Dy romane të reja nga Shtëpia Botuese WEST

776
Sigal

Heroina i përket një periudhe të lashtë të jetës sime, ajo është dëshmitarja e një shqetësimi të kapërcyer

FUNDI I NATËS

roman

FRANÇOIS MAURIAC

 Romani Fundi i natës, i nobelistit frances François Mauriac, vjen si botim i shtëpisë botuese WEST, me përkthimin elegant të Migena Elezit, e njohur tashmë edhe me përkthime të tjera nga gjuha franczeze, italiane dhe angleze. Fabula e thjeshtë, ku Terezën, personazhin kryesor, e dashuron i dashuri i vajzës së saj, na fut në vorbullën e analizave psikologjike dhe na mban në tension deri sa ajo (Tereza) pret natën, pret fundin e saj, të cilën na e bën më të qartë vetë autori në parathënien e këtij libri, të cilën po e japim më poshtë.

PARATHËNIE

(nga vetë shkrimtari)

Në librin “Fundi i natës” nuk doja të jepja vazhdimin e “Terezë Deskeiru”-së, por portretin e një gruaje në perëndim të moshës, të cilin tashmë e kisha ravijëzuar që në rininë e saj të hershme

kriminale. Nuk është kurrsesi e nevojshme që të keni njohur Terezën e mëparshme për t’u interesuar për atë për të cilën unë po rrëfej dashurinë e saj të fundit. Po bën gati dhjetë vjet, që, e lodhur së jetuari thellë brenda meje, ajo kërkonte të vdiste, mirëpo unë dëshiroja që kjo vdekje të ishte sa më e krishterë, kështu që e kisha titulluar këtë libër, ende i paqenësishëm: “Fundi i natës”, pa e ditur assesi se si do të përfundonte kjo natë: vepra e përfunduar zhgënjen pjesërisht shpresën që përçon titulli.

Lexuesi, që, me të drejtë, dëshiron që gjithfarëlloj vepre letrare të shënjojë etapat e një ngjitjeje shpirtërore dhe, ndoshta do të habitet nga kjo zbritje në dyert e ferrit, ku sërish e tërheq unë, është e rëndësishme të kujtojë se heroina ime i përket një periudhe të lashtë të jetës sime dhe se ajo është dëshmitarja e një shqetësimi të kapërcyer. Përveç kësaj, edhe pse këto faqe i kam shkruar me të vetmin

qëllim për të nxjerrë në pah figurën e përvuajtur të Terezës, aktualisht e di se ç’domethënie kanë për mua dhe se çfarë zbulova fillimisht tek to: ky është pushteti, që u akordohet krijesave më të ngarkuara me fatalitet, – atë pushtet për t’i thënë jo ligjit që i shtyp. Kur Tereza, me një dorë ngurruese, largon flokët nga balli i saj i rrënuar, me qëllim që djali që ajo ka magjepsur të tmerrohet dhe të largohet prej saj, pikërisht ky gjest i jep kuptim gjithë veprës. Në çdo takim, fatkeqja e ripërtërin, duke mos reshtur

së reaguari kundër fuqisë që i është dhënë për të helmuar dhe për të prishur. Mirëpo, ajo i përket asaj race njerëzore (një familje gjigante!), e cila mund të shpëtojë nga nata, veçse duke u larguar nga jeta. Atyre u është kërkuar të mos i nënshtrohen kurrsesi natës. Përse ta ndërpresim këtë histori pak para se Terezës t’i akordohet falja dhe ajo të shijojë paqen e Zotit? Në të vërtetë, këto faqe ngushëlluese u shkruan, për t’u grisur më pas: unë nuk e shikoja priftin që duhej të merrte rrëfimin e Terezës. Në Romë, zbulova një prift të atillë dhe sot e di (ndoshta ndonjë ditë do ta tregoj në disa faqe), se si Tereza hyri në dritën e vdekjes.

 François Mauriac

………………………………………………………………………………………….

 MARKEZA   MEKATARE

roman

          ALEXANDRE DUMAS

Është tepër paradoksal fati i KRIME TË BUJSHME, i Alexander Dumas- ati që, në shumë aspekte, është ende shumë pak i njohur. Por, pavarësisht kësaj, jo pak e vlerësojnë atë si një lloj “Një mijë e një net” të këtij autori të madh francez. Në fakt, ai është një kryevepër e vërtetë që rindërton në gjashtë volume (nga njëzet që kishte planifikuar Dumas), disa nga krimet më të tmerrshme të të gjitha kohërave, deri në vitet kur jetonte vetë shkrimtari…duke trajtuar figura tepër të diskutuara në histori si Lucrezia Borgia apo Ali Pasha, ose pikërisht Marie-Madeleine d’Aubray, (Markeza Brinvilliers), e njohur më mirë si “helmuesja “, një grua e shthurur fisnike që ka jetuar në Francë në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Markeza dhe i dashuri i saj, një ish- i burgosur i Bastijës me gjakftohtësi vrasin tërë familjen e saj, duke përfshirë edhe bashkëshortin. Krimet e gruas u zbuluan rastësisht dhe ajo kërkon shpëtimin e shpirtit, duke zgjedhur vetë që ta dënonin me vdekje, pastaj ta digjnin. Kjo është historia.Tepër e bukur, magjepsëse, me sy të mëdhenj e të kaltër, kështu del në sytë e bashkëkohësve të saj Markeza e Brinvilliers, (Markeza mëkatare), protagonistja e këtij romani, një prej historive më pak të njohura të A. Dumasit të madh, marrë pikërisht nga Krime të Bujshme. Mes helmeve dhe intrigave, burgjeve dhe dashurive, priftërinjve dhe atyre që rrëfejnë mëkatet, na çon shkrimtari i madh, duke na treguar detaje ekstreme për këtë markeze të tmerrshme, që nga zhvirgjërimi në moshën shtatë vjeçare, deri tek hiri që i hidhet nepër erë…