Dritëro Agolli do ndriçojë për jetë midis nesh si gjithë kolosët e letërsisë botërore

831
Shpendi TOPOLLAJ

In memoriam
Duket e çuditshme, por nuk e kam ndier mungesën e Dritëro Agollit gjatë këtij viti që ai fizikisht nuk është midis nesh, pasi, në qoftë e vërtetë ajo thënia se poetët jetojnë pas vdekjes, e vërtetoi më së miri këtë e gjithë vepra që na la. A nuk ishte vetë ai që na kishte premtuar: 

Kohë më vonë, a ndofta më shumë 
Kur të ketë bleruar një dardhë 
Dhe kur lumi në prill të zbresë me shkumë 
Unë e di, do vij me kalin e bardhë.

Kurrë më parë nuk ka pasur një përputhshmëri kaq ideale midis qenies Njeri dhe asaj Poet. Aq sa shpesh i ngatërroj: ishte Njeriu apo poeti i papërsëritshëm ajo që më bëri ta adhuroj. Ta adhuroj dhe ta dua. Ta dua me gjithë shpirt, si atëherë kur e pashë për herë të parë në shkurtin e vitit 1966, gjatë atij marshimit rraskapitës prej 21 ditësh në gjurmët e Brigadës së Parë, ashtu edhe kur i shkoja në shtëpi dhe më priste me aq dashuri. E kuptoja se ashtu i priste të gjithë ata që venin si miq në shtëpinë e tij. Ai i donte njerëzit. U gëzohej atyre. I vlerësonte. Kur ata flisnin, ai tundte pak kokën, Atë kokë që nuk ishte më kokë e zakonshme, por krifë luani. I tillë më ishte dukur edhe Albert Ajnshtaini, shkencëtar dhe filozof. Edhe Dritëroi i tillë ishte; poet, prozator dhe mendimtar. Foli shumë, dhe asnjëherë nuk tha një fjalë të tepërt. Edhe kur si pasojë e sëmundjes, trupërisht u bë sa një grusht, ai mbeti kolos e madhështor dhe plot burrëri. Madje edhe të moshuarve të tjerë u bënte thirrje: 

Mësohuni mençëm të vdisni
Ju pleq të dashur vëllezër 
Që fundin e fundit ta prisni
Me buzën në gaz që nesër! 

Jetoi fare pak më shumë se Gëtja që vdiq 83 vjeç dhe Volteri që jetoi 84 vjeç, dhe sa ngjashmëri pati me ta. Volteri dikur, në mbrojtje të lirisë së zgjedhjes së besimit, u pati thënë kundërshtarëve: “Zotërinj! Emrin tim e pret lavdia, kurse tuajin harresa!”. U kujtohet besoj ai kongresi i famshëm ku ai u ngrit si tribun. Kurse për Gëten, Hajnrih Hajne pati thënë: “Në personin e Gëtes gjejmë me plotësi maksimale përputhjen ndërmjet pamjes së jashtme dhe shpirtit, që vihet re në të ashtuquajturit njerëz të mrekullueshëm. Pamjen ai e kishte aq solide dhe aq shprehëse, sa kishte dhe fjalët, sa kishte dhe krijimtarinë. Në personin e tij shihej një harmoni e plotë, një qartësi prekëse një fisnikëri mahnitëse… Koha e mbuloi me dëborë kokën e tij, por nuk ia përkuli dot. E mbante lart me aq krenari, kurse kur fliste, sikur rritej, kur zgjaste përpara krahët, të dukej se po ua tregonte yjeve rrugën.” A nuk qe i tillë edhe ai? A nuk u shua me mendje të ndriçuar dhe me dinjitet si i dashuruari i përjetshëm i Vajmarit, që përsëriste fjalët heroike: “Prit dhe pak, do të prehesh dhe ti”? A nuk na kishte kujtuar kushedi sa herë për atë ikjen pa kthim? A nuk ishte po ai që shqetësohej edhe për hollësitë e kësaj përcjelljeje; në do e nxinin shkallët e ngushta, se ashensor nuk kish banesa e tij, dhe nga do dilte arkivoli me bardin Dritëro Agolli. A nuk i qe shfaqur sërish tani ajo penda e pëllumbit që dikur kishte rënë mbi arkëmortin e të atit? Dhe meqenëse përmenda Hajnen që ndërroi jetë po më muajin shkurt, a nuk i shërbeu deri në fund gjatë sëmundjes së tij, njësoj si Matilda, gruaja e tij besnike; e mira, e bukura dhe e ditura Sadie? Tashmë e moshuar, kjo Alkestë e Euripidit, o Zot, sa u lodh! U lodh, por s`u ankua kurrë. I qëndroi pranë dhe u përkujdes për të, duke qenë e ndërgjegjshme se po i shërbente tërë lexuesve, tërë admiruesve të tij dhe vetë letërsisë shqiptare. Nuk e di; ndofta vetëm Robert Bërnsi apo Sergej Esenini e deshën dhe i kënduan natyrës së vendit të tyre aq sa Dritëroi. Poezitë e tij aq të ndjera, plot thjeshtësi vargu e ngrohtësi të shkruari, do të mbesin himne dashurie për Atdheun.

Lumi i fshatit me bretkoska 
Është aortë e zemrës sime
Shkoj Parisit, bredh nga Moska, 
Pas më vjen me ligjërime. 

Por jo vetëm kjo; ai ishte po aq kurajoz në shpotitjet e tij ndaj veseve e mangësive të kohës. Dhe kjo nuk ishte pak, po të kemi parasysh kohën kur jetoi e punoi. E tregoi karakterin e papajtueshëm me hipokrizinë e demagogjinë, jo vetëm te Zylua, por edhe tek ata personazhet karikaturë të romanit “Kalorësi lakuriq”. E tregoi edhe kur mbërriti koha e shndërrimit të madh. Atij shndërrimi historik që ai e kaloi pa folur asnjëherë për veten. I kishte thënë të gjitha në veprat e tij. Ja si shprehet te poezia e tij “Kështu dhe ashtu”: 

Ç`t`i bësh? 
S`reduktohet një jetë. 
Ç`ke bërë, të mbetet gjithmonë. 
E dini? 
Nuk jam nga ata të stisur poetë, 
Që jetën e tyre me laps redaktojnë. 

Dhe ndofta qe nga të paktët që pati kurajën të qortonte të shkuarën. Dhe kjo ia rriti vlerat, aq sa kur ndërroi jetë, u shkul i madh e i vogël për t`i dhënë lamtumirën e fundit. Atë lamtumirë që do të mbante mbi krye si aureolë fjalët lapidare të Hajnes: “As vetë s`e di, nëse e meritoj, që kur të vdes, arkivolin të ma zbukurojnë me kurora dafinash. Ama, në të duhet vënë shpata, sepse kam qenë ushtar guximtar në luftën për çlirimin e njerëzimit.” Dhe duke dashur të sqaroj edhe një herë arsyen përse nuk e kam ndier mungesën fizike të këtij burri madhështor, po shtoj diçka nga “Udhëtim në malin e shenjtë” të Niko Kazanzaqis: “Besoni te pavdekësia e shpirtit?” e pyetën një ditë Renanin dhe prestigjiatori finok u përgjigj: “Nuk e kuptoj arsyen, përse bakalli përballë shtëpisë sime duhet të jetë i pavdekshëm.” As unë: por e kuptoj ama, arsyen, përse shpirtrat e mëdhenj duhet të mos vdesin, duke u shkëputur prej trupit.” Ja përse edhe poetët e mëdhenj si Dritëroi ynë jetojnë edhe pas vdekjes. Se fundja atë nuk e tret dheu edhe nga meraku që ka: 

O njerëz të lajthitur nëpër natë, 
U vratë nën ballkonin tim për dokrra! 
S`ka rëndësi nga ishit ju të ngratë, 
Nga Mati, nga Tropoja, a nga Mokra. 
Tek pi duhan mes tymit flas menduar, 
Sikur në shekuj rron një fis i marrë: 
Përjetësisht në urrejtje i bashkuar, 
Çuditërisht në dashuri i ndarë!

Si mund të vdesin fjalët e tij që s`janë tjetër veçse shpirti i flaktë i tij që do të rrezatojë përherë mes nesh.
Sigal