Dritëro Agolli: I dua Skraparin dhe skraparllinjtë

2304
Sigal

Intervistë e shkrimtarin të madh Dritëro Agolli me rastin e përvjetorit të lindjes, dhënë gazetarit Bashkim Koçi

Dritëro Agollit, “për mik” a për punë t’i shkosh në shtëpi, njëlloj të pret: me të gjitha “adetet” që i bëhen atij që të hyn në derë të shtëpisë: të pret me raki e kafe. Por “pija” që të shijojnë më shumë në shtëpinë e tij janë mirësia e njerzillëku. Borxhi ndaj kësaj “pijeje” të shtohet e të bëhet mal, kur ti-dhe që nuk je as i pari dhe as i fundit-bëhesh shkak të vësh në mundim edhe gruan e tij, “grua zonjë”, siç thonë nga anët tona, zonjën Sadije. Publiciste dhe shkrimtare është edhe ajo, por ti e ndjek dhe e shikon që ka marrë përsipër edhe një barrë tjetër: atë të kujdesit për të shoqin, shkrimtarin e madh. Por, gjithashtu, ti ndjen që ajo e mban këtë barrë me kënaqësi e koshiencë. Janë të rralla këto zonja…

Jam në shtëpinë e tij, këtë herë për një intervistë për Skraparin e skraparllinjtë. Ky burrë mund të të flasë për orë të tëra për Tiranën e tiranasit, për Tropojën e tropojanët, për Kosovën e kosovarët, për Çamërinë e çamët, për Gjirokastrën e gjithë Shqipërinë… Një intervistë për Skraparin dua-them unë… por shkrimtarit, më shumë i pëlqen fjala “bisedë’ se intervistë.

Dritëro Agolli:- Ka dy arsye të të them “me gjithë qejf”- thotë shkrimtari. Unë e kam dashur dhe e dua shumë Skraparin; e dyta, se ti që vjen në shtëpinë time, veç që jemi miq të vjetër bashkë, je dhe gazetar i “Zërit”. Në atë shtëpi e nën atë çati, ku kemi punuar unë e ti, kam kaluar një pjesë të rinisë që nuk e harroj kurrë. Në atë shtëpi kam njohur miq e shokë, si: Vangjush Gambetën, Javer Malon, Niko Nikollën, e gjer më të rinjtë, si Spiro Dedja, Xhevahir Spahiu, Arshin Xhezo, Ludmilla Xhabija, të cilët i kam pasur edhe studentë në gazetari, por pastaj u bëmë edhe kolegë, miq, e kemi pasur hyrje-dalje, që e ruajmë edhe sot e kësaj dite.

Kaq e kaq herë keni folur e shkruar për Skraparin me një dobësi të veçantë. Cili është ‘teli” që ju lidh me të?

-Më lidh jo një e dy, por njëqind “tela” me Skraparin. Kur isha i ri, në gazetën “Zëri i Popullit” vija në Skrapar shpesh herë dhe, ç’ është e vërteta, nga të gjitha krahinat që kam pasur qejf për të shkuar me shërbim, ishte juaja. Do të them edhe një kuriozitet. Bënim shaka me njëri-tjetrin atëherë. Në Skrapar paratë e dietave të mbeteshin në xhep. Por, edhe në Mat, Shkodër etj.. Se ishte mikpritje e madhe, dashuri e madhe. Skraparllinjtë, të hapnin zemrat dhe dyert. Isha para disa vitesh në Skrapar me Moikom Zeqon, dhe nja dy shokë të tjerë. Vajtëm në një sebep në shtëpinë e Demir Zykos, në Gjerbës. Ishte gjallë Demiri atëherë. Vajtëm si të Partisë Socialiste atë radhë. Por, kur po rrinim në një lokal në qytet, në Çorovodë, para se të ngjiteshim lart në Gjerbës, nga një tavolinë tjetër na vjen një porosi me nga një dopio raki. “Nuk po ua prishim, u thamë, faleminderit! Po, nga kush e kemi! Ta dimë.” “Nga kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i SHIK-ut, thanë ata”. U ngritëm, u përqafuam. Unë u thashë se, “ju të Partisë Demokratike të Skraparit, jeni si ata të Partisë Socialiste në Tiranë”. U ndodh, më duket, një nga gazeta “Koha Jonë” dhe e botuan këtë shprehje. Nejse, bëra shaka, por mikpritjen dhe zakonet e mira, Skraparit nuk ua prishin dot as partitë e as qeveritë.

Thotë një fjalë e urtë: “Fshat e zanat, shtëpi e tabiat”. Po tabiatet e vlerat, cilat janë?

-Ato që thashë, mikpritja e dashuria, pa, një gotë rakie a birre, njeriu i ka në shtëpinë e tij. Në Skrapar, mua, përveç miqve të shumtë që kam, përveç natyrës shumë të veçantë, më tërheq e më bën për vete Tomori, që rilindësit i thonin Fron i Perëndisë. Rrushi i pjergullave në lisa, me një raki të mirë dhe të ëmbël, të dashur, të çojnë në Skrapar e të bëjnë të qëndrosh me ditë. E di ti që nuk ka poet shqiptar, që nga më të vjetrit, që të mos ketë bërë vjershë për Tomorin? Skrapari, siç e di, kufizohet me Korçën, Kolonjën, Përmetin, Beratin e Gramshin. Ai ka marrë e ka dhënë me këto krahina, që janë të mrekullueshme për nga tradita dhe Tomorin e shohin të gjitha.

 Unë kisha një shok, ka vdekur i ziu. Më thoshte shpesh: “Hajde, Dritëro, shkojmë në Skrapar që të këndojmë”. Skraparllinjtë janë edhe të qejfit, por mikut dinë t’ia bëjnë qejfin më mirë se vetes, dinë ta bëjnë të ndjehet rehat, si në shtëpinë e tij. Ti, sa shkon, ata të nxjerrin atë të bekuarën raki përpara. Doemos, do të bësh muhabet e do të këndosh. Dhe skraparllinjtë këndojnë shumë. S’bëjnë muhabet pa këngë. Ndaj më thoshte ai shoku “Hajde vëmë në Skrapar të këndojmë”. Duaje atë që këndon, nga nursëzi ruhu.

Ju kam parë të këndoni edhe këngët e Devollit, por edhe të Skraparit. Të këndoni e të hiqni valle, ju kemi parë…?

– Këngët e Devollit dhe ato të Kolonjës afrojnë shumë me të Skraparit; si liriket, edhe ato të trimërisë. Për shembull kënga: “Kjo hardhi e rrushit, ballkon më ballkon”, ose “Moj unaza gur jeshile” e shumë të tjera këndohen edhe andej edhe këtej, por edhe kërcehen. Dhe mua më thonë që nuk kërcej keq. Kur ishte gjallë nëna ime, Hatixheja, ndjesë pastë, njëherë mora në shtëpi të gjithë grupin e Skraparit me këngëtarë të zgjedhur. Vinin në Tiranë, në një koncert a festival, nuk më kujtohet mirë… Ja, këtu, ku jemi, kemi kënduar e kemi hedhur valle. Dasmë tamam. Demiri nuk ka qenë në atë rast, por ka qenë Beluli nga Strora me shokë; këngëtar e valltar shumë i mirë. Nëna ime, nga Kolonja u përzije me ta e zuri të këndonte. Kanë ndenjur nja pesë-gjashtë orë këtu. U kënaqëm të gjithë. Edhe ne, por edhe ata. Po më shumë nëna ime, Hatixheja. Nëna u miqësua aq shumë me ta dhe here pas here, më thoshte: “Ç’i bëre ata skraparllinjtë, pse s’u thua të vijnë”? Demiri më vinte gjithmonë në shtëpi. Kam shkruar për Demir Zykon, mjeshtrin e këngës. Ishim miq.

Sa herë takoj “patriotë” a miq të mi skraparllinj, bie muhabeti për ju…

-Skrapari ka tradita të mëdha të mikpritjes, por edhe të trimërisë. Ka pasur trima, kapedanë, njerëz përparimtarë, siç ishte Riza Cerova. Idealist i madh. Ka qenë në Kryengritjen e Fierit bashkë me Zylyftar Veleshnjën. Edhe në Kinë ka vajtur. Ishte internacionalist në kuptimin e vërtetë të fjalës, që donte lirinë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të të tjerëve. Skrapari ka nxjerrë Kahreman Yllin, njeri i kulturuar, por edhe udhëheqës. Ai ka pasur vetitë e një njeriu të madh, të një njeriu të vërtetë, të një njeriu me shpirt te madh e me zemër të gjerë. Unë kam një kujtim shumë të veçantë prej tij. Kur isha nxënës në Gjirokastër nga ’48-ta në 52-shin ai ishte ministër a zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit. Vjen në Gjirokastër, por erdhi edhe në shkollën tonë. Unë recitova një vjershë. Kisha botuar në atë kohë disa të tjera në “Zërin e Rinisë” dhe “Letrari i Ri”. Ishte fundi i shkollës së mesme dhe do të jepeshin bursat; ca brenda dhe ca jashtë shtetit. Shumica shkuan jashtë “-Për çfarë ke qejf ti”- më pyeti Kahremani. -“Unë dua të vete për veteriner, i thashë.” “Ti duhet të shkosh për letërsi”,- më tha. Mirëpo unë e kisha mbledhur mendjen dhe në lutjen me shkrim vura të parën kërkesën për zooveteriner; pastaj letërsi dhe gjeografi. Kahreman Ylli, pasi i pa ato më tha:- “Jo, ti je i talentuar, prandaj do të këshilloj të shkosh për letërsi. Hiqi këto të tjerat”. Dhe unë shkova për letërsi. Shkollën e lartë e kam nga ai. Se, kushedi si do të kishte vajtur puna me të tjerat. I jam mirënjohës atij burri të mençur e të ditur! Kam respekt të veçantë edhe për të tjerë burra të Skraparit, si Zylyftar Veleshnjën, të cilin e kam takuar disa herë. Një herë i kam shkuar në Vlorë, te vila, ku pushonte. Isha gazetar në “Zëri i Popullit” në ato vite.

 Kam parasysh një tjetër trim të Skraparit, Lace Backën, me një barrë histori. Që i vogël këndoja këngën e tij: “Doli Laceja nga stani/Shtiri sytë nga Marjani/Atje tek kishë e Marjanit/Mbushur asqer i junanit/Trim, o Lace, trim, o djalë/Thojini nënës të mos dalë/Se Lacja e ngopi xhanë”. Këta burra janë brumë i mirë edhe për libra e filma të mëdhenj, si Riza Kodheli, fjala vjen…

Veçse mik, Riza Kodhelin e keni edhe personazh kryesor tek romani “Komisari Memo”, por edhe tek filmi “Njeriu me top”, me subjekt nga ky roman?

-Riza Kodheli ishte trim, por dhe një karakter i jashtëzakonshëm. E kisha mik, më the? Sa herë që vija në Korçë, kur isha në “Zërin e Popullit”, do të kthehesha tek ai patjetër, se më zëmërohej. E gjeja me Agush Gjergjevicën, se edhe Gjergjevica është afër me Skraparin. Riza Kodheli më tregonte histori nga më të çuditshmet. Ca nga ato të Luftës unë i dija dhe vetë, por ai tregonte dhe bukur. Por dhe atë historinë e njohur, që ai nuk i kishte qejf, komisarët, e dija se m’i kishte treguar Misto Treska, komisari i tij. Në fillim Mistua i tha se jam sekretari yt, jo komisar. Për ta zbutur, doemos. Më vonë e mori vesh Rizai se ai ishte komisar, por tani e kishte njohur Miston mirë, si njeri me kulturë, por dhe trim dhe u bënë miq. Të gjitha këto unë i kam shkruar në roman. Në librin tim, Komandanti Rrapo është Rizai. Kur vdiq Rizai, la porosi “Të më vijë filani me gërnetë e t’i bjerë te arkivoli. Ishte një mik i tij, usta, që i binte shume bukur gërnetës. Kur vdiq xha Rizai, miku i tij i gërnetës e mori vesh dhe shkoi vërtetë. Filloi t’i binte, por njerëzit thanë: “Ç’do ky këtu” dhe deshën ta sprapsin. “Jo, tha ustai. Do t’i bie, se ma ka lënë amanet Riza Kodheli. E dini mire kush eshte Riza Kodheli? Por, do t’i bie dhe do ta qajë edhe për veten time, se e kam pasur mik’’. Xha Rizai ishte njeri interesant. Por unë habitem edhe me ju, që nuk kini shkruar, për shembull, për Hysen Zaloshnjën. Ishte një patriot i madh, por edhe njeri i mençur.

Vetëm për pushkë e trimëri jemi ne skraparllinjtë?!

-Jo, jo! Skrapari ka njerëz të shquar në kulturë e në letërsi në plan kombëtar. Xhevahir Spahiu, për shembull, është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria; poet me shprehje të fuqishme metaforike, me një frymë lirike, por dhe një revoltë e dramacitet të vargut, me një figuracion të larmishëm dhe me ide të thella. E kam mik të vjetër Xhevon. Është dhe gazetar i talentuar. Të thashë, kemi punuar bashkë në gazetë. Po ka edhe krijues të tjerë Skrapari, si fjala vjen Moisi Zaloshnja, shkrimtar i mirë për fëmijë, por edhe për tregime e rrëfenja për të rritur. Moisiu kishte dhe humor të këndshëm. Ka dhe një libër me shumë humor, i cili në kohën kur doli, nuk u prit mirë nga disa zyrtarë sepse ishte një libër që godiste. Moisiu ka qenë një burrë shumë i mirë, objektiv dhe i donte intelektualët e shkrimtarët. Ai ka qenë shef i redaksisë së prozës në shtëpinë botuese “Naim Frashri”. Po Iljaz Kapxhiu? Ka patur një humor tepër të këndshëm edhe në kritikat që botonte në “Hosteni’. Ai bënte shkrime të bukur dhe të guximshëm. Unë e kisha qejf Lazen se ishte edhe gjahtar. Vija shpesh në shtëpinë e tij. Më erdhi keq që vdiq aq shpejt. E fundit herë kur jemi takuar ishte një përvjetor në Gjerbës. Një gjë të veçantë, të pikuar si rakia, Skrapari ka Muzeun Historik. E pasqyron mirë dhe në të gjitha anët specifikën e historisë së popullit të trevës. Nuk e di nëse e mbajnë ende mirë apo… Skrapari ka edhe gazetarë të mirë. Unë kam njohur shumë nga ata, si Mustafa Nanon, Naim Zoton, Mehdi Koxhajn, Zylyftar Hoxhën, Jerina Zaloshnjën. Por, edhe ty Bashkim, se të kam këtu tani, prandaj të lashë të fundit. Ke shkrime të guximshme. Do edhe trimëri gazetaria…

Më bëtë të skuqem, por ustai dhe profesori ynë jeni ju…

Agolli:-…Roland Qafoku është gazetar i mirë, por ka dhe të tjerë. Artan Hoxha i televizionit, është gazetar trim dhe krenari, jo vetëm për Skraparin. Nga cila krahinë e Skraparit je, ti Bashkim?

Gazetari:- Nga Prishta.

-Prishta është zemra e bektashizmit…

Po. Dhe meqë është zemra e bektashizmit, dhe meqë ju jeni bektashi, e paskam të sigurt se do ta pranoni ftesën time për në Prishtë. Kemi fshat të bukur, njerëz të mirë, por dhe raki të mirë që të bën t’ia marrësh këngës e valles. Do t’u shëtisim në fshat. Do të shkojmë në Teqenë e famshme të Prishtës, Teqenë me histori; do të dalim nga “Qafa e Sorkadhes”. Është bukur edhe tek “Shkëmbi i Sherrit”…?

-“Shkëmbi i Sherrit”?! Shumë i bukur ky emër! Këto toponimet, Bashkim, janë shumë origjinalë, por toponimet janë, si të thuash, vula, janë si ADN-ja e fshatit… Shumë i bukur, por a e di ti, si, qysh, si ka dalë ky emër i çuditshëm?!

Kur isha fëmijë, as që e kam shkuar nëpër mend, se ç’do të thotë “Shkëmbi i Sherrit”. Më vonë, zura të mendoja se ç’kuptim kishte ky pagëzim i çuditshëm. Përse dhe nga kush në fshat ishte bërë ky sherr kaq i madh që i kishte vënë emrin edhe shkëmbit? Kush është vrarë apo plagosur dhe, kryesorja, cili është shkaku i sherrit? Për ndonjë femër, apo për ndonjë ledh are; për një kullotë me drurë të shkurtër lajthie apo një burim me ujë të paktë, që do t’u lagte buzën kur do të vaponin bagëtinë?…

-Vendlindja është gjëja më e dashur për njeriun. Të bën të flasësh si poet. Unë kam shkruar shumë vjersha për vendlindjen time. Të gjitha librat e mi kanë brenda vendlindjen time, në një mënyrë a në një tjetër, si frymë.

Ne, nga anët tona, ju e dini, urojmë “Të rrosh sa mali i Tomorit!”. Këtë urim kemi edhe për ju. Ju faleminderit edhe për intervistën, apo bisedën!…Në diktofon tani kam dhuratë edhe një histori të Skraparit që ju sapo e treguat. Do t’ua dërgoj një kopje për kujtim.

-Ju faleminderit juve që më nderuat dhe më erdhët edhe në shtëpi!

(Marrë nga libri “Shkëmbi i sherrit”, që është në proces botimi)