Duro Mustafai/ Akademiku Shaban Demiraj, ka qenë edhe poet …

622
Sigal

Ndoshta janë të rrallë ata që e dinë që në rininë e vet profesor Shabani shkruante  vjersha

Ndoshta janë të rrallë ata që e dinë që në rininë e vet profesor Shabani shkruante  vjersha. Këtë e kemi mësuar tani vonë nga  zonja Fatime, bashkëshortja e mrekullueshme  e profesorit. Në shtëpinë e tyre në Tiranën e Re, ajo na thotë, se, “poezitë e Shabanin, të shkruar nga dora e tij afro  80 vjet  më parë i kam këtu, në disa fletore… Ato janë të shumta, unë  do t’i seleksionoj, e disa prej tyre do t’ua jap për botim, juve si ish- student i tij, thjeshtë për ta kujtuar. Dhe para nesh si fillim, do të na paraqiste dy poezi,për të cilat, ndonëse diçka është shkruar tek gazeta “Dielli”nga Enver Memishaj, kohë më parë, nuk e kanë gjetur popullarizimin që meritojnë… Poezitë e shkruara nga profesor Shaban Demiraj, që janë me tematikë të ndryshme,të flasin për një anë të panjohur të jetës së tij… “Nga shënimet në fund të poezive, mësojmë se Shaban Demiraj, kur i shkroi vjershat  ishte  në moshën 16-17 vjeçare dhe nxënës i Medresesë së Tiranës. Po  vjershat i shkroi gjatë pushimeve, në Vlorë e përgjithësisht për Vlorën, e ngjarjet historike të saj. Të çudit fakti që poezitë kanë temën më të rëndësishme të kohës, atë të lirisë e pavarësisë, të nderimit të  Flamurit, Ismail Qemalit, e burrave atdhedashës. Dhe ndonëse në moshë të re, vjershat  tregojnë për pjekuri mendimi e nivel të mirë artistik, ( pa çka se aty këtu gjen edhe gabime ortografike, që justifikohen me nivelin arsimor në  moshën e tij  të re ). Po kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka fakti që  profesorin e ardhëm të gjuhës shqipe  e  frymëzonte qyteti i tij i lindjes  që e deshi aq shumë, prandaj edhe shkroi aq bukur për të…. Por edhe Vlora nuk e harroi kurrë birin e  saj të shquar. Veç vlerësimeve të larta, që i bëri Atdheu, Vitet e fundit, Vlora  e shpalli atë edhe “Qytetar Nderi” i Qarkut të Vlorës…

Poezitë e djaloshit Shaban Demiraj, edhe sot, pas shumë dekadash, si nga përmbajtja, nga forma, e niveli artistik, janë të bukura dhe lexohen me kureshtje e interes. Prandaj,dikush mund të pyesë,  pse ai, i riu i talentuar , braktisi rrugën e poezisë. Është e tepërt të themi se njeriu në jetë, ecën në rrugën që i pëlqen dhe shikon se aty ku  mund të shpalosë aftësitë dhe pasionin e tij, aty ecën më i sigurt… Dhe ai jo rastësisht,  zgjodhi rrugën e shkencës së gjuhësisë dhe arriti të bëhej, ai që edhe do të mbetet, “Baba i gjuhës shqipe”

Ka disa muaj që profesori ynë i dashur është ndarë nga jeta, por ne nuk jemi ndarë nga kujtimet e nderimi për  atë, njeriun e madh të kombit e të gjuhës shqipe. Dëshmi nderimi e mirënjohje, janë edhe botimi i këtyre poezive tek “Telegraf”, që ishte një gazetë e dashur për profesorin. Një zë  i bukur atdhetarie edhe për vendlindjen e tij, Vlorën e Labërinë. Fryma atdhetare,  me të cilën jetonte e punonte Akademiku, pasqyrohet edhe në poezitë e tij, të shkruara herët, qysh në moshën e rinisë… Ato flasin se Shaban Demiraj gjithë jetën ka jetuar mes nesh e ka punuar për ne, për mëmëdhenë e dashur…. këtë e pasqyrojnë edhe dy poezitë e mëposhtme, botuar në  Nëntorin e vitit 1937 dhe 1938…

Shaban Demiraj

  25 -VJETORIT NË VLORË

 Lulëzo dhe krenohu moj Vlora kreshnike,

Me bujë festo vjetorin e Lirisë,

Dhe me përpjekjet e tua Patriotike,

Me radhë tregoja bijve  t`Arbërisë.

            Kur zgjedhën barbare Shqipëria vajtonte,

            Dhe gjithë Kombi mbarë përpiqesh për shpëtim,

            N` qiellin t`ënt Flamuri u ngrit të valonte,

            Prej Burrave, q`i dhanë kësaj toke lirin.

Vatër lirimtare të tokës Arbërore,

Të njeh i gjithë  kombi me Mbretin në Krye,

N`ty këndoi së parit shkaba dykrenore,

Kur zgjedh` e barbarit nga kish ardhur u kthye.

            Njëzet e pesë mote mbushi sot liria,

            Qysh se ti e shpalle për herën e parë,

            Prandaj po gëzon e gjithë djalëria,

            E udhëhequr vet nga Prisi Shpëtimtarë.

Këndoni, vlonjat, rreth Varrit Historik,

Kurorën i thurni çliruesit Kombëtar,

I tregoni Plakut tonin melodik,

Lumturinë, që ndien sot populli shqiptar.

            I thoni që shkuan njëzet e pesë vjet,

            Që dor` e Tij Flamurin lartësoi,

            Dhe shqiptarët sot falnderjen e vërtetë,

            U bëjn` atdhetarëve, që kjo tokë ndriçoi.

Festo – e, pra, Vlorë njëzet e pesë vjetorin,

Mblidhuni ju djem të gjithë pa u ndarë,

Me gazmend kremtoni njëzet e tetë Nëntorin,

                                        Botuar në  gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1937, f. 4

Në shtëpinë e Profesor Shabanit, mes studentëve,miq të tij

                28 NËNTORIT

 Flamur` i Kastriotit me shkabë dykrenore,

Valon sot an` e mbanë në tokën arbërore,

Dhe pal` e tij e bukur ngjyruar kuq e zi,

Mbulon me valëvitje të bukurën Shqipëri,

Ku pesëqind e ca vjet sundoi zgjedha barbare,

Dhe dykrenor` i ynë s`u pa të valoj fare,

Por sot ja ku valon ashtu siç i ka hije!

Dhe djalërinë e mbush me çaste lumturie,

Me çaste lumturie mbush djalërinë o Vlorë!

Që plot hare feston njëzet e tetë Nëntor.

*    *    *

“O nipa t`Kastriotit, o bijt` e Arbërisë!

Kremtoni gjithë së bashku vjetorin e Lirisë,

Njëzet e tetë Nëntorin plot gaz ju e festoni,

Mbasi lirin e shtrenjtë kudo po e gëzoni.

Të gjithë për rreth Flamurit ju lidhuni me besë,

Për nderin e Atdheut kushdo me gaz të vdesë,

Kushdo me gaz të vdes për nderin e Atdheut,

Siç bën` burrat e motit në koh` të Skënderbeut,

Dhe, kur të jeni lidhur me besën Shqiptare,

Prej sulmit të armikut mos u frikoni fare,

Pse Bes` e Arbëreshëve nuk e lejon tradhtinë,

Por burrërisht mbron Nderin, Atdheun dhe Lirinë”.

*    *    *

Dhe, ndërsa Kryezeza lirinë po kremton,

An`mb`anë Shqipërisë një zë se ç`po gjëmon:

Është nderi, që gjithë Kombi dëshmorëve u kushton,

Është Besa rreth Flamurit në qiell që po tingëllon,

Është Bes` e djalërisë, që jep për rreth Flamurit,

Se do të mbrojë Atdheun e Lekës dhe të Burrit.

*     *     *

Pra, sa të jetë bota Flamur` i ynë  valoftë

Dhe Shqipëri e dashur për jet` e lirë rroftë!

                                   Botuar në gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1938, f. 4