Dritëro Agolli trondit Kinën me “Nënë Shqipëri”

1774
Sigal

Botohet në Kinë një përmbledhje me poezi e Dritëro Agollit

Në përkujtim të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me titullin “Nënë Shqipëri”, për herë të parë botohet në gjuhën kineze një përmbledhje me poezi e Poetit tonë Kombëtar Dritëro Agolli. Përkthyesi dhe albanologu i njohur Çen En Bo, realizoi botimin në Kinë të kësaj përmbledhjeje në këtë eviniment të rëndësishëm historik për shqiptarët. Çen En Bo e cilëson si shprehje simbolike të miqësisë mes dy popujve tanë dhe si vlerësim ndaj poetit të madh e besnik të popullit shqiptar, mikut të vërtetë e të përhershëm të popullit kinez, DritëroAgolli.

Ky botim, i cili përmbledh poezitë dhe poemat më  të spikatura të Agollit ndër vite, shoqërohet me një parathenie të përkthyesit Çen En Bo, njëherazi anëtar  nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, mbi veprën letrare të Dritëro Agollit, duke theksuar se  “është e rallë që një shkrimtar të jetë i njohur dhe të gëzojë simpatinë e të gjithë brezave, të rinj e të moshuar  në të gjithë vendin.

Pikërisht i tillë është Agolli, një personalitet i fuqishëm, plot pathos njerëzor dhe me zë autoritar të padiskutueshëm në letërsi, në politikë dhe në masën e gjerë të publikut”.

Përveç poemës “Nënë Shqipëri”, në  këtë përmbledhje përfshihen mbi 100 poezi të Agollit, duke dhenë një pamje të plotë të veprimtarisë poetike të tij. Pas botimit të romanit “Shkelqimi dhe rënia e shokut Zylo”, kjo përmbedhje me poezi është një tjetër kontribut ne prezantimin e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli në rrethet letrare të Kinës dhe sigurisht do të ndihmojë  në njohjen  më mirë të letersisë shqipe, dikur mjaft e afërt, por paksa e huaj tani nga lexuesi i gjerë kinez.

KUSH ËSHTË ÇEN EN BO

Të përshkruash punën e Prof. Çen En Bo si përkthyes, si studiues dhe propagandues i letërsisë dhe kulturës shqipe është sa e mahnitshme, aq dhe e vështirë. Shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli e ka krahasuar punën e tij të barabartë me atë të një instituti të tërë. Mjafton të përmend këtu se lista e autorëve shqiptarë të përkthyer nga Çeni në gjuhën me të cilët i kanë shkruar poezitë e tyre të mrekullueshme poetët e mëdhenj Li Bo, Du Fu, Ëang Ëei e të tjerë, është mjaft e gjatë, me rreth 90 emra, që nga autorët tanë të traditës e deri tek autorët më të rinj bashkëkohorë, duke përfshirë këtu edhe plot emra autorësh kosovarë dhe arbëreshë. Sa për ilustrim po përmend disa prej tyre, një pjesë e të cilëve ndoshta nuk e dinë që janë përkthyer në gjuhën kineze: Mjeda, Migjeni, Çajupi, Noli, Filip Shiroka, Asdreni, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Fatmir Gjata, Dhimitër Xhuvani, Anastas Kondo, Xhevahir Spahiu, Teodor Laço, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Naum Prifti, Zija Çela, Bedri Dedja, Qamil Buxheli, Nasho Jorgaqi, Elena Kadare, Nasi Lera, Fatos Arapi, Vath Koreshi, Kiço Blushi e të tjerë. Pra rreth 90 autorë me poezitë dhe prozën më të spikatur të tyre.

Autori shqiptar më i njohur në Kinë është Dritëro Agolli, poema madhore “Nënë Shqipëri” e të cilit është vlerësuar nga kritika kineze as më pak e as më shumë si “e mahnitshme”. Por nga Dritëro Agolli Çeni ka përkthyer edhe vepra të tjera si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, poemat “Devoll, Devoll”, “Baballarët”, “Toka ime, kënga ime” si vëllime me poezi të zgjedhura. Një kapitull shumë të rëndësishëm në punën e Prof. Çen En Bo-së zënë veprat e tij studimore në fushën e historisë së gjuhës e letërsisë shqipe. Që nga viti 1979 ai ka botuar studime për shumë vepra dhe autorë shqiptarë që nga autorët e Rilindjes e deri tek autorët bashkëkohës. Fjala vjen, më 1982, në Enciklopedinë e Madhe Kineze, në vëllimet për letërsinë e huaj, Çeni ka shkruar 17 tekste mbi letërsinë shqipe. Ndërsa duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim ka botuar katër vëllime për historinë e letërsisë shqipe të ndarë me periudha. Historia e tij e botuar më 2001 është kthyer në tekst për studentët e universiteteve dhe instituteve të Kinës (ka 1100 universitete në Kinë), ndërsa autori ka fituar me të Çmimin e Pekinit dhe të Shtetit. Më 2002, së bashku me kolegun Ma Si Pu përfundoi librin “Shqipëria” me të dhëna të hollësishme për zhvillimin e kulturës, artit, letërsisë, arsimit, shtypit dhe ekonomisë. Më 2004, Çen En Bo botoi në Pekin librin me titull “Vite të paharruara”, kushtuar tërësisht Shqipërisë dhe lidhjeve të ngushta shpirtërore që ai ka me këtë vend, ku përfshihen kujtime, reportazhe letrare, përshkrime si dhe poezi të zgjedhura.

Xhevdet SHEHU