Dritëro Agolli: Debati me Enverin mbi bursat në familje dhe qëndrimi i Thoma Delianës

655
Sigal

 Bisedë miqësore në vend të një interviste me shkrimtarin  Dritëro Agolli

 -vijon nga dje-

 Në këtë pjesë të dytë Dritëroi flet për shtypim, për Labërinë, për debatin me Enverin për bursat në një familje, për rakinë, cigaren, shtypin dhe këngët polifonike. Për një moment duke parë librat e shumë kudo në shtëpi, e pyes nis i ka ende librat që t’i pati dhuruar rilindësi modern Aristidh Kola, në vitin 1997, (kur unë me Aristidhin organizuam ardhjen e tij në Athinë). Aty i kam më thotë, por tani me aq libra sa kam hajde gjeji. Por e kujtoj shumë mikpritjen e Aristidhit… Dhe vërtetë, në ardhjen e tij në Athinë unë së bashku me Aristidh Kolan punuam disa ditë. Dritëroi erdhi së bashku me Moikom Zeqon dhe me Spartak Brahon dhe qëndruan disa ditë, ku ne i çuam në disa shtëpi emigrantësh, por edhe në disa shtëpi arvanitasish si ajo e Dino Kubatit, aktorit, regjisorit dhe publicistit të talentuar, i cili është martuar me një labe nga Memaliaj. Darkën e parë Dritëroit ja shtroi vetë Aristidh Kola, ku ne ndenjëm në verandën e tij deri në 05:00 të mëngjesit. Kur kaluam këto kujtime Dritëroi u nda sesi ti drejtohemi njerëzve me fjalën shok, zotëri, apo me titujt që mbajnë. Për çudi ai e mbante gjallë bisedën dhe pse kishte orë të tëra që priste njerëz. Për mëse dy orë atë ditë tek shtëpia e tij dominoi, kënga, poezia, letërsia, trimëria, por sigurisht edhe rakia…

 Shtypi sot dhe kujdesi i gazetarëve

Sot shtypi është i lirë, madje shumë i lirë. Nga kjo liri ka dhe teprime. Sot edhe shtypi  duhet të jetë i kujdesshëm. Madje shumë. Duhet të jemi racional në shkrime, të ruajmë ekuilibrat. Sot shumë analistë e kalojnë masën edhe në marrëdhëniet me shtetet. P.sh kam dëgjuar shumë të ashtuquajtur analistë japin mendime që Rama të mos shkojë në Beograd. Pse? Për një ndeshje. Jo. Politika është tjetër ndërsa futbolli është tjetër. Në tavolinë zgjidhen problemet mes politikanëve. Nga mos pasja e një diplomacie elokuente ne kemi vuajtur shumë, shumë. Në politikë nuk duhet të jesh kokëfortë. Ndaj këta gazetarë e kanë gabim. Ne historikisht na kanë luftuar shumë shtete të  mëdha. Austria dhe Hungaria kanë qenë mbrojtësit tonë. Gazetari duhet të jetë gjakftohtë pasi bën një politikë të caktuar. Kur flet kaq ashpër një gazetar, atëherë ç’pret nga një njeri i thjeshtë. Duhet të dimë se Serbia ka ndikim në Europë, pasi ka qenë shumë e lidhur me Europën kur ne ishim bashkuar me lindjen. Titua i prishi shumë shpejt marrëdhëniet me BS dhe u afrua me Europën. Dhe Europa i hapi dyert, i lejoi shumë emigrantë dhe patën lidhje të vazhdueshme. Madje, emigrantëve Titua u vuri një taksë që 20% të të ardhurave t’i sillnin në atdhe. Kështu u forcua shteti jugosllav. Nga vendet komuniste dy ishin udhëheqësit më të mëdhenj Titua dhe Ten Hsia Pini. Ata kishin vizionin e rritjes ekonomike të vendit. Dhe shtypi në të dy vendet është treguar e kujdesshme.

  Debati me Enverin mbi bursat në familje

Diku në një nga miqtë e tu (ndërhyj në bisedë) kam lexuar për një debat me Enverin dhe Thoma Delianën për bursat, pra që nuk lejoheshin dy apo tre bursa në një familje. Me këtë rast ju keni përmendur Frashërllinjtë

(Qesh). Po ma kanë thënë dhe mua që e ka shkruar Pëllumb Kulla. Është një ngjarje që edhe sot, kur e kujtoj qesh, por edhe stepem. Stepem se kushedi si mund të merrej krahasimi që bëra unë. Një ngjarje mes meje, ish- ministrit Thoma Deliana me praninë e Enverit. Ky na pati thirrur në sekretariatin e KQ, ministrin e Arsimit Thoma Deliana, dhe mua Dritëroin me cilësinë e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve. Të parit të vendit i patën ardhur ca letra me ankesa për një rregull të padrejtë, sipas të cilit në universitet lejohej të shkonte vetëm njëri nga fëmijët e një familjeje. Nga ky rregull i prapë mund të mbeteshin pa studime të larta fëmijët më të vegjël, edhe atëherë kur këta shfaqnin dukshëm energji, vullnet dhe talent të qartë. Dhe kjo, ngaqë 2-3 vjet më parë, pati përfituar të drejtën e vetme motra, ose vëllai më i madh, që nganjëherë rastiste të ishin shterp dhe pa perspektivë. Këto ankesa ua shtroi Enver Hoxha të ftuarve në zyrën e tij. “E quan të drejtë ti, Dritëro, këtë rregull tonin?” e pyeti Kryetarin e Lidhjes kur këtij i erdhi radha. “Jo vetëm nuk e quaj”,- ia bëri Dritëroi, -“por kjo të krijon përshtypjen se Shqipëria jonë socialiste në këtë pikë është më prapa nga perandoria otomane.”. Të tjerët lëvizën nëpër vende dhe panë se si do të reagonte i madhi.  Ky nuk po merrte frymë duke pritur Agollin. “Se ja, bre shoku Enver, në Stamboll universitetet pranuan dhe Abdylë dhe Naimnë dhe Saminë, që të paskëshin lindur në kohën tonë vetëm Abdyli… Po të pranonin vetëm Abdylin do ishte një gazetar i thjeshtë, Naimi do të ishte një shkencëtar midis të shumtëve. Por ata mësuan të gjithë që u bënë në një mendje të tre që menduan për Shqipërinë. Madje, Naimi hodhi dhe idetë se, ku duhej të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Një ide ishte të bëhej tek liqenet e Belshit, …Tjetra është,- i thashë se fëmija i parë që ka marrë bursë mund të mos i ketë pasur të gjitha dhjeta si fëmija i dytë, kështu i dyti më i miri ngelet pa studime”.  Enver Hoxha përplasi një dosje dhe iu shkreh ministrit Thoma Deliana: “Të gjithë me nota të shkëlqyera të vazhdojnë universitetin. Ik e ma ndreq këtë rregull. Dëgjon? Do të mbash përgjegjësi të rëndë për këtë. Mbledhja mbyllet!”

Duke zbritur shkallët Thoma Deliana dyllë i verdhë, i thotë: “Po ç’faj kam unë”. S’e kam dhënë unë atë urdhër. Unë vetëm kam zbatuar urdhrat. Dukej sikur do të përmbysej e do vinte në fund të shkallëve. “Dritëro, ç’më bëre me atë të Frashërillnjve!” ankohej duke belbëzuar. “Dhe nuk kam asnjë faj, mor mik. Këtë rregull… urdhrin, ai vetë ma ka dhënë! Vetë i madhi!” “Po përse nuk ia the?!”- ia ktheu Dritëroi. “Pu-pu-pu!”,- ia bëri ministri. -“Nuk ia thosha dot. Çdo gjë do të shkonte qetë, por t’i na djallose me atë të Frashërllinjve!” (P.Kulla).

 Tre të mirat e Përmetit

 Tre gjëra të mira ka Përmeti ka Kaludhin që bën kecin më të mirë në Shqipëri. Së dyti ka rakinë e Kalcës dhe gjelbërimin, ose më mirë të themi vendlindja e Naimit. Në Sinë të Skraparit që bën shumë thana, atje ka qenë ushtarak gjyshi i Naim Frashërit, pastaj ata shkuan në Frashër. Naim Frashëri kishte martuar të motrën në Kolonjë te Shahin Kolonja. Hasan Ziko Kamberin, i ati i Naim Frashërit e kishte të tijin, si fis.

 Librat e mia në shtëpi duan një lokomotivë ruse

Nuk e di sa libra kam, mund të them se shtëpia ime është ndërtuar me libra. Mund të jenë 40 libra në muaj që më dhurojnë. Prapë nuk ngopem. Libri më qetëson. I kam kudo, në tavolinë, në sirtarë, pa diskutim në bibliotekë por edhe nën krevate. Libri është i shenjtë. Unë kam respekt të madh sidomos për përkthyesit, pasi ata na sjellin afër kolosët botërorë të letrave. Librat e mia në shtëpi duan një lokomotivë ruse, por pranoj çdo libër me kënaqësi, pasi çdo libër e ka nj vlerë, e ka një fabul ndryshe, e ka një të veçantë nga librat e tjerë. Libri është kulturë, është dije, është qytetërim, është diçka e bukur që të qetëson. Kushdo që lexon një libër të mirë bëhet më i edukuar, më i emancipuar, më dialogues. Kurrë mos kurseni të blini libra dhe të krijoni libra nis keni mundësi.

  Në shtëpinë e Ylli Rakipit

 Fisi Rakipi ka të bëjë me ne. Unë kur shkoja nga anët tona e vizitoja shtëpinë e tij. Por ai kishte biografi të keqe dhe në këto raste më shumë trembeshin ata se unë. Por siç thotë vetë Ylli, shumë miq familjarë komunistë, shkonin natën ose dilnin nga pas të mos i shikonin, kur futeshin se atëherë i analizonin deri në një. Kështu ishte ajo kohë. Kishte të metat e veta.

 Cigarja, unë dhe Sadija, të tre shokë të pandarë

E pi farmakun. E pi dhe s’e lë dot. Ja që se lë. E pimë të dy (ndërhyn e shoqja Sadija që si ndahet asnjë sekondë).  Ishte krushku i vëllait tim. Vuante nga tiroidet. Shkoi këtu kudo, por nuk i dhanë asgjë rezultat. Shkoi për vizitë në Itali. I thotë mjeku, e pi duhanin? Jo, -i thotë ai. Por duhet ta pish i thotë mjeku. Trupit i duhet edhe nikotinë dhe ti ke mungesë nikotine. Kur isha i shtruar në Sanatorium një mjek i dëgjuar, më thotë që duhani i bën mirë atij që është me turbekuloz. U habita, s’e besoja. Ai ishte një nga mjekët më të mirë. Thonë shumë për cigaren, por unë them me plot gojën edhe pse ka të mira është e dëmshme, është jo fort e këndshme. Ajo është një shoqëruese e mirë, por dhe një e dëmshme me disa drejtime, tymi, harxhimet, era në shtëpi, etj…Edhe ekonomikisht të dëmton. Por për mua është shok i mirë. Cigarja, unë dhe Sadija, mbetemi të tre shokë të pandarë.

   Si t’i drejtohemi njeriut, shok, zotëri apo…?

Po shoh se sot nga ju më thërrasin me emra të ndryshëm. Disa më thonë Profesor, disa më thonë Shef, disa më thonë shoku Dritëro, disa zoti Dritëro (qesh). Edhe unë disa herë kur isha i ri s’dija si t’u flisja personaliteteve të shkencës. E di që kështu ndodh me disa se si duan të më flasin mua. Jam mësuar me të gjithë emrat. P.sh Eqerem Çabejt dhe Shaban Demirajt, unë dhe në atë kohë u thosha zotëri. Nuk u thosha shok. S’e di pasi ashtu më dukeshin si zotërinj. Madje dhe shumë shokë të mijë ashtu u thoshin. Na vinte vetiu. Vinte vetë nga personaliteti i tyre. Një tjetër shembull, Lasgush Poradecit nuk mund t’i flisje tjetër përveçse zotëri. Nuk donte t’i thoshe as shok, as poet, as profesor, asgjë. Vetëm zotëri. Ose në fshatra përdorej dhe Imzot.  Pastaj fjala shok nuk është tamam shqip, është latinisht sosh. Por fjala shok është e bukur, është më njerëzore, të bën më të afërt, i largon distancat. Unë përdor edhe zotëri edhe shok.

 Për vlerësimin e shoqatës “Labëria”

Jam i moshuar dhe të moshuarit gëzohen kur marrin çmime si një fëmijë. Stimuli moral në këto vite të miat është më i miri, më i bukuri, më i dashuri, ashtu si dhe për fëmijët. Ky vlerësim dhe çmim është jashtë çdo ngjarje tjetër që kam marrë, pasi vjen nga një krahinë e lavdishme, madje mund të them më e çmuara (se mos zemërohen krahinat e tjera) për vlerat e saj. Labëria është një krahinë që në të gjitha kyçet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare ajo ka qenë prezentë e para. Kryengritjet e armatosura të shekullit të XIX janë ndër më të spikaturat. Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, vëllezërit Topulli e të tjerë. Zëri dhe forca e Skënderbeut fluturoi dhe u përkrah më shumë nga Labëria. Këto kryengritje kishin dhe mbeten me shumë rëndësi. E kam thënë (por mos t’u mbetet hatëri dhe krahinave të tjera që s’janë më pak patriote) se kjo Krahinë mbetet më patriotja. Gjithmonë ka qenë me pushkë në krah për lirinë e atdheut. Pas Skënderbeut nga krahina e Labërisë kanë dalë shumë luftëtarë, të cilët i kanë dhënë tonin luftës kundër pushtuesve turq. Nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Delvina kanë dalë komitë me emër kundër hordhive turke. Pastaj vjen lufta e Vlorës me Zigur Lelon, Selam Musanë dhe shumë luftëtarë të tjerë që u hodhën mbi telat me gjemba me guna. Në luftën e Vlorës shkoi nga Korça edhe banda muzikore . Nuk do të harroj kurrë këngën Vlora Vlora të poetit të madh Ali Asllani, që kur e dëgjon dhe sot, të jep forcë e frymëzim për të bërë heroizma. Vlora, Vlora, Vlora, Vlora/ buçet kënga për liri/ ja do bëhet Vlora jonë/ ja do bëhet shkrumb e hi. Kjo këngë ishte si himn dhe e tillë mbetet. Për më tej ishte Ismail Qemali ai që ngriti flamurin në Vlorë. Ishin po lebërit që hodhën italianët në det më 1920. Po kiçi i luftës nacional çlirimtare. Por vjen dhe revolucioni i Fan Nolit, ku me të shkoi Sali Vranishti që i qëndroi besnik.

Por dhe në luftën nacional-çlirimtare shumica e heronjve ishin nga Labëria. Që nga Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Mehmet Shehu, Memo Meto, Asim Zeneli, Mustafa Matohiti, e dhjetëra të tjerë. Edhe në të gjitha fushat e shkencës Labëria ka nxjerrë figura të papërsëritshme. Por edhe në vitin 1997 ishte Vlora ajo që nuk u pajtua me vjedhjen e piramidave, një vjedhje që i la pa asnjë dyshkë të gjithë njerëzit që punonin me djersë. Kjo revoltë e vitit 1997 spastroi demokracinë. Në këtë revoltë kishte dhe ndonjë ekstremitet, por në atë gjendje mund të shkiste dhe ndonjë veprim i nxituar. Besoj se, dhe në të ardhmen kur të flitet për interesa kombëtare, patriotike Labëria do të jetë e para.

 Dobësia për pikturat

Këtu në shtëpi kam shumë piktura. Janë piktura që më kanë dhuruar miqtë e mi piktorë. Shplodhem kur i shikoj. Në një prej tyre (pasi gjithë muret ishin mbushur me piktura), jam dhe unë me cigare në gojë. Kam shumë miq piktorë. Dua të theksoj se, ne kemi piktorë të shkëlqyer, madje me famë që konkurrojnë dhe me piktorët më të mirë në botë. Pëlqej shumë Sali Shijakun dhe Skënder Kamberin. Por janë Jonuzi, Kaceli, Blloshmi, e shumë të tjerë.

 Kënga popullore, polifonia dhe rakia

Secila trevë ka të veçantat e saj në këngë. Shqipëria juglindore ka tjetër mënyrë të kënduari, jo si kënga labçe, polifonike. Ju keni kombinimin e zërit me iso. Ne s’kemi atë lloj isoje. Unë i dëgjoj por dhe i këndoj këngët labe, janë burrnore, janë plot forcë. Kur mblidhem me labërit këndoj labçe, por këndoj edhe korçare dhe ato të Skraparit (dhe ja fillon ja merr këngës labçe, pastaj devolliçe dhe më vonë skraparllinjtë). Ne u befasuam. Unë personalisht ishte hera e parë që e dëgjoja Dritëroin të këndonte me zë të larte, madhe fort bukur. Mundoheshim të gjithë t’i vinim pas zërit. Për çudi zëri i tij dilte mbi të gjithë ne. Kur pushon së kënduari vazhdon… Këngët nuk shkojnë pa raki apo jo? (qesh). Rakia ta ëmbëlson këngën, ta ndez. Është e mirë e uruara. Pastaj rakinë e kemi pijen tonë. Me atë mburremi. Në Shqipëri kur të ftojnë nuk thonë as hajde të pimë verë, as hajde të pimë birrë, por hajde të pimë raki. Është e mirë shejtania. Unë e kam pak për zemër, por Sadija s’më ka lënë kurrë të qetë. Po e tepron thotë, por unë rrallë e kam tepruar (qesh). Në fakt sa të huaj kanë ardhur dhe e kanë provuar janë mrekulluar. Por mbi të gjitha rakinë të mirë e kanë Skrapari dhe Përmeti.

 Albert Z. ZHOLI