Duke dëgjuar kryekëngën e kombit…

633
Sigal

(Meditime  e mendime……Për Himnin Kombëtar )

Nga Jorgo Telo, Gjirokastër

Përgjatë ditëve të fundvitit 2012 na kanë depërtuar më fuqishëm në shpirt tingujt e kryekëngës kombëtare: “Himni i flamurit”; meritë kjo televizionit prestigjioz kombëtar “Top- Channel”… Me mençuri e kish zgjedhur këtë vit ky televizion këngën përshëndetëse për festat e fundvitit, duke na e sjellë Himnin Kombëtar të plotë, të fuqishëm, tërheqës, më të bukur se kurrë ndonjëherë, duke plotësuar kësisoj edhe një mision të madh atë të përndezjes së vetëdijes e krenarisë kombëtare te të gjitha moshat e shtresat e popullatës pa përjashtim. E përgëzoj dhe falënderoj me gjithë shpirt këtë staf muzikantësh e këngëtarësh të këtij televizioni mjaft të dashur për shqiptarët, ku më duhet të theksoj korifenjtë e mirënjohur të zërit
shqiptar: Elton Deda, Alma Bektashi, Mirjam Cami, Singrid Bejleri, i cili i dha jetë kryekëngës më shumë se kurrë me zërin e tij brilant vargut më thelbësor, por edhe më të  të “diskutuar” të kësaj kënge: “Prej lufte veç ai largohet, që është lindur tradhëtor “Kush është burrë, nuk frikohet… “Po vdes, po vdes si një dëshmor.” Për brendinë e këtyre vargjeve janë hedhur në media mendime të ndryshme disi në kundërshti me njëra-tjetrën, dhe,sipas motivit folklorik tradicional: “E lagu, s’e lagu..”, Megjithatë, mendoj se është “rrahur ujë në hava”, pa arritur në një mendimdhënie të pranueshme e mbushamendëse (gjer më sot së paku…) Marr guximin e kam kurajën të shprehem, pa qenë as akademik e as me tituj shkencorë, madje dhe as i autorizuar, për të dhënë ndonjë ndihmesë, por jam nxitur më tepër nga mungesa e arsyetimeve të shëndosha lidhur me poezinë e hershme të Asdrenit… M’u desh të qëmtoja diçka më tepër për thelbin e këtyre pikëpamjeve subjektive dhe diçka gjeta në faqet e gazetës “Tema” te një shkrim i zotit Aristotel Mici. Sipas autorit të shkrimit përshfaqet habia, si qenka e mundur që
Avokati i Popullit, zoti Igli Totozani na dalka kundër një vargu të “Hymnit kombëtar…?, e pikërisht ndaj vargut “Kush është burrë, nuk frikohet…”.  Nëse do t’i mëshohet më konkretisht vargut të Asdrenit: “Kush është burrë, nuk frikohet”, në sipërfaqe, ndoshta, mund të arrihet në perceptimin e gabuar, se kombi nuk përbëhet vetëm nga burrat, por dhe
nga seksi femëror, porse, duke e parë nga pozicioni, ku gjendet zoti Totozani, nuk ka arsye t’i vërvitemi me epitete të ndryshme, teksa mund të gjendet më kollajshëm mundësia e përmirësimeve, nëse duhen…
Unë mendoj, se nuk është vakti i “operacioneve” të asaj natyre që ndërmori regjimi komunist ndaj “Himnit të Flamurit, duke hequr fare gjasa  “tumorin” prej trupit të poezisë origjinale të Asdrenit e pikërisht strofën më demokratike e më popullore si:

 “Se Zoti vetë e tha me gojë,

se kombet shuhen përmbi dhe.
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne…”.
E pabesueshme: Si paskan harruar “kirurgët”, se tok me tumorin “Zot” e paskan lënë kryekëngën tonë dhe pa pjesën më të shëndoshë:
“Por Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne”. (?!)
Ma thotë logjika, se me një “melhem” mjaft të padëmshëm mund të kryhet më normalisht e pranueshëm përfshirja e gjithkujt, pa dallim në
brendinë e këtij himni gjithëpërfshirës, pa asnjë lloj dhimbje…Posi mund të arrihet pa krijuar probleme të tjera në rrafshin gjuhësor e ato të theksit ritmik në rrafshin letrar-muzikor? Kësi pyetjesh më kanë
hedhur në mendime të thella, derisa them se arrita të gjeja shtegun” e daljes nga “xhungla” e sajuar gati artificialisht…
Vetëkuptohet vargu kryesor që shpreh disi hapur ndasinë (burra, gra), nuk mund të “shartohet me zëvendësim , ndryshe do shkaktonte anomali
ritmike dhe estetike… Se, ndasia del dhe te vargu paraprirës: “Prej lufte veç “ai” largohet… etj. Pra përemri vetor ai i mëshon vetëm seksit mashkull,
gjë që përforcohet nga vargu pasardhës, ku fjala “burrë” artikulohet fare qartë… Mendova goxha si mund t’u shmanget poezia këtyre dukurive të përfolura… Pa mëtuar të bëj kompetentin po i risjell vargjet e përfolura, por dyvargëshin e përfolur disi më ndryshe:
“Prej lufte veç ndonjë largohet.
Siç shihet këtij vargu i është bërë një ndryshim krejt i lehtë, për të hequr qafe dyshimin që mund të na krijojë përemri “ai”, që sërish nënkupton seksin mashkull. Duke e zëvendësuar përemrin ai me përemrin e pakufishëm “ndonjë”. I shpëtohet kësisoj dyshimit pa telashe dhe i paraprihet vargut pasardhës, ku fjala “burrë”, dukej se po priste radhën të ndryshohej… Dhe ja si ia gjetëm “ilaçin: “Kush është; me besë nuk frikohet…(fjala “burrë” zëvendësohet nga togfjalëshi “me besë”, ku nuk cilësohet as njëri as tjetri seks; përkundër i përfshin të dy palët brenda pa ndonjë shqetësim… Në këtë rast fjalët “me besë” nuk krijojnë asnjë hamendje dyshuese(mashkull ose femër), meqë për të dy gjinitë shkon për bukuri.