Dule Zeqiri: “Sa më i zellshëm të jesh ndaj maxhorancës, aq më të sigurt e ke karrierën”

562
Sigal

INTERVISTA. Dule Zeqiri, shefi i Kolegjit Zgjedhor: “Me çdo vendim gjyqësor që marrim,  i lëmë  njerëzit me gojëhapur”

– Zoti Zeqiri, na latë të gjithëve me gojë hapur. Ti me shokë nga Kolegji Zgjedhor, rrëzuat urdhrin e babait, e bëtë hatërin e gjitonit?

Ne gjithnjë miletin e lëmë me gojë hapur, për çdo vendim që marrim në gjykatë. Po, juve, që nuk ju kam parë në derë të gjykatës, pse keni mbetur me gojëhapur?

Kujt ia priste mëndja që ju t’i jepnit të drejtë PS-së dhe të rrëzonit urdhrin e PD-së? Çudia e madhe ngjau me ju, po nuk dimë, u shkau, apo e bëtë me qëllim?

Vendimi nuk është ngjalë, që të na shkasë nëpër dorë.

– Po ç’ngjau që, në Kolegjin Zgjedhor, u ngritën këmbët e qëlluan kokën?

– Po nuk është faji i yni. Ne thjesht bëjmë atë që është e më e mira jonë.

– E mira e kujt është, zoti gjyqtar? E pamë dhe u bindëm të gjithë që, votat në Lezhë ishin nakatosur nga duart e pista, por ju vendosët që ujku ta hajë i qetë mëlçinë, meqë ia kanë varur në qafë.

– Po ata që i varën ujkut në qafë mëlçinë, nuk kanë asnjë faj? Pse të rrezikoj kokën unë, e të vë dorën time në gojën e ujkut, e t’i heq mëlçinë nga goja?

Çfarë ndodhi me ju, zoti shef i Kolegjit Zgjedhor që, i hoqët  PD-së mandatin që dëftuan votat e rinumërimit? Dora e saj a nuk ju kishte ushqyer deri tani? Ju latë mëlçinë ta hanë dhëmbët e çakallit e jo të ujkut?

– Kur PD-ja nuk është më e zonja të ketë dhëmbë për gojën e saj, çfarë do të na japë të hamë dora e saj? Hija e PD-së, tani u bë si hije rigoni, e në këtë vapë na bie damllanë në kokë po të rrimë akoma në hijen e saj.

– A nuk ju vret pak ndërgjegjja që po ndukni me dhëmbë dorën që ju ushqeu deri tani, zoti shef i Kolegjit Zgjedhor?

– Po dhimbja e ndërgjegjes nuk dëgjohet fare, kur ke urinë në xhep.

– Uri në stomak, do të thuash?

– Nuk ke dëgjuar fare ti, për urinë e xhepit?

 Çoç më kishte zënë veshi, po nuk ma merrte mendja që edhe ju, shefat e drejtësisë, do të kishit urinë edhe në xhep?!

– Burra jemi edhe ne, e pantallonat me xhep i kemi, e nuk veshim fustane. Tani neve na shtrihet një dorë tjetër, që dëshiron ta na ushqejë. Dhe ne i kemi dy gramë mend, që të mos e kthejmë mbrapsht dorën që ka ushqim. Të tjerët, që kanë tru në kokë e jo mend, u mbetet goja hapur nga vendimet tona, kur falënderojmë dorën që na ushqen.

– Ju kështu, a nuk e katandisni vetë drejtësinë një çorbë të prishur?

– Çorba është për miletin, se ne hamë ushqimin e pasur nga dora e parësisë.

–  Po kushërira juaj, KQZ-ja që vazhdon të jetë ajo frutë që ka qenë?

– Po të më kishe thënë, që kushërira ime, KQZ-ja është e ndershmja e ligjit, meqë nuk e drodhi, do të më kishe lënë mua me gojë hapur. Jo nga çudia, po nga budallallëku yt.

– Zoti shef, i Kolegjit Zgjedhor. Ty nuk të çudit fare që, kushërira jote KQZ-ja nuk e drodhi hiç, me maxhorancën e re?

– Të mykur janë, nga trutë, se mendje nuk kanë fare. Akoma i shërbejnë një të rëni nga kali. Nuk dinë as të mirën e vetes, pale të bëjnë gjë për të mirën e tjetrit. Do ta shikosh, tani, si u fluturon karrigia e këmbët kanë për t’u zënë vetëm ujë.

– Thua? Edhe pse ligji u garanton mandatin për 4-6 vjet?

– Kush e pjerdh ligjin në këtë shtet, o derëzi!

– Pse, edhe ju shefat e drejtësisë e keni humbur besimin te ligji?

– Po kur të vjen e keqja te koka, kë të shikoj unë, ligjin?

– Po cila e keqe u erdhi te koka juve, zoti shef i Kolegjit Zgjedhor?

– Paria, erdhi dhe na e tha hapur: Nëse doni të keni të ngrohtën e karriges te menderja juaj, bëni atë që u themi ne. Ndryshe….

– Ndryshe, çfarë, zoti shef i Kolegjit Zgjedhor?

– Paria na e tha troç: Ndryshe, këmbët në ujë keni për t’i pasur përherë, deri sa ne të jemi paria e vendit.

– Edhe kur vjedhja e votës është parë nga të gjithë në dritën e diellit?

– Ti nuk merr haber nga kjo botë, shoku, ç’të të flas qesim. E  ftohura e kokës vjen kur këmbët e tua  i zë uji! Bë sehir edhe një çikë e do ta shikosh si do t’u arrijë e ftohura e këmbëve te koka, kushërirës KQZ.

– Kushërirës KQZ uji në mendere i vajti ngaqë mbron ligjin si sytë e ballit?

–  Ligjin të gjithë e kanë pandoflkë. E keqja e kushërirës KQZ është se mbetën rob të  parisë së vjetër, nuk e drodhën hiç me parinë e re.

– Thua?

– Do ta shikosh. Fiu- fiu, kanë për t’i nxjerrë me shkelma përjashta, paria, sa të ulet në pushtet në shtator nga dritarja, të mbeturit e KQZ-së. Që të hash rehat bukën në këtë pushtet, duhet të puthësh gjithmonë dorën e saj. Dhe, sa më shumë e puth dorën e pushtetit, kaq më e madhe është edhe korrikja ku ulet menderja dhe koka nuk trazohet nga asnjë dallgë e furtunë.Vetëm kështu, e ha rehat-rehat bukën e këtij pushteti.

– Po ligji, zoti shef i Kolegjit Zgjedhor?

– Ligji, ë?!  Më shtove humorin, kur ma zë në gojë. Akoma nuk e ke mësuar ti, që ligji te ne është si ai flamur, që hedh vallen nga e fryn era e parisë.

Nuk është çudi, shqiptarët janë pakica në Parlamentin e Shqipërisë

Disa miq tanë, grekë e maqedonas shkruajnë lart e përpjetë që shqiptarët janë pakica në Parlamentin e ri të Shqipërisë. Dhe, që ne të besojmë këmborët e këtyre “miqve” tanë grekë e maqedonas, ata na bëjnë edhe inventarin, kokë më kokë të deputetëve tanë të rinj. Dhe derisa nga tanët nuk dëgjohet gramë fjale, thua se  ky inventar i “miqve” tanë grekë e maqedonas, bëhet për krerë bagëtie, që nuk kanë gojë? Grekët shkruajtën para ca ditësh, që në Parlamentin e Shqipërisë janë edhe 6 deputetë grekë. Dhe u vunë edhe matrikullimin, me emër e mbiemër, Vangjel Dule, Luiza Xhuvani, Vasilika Hysa, Vangjel Tavo, Andrea Marto, Anastas Angjeli. Pritet edhe i shtati,dhe çfarë greku? Puro, nga ata që deklarojnë se Vorio-Epirin do ta marrë Greqia, edhe me luftë, në qofte nevoja. Vasil Bollano, do të betohet deputeti grek në Parlamentin e Shqipërisë, pasi deputeti tjetër grek, Vangjel Dule, do të bëhet ministër i qeverisë shqiptare. Dhe kështu, u tha nga grekët, po asnjë gojë shqiptare nuk reagoi hiç. Hiç fare! Panë dhe dëgjuan “miqtë” maqedonas që shqiptarët po katandisen pakicë në Kuvendin e Shqipërisë dhe filluan edhe ata të bënin inventarin e maqedonasve në Kuvendin e Shqipërisë. Ia dolën të gjenin maqedonas deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Taulant Balla dhe Namik Dokle janë  deputetët maqedonas në parlamentin shqiptar. Sërish asnjë gojë shqiptare nuk u hap dot e të thoshte një fjalë. Gjermanët kanë harruar të gjejnë deputetët gjermanë në Parlamentin shqiptar, po kjo nuk do të thotë që harrojnë deputetët gjermanë të Parlamentit shqiptar të deklarojnë që janë gjaku gjerman. Deputeti Pandeli Majko, vetëdeklarohet që është gjerman. Oreksi i madh i “miqve” tanë ballkanas u hap, që të gjejnë të tyret në Parlamentin  shqiptar. Edhe malazezët, edhe serbët, pse jo, edhe boshnjakët, dhe me patjetër, edhe turqit, do të gjejnë deputetët e tyre në Parlamentin shqiptar. Shqetësimi im është ky. Sa deputetë shqiptarë do të mbeten në Parlamentin shqiptar? Do të guxojë njeri që të kërkojë deputetë shqiptarë në Parlamentin shqiptar? Heshtja e shqiptarëve, kur “miqtë” grekë, maqedonas, e sorollop deklarojnë deputetët e tyre në Parlamentin shqiptar, më tremb, aq sa pyes edhe veten: Thua, të na mbetet ndonjë deputet shqiptar në Parlamentin shqiptar? Pyes dhe trembem, derisa askush nuk më përgjigjet as mua!