdoj studimet; sigurisht që më është dashur t’i vë të dyja në plan paralel, studimet dhe gazetarinë. Nuk e mohoj që dita ime është shumë e ngarkuar, por kam mësuar ta sfidoj kohën!

7. Duke qenë se folëm për fakultetin, si ka mundësi që disa prej gazetarëve më të mirë në vend, kanë studiuar jo për gazetari, por për gjuhë letërsi dhe janë bërë ndër më të njohurit në ekrane?! 
Unë e mbështes fort idenë se “Fjala” është baza, themeli i gjithçkaje, qoftë për shkencat shoqërore, ashtu edhe për ato natyrore. Nuk mund ta shpjegosh biologjinë apo matematikën, pa përdorur fjalët e sakta; nuk mund të jesh një folës i mirë, nëse nuk ke njohuritë e duhura gjuhësore; nuk mund të flasësh “bukur” e t’i bësh të tjerët të të dëgjojnë, nëse nuk i ndërthur fjalët në mënyrën sa më të thjeshtë të mundshme. Ja pse gjuhë letërsia është fillimi më i mbarë, që një person publik, qoftë nga fusha e gazetarisë apo tjetër, mund të ketë. E para është “Fjala”, citojmë Biblën. (Qesh). 

8. Si i keni marrëdhëniet me kolegët në TV? 
Ndihem mirë aty ku jam. Komunikimi mes nesh sa vjen dhe bëhet më i afërt dhe njihem me të gjithë. I gjithë ky bashkëpunim, me departamentin tonë çon në një produkt pune të frytshëm. Ndihem ngrohtë, si në shtëpi. 

9. Çfarë mesazhi keni për të rinj e të reja si ju, që zgjedhin t’i hyjnë botës së TV? 
Mesazhin do të doja ta jepja më gjerësisht, sepse jo të gjithë ndoshta e synojnë median. I këshilloj të gjithë të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre. Asgjë nuk është e pamundur, nëse vërtet punon fort për të arritur objektivat e tua. Nuk ka gjë më të bukur sesa të punosh me dashuri! 

10. Ku e shihni veten pas 5 vitesh, sërish brenda medias apo në një profesion tjetër?
E konsideroj veten shumë me fat, sepse gjuhë letërsia të hap shumë dyer. Vërtet një nga ëndrrat e mia ka qenë TV, e me siguri do ta ushtroj si profesion për disa kohë. Por qëllimi im kryesor vazhdon të mbetet Pedagogjia. Kam dëshirë t’i vazhdoj studimet për më tej, e sigurisht kjo kërkon një kohë të konsiderueshme për ta arrirë! 

11. Motoja juaj është…? 
Nëse vërtet e do Suksesin në jetë, duhet ta duash atë më shumë se frymën nën ujë!
Sigal